Xhevahire -II-

Citate, proverba dhe sentenca

Nga Reis MIRDITA

Dashuria ndaj të tjerëve është bujari e fituar, e pranuar me zëmër. Dashuria ndaj vetvetes është e lindur, instikt, dhe andaj nuk ka ndonjë vlerë shoqërore.
Ende nuk mësova se kush lindi më parë, paqa ose lufta?!
Në Facebook gjejmë më shumë trima e patriota se në tërë historinë e njerëzimit.
Dashuria s’e mbyt dashurinë, njeriu po.
Në dashuri, sytë i gjejnë kahjet por zemra bjen vendimin.
Shpirtvegjëlit nuk mund të dalin kurrë nga mjerimi i tyre, as me barna as me pasuri.
Heshtja para të keqes është aprovim i saj.
Në shtëpinë e përhershme, një epitaf univerzal: Më leni të jetoj!
Kritikët më “të mëdhenj” të autorëve, janë ata që lexojnë diagonalisht. Pas tyre vinë analfebetët.
Nëse i pëlqeni përrallat, lexoni historinë nga burime të fituesit. Nëse doni të mësoni të vërtetën, lexoni burimet e humbësit; aty do të gjeni dhunën, dhimbjen, vajin, humnerën.
Plagjiati si telegrafi, flasim gjithmonë por ata nuk egzistojnë më; i pari është zëvendësuar me kopje-ngjitje, i dyti me e-mail.
Kemi “Të mjerët” e Hugo-s por edhe të mjerët e egos.
Të pohosh se je njeri i mirë, është e njerëzishme, të pohosh se je më i miri, është çalim shpirtëror.
Edhe liria e ka faqen e saj të errët, fitohet duke ecur mbi kufoma.
Lufta për liri nuk bëhet për të vdekur por për të jetuar.
Njeriu humbi lirinë, kur u largua nga shpella e tij.
Që të mos jetë liria vetëm një kuptim subjektiv, njeriu duhet ta heq qafe frikën.
Dielli dhe hëna janë madhështia qiellore; yjet mes tyre, janë njerëzit e drejtë.
Njerëzit, sipas mënyrës së jetës, ndahen në tri grupe: ata që jetojnë me motin, ata që jetojnë me horoskopin ditor, dhe ata të cilët thjeshtë, – jetojnë. Ka edhe një komunitet i katërt, politikanët por për ta s’po flasim aspak se s’i jepet asnjë karar.
Ma thuaj të kaluarën, të tregoj ardhmërinë.