Zgjedhjet e parakohshme parlamentare – një domosdoshmëri për të dalë nga situata e rënd politike në Kosovë!

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare – një domosdoshmëri për të dalë nga situata e rënd politike në Kosovë!

Shkruan: Hafiz Gagica
Rikthimi i besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit të Kosovës, është imperativ i kohës, ashtu siç është edhe forcimi i pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, pastaj anëtarësimi i saj në OKB dhe organizatat tjera botërore, dhe, ky proces pa dyshim që kërkon punë, angazhim si dhe përkushtim të gjithanshëm shoqëror dhe nacional për t’iu kthyer stabilitetit në vend, e që zgjedhjet e parakohshme për një gjë të tillë, janë zgjidhja më e mirë e lëmshit politik në Kosovë.
Fatkeqësisht, sjelljet e disa politikanëve tanë në muajt e fundit kanë ndikuar që imazhi ynë si shtet të dëmtohet dukshëm në arenën ndërkombëtare, ndaj përmirësimi i këtij imazhi kërkon kohë, mençuri, veprime të matura dhe tolerante mes përfaqësuesve të partive parlamentare si dhe bartëseve të institucioneve të vendit, në radhë të parë, e pastaj edhe kujdesi ndaj miqve tanë të shumtë ndërkombëtarë.
Organet e larta të drejtësisë si dhe Gjykata speciale duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur e të mos politizohen, sepse siç dihet kjo e fundit është miratue nga shumica e deputetëve të Parlamentit të Kosovës.
Është humbur mjaftë kohë duke u marrë me vetveten, institucionet e shtetit janë dëmtue dukshëm për shkak të lojërave politike të disa “bossave” të pandërgjegjshëm, dhe tanimë nuk kanë legjitimitet të plotë. Këto ditë do duhej patjetër të arrihej konsensusi politik midis subjekteve partiake për caktimin e datës si dhe përgatitjen për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, gjë e cila do t’i legjitimonte institucionet qeverisëse si dhe do siguronte një stabilitet politik dhe shtetëror në Kosovë.
Mendoj se ambiciet e shfrenuara për pushtet dhe privilegje, inatet personale dhe egocentrizmi për t’u pasurue me çdo mjet dhe në mënyrë jashtëligjore, fyerjet, shpifjet, sulmet agresive ndaj oponentëve politik pa fakte dhe argumente, korrupsioni dhe nepotizmi, fjalori denigrues dhe deficiti moral, etj., pra dukuri negative këto nga më të ndryshmet prezente në skenën tonë politike, e kanë dëmtue rënd shtet-ndërtimin e Kosovës si dhe funksionimin normal të jetës.
Në Kosovë ditëve të fundit kanë ndodhur ngjarje dramatike, dhe ne si shoqëri dhe si shtet kemi hyrë në një fazë të re me shumë të panjohura, prandaj në asnjë mënyrë nuk guxojmë të humbim ekuilibrin kundrejt obligimeve dhe sfidave që qëndrojnë para nesh si popull dhe shoqëri, e cila synon integrimin në BE dhe organizata tjera ndërkombëtare!

Stuttgart, 28.06.2020