Zgjedhja e Presidentit. Kurti dhe Osmani nuk bëjnë pazare…

Zgjedhja e Presidentit. Kurti dhe Osmani nuk bëjnë  pazare me demokracinë, as me vullnetin popullor dhe as me interesin kombëtar  

Nga Skënder Sadri KAPITI

Zgjedhja e Presidentit të Kosovës po shpalos dhe po tregon moralin e vërtetë politik të deputetëve dhe të partive politike në Kosovë. Përderisa fituese e zgjedhjeve është LVV dhe Lista“Guxo” e Vjosa Osmanit atëhere detyrimisht posti i Presidentit u takon atyre, sepse kështu ka folur dhe vendosur demokracia, verdikti i popullit me 14 Shkurt 2021.

Dhe pikërisht këtë parim dhe ligj demokratik kërkon që të zbatohet LVV dhe “Guxo”.

V. Osmani & A.kurti

Kurti dhe Osmani kërkojnë zbatimin e demokracisë, kërkojnë që deputetët e Kosovës si përfaqësues të popullit, ata detyrimisht duhet të delegojnë në parlament frymën demokratike dhe atë kombëtare që është pjesmarrja në parlament , dhe kryerjen e detyrës së tyre që në rastin konkret është roli opozitar i tyre, është fjala dhe përdorimi i mandatit të tyre, pra  pjesmarrja dhe votimi në parlament dhe jo braktisja e tij dhe as mosvotimi për cështje të tilla me rëndësi jetike për Kosovën që është zgjedhja e Presidentit, e theksoj  jo braktisja e institucionit të parlamentit.

Populli ua ka dhënë mandatin e deputetit për të kryer detyrat konstitucionale, ndërtimin dhe funksionimin demokratik të institucioneve dhe jo pengimin e bllokimin e tyre sic po veprojnë PDK, AAK dhe dy  apo tre deputetë të LDK-së.

Kjo po i nxjerr tashmë tërësisht zbuluar ata të cilët janë politika e vjetër e që kanë mbi shpatulla  kusure hajnije e korrupsioni, dhe lloj-lloj  allishverishesh.

Ata nuk duan stabilitetin e vëndit.

Po ku e kanë  këta politikanë antipublikë dhe antikonstitucionalistë, ku e kanë   edhe proamerikanizmin dhe proeuropianizimin e tyre të cilët bërtisnin dhe e akuzonin Kurtin si antiamerikan dhe me falsitetin si proamerikanë ata edhe e rrëzuan qeverinë KURTI 1.

Pra, ata të cilët  e rrëzuan njëherë legjitimitetin popullor  të zgjedhjeve 6 Tetorit 2019 , po  që paturpësisht kërkojnë dhe synojnë që përsëri të pucojnë e të komplotojnë kundër verdiktit popullor të 14 Shkurtit 2021 , kur ata nuk pyesin as për këshillat dhe as për porosinë e  SHBA dhe as të  shteteve më të fuqishme të BE-së që të marrin pjesë në zgjedhjen e Presidentit, duke i porositur ata  që të shkojnë e të marrin pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Shëmbulli i LVV dhe i Listës “Guxo” po tregojnë një standard e moral tërësisht tjetër nga ai i politikës së vjetër tashmë në opozitë, dhe ky moral është ky: jo pazare dhe as intriga, as hapur dhe as nën rrogoz kundër interesave publike, kombëtare dhe të demokracisë; jo marrëveshje e pazare politiko-korruptive për interesa personale e partiake; jo kualicione të panevojshme dhe as për qeverisje të stërfryra si ajo p.sh. e   21 ministrive dhe e mbi 80 zëvëndësministrave  me rroga e benifite te majme; as nepotizëm dhe as burokracira të panevojshme si dhe as manovra e as aleanca me Listën serbe , deputetët e së cilës drejtohen nga Beogradi dhe që nuk e njohin Kosovën.

Ky aventurizëm politik i   papërgjegjshëm i opozitës do të dështojë dhe politika e vjetër vetëm sa do të izolohet publikisht dhe do të tkurret gjithnjë e me tepër sepse është në kundështi me aspiratat e votuesve, të demokracisë, të shtetit e të integrimit, si  dhe kundër aleatëve të mëdhenj e strategjik të Kosovës, SHBA dhe BE.