Vlerësime rreth librit “ETERN’ ARS” të autores Migena Arllati

Migena Arllati - nga promovimi-2

Përmbledhje e shkurtër nga promovimi i librit “ETERN’ ARS”

Çdo fjalë e thënë në promovimin e Librit të autores Migena Arllati ishin të fuçishme dhe jepnin mesazhe të qarta, që u përkasin letrave shqipe. Fjalët e Autores ishin shumë mbresëlënëse dhe shpresëdhënëse, se Ajo nuk do të ketë së ndaluri duke punuar në fushën e kulturës dhe të Artit.
Fjalët e Shkrimtarit Halil Haxhosaj ishin domethënëse dhe emocionuese, kur flet për Manifestimin e Mitingut të Poezisë, themelet e së cilit iu priu Shkrimtari Ynë i Madh Din Mehmeti tani i ndjerë, bashkë me veprimtarë të tjerë për rreth. Z.Haxhosaj gjithashtu foli edhe për vlerat e Shkrimtares Migena Arllati, duke thënë se ajo ka shpërthyer fenomene të ngujuara deri tani në kritikën tonë.
Gjithashtu me fjalën e tij emocionoi edhe mërgimtari 90 vjeҫar Shaban Nokshiqi, i cili kishte ardhur nga Amerika e largët, dhe me fjalët e tij emocionoi të pranishmit, ku shpalosi dhembje dhe dashuri për vendin e tij, si dhe dëshirën, që kur të vijë herën tjetër, uroi t`i shoh Tokat e të gjitha trevave shqiptare të bashkura. Ai me lot në sy dha mesazhin e bashkimit të shqiptarëve dhe puthi Flamurin shqiptar. Gjakova shquhet si Djepi i krijimit, nga i cili dolën dhe po dëshmohen shumë shkrimtarë të mëdhenj, e kësaj valleje krijuesish i është bashkangjitur me shumë profesionalizëm dhe seriozitet edhe shkrimtarja Migena Arllati!

* * *

Migena Arllati - nga promovimiNë parathënie të librit, studiuesi Albert Habazaj, e quan autoren Arllati një maratonomake të shkrimit me dritë. Ai thotë se fillimisht e ka njohur punën e saj nëpërmjet faqeve të gazetës kulturore “Nacional”, duke u prezantuar kështu letrarisht dhe kulturalisht me një nga publicistet më të respektuara: Migena Arllati.

Studimtaria e saj përbën një opus më vete, që kërkon një përfillje të merituar për një vështrim kritik të vlerësuar, sepse i shërben përmirësimit cilësor dhe zbukurimit estetik të letërsisë shqipe në Kosovë e brenda kufijve zyrtarë të Shqipërisë. Në fakt, profili i Migena Arllatit mund të trajtohet në një studim monografik, duke përfshirë shumëdimensionalitetin e punës së saj, si: poete, studiuese e gjuhësisë, hulumtuese e letërsisë, publiciste, aktiviste e shoqërisë civile, dhe mbi të gjitha si edukonjëse e brezit të ri. Në çdo punim të botuar nga Migena Arllati dallohen njohuri të plota të fushës nga artikullshkruesja, kompentencë, qartësi e bukuri, çka i japin autores statusin e një kulturologeje të spikatur.

Mes punëve të mira të Migena Arllatit më bëjnë përshtypje redaktimet e shumta të cilat përmbushin një simbolikë shkëlqimtare për botën e madhe të profesoreshës. Mendimet e pjekura të saj bëjnë që fjalët të vijnë vetë, duke na kënaqur me trajtesa të mirëfillta kulturore e shkencore, duke shpërndarë dhe pasuruar më tej shufrën e floririt të thesarit të familjes së saj arsimdashëse në Elbasan, nga e cila ajo ka trashëguar vlera të shumta intelektuale. Dhe Elbasani nuk hoqi dorë kurrë prej bijës së tij. Jo më larg se para një viti, me nderimet më të larta, vendi i origjinës, i lindjes dhe i rritës, e titulluan gocën e tyre të shtrenjtë “Qytetare Nderi”. Dhe asaj i takojnë vërtetë të gjitha nderet pasi me të shtatë shqisat, bile duke poseduar edhe të tetën për nga mprehtësia, i kushtohet me gjithë qenien arsimit, letërsisë dhe shoqërisë civile.

Intelektualë dhe krijues të formatit të Migena Arllatit janë vërtetë vlerë e shtuar për familjen shqiptare, për qytetarinë dhe kulturën kombëtare, për t’u krahasuar me dinjitet me kulturat e tjera përparimtare, me krijimtarinë dhe studimtarinë europiane e globale, sepse Migena Arllati është krijuese e mirëfilltë dhe marathonomake e fjalës me dritë të bukur. Dhe përsëri, gjakovarja nga Elbasani, porsi Prometeu, shpërndan zjarr mirësie ndër njerëz…

 

Ndërsa kritiku letrar  Fatmir Minguli, e cilëson autoren Arllati si vlerësuese konstruktive të letërsisë.