Zogu nuk e ndihmoi, por e ndëshkoi Shotë Galicën

Rikujtesë në prag të 90-vjetorit të vdekjes së Shotë Galicës

Bedri TAHIRI

Zogu nuk e ndihmoi, por e ndëshkoi Shotë Galicën

Më 3 tetor 2003, me Skënder e Veton Misirin vizituam Fushë- Krujën. Aty gjetëm atë që edhe mendonim ta kërkonim, Ibrahim Drevinjën, plakun që e nderon mbarë qyteti, të birin e Selim Çaushit, nga Taraxha e Artakollit, bashkëpunëtorit të Azem Galicës.
-Mirë se vini, burra kosovarë!- na thotë ai duke na përqafuar me një mallëngjim të thellë e të papërmbajtur. Dhe, evokime, përmallime, lot, rrëfime. Biseda rrjedh shtruar, duke na kthyer tej prapa, atje te betejat e lavdishme të kaçakëve trima…
Për familjen Drevinja dija edhe me herët nga historia, por tashmë dëshminë e kisha të gjallë përpara.
-Po për Shotën ç’mund të na thuash?- e cytim sa për t’ia çelur gojën, sepse gati ishte harruar nga përmallimi.
-A, mos më ligështoni, se Shotë Galica më nuk bën nëna!- nis ai dhe lotët ia zunë grykën. Kur u sëmurë, bashkë me nënën time, Nailen, vajtëm në spitalin e Tiranës, që atëherë ishte te Sahatkulla dhe e pamë. Nëna ka qenë gjuhëshpatë. Doktor Besimit (ashtu e quanin) dhe motrave që e këqyrnin, u thoshte: Kini kujdes, po nuk u shërua Shota, flokët do t’jua shkuli me rrënjë! Por, ajo vdiq shpejt. Vdiq në mjerim të plotë. Të vetmen pasuri që kishte, kalin e Azemit, e shiti për kafshatën e bukës për jetimët që kishte me vete. Zogu nuk e ndihmoi Shotën. Ai bile e u mundua ta helmoi…Dhe e varrosëm për gazep, dy herë ia ndërruam vendin…

Autori me Ibrahim Drevinjën pranë Lapidarit të dëmtuar të Shotë Galicës në Fushë-Krujë

Me insistimin tonë vajtëm edhe te lapidari, tashmë i dëmtuar plotësisht.
-Kjo është marri që nuk durohet, shfren ai i pezmatuar në kulm dhe përpiqet t’i fshehë lotët që i vërshuan faqeve të rrudhosura. Kur e patëm nisur lapidarin, ky vend ishte gropë e madhe, mezi e mbushën më gurë nga Krasta e Krujës, u gëzuam të gjithë dhe punonim vullnetarisht hiç pa u lodhur. Sot shihe si është bërë, për marre të zotit, sikur të mos kishte njerëz fare këndejpari…
– Do t’i bashkojmë sërish Azemin e Shotën dhe do t’ua ngrisim një Lapidar të madh në Galicë,- i them unë.
Atij i buzëqesh fytyra dhe shton: mirë, mirë, por kjo Heroinë e ka vendin edhe këtu, edhe ne do t’ia bëjmë një Përmendore tjetër më të mirë se kjo.

Në të ndarë, nuk  na lëshon pa na shpënë në shtëpinë e vet, që të na e tregoj odën kosovare. Dhe, fare në fund, në të ikur, na e jep edhe një pagurë me raki rrushi që vetë e bënin në shtëpi. Atë na e mbushi mbesa e Rrahimës, mbesës së Azemit, e cila më 1920, kur s’kishte veçse pesë vjeç, i kishte  shpëtuar zjarrit të shkaut.

Shota për Shotën

Sakaq, fare rastësisht, ia bëheu nipi i tij, i biri i Shotës së re, Haki Thaçi me prejardhje nga Ozdrimi i Skënderajt. Ai edhe pse i zënë me punë, vendosi të na shoqëronte deri në fund …
Për pak kohë qëndrojmë edhe në shtëpinë e Shotë Gashit- Thaçit, plakës shtatëdhjetëvjeçare, e cila ndjehet krenare dhe e mban për nder emrin e hallës së vet, Shotë Galicës. Për herë të parë po e merrnim vesh se ekzistuaka një Shotë!!!
-Siç më thoshte babai,- nis rrëfimin ajo, pas rënies së Azem Galicës, dada Shotë me dy vëllezërit: Salihun dhe Metin, me Bekë Hysenin, me disa jetimë dhe me ndonjë shok tjetër, erdhën në Shqipëri, këtu në rrethin e Fushë-Krujës. Kosovarët ishin punëtorë të mëdhenj dhe të palodhshëm. Edhe këtu, ku kishte veç male me shkurre, djerrina e moçale katandisësh, nisen të gjallonin për lakmi…
Salihu u martua me Hate Qelajn nga Leçina e Drenicës dhe patën tetë fëmijë: tre djem: Tafilin, Halilin, Beqirin dhe pesë vajza: Salën e Shotën (binjake), Trashjen, Shakjen dhe Maliqen.

Shota- mbesa e Shotë Galicës

Mua ma lanë emrin  e dadës Shotë. Për këtë ndjehem shumë krenare. Edhe gjithë rrethi më ka çmuar dhe nderuar hatri i emrit. Këtë emër e mban edhe Gjimnazi i Fushë-Krujës. Edhe përurimin e Lapidarit, nëse nuk gaboj diku më 1962, e mbajë mend fort mirë. Por, si është bërë sot, nuk më merr malli as ta shoh,- përfundon kjo malësore, të cilën fati e kishte lidhur me Skënder Thaçin nga Ozdrimi, me të cilin  kishte nëntë fëmijë…