YJET QË DO TA BËJNË SHQIPËRINË

Në shenjë përkujtimi për të madhin Mehmet Kajtazi, i cili m’i hapi shtigjet e publicistikës dhe të vetë letërsisë, po e postoj për herë të parë vlerësimin e Tij për librin tim kushtuar Hys Popovës, shkruar 23 vjet më parë e që u zhduk bashkë librin (pakkush pati mundësinë e leximit në ndonjë kopje të shpëtuar nga piromanët karpatianë).

Mehmet KAJTAZI

YJET QË DO TA BËJNË SHQIPËRINË

(Bedri TAHIRI: Hys Popova- një yll në Yllësinë shqiptare, Prishtinë, 1998)

Vepra e Bedri Tahirit për Hys Popovën e ka në brendi mendimin e Nermin Vlora Falschit për Shqipërinë e sotme të zvogëluar, që i përngjan një xixëllonje, por, siç thotë shkrimtari indian Tagore, yjet nuk kanë turp të dukën si xixëllonja; ata mirë e dinë se një ditë do të shpalosin fytyrën plot dritë për ta bërë të tërën- Shqipërinë.

Edhe Llapi, një krahinë që i përngjan një Yllësie me emrin Kosovë, si pjesë përbërëse e Shqipërisë, prej nga e kanë këputur barbarët, ka shumë yje që e ndriçuan dhe do ta ndriçojnë tokën e arbrit.

Njëri prej tyre është edhe Hys Popova, i cili tok me trimat e tjerë të kohës krijojnë atë YLLËSINË që i paraprinë yllit të afërt me mëngjesin me emrin Afërditë. Afërditë do të thotë LIRI, por edhe këtë Yll të huajt deshën të na e marrin, e harruan se edhe emrin e ka shqip: Afër + ditë = Afërditë.

Hys Popova nuk hyri në histori, as në letërsi, pse deshi të hyjë; ai as nuk u dekorua nga kryetari i Shqipërisë, pse deshi të dekorohet, nuk hyri as në këtë vepër të Bedri Tahirit, pse deshi të hyjë, por të gjitha këto i bëri të thuash përnjëherë, se kështu e deshi varri i tij i padukshëm. Jemi mësuar të flasim e të shkruajmë më shumë për varre të dukshme, por ja se jeta jonë në robëri ka edhe varre të padukshme, prej nga vjen zëri i TOKËS që i grish njerëzit të merren me të, ta nderojnë, ta përjetësojnë.

Bedri Tahiri nuk pati për qëllim ta tipizojë vetëm Hys Popovën se ai është vetë i tipizuar me YLLËSINË më të ndritshme që e kanë personazhet pozitivë. Autori më shumë i dha rëndësi tipizimit të kohës, e brenda asaj kohe të mynxyrshme dolën trimat që morën forcën e rragamëve dhe u bënë vetë më të fortë se rragamët. Përballë forcës së YLLËSISË sonë, diku përtej kodrave blu janë ushtritë e rregullta të barbarëve serbë, të cilët gjejnë kënaqësi kur nënave shqiptare ua nxjerrin fëmijët nga trupi. Një ushtri e tillë që sjell murtajën për një popull të urtë sot o nesër do të bëhet inspirim dhe për dijetarët që merren me gjendjen shpirtërore të kralëve dhe gjeneralëve, në mënyrë që të japin “reçeta” për ta shëruar popullin që i ka lindur ata.

Vepra e Bedri Tahirit, “Hys Popova- një yll në Yllësinë shqiptare”, është shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, ka plot figura që e bëjnë qiellin e saj një ylber joshës. Në anën tjetër vepra mbështetet në fakte dhe në data, dhe në këtë mënyrë bëhet gërshetimi krejt i natyrshëm i historisë me letërsi, për të arritur deri të përkryerja e monografisë së letrarizuar për Hys Popovën.

Autori për secilin kapitull të veprës ka marrë moto mendimet e arta të dijetarëve të huaj dhe shqiptarë dhe tërë këtë punë e bën në përputhshmëri me përmbajtjen dhe porosinë e kapitullit. Në anën tjetër ai fut në libër edhe këngën popullore, ku gjeniu krijues me emrin popull ia heq xëcin YLLËSISË. Gërshetimi i tërë kësaj krijon zinxhirin e pashkëputshëm që lidh kapitujt e librit. Krijohet kështu një lidhje e natyrshme, aq më tepër kur dihet se biri i Hys Popovës bëhet përtëritës i jetës. Jeta nuk do të përtëritej sikur t’i mungonin asaj mësuesit. Jeta pa dije është e vdekur. Ky ishte në një mënyrë amaneti i fundit i Hys Popovës.

Prishtinë, 17 nëntor 1997