ZEMËRBARDHËSIA E BARDHIT

Recension

Bedri TAHIRI

 ZEMËRBARDHËSIA E BARDHIT

(Safet Hasani, MES DHEMBJES DHE  KRENARISË, roman, Lena, Prishtinë, 2019)

Dorëshkrimin e prozës “MES DHEMBJES DHE  KRENARISË”, të autorit tashmë të dëshmuar, Safet Hasani, e lexova dhe e rilexova, me laps në dorë, siç i thonë një fjale e me një kureshtje të pashuar, duke e ndërprerë disa herë, nga lotët dhe ngashërimet emocionale, ngase, fillim e mbarim, është e ngarkuar me ndjenja të përziera, heroizëm e tragjizëm ngufatësh.

Kjo, prozë, që sipas mendimit tim, qëndron midis novelës dhe romanit, më bindi edhe më shumë në atë se, veprat e mira gjithherë dalin nga vështirësitë dhe nga vetë përjetimet. Kështu, krijuesi luftëtar, Safet Hasani, duke qenë vetë përjetues i këtyre ngjarjeve, pjesëmarrës i atyre betejave dhe, madje, edhe i plagosur rëndë, paskëtaj edhe i përditshmërisë sonë të pasluftës, nuk e ka pasur të vështirë të bëjë një përshkrim kaq autentik të një ngjarjeje aq të dhimbshme, por edhe krenare, njëherësh, andaj edhe shkrimi ka dalë një realizim i bukur artistik, një pasqyrë reale e një gjendjeje anomalie, me një porosi të qartë e mjaft domethënëse.

Edhe pse, në shikim të parë, të duket se libri është shkruar për një personazh, për luftëtarin trim, të plagosur në një betejë kundër forcave pushtuese serbe, për heroin e vërtetë, Bardhin, ai, në fakt jep një panoramë të plotë për luftën tonë të lavdishme, për trimat dhe heroizmat e UÇK-së, për vështirësitë dhe sakrificën e tyre, për vendin dhe lirinë e shumëpritur, për solidaritetin e trimave nëpër istikamet e luftës, për idealet e larta të atyre që vdekjen e shikonin drejt në sy dhe i thoshin: Plaç!

Duke e përshkruar me aq finesë mjeshtërore, si me penel artisti, deri në imtësi kryepersonazhin, me emrin simbolik, Bardhi, autori, në fakt, ka portretizuar fuqishëm të gjithë luftëtarët e lirisë, të cilët, që nga komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, u shkrinë e u flijuan për të bardhën liri, duke e dhënë edhe më të shtrenjtën e tyre-JETËN!

Në këtë sfond të larmishëm heroik-tragjik, si në arenë gladiatorësh, defilojnë edhe ata, të cilët fati nopran i sprovoi më shumë, duke i katandisur trilleve të jetës hileqare, siç është heroi ynë, Bardhi, përmes të cilit shpërfaqen hapur çrregullimet tona shoqërore të pasluftës, duke e sjellë atë deri në zgripc të një zhgënjimi mbytës. Ky zhvlerësim dhe degradim fatal i kësaj shenjtërie kombëtare, pra i vlerave të luftës sonë çlirimtare, solli pasoja të tmerrshme, që as sot e kësaj dite nuk po mund t’u vëmë kapak!

Për ta pasqyruar dhe zbërthyer sa më besnikërisht botën e brendshme të heroi të veprës, autori ka përzgjedhur formën më të përshtatshme të diskursit letrar: Vetërrëfimin. Nëpërmes një monologu të dialogizuar rrëfimtar të vetë Bardhit, shpaloset në detaje gjithë rrjedha e ngjarjeve: plagosja e tij, në marsin e vitit 1999, tërheqja nga vija e vdekjes prej bashkëluftëtarëve besnikë, mbetja në fushëbetejë e shokëve të tij: Bahriut e Shkëmbimit, rënia heroike e Gëzimit, një vetëflijim sublim për t’iu mundësuar tërheqjen e tyre nga vija e zjarrit, shërimi në Gjermani, gjegjësisht amputimi i këmbës, kthimi në vendlindje, gjendja e rënduar për të dhe për familjen katër anëtarësh: gruan, Lirien, motrën, Deaa, fëmijët, Trimin e Enean, shpërfillja, nënçmimi dhe injorimi nga qarqe të caktuara shoqërore e deri tek vajtja në amshim etj.

