Vlerat e larta kombëtare e demokratike të Luftës së UÇK-së përballë politikës së antivlerave

Nga Skënder Sadri KAPITI

Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si domosdoshmëri kombëtare për mbrojtjen, lirinë dhe për çlirimin kombëtar të Kosovës kundër barbarisë dhe genocidit serb, genocid të cilin Serbia e ka ushtruar kundër shqiptarëve  që prej   150 vitesh.

UÇK  është Ushtria më e re në Europë , dhe në kohën e Luftës ishte aleatja dhe këmbesoria e NATO-s në Luftë kundër pushtuesit, kolonizatorit barbar dhe terrorizmit shteteror serb.

Për herë të parë në historinë kombëtare shqiptare,UÇK-ja me veprën e saj të jashtëzakonshme arriti që problemi kombëtar shqiptar të ndërkombëtarizohej aq shumë sa që u mbajt një Konferencë ndërkombëtare për shqiptarët ku në të kishte përfaqësues edhe shqiptarë; dhe së dyti Luftën e            Lavdishme të UÇK-së e mbështeti edhe formacioni më i madh ushtarak botëror, NATO,  drejtuar nga SHBA.

Pra, lufta heroike e  UÇK -së ishte luftë kombetare e drejtë dhe çlirimtare e njohur dhe e mbështetur edhe nga e gjithë bota e lirë dhe demokratike.

Por politika hipokrite, negative dhe jomorale ka gjithmonë tendencë që të manipulojë, mashtrojë e të spekulojë me interesat e popullit, me sakrificat e tij  si dhe të punojë pandershmërisht kundër demokracisë dhe patriotizmit real. Politika e cila guxon të veprojë kundër ligjit demokratik ajo  kap shtetin, bën korrupsionin, vepron kundër ligjit dhe kundër interesave kombëtare duke u bërë kështu  kërcënim për shtetin dhe sovranitetin kombëtar. Kjo është ajo që konstatohet sot  te politika dhe te politikanët shqiptar, të cilët për moral, për virtyt dhe si  “vlera” kanë vetëm pushtetin dhe interesin personal. Dhe një politikë e tillë është politikë antivlerash.

Historia njerëzore është përpjekje e pandërprerë për lirinë, per shtetin, për të drejtën dhe për të vërtetën.

Këto janë  vlerat më të mëdha për njerëzoren dhe për të cilat ka sakrifikuar  aq shumë, me qindra e qindra vite kombi shqiptar,  sidomos djepi i shqiptarizmit, Kosova shqiptare.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës padyshim është vlerë e jashtëzakonshme kombëtare: si vlerë lirie, dinjiteti, imazhi dhe krenarie kombëtare me të cilën brezat përjetësisht do të krenohen.

Askush, asnjë armik , asnjë tradhtar, asnjë shtet dhe anjë politikë nuk do të mund ta eklipsojnë dhe as ta njollosin këtë vlerë të lartë kombëtare shqiptare.

Lufta e UÇK-së ,prej saj shqiptarët e Kosovës fituan lirinë, pavarësinë dhe shtetin e tyre, dhe sado që të pëpiqen armiqt e shqiptarëve dhe  shqipfolësit tradhtarë kurrë nuk do të mund të njollosin vlerat e Luftës së UÇK-së dhe as ta zhbëjnë veprën e madhe të saj, Shtetin e lirë e të pavarur të Kosovës.

Vlerat e Luftës së UÇK-së nuk kanë nevojë për ligj për t’i mbrojtur ato, pasi vlerat e asaj lufte janë vlerë kombëtare, janë vlerë gjithshqiptare janë vetë liria, pavarësia dhe shteti i Kosovës. UÇK-ja është vlera më e madhe kombëtare shqiptare, dhe duke qenë e tillë ajo është sulmuar nga Serbia, Rusia  dhe aleatët e tyre dje në kohë lufte, por edhe pas përfundimit të saj.

Jo vetëm kaq por në fillimet e saj ajo është penguar edhe nga politika e Shtetit shqiptar të Shqipërisë dhe nga ajo  e Kosovës të cilët donin të ruanin autoritetin dhe pushtetin e tyre politik, pasi ata e shikonin edhe  si alternativë politike kombëtare shumë të fuqishme në të ardhmen UÇK-në.

Prandaj ka edhe disa  të atillë të cilët kanë bërë dëm shumë të madh kombëtar, pasi kanë  kontribuar me dashje apo pa dashje edhe për akuza me shpifje kundër UÇK-së. Tani kur e shohin se cfarë është Gjykata Speciale  ndoshta edhe janë pishmanuar, por tashmë është vonë.

