Zbehja

Bedri TahiriOpinion nga Bedri TAHIRI

Kurrë, madje as në ëndërr, nuk më ka vajtur mendjeshkreta që etninë tonë të stërlashtë do ta kaplojë një zbehje e tillë. Jo, jo, kurrën e kurrës. Çudi, është zbehur deri në çoroditje çdo gjë kombëtare: tradita, kultura, gjuha, historia, flamuri, atdhedashuria, besnikëria, bujaria, sinqeriteti, burrëria, mikpritja, trashëgimia… Medet, medet, sa keq! Katandisje fare, ore të keqen vëllai, sa të vete për t’ia plasur vajit me lot curril. Mjerim e shkuar mjerimit. Vallë, rilindësit tanë mendjendritur qenë profetë apo ne kemi ngecur në mendësinë parashekullore! Shkrimet e tyre brilante, pikërisht si të hartoheshin sot. Aktuale dhe përkatëse. Të kujtojmë Konicën me epitafin e tij propozuar për Shqipërinë: “U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët…”. Të kujtojmë edhe Gjergj Fishtën, i cili zemërplasur konstatonte: “Sod ma shpejt nji thes me pleshta Ti ban bashkë se dy shqiptarë” Mos ta harrojmë as vlonjatin e butë e suptil, Ali Asllanin, i cili, kur i erdhi në fyt, u hakërrua, duke klithur: Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka Të pa brekë ju gjeti dreka, milioner ju gjeti darka! E po, më thuaj, ku të nisim e ku të sosim? Ku të duash, ore jahu, njësoj e ke. Një zbehje e trishtë që nga fillimi deri në fund, që nga heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu e deri tek komandanti legjendar, Adem Jashari. Harrim, mohim, injorim, mospranim apo ku ta dish?!!! Andaj, edhe nuk ka nevojë të lodhemi shumë. Mjafton të ndalojmë tek më e afërta, te lufta jonë e fundit, tek e lavdishmja Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kjo forcë e shenjtë çlirimtare, si formacioni më i organizuar historik gjithëkombëtar, sa shpejt zu të zvetënohet e të ecën në vazhdën e një revolucioni që i ha bijtë e vet. Dorën në zemër, e keqja i erdhi më shumë nga vetvetja se sa nga të tjerët. Sa nga padija aq nga babëzitja e ca krerëve të saj, u bë mishmash i vërtetë. Obobo, ç’paradokse: vlerat u zëvendësuan me antivlera, trimave ua zunë vendin frikacakët ikanakë, luftëtarët u përzunë nga sehirxhinjtë, të diturit u mohuan nga mediokritetet, largpamësit u izoluan nga miopët, madje, herë-herë, edhe heronjtë mëtohet të përbaltën. Një realitet që u dëshmua e u zezua me listat e veteranëve… Sado që është për të të ardhur inat e për të plasur nga marazi, duhet pranuar vlerësimet e të tjerëve për ne. Ato janë të shumta, por më kanë ngelur në kokë thëniet e dy ish gjeneralëve të NATO-s, njëri amerikan e tjetri francez. I pari, ende pa u çliruar Kosova, në përvjetorin e parë të Epopesë jashariane, në marsin e vitit 1999, derisa e shfletonte librin tim të posa dalë “Adem Jashari- legjendë e legjendave” në Prekaz, më thotë:“Ju si populli më i lashtë evropian, ma thotë mendja, keni ngelur këtu ku jeni, edhe për këtë arsye: Mohimin e brezave”. Pa, pa, pa, seç më gici thellë në shpirt. Ashtu ishte, ore derëzinj, secili brez që vinte e shqelmonte tjetrin në stilin; historia nisi me mua! I dyti, një francez, duke bërë një kontrollim rutinë në shtëpinë time në Galicë, gjegjësisht në bibliotekë, ku piromanët karpatianë m’i kishin djegur rreth katërmijë libra, pasi ia dhurova një libër për heronjtë e luftës së UÇK-së, më tha: “Ju shqiptarët e sotëm i paskëshit të gjitha, por një gjë po u munguaka: Atdhetarizmi!” Hajde botë, hajde! Ashtu e kanë të huajt, të mbajnë ligjërata për internacionalizëm e globalizëm, a vetë qëndrojnë këmbëkryq mbi nacionalizmin e tyre. Dhe, ato nuk donin komente. Ama, një si kambanarë po vringëllinë mbi kokat tona: O Popull, këndellu, merre të mbarën, atë që ke pasur denbabaden dhe qëndro vertikalisht përballë çdo shëmtie që bie ndesh me SHQIPTARIZMËN.

Galicë, më 28 Qershor 2016