“Zgjidhe ushkurin!”

Reis Mirdita

Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta -XXVI-

Me shpërnguljen në qytet, mullai i rrejshëm, vazhdoi me marifetet e tija të cilat sa vinin e bëheshin më të regjura! Numri i pacientëve u rrit konsiderueshëm e me këtë edhe “honorarët” majmeshin. Lloj-lloj sëmundjesh shëronte por kjo nuk ishte edhe aktiviteti i tij kryesor! Hilja ishte ajo që i sillte nam dhe fitime. Ndër shënimet e mia të para, disa vite më vonë kur nisa hartimin e tyre, zgjodha për fillim historinë e Jolandës, gjyshërit e së cilës, nga rrethi i Korçës, erdhën dhe u vendosën këtu si tregtarë basmash që u vinin kryesisht nga Shami, Halebi  dhe Lindja e Largët. Tregtia u ecte mirë por që nga ditët e para, në shtëpinë e tyre të blerë nga një administratorë i Sulltanit i cili u largua me dekret për detyrë të re në Stamboll, filluan të dëgjohen rënkime misterioze dhe të frikshme. Për habi, askush nga fqinjët nuk kishte dëgjuar o parë gjë gjatë kohës së kaluar. Vetëm me ardhjen e pronarit të ri filluan lëvizjet dhe britmat halucinante. Thënë të vërtetën, fqinjët nuk ishin në gjendje të vërtetonin diçka të tillë; ata më shumë prodhonin ngjarje nga ajo që u pat treguar zonja e re, me shpresë se do të merrte ndonjë sqarim. Si do që të jetë, kjo familje me besim të paluhatshëm në Zot, nuk u step asnjëherë dhe vazhdoi të jetoj në shtëpinë e vet duke vazhduar punën në dyqan dhe duke mbajtur harmoninë e lakmueshme në mes vete. Një djalë që sollën me vete, u rit në bukurosh dhe u martua me vajzë qytetare që ishte shenjë se ata ishin të pranuar mirë në këtë qytet. Prindërit e rinj patën vajzën që emëruan Jolanda, si kujtim dhe respekt për një teto nga qyteti i Korçës e cila pat ndërruar jetë që moti.

Vajza duke u rritur, filloi të mbyllet në vete dhe fliste shpesh për njerëz pa fytyrë të dukshme që rrotulloheshin natën nëpër oborr por edhe në brendi të shtëpisë.

Një mëngjes pranvere, Jolanda nuk u çua nga shtrati. E rrahur në gjumë nga disa qenie të errëta që ia nxunë gojën dhe ia hynë me kërbaç, e molisën keqas dhe ashtu të alivanosur, e lanë dhe ia mësynë shtigjeve të tyre. Shëndeti i saj sa vinte e dobësohej por askush nuk gjente medet. Familja patën angazhuar një punëtor-çirak i cili ndihmonte në dyqan dhe në shtëpi ku kujdesej nganjëherë për oborrin me pemë, lule dhe pak perime të mbjella ashtu sa për adet. Djaloshi duke pa gjendjen e Jolandës, disi frikshëm iu lut një ditë Zonjës ta lenë të shkoj në Haleb për mall por ta merr me vete zonjushën e re sepse atje kishte doktorë e hoxhallarë të mëdhenj e mund t’i gjendej shërim. Netët në vijim zonja me zotëriun nuk bënë shumë gjumë. Ishte viti 1963 dhe kufijtë u ngjanin shisheve të mbyllura me tapë për sa i përkiste mallit dhe vlerave të tjera qofshin ato edhe zbukurime personale. Më së fundmi, ata përgatitën të rinjtë me pajisje të duhur por nuk iu lejuan të mbushin valixhe me mall. Edhe ashtu dyqani posa dilte nga kooperativa e themeluar më 1952-shin, në duar të sipërmarrjes tregtare shtetërore ku pronari i kohës para LDB me shumë peripeci, u emërua shef i shitores.

Pas dy javësh, dy të rinjtë u kthyen. Jolanda ndjehej më mirë dhe nuk qante më si vajzat ditën kur shkonin nuse. Ca muaj para se t’i mbushte të tetëmbëdhjetat, prindërit e martuan me Muhedinin që tani më  nuk ishte çirak por punëtor i dyqanit. Ata ngelën të jetojnë në shtëpi të prindërve por jeta nuk u buzëqeshi shumë… Pas pesë vjet martesë; pa fëmijë, nisën të kërkojnë zgjidhje nëpër hoxhallarë-fallxhorë të pa fije njerëzie. Jolandës dikush i këshilloi të shkoj te Mullai i famshëm, gjë që ajo e bisedoi me burrin dhe kështu me lejen e tij, në paraditen e të nesërmes u nis…

E reja e shtëpisë e shoqëroi gjer te dhoma e pranimit. Njeriu-xhinde, i vetëquajturi “Mulla”, urdhëroi gruan e re të mbyll derën me fre. Pas kësaj, ajo u në gjunjë dhe dëgjonte si në kllapi lutjet pa asnjë kuptim që recitonte “shëruesi”. Pas një gjysmë ore të mirë, ai i kërkoi me zë të prerë gruas që kishte ardhur për dert:

– Që donë fëmijë, zgjidhe ushkurin!

Jolanda u frikësua pa masë, bashkoi duart mbi nyjëzën e dimive por nuk e humbi fijen.

-Tash shkoj e thërres burrin dhe ta kallëzon ushkurin ty!

-Ja ushkurin e ke varur në murin anash; i ka dyzet nyje! Duhet t’i zgjidhësh se të kanë lidhur me sihir dy kunata nga fqinjësia pasi të xhelozojnë dhe duan që burri të të lë se nuk ke fëmijë!

Jolanda u ngrit në këmbë, pështyu mullain në fytyrë dhe me lot faqeve, iku drejt shtëpisë vet.

(Vazhdon me: Hakmarrja e mullait të rrejshëm)