Vlerat e luftës i mbron Demokracia e vërtetë, sepse edhe vetë demokracia është liri dhe është edhe ligj e drejtësi.

Ata të cilët punojnë sot në Kosovë për demokracinë dhe për patriotizmi  e vërtetë, ata mbrojnë edhe vlerat e vyera të kombit, ata mbrojnë edhe Luftën e UÇK-së, sepse liria e demokracia erdhi prej luftës së UÇK-së.

Askush nuk mund t’i përvetësojë vlerat e luftës dhe as ato të demokracisë sepse ato janë dhe burojnë nga populli i cili është  i madh dhe  i pasfidueshëm.

Demokraci do të thotë ligj e drejtësi, barazi për të gjithë para ligjit.

Askujt, asnjë politike apo politikani, dhe asnjë pushteti  dhe asnjë pushtetari nuk i lejohet në demokraci që për shkak edhe të ndonjë kontributi kombëtar, nuk i lejohet atij që ta keqpërdorë dhe as që të shfrytëzojë e të spekullojë duke u justifikuar pas atij kontributi dhe që pastaj  ai të ketë të drejtë të zullumojë, të vjedh e të grabisë pushtet, prona e pasuri e as që të bëjë padrejtësi, krim,tradhti e hajni.

Drejtësia është vlera më e madhe, dhe në emër të saj dhe për të luftoi UÇK-ja, sepse popullit të Kosovës i ishte grabitur e drejta e lirisë njerëzore, asaj kombëtare,  e drejta e Bashkimit Kombëtar dhe e drejta  për të pasur shqiptarët e Kosovës shtetin e vet kombëtar të lirë e demokratik.

Drejtësia është edhe vlera më e madhe në Demokraci, si vlerë e cila me anë të sundimit të ligjit demokratik  jep dhe mbron të drejten njerëzore, shtetërore dhe kombëtare, atë të të qeverisurit nga  populli.

Është fatkeqësi e madhe për një komb dhe për shtetin që demokracinë ta uzurpojnë dhe ta qeverisin injorantët, të padinjitetshmit, spekulantët, hipokritet, hajnat , mashtruesit dhe tradhtarët  e  keqbërësit politik e publik, sepse ata janë antivlera.

Janë antivlera ato të cilat bën dhe vepron politika e papërgjegjshme dhe e korruptuar.

Janë antivlera të gjithë ata individë të cilët e përdorin politikën si mjet për të realizuar interesat e tyre personale; janë antivlera të gjithë ata të cilët kanë bërë tradhtinë duke nënshkruar marrëveshje në dëm të interesave kombëtare; ata të cilët kanë edhe falur territore shqiptare për interes pushteti personal; janë  antivlera ata të cilët kanë nënshkruar marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave serbe; ata të cilët janë treguar inferior dhe i janë nënshtruar interesave serbe; janë antivlera ata  që hoqën parimin  e reciprocitetit me Serbinë; ata të cilët nënshkruan marrëveshje për ta  kthyer Serbinë në Kosovë dhe ata që janë pro minishengenit.

Janë antivlera ato të cilat bën dhe vepron politika; janë antivlera ata të cilët ishin e janë në pushtet në Kosovë dhe në Shqipëri dhe nuk kërkuan dënimin e krimeve, vrasjeve,përdhunimeve, dëbimeve, torturimeve, djegieve, rrënimeve, shkatërrrimeve, që nuk dënuan   pastrimin etnik   të ushtruar nga genocidi serb, si dhe  as nuk kërkuan nga Serbia dëmshpërblimin për krimet dhe dëmet që ajo u ka shkaktuar shqiptarëve dhe Kosovës.

Janë antivlera kombëtare ata të cilët ishin dakord për ndarjen e coptimin e Kosovës si dhe ata që nënshkruajnë marrëveshje për detin në dëm të Shqipërisë. Janë antivlera ata prej të cilëve Shqipëria e Kosova janë kampionë në korrupsion, trafik droge  e vjedhje, e që  kanë penguar e bllokuar shtetin ligjor dhe integrimin. Janë antivlera ata prej të cilëve shqiptarëve u imponohet eksodi, largimi prej atdheut.

Durrës, Nga Skënder Sadri KAPITI: shkrimtar, eseist,opinionist dhe studiues i drejtësisë, politikës, historisë, filozofisë dhe fesë