Zanafillat e poezisë

Nga Reis Mirdita

Poezia është fjalë greke që në përkthim do të thotë thjeshtë bëj, krijoj. Kjo fjalë është krejtësisht e re kur të kemi parasysh se vjershërimi ka filluar mijëra vjet më parë, që në kohët parahistorike ; në kohët plotësisht primitive, në mos akoma para se njeriu të filloj të flas mirëfillti.

Historia e poezisë është e gjatë sikur edhe vet njeriu që prej kur mund të njihet si i tillë pasi ai që atëherë, me klithma të caktuara të përcjellura me ritme paralajmëronte grupin për rrezikun kur afrohej ose e parandiente, «vajtonte» në mënyrë të caktuar humbjen e të afërmit përcjellë me lëvizje ritmike. Kur kthehej nga gjahu, vet apo në grup gjithashtu festonte, bënte «aheng»  me britma  që lidheshin me lëvizjet ritmike, rrahje duarsh, rrahje gjoksi dhe prodhime të tjera zërash. Kjo sigurisht se nuk quhet akoma poezi por është fillimi i krijimit të këngës dhe ritmit. Zëri ngrihej, qetësohej ose ulej thjeshtë sipas emocioneve nga ku buronte. Krejt kjo përcillej me forma e ndryshme lëvizjesh ritmike që njëherit ndihmonte memorizimin dhe grupi kuptonte për ç’bëhej fjalë.

Dihet se njeriu që nga krijimi ishte i predestinuar që një ditë të flas e sipas natyrës së tij, ai pajiset që në femërinë më të hershme me instinktin e imitimit gjë që e dallon nga gjallesat tjera dhe prandaj, ai nëpërmjet të imitimit filloi t’i marrë mësimet e para në jetë. Filloi t’i imitoj lëvizjet që i pëlqenin tek të tjerët, zërat e prodhuara dhe kështu eci drejt zhvillimit e krijimit. Këto dy mundësi të njeriut, i dhanë « poezitë » e para në histori dhe satisfakcion imitatorëve. Edhe sot, njeriu ndjen kënaqësi kur imiton diçka që e ndjenë për të bukur. Dhe jo vetëm poezinë por krejt ç’ sheh e ndjen, objekte, gjallesa, art…

Mijëvjeçarët kalonin e kënga dhe ritmet u pasuruan se u pasurua fjalori dhe andaj koha e analfabetizmit nuk mund të llogaritet si e shterpë për nga arti i krijimtarisë. Këngët për trimëri, gëzimet, fitimet, hidhërimet e humbjet këndoheshin e vallëzohej në kremtime e rituale fetare.

Koha e shkrimit, filloi me numrat e mandej shkrimet e tjera me germa në formë të pykave (shkrimi kuneiform). Nga artet, poezia gjendet e shkruar e para dhe u gjet mbi monolite. Këto shkrime datojnë prej para 3000-5000 vjetësh. Tani dihet preras se poezia më e lashtë e zbuluar është poema epike që flet për historinë e mbretit Gilgamesh, (Epopeja e Gilgameshit) e shkruar mbi tableta argjili.

Në Kinën e lashtë Shi jing-un (Kanuni i poemave) libër ky i shenjtë të poezisë. Praktikisht janë pesë Jing-a që janë drejtpërsëdrejti të lidhura me Konfuçion (Confucius). Mendohet se ky i zgjodhi të 305 poemat që formojnë këtë antologji edhe pse, shum mirë kjo vepër ka mund të egzistoj që më parë se mendimtari i famshëm i cili vetëm se iu riti vlerën këtyre Jing-ave duke thënë psh. se njeriu që nuk i njeh Poemat, është sikur i ngujuari para një muri dhe nuk mund të sheh përtej e pra nuk mund të shkoj para. Pas këtij kanuni poetik, njohim Aristotelin  me Poetikën e vet ku e ndanë poezinë në tri lloje: epikë, tragjedi dhe komedi.

Punimet e tij patën jehonë të madhe në shekujt e « Kohës së Artë » të islamizmit e më vonë, edhe në kohën e Rilindjes (Renesancës) në Europë.