Këndvështrimi i autorit, për ngjarjet e shtruara në vepër, përshkohen nga një ngjyrim realist, pa pasur nevojë për stilizime, për zbukurime, për trillime e për imagjinime. Tipizimin letrar, një element domosdoshmërie për realizime të suksesshme prozaike, e ka bërë me mjaft suksesshëm autori Safet Hasani, përmes Bardhit dhe, ndonjë teorik letrar, nuk do të gabonte po qe së  veprën e klasifikon si roman të personazhit.

Vepra “MES  DHEMBJES  DHE  KRENARISË”, në vete ngërthen një dramacitet të llojit të vet, përplot krenari e dhimbje, optimizëm e zhgënjim, idealizëm e iluzione, vërtetësi e mashtrime, modesti e mburraveci…Ajo, më tepër vjen si reagim a revoltë ndaj degjenerimit të paparë të shoqërisë sonë të pasluftës, kur  të mirat u nënvlerësuan e u mohuan deri në njollosje banale, ndërkaq të këqijat u vlerësuan e u lartësuan deri në krye të vendit.

Hakërrimet e herëpashershme të autorit, gjegjësisht kryepresonazhit, kundër dukurive negative e stërkeqjeve irituese, të vendosura në kontestin e duhur kohor e hapësinor, janë të përligjshme dhe të arsyeshme. Bardhi dyzetvjeçar, edhe gjatë luftës, nga goja e një shoku të tij largpamës, kishte dëgjuar fjalët, që atëbotë nuk i kishte besuar: “Lumturia që do të vijë pas përfundimit të luftës ne nuk do ta gëzojmë…Atë do ta gëzojnë të tjerët, ata që e përbuzen, ata që na shanë e që na nënçmuan…”.

Tablo të tëra prekëse e të ndjeshme, na shpërfaqen, si në filma drithërues, ku Bardhin, personifikim e sinonim i luftëtarëve të lirisë, e hasim nëpër situata dramatike të papëlqyeshme. Ai, sikur e ka harruar dhimbjen e këmbës, ngase tashmë përballet edhe me halle e me probleme të tjera. I mbetur pa këmbën e djathtë, pa përkrahjen e shoqërisë, i mbytur në varfëri, me familjen që nuk ua plotëson dot as nevojat elementare të jetës, i rrethuar nga injorantë e mediokër mjeranë, të cilët, duke përfituar pa merita, janë bërë milionerë, ai sillet vërdallë e si i humbur, në  gjendjen e mjegulluar, ku qeni s’e njeh të zonë!

Të tillë, njerëz të luftës e të sakrificës, që dhanë gjithçka nga vetja: familjet, të afërmit, miqtë, madje edhe pjesët e tyre të trupit, kishte shumë. Ata dhe shtresa e gjerë popullore, në përgjithësi, ishin zhytur thellë në skamje e mjerim dhe rrugët qenë mbushur përplot lypsarë, që ia zymtonin edhe më shumë zemrën e tij të bardhë.

I gjithë mllefi i luftëtarëve të zhgënjyer të lirisë, përcillen dhe zbrazën si një revoltë e fuqishme mbi shoqërinë e korruptuar e të devijuar, përmes zërit blasfemues të Bardhit. Kjo ndërgjegje e vrarë shpërthen në kulm, atëherë kur ai, Medaljonin e fituar për merita lufte, detyrohet ta nxjerr në shitje, për sigurimin jetesës së fëmijëve!

