VJOLLCA PASKU: “TRURI IM ËSHTË SI NJË BATERI E NGARKUAR, QË E LËSHON ELEKTRICITETIN NGADALË…”

(Jetëshkrim i shkurtër përcjellur me intervistë të udhëhequr nga Prof. Murat Gecaj)

Vjollca Tiku Pasku lindi në Fier me 12 qershor 1969. Në vitin 1987 ka mbaruar gjimnazin e ri, sot Perikli Ikonomi dhe vijoi studimet për teknologji ushqimore . Punoi si teknologe për 3 vjet . Ne 1996 emigroi në Greqi së bashku me familjen . U kthye sërish në vendlindje ne 2009. Për pesë vjet punoi në biznesin e saj familjar, për të emigruar sërish në Gjermani ku punon dhe jeton aktualisht. Ka filluar te shkruaj shumë herët megjithëse botimi i parë është në vitin 2013 me librin “Firzarmonika e ndjenjave” duke vazhduar të shkruaj jo vetëm në poezi por edhe në prozë. Ka fituar vendin e dytë në prozë me çmimin letrar Frang Bardhi si dhe çmimin e lexuesit 2015 në gazetën ‘Telegraf’. Botuese e rregullt në gazetat e shtypit dhe në internet….

VJOLLCA PASKU: “TRURI IM ËSHTË SI NJË BATERI E NGARKUAR, QË E LËSHON ELEKTRICITETIN NGADALË…”

Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë
 
 
1.-Me sa di unë, Vjollca, studimet tua nuk kanë qenë në fushën e gjuhës e letërsisë shqipe, siç jam njohur rëndom me kolege e mike të tjera… Pra, si dhe kur të lindi mendimi të ulesh e të shkruash poezi ose në gjini tjera letrare?

 -Përshëndetje, profesor  i nderuar, mik i krijueseve shqiptare! Dua ta nisi përgjigjen time, duke treguar për dashurinë time ndaj librit. E kam pëlqyer atë që e vogël. Ndoshta, ishte një pasion i lindur nga babai im, të cilin gjithmonë e shikoja me libër në dorë. Për herë pare, kam shkruar në gjimnaz, pak poezi dhe tregime. Isha tip i ndrojtur dhe asnjëherë nuk i shfaqja ato në shoqërinë time. Në vitin e dytë fillova të mbaja ditar, ku gjithshka e shkruaja në mënyrë metaforike, me qëllim që askush mos t’i kuptonte, pra të më përkisnin vetëm mua. Nuk e kuptoja as vetë ç’ishte ajo ndjenjë, që më shtynte të shkruaja.
 Pas mbarimit të gjimnazit, vijova studimet për “Teknologji ushqimore” dhe më pas  hyra në punë. Më tej erdhën: fejesa, martesa dhe emigrimi në Greqi. Këtu dua të ndalem pak. Atje u njoha me metafizikën e Denning & Filips & David Furlong & doktor Daniel Bonor dhe autorëve të tjerë. Ndër të tjera, shkruhej se ”Jeta, në çdo nivel, ka përvojat e saj: të dashurisë, lumturisë e kënaqësisë shpirtërore dhe, çdonjëra prej këtyre niveleve, është pjesë e jetës njerëzore”. Kënaqësia në këtë studim, lidhej me moton time “Një akullore, një libër dhe pak refleks blu, është parajsa ime e vogël”.
Ndodhesha në Patra, pranë detit. Një ndikim të madh tek unë luajtën edhe vëllimet e Jose Silvës, për meditimin. Ato më mësuan se si mund të hapen botëra, përtej kapakëve të mbyllur të syrit. Shpirti im filloi të udhëtojë në qetësinë frymore dhe të depërtojë  në zemrën e një trëndafili të qeshur,  të shndërrohem në nuacën e një vale tingullore në zërin e një bilbili e të derdh notat më të bukura melodioze, të kem ndjesinë e pulëbardhës e të kapi peshqit e kuq të horizontit… Adhuroj dhe kam lexuar me kënaqësinë më të madhe, Jungun, “Për rregullat e zotërimit të trurit”, gjithashtu, psikologë si  Adler&Toni Buzan&Gamon& Allen&Brajdon etj., pa harruar asnjëherë penat botërore, në poezi dhe prozë. Më lart përmenda vetëm disa që mos ta bëj listën e gjatë të autorëve, të cilat ndikuan në formimin tim si krijuese. Po ashtu, duke qenë edhe në një moshë relativisht të madhe, shumë shkrime, si në prozë poetike, skica e tregime, janë rrjedhojë e mbrujtjes së këtij formimi.
Me kthimin në Shqipëri, në vitin 2009, fillova të shkruaja poezi. Profesori Vullnet Mato lexoi në grupe të ndryshme krijimet e mia dhe i publikoi te poezitë e zgjedhura të ‘Brilantit”. Pa dyshim që kjo ishte një nxitje e madhe për mua. Më pas, vazhdova të shkruaja edhe në gjini të tjera. 
 
2.-Siç më tregove më lart, një kohë të jetës e ke kaluar emigrante në Greqi, bashkë me familjen. Çfarë ndjesish dhe mbresash të la qëndrimi larg vendlindjes dhe a ka ndikuar kjo gjë në krijimtarinë tënde? 

