“Zana e Bjeshkëve të Nemuna” fituese e çmimit të dytë në konkursin, Ngjyrat e Shqipërisë

Nga Adem Lushaj

“Zana e Bjeshkëve të Nemuna” fituese e çmimit të dytë në konkursin, Ngjyrat e Shqipërisë

 

Djaloshi nga Deçanit, Adriatik Gacaferi, është fitues i vendit të dytë në Konkursin fotografim të emërtuar Ngjyrat e Shqipërisë, ku vendin e parë e mori japonezja me banim në Shqipëri, Alla Simacheva.

Konkursi “Ngjyrat e Shqipërisë” i cili ka për qellim promovimin e vendeve të bukura në Shqipëri, është përmbyllur me një ceremoni festive të organizuar në mjediset e Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë në Tiranë, e ku ishin të pranishëm edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ushtruesi i detyrës së Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, Ambasadori norvegjez në Kosovë, Per Strand Sjaastad, përfaqësues të trupit diplomatik, si dhe dashamirës të fotografisë.

Për ceremoninë përmbyllëse dhe çmimit e fituar nga i riu deçanas, e konfirmon edhe vet ambasadori Ukshini, përmes rrjetit social, ku shprehët se: “Ngjyrat e Shqipërisë, është kthyer në një traditë të përvitshme, si një formë e re për të promovuar Shqipërinë, duke ndërthurur diplomacinë me digjitalizimin, rininë me promovimin e vendit, risinë me të vjetrën. Konkursi fotografik, ”Ngjyrat e Shqipërisë”, ka shpallur fituese për vendin e parë Alla Simacheva-n, një vajzë e re me origjinë ruse e lindur në Japoni, por që jeton në Shqipëri, ndërsa në vendin e dytë është renditur i riu nga Kosova, Adriatik Gacaferi” Ndërsa, fituesi i çmimit të dytë i këtij konkursi, Adriatik Gacaferi, ndjehet i lumtur që në një konkurrencë të fortë, fotografia e tij është përzgjedhur në mesin e fotografive më të bukura, nga Komisioni përkatës i vlerësimit. “Colours of Albania ose Ngjyrat e Shqipërisë, është një konkurs që organizohet për të tretin vit radhazi nga Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, British Council dhe Ambasada Norvegjeze, i cili ka për qëllim promovimin e vendeve të bukura në Shqipëri”, ka treguar Gacaferi, për të cilin përzgjedhja e fotografisë së tij nga Juria, si fotografia e dytë më e mira, është inkurajuese për punën vullnetare të rinjve, që të prezantojnë foto sa më të bukura të vendeve të Shqipërisë, njëjtën duke promovuar vendet turistike edhe në arenën ndërkombëtare. Sipas Gacaferit, fotoja e prezantuar dhe e emërtuar “Zana e Bjeshkëve të Nemuna”, e bërë në Grykën e Valbonës, ndërlidhet me mitologjinë e zanave që përmendet edhe në letërsinë shqiptare. Gjithnjë sipas tij, Jo vetëm Shqipëria, por edhe Kosova, ka bukuri të rralla natyrore, të cilat me prezantimin e tyre, përmes fotografive, do tregojmë se resurset e Kosovës, janë ndër më tërheqëset për turistët vendor e ndërkombëtar. “Shembullin e Shqipërisë duhet ndjekur edhe Kosova, ngase kemi bukuri të cilat duhet afirmuar në çdo mënyrë të mundshme”, ka nënvizuar Gacaferi, i cili të shumtën e jetës së tij, e kalon nëpër Bjeshkët e Nemuna, por edhe të shteteve tjera, anekënd globit tokësor.