Paudhësitë e pasluftës shkuan aq larg, saqë edhe tradhtarët u shndërruan në hero! Xheda, një bashkëpunëtor i njohur i armikut, që s’kishte lënë gjë pa bërë, në kohën kur të tjerët vuanin nga dhuna serbe, pas luftës kishte bërë pasuri marramendëse dhe nderohej e respektohej shumë. Ai kishte zënë edhe lokalet e atyre, që dikur, me djersë i kishin bërë. Dhe, Bardhi, një ditë vajti në lokalin e “tij” dhe nuk u durua pa ia përplasur të gjitha në fytyrë: “Çfarë bëtë ju, ore të marrë, që flisni dhe mburreni në emër të atyre që ndryshuan historinë?!”.

Bardhi, duke shëtitur, ashtu me proteza rrugëve të kryeqytetit, has gjëra që nuk i pëlqejnë fare. Ai është i pakënaqur  me shumë dukuri çoroditëse që kishin gjetur shesh për përshesh në vendin e tij të posaçliruar, si: veshja e të rinjve, muzika e huaj, degjenerimi kulturor, humbja e identitetit kombëtar etj.

Në gjithë këtë rrëmujë katandisëse, shpirtërore e fizike, Bardhit i ngjan të takojë  edhe njerëz të mirë. I tillë na del pronari i shtëpisë ku ai banonte me qira, Shemsiu, i cili, jo që ia mori parat e kursyera nga mos blerja e ilaçeve, për kohën e banimit, por në fund edhe ia nënshkroi  testamentin e dhurimit të shtëpisë! Pastaj, takimi me nënën e Gëzimit dëshmor, e cila, kur e përkujtojnë djalin e saj, flet si burrëreshë; “Liria merr bijtë e saj!”

Ca fije shprese në atë humbëtirë të paanë!

Përfundimi i veprës është mjaft i dhimbshëm dhe prekës, gjë që rrallëkush mund t’i shpëtojë katarsisit aristotelian. I lakmova autorit që ia ka dalë mbanë, një përshkrimi të tillë, me nota kaq të thella mallëngjyese e dhembshurie. Ushtar Bardhi, që burrërisht i përballoi luftërat e betejat me armikun, plagën që ia dëmtoi këmbën dhe edhe sëmundjen e kancerit, që ia gërryente lukthin, në fund, i qëndron stoikisht edhe mortjes ogurzezë, që tinëzisht iu kishte afruar në shtrat. Trimi, pasi çmallet me familjen, duke i përshëndetur me radhë, secilin veç e veç, e duke ua lënë nga një porosi, sikur merr bekimin e tyre për të vajtur në amshueshmëri.

Porosia që ia lë djalit, natyrisht është e dhimbshme, por ka poentë të fuqishme: “Trim, biri im! Po të lë zot shtëpie. Tani je ai që duhet të kujdesesh për shtëpinë, për nënën dhe për motrën tënde, që po rritet si engjëll. Duaje sikur me deshe mua edhe hallën tënde Dean… Dëgjo nënën tënde, kujdesu për veten. Mos iu ndaj librit, shkollohu, mëso…mëso…mëso! kur të rritesh të kesh dituri. Kurrë mos u bë vegël e tjetërkujt…”.

Me fjalë të tjera, libri “MES DHEMBJES DHE  KRENARISË”, i autori Safet Hasani, është një refleksion i fuqishëm për luftën e lavdishme të UÇK-së, për trimat e saj sypatrembur, për pasluftën e për idealet e tyre, të zvetënuara deri në degradim moral e kombëtar. Kjo, më tepër duhet të shërbejë si një kambanarë që të trokas në ndërgjegjen e të gjithëve, veçan të atyre që në dorë kanë frerët e shoqërisë dhe të shtetit, ta vënë në binarë drejtësinë e mohuar, për ata që dhanë gjithçka nga vetja për Ditën e Bardhë!

Në të përfunduar, autorit Safet Hasani, i dëshirojmë shëndet e suksese në fushën e artit letrar, ndërkaq dorëshkrimit publikim të shpejt e mirëpritje nga lexuesit!

Galicë, korrik 2019