-Kam qëndruar afër 14 vjet emigrante në Greqi. Dihet nga të gjithë se një jetë e tillë është e ngarkuar me vuajtje dhe mundime, pa anashkaluar racizmin, që rrokulliste ditët në vazhdim. Lodhja, stërmundimi, orët e gjata të punës dhe më e keqja ishte kur vëreja që me sa urrejtje janë mëkuar individë të caktuar, kundër shqiptarëve?! Kështu, ndodhnin shumë aksidente në punë, si pasojë e nënvleftësimit të rregullave të sigurimit.  E, sa jetë janë këputur udhëve të acarta të kurbetit dhe sa familje janë divorcuar, si pasojë e rendjes për të siguruar një jetë sa më të mire materiale…Të gjithë këto dhimbje, padyshim, më kanë lënë mbresa të forta dhe i kam hedhur në tregime e mia ose i kam skicuar.

3.-Ti,  je e përkushtuar pas punës private dhe familjes…Lutem, më trego diçka më tepër për jetën tënde. A e gjen edhe këtu frymëzimin për të shkruar, sa më bukur? 

-Pa dyshim, jam një bashkëshorte, një nënë dhe ndihmoj në biznesin tonë të vogël familjar. Shpesh edhe bashkëshorti im ka qenë burim frymëzimi. Mjafton një ide, për të krijuar një ngjarje dhe “rrjeta” e frymëzimit të “merimangës së artë” të më mbështjellë me fijet e saj, derisa të kem hedhur në letër gjithë mendimin.Vetëm atëherë ndihem e lehtësuar, sikur vërtet u çlirova nga nje “robëri” e disa çasteve… Shpesh, në bashkëbisedimin me dy djemtë e mi, sepse dëshiroj të jem edhe shoqja e tyre, më lindin frymëzime të ndryshme, pasi fëmijët janë vazhdimësia jonë, dashuria pa kufinj “gjeografikë”… Një ditë, njëri nga djemtë më tregoi “sekretin” e një shoku. Atij i kishte vdekur babai dhe mamaja e tij u bë grua e rrugëve, sepse nuk kishte para!? Menjëherë, më lindi ideja dhe shkrova tregimin ”Biri i mjellmës së zezë”(është i publikuar në Internet), që ishte një protestë shpirtërore, kundër indiferencës së shtetit dhe shoqërisë sonë, ndaj femrave.

4.-Një pyetje e radhës, që mund ta bëja në fillim: Cilët janë botimet tua të deritanishme e cila është tematika e tyre…Po, çfarë planesh ke, në vazhdimësi? 

-Botimi im i parë është vëllimi poetik ”Fizarmonika e ndjenjave”. Ashtu siç hapet një fizarmonikë dhe në fletët e saj del melodia më e ëmbël e dashurisë, e cila përhapet në ajër, rritet e  pushton një univers, po ashtu ka edhe akordet e vuajtjes,  që shkaktohet në dhimbje, ndarje, mall, varfëri etj. Po ashtu dëgjon edhe  rrjedhën e një magme vajtimi për jetë, që këputen padrejtësisht.
Përveç publikimeve në Internet dhe organe te ndryshme të shtypit, kam gati dhe presin dritën e botimit një libër në prozë dhe një tjetër në poezi. Kam mjaft projekte tjera  për të ardhmen. Megjithëse, asnjëherë nuk kam menduar që çfarë do shkruaj, sot ose nesër. Por kam ende për të dhënë prozë, nga të gjitha shtrydhëset e jetës…. Truri im është si një “bateri” e ngarkuar, që e lëshon elektricitetin ngadalë…Kam privilegjin më të madh që të hyj në botën magjike të frymëzimit. Syri i diellit është i rrethuar nga paqja e kaltër, ndërsa syri i frymëzimit tim nga bagazhi i jetës.

5.-Sa e si je e lidhur me jetën kulturore-artistike e letrare të qyteti të Fierit dhe me krijuesit e saj?

 
-Përkushtimi ndaj punës, familjes e shtëpisë, nuk më lënë shumë kohë ndaj veprimtarive në qytetin tim të dashur e të bukur. Megjithatë, nuk mund të rri pa marrë pjesë në miqësinë time të ngushtë. Psh, këto ditë, u organizua përurimi i librit “Mozaik ndjenjash”, nga klubi i letrarëve “Mësonjtorja Dertliu”, me autorë ajkat e krijimeve të zemrave rinore. Ky përurim u realizua nga redaktorja dhe mikja ime, Antoneta Priftaj. Aty u ndjeva si një gjimnaziste, jo e ndrojtur, por e shkathët dhe plot jetë. Mes zemrave të reja, mendimet ripërtërihen dhe ndihesh si një gonxhe e kësaj kohe…

6.-Duke të falënderuar për përgjigjet dhe duke të uruar për krijimtarinë tënde letrare, a dëshiron të shtosh ndonjë gjë, në mbyllje të kësaj bisede?
 
-Është kënaqësia ime, që po ndaj me ju mendimet dhe ndjenjat e mia.. Dëshiroj të jetoj sa më gjatë e me shëndet të plotë dhe të shkruaj. Eshtë njësoj sikur të hapësh portën e një bote magjike, ku  jetoj me personazhet e mi dhe më pas, kur publikohen, lejoj shpirtrat e tjerë të hyjnë në të.
Ju faleminderit, profesor Murat Gecaj, duke ju uruar jetëgjatësi të shëndetshme, ngrohtësi familjare dhe arritje në punët e përkushtimet tuaja!
Tiranë, 27 maj 2014