Zbatimi i Memorandumit të famshëm gjerman dhe mashtrimi i qytetarëve të Deçanit!

Zbatimi i Memorandumit të famshëm gjerman dhe mashtrimi i qytetarëve të Deçanit!

Msc. Adem Lushaj

A po zbatohet në heshtje Memorandumi gjerman i cili parashihte zgjidhje të “ngërçit”politik mes komunës dhe Manastirit të Decani? Si po mashtrohen qytetarët e Komunës së Deçanit, të cilët kundërshtonin në çdo mënyrë, faljen e pronave publike, falje e bërë nga Qeveria e Millosheviqit, e më pastaj, edhe nga faktori vendor e ndërkombëtar.

Pakënaqësitë dhe reagimet qytetare e institucionale të Deçanit, ishin në vazhdimësi kundër vendimeve të dëmshme politike, me të cilat kishin për tendencë faljen e pronave të ndërmarrjeve publike, APIKO dhe ILIRIA, manastirit të Deçanit. Pos shumë Vendimeve dhe dokumenteve tjera, në vitin 2014, këshilltarëve komunal dhe deçanasve, iu ishte ofruar një dokument për marrëveshje në mes të Komunës së Deçanit dhe Manastirit, i cili thuhej se ishte përgatitur nga Ambasada gjermane. Ky dokument i ofruar, nuk kishte asnjë simbolik që nënkuptonte se ishte përgatitur nga kjo Ambasadë mike e Kosovës apo ishte përgatitur nga vet manastiri. Që të gjen përkrahjen e duhur, ky dokument marrëveshje, ishte angazhuar edhe vet kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ambasadori gjerman, Peter Blomyer, të cilët kishin mbajtur takime me struktura të partive politike dhe qytetar të kësaj komune. Në këtë dokument (me gjasë i përgatitur nga klerikët e Manastirit, ngase dyshojmë se Sava Janjiq fshihet nën petkun klerik), ishin disa pika të marrëveshjes, duke ofruar edhe “shpërblim” në rast që dokumenti i ofruar do gjen mbështetjen e duhur nga legjislativi i komunës, e që për fat, (pas reagimeve të shumta qytetare), nuk e kishin pranuar si dokument të tyre.

Njëra ndër kërkesat e atij memorandumi ishte që, Komuna e Deçanit të tërhiqet nga çdo ankesë gjyqësore kundër manastirit, si dhe pronat publike të bartën në pronësi të këtij institucioni “fetar e kulturor”. Me realizim të këtyre pikave të marrëveshjes së ofruar nga ambasadori gjerman, Peter Blomyer dhe kryetari e AAK-së , Ramush Haradinaj, ishin paraparë edhe “projekte shpërblyese” për Deçanin, si: do investohej në “parkun botanik”, largimi i “gërmadhave” (objektet hoteliere), sikurse që do mundësohej  ndërtimi i rrugës që dërgon për në luginë (fjala ishte për Grykë të Deçanit).

Mirëpo, përkundër presioneve të ndryshme për aprovim të këtij dokumenti për marrëveshje me manastirin, Blomyer dhe Haradinaj, kishin hasur në kundërshtimin e madh të qytetarëve, sikurse që nuk kishin marrë përkrahjen, as të këshilltarëve komunal (kësaj radhe as të AAK-së). Por, ky dokument i ofruar nga ambasadori gjerman, po gjen mënyra tjera për zbatim, duke shfrytëzuar institucionet qendrore të Republikës së Kosovës. Pra, kërkesat e manastirit po zbatohen në heshtje, duke përdorur rrugët jashtë institucioneve komunale, përmes Gjykatës Kushtetuese, e ku Arta Rama & grupi saj, janë veshur me petkun e turpit të drejtësisë politike. Në këtë lojë politike dhe të dëmshme për Deçanin, nuk përjashtohet mundësia e ndonjë loje të fshehtë të ekzekutivit komunal dhe personave me ndikim politik në vend.

Se në heshtje po zbatohet Memorandumi “gjerman” dhe kundërshtimet e qytetarëve të Deçanit, po anashkalohen “mjeshtërisht” nga institucionet vendore e ndërkombëtare, tregojnë edhe investimet që bëhen në Grykën e Deçanit. Rregullimi dhe gjelbërimi i hapësirave në këtë Grykë, (në vend se të bëhen atje ku thuhej se do bëhen, në hapësirat pranë objekteve të Kompleksit hotelier “Iliria”), janë tregues real se pronësia e manastirit mbi pronat publike, po bëhet realitet. Tashmë, me “vullnetin e mirë dhe zemërgjerësinë” e klerikëve të manastirit, kanë filluar punimet në rregullimin e rrugës përgjatë Grykës së Deçanit, përkundër asaj që punime të ngjashme dhe me “publicitet” të jashtëzakonshëm, kishin filluar edhe nga “Qesta e Lloçanit”, ku janë asfaltuar afër dy kilometra.