VETTINGU YNË TRIM I FORTË, S’ NJEH VËLLA, MIK E SHOK…

NEBI DRAGOTI

VETTINGU YNË TRIM I FORTË,

S’ NJEH VËLLA, MIK  E SHOK…

Fejton

Bjeri drejt, se unë e di, ti i bie detit tejpërtej edhe në këmbë…Ty, ka kohë që të pret populli im krah hapur, se të ka si djalë e trim të rrallë e të vetëm, që syri nuk ta bën tërrt. Eh, vetting, eh vetting! Kam shkruar për të opinione, poezi, fejtone, satira, hajqe satirikë. E kam marrë si personazh, njeri të rrallë të plotfuqishëm, qënie mitollogjike, shpëtimtar njerëzimi ose më mirë e më saktë shpëtimtar i shqiptarëve. Desha që të bësh naming ( në fushë të druve), të çuditet i madh e i vogël me bëmat e tua, që i presim me padurim.Sus, sus t’ua bësh! E di vetë ti se kujt, nuk po përmend emra, se nuk do as populli që t’i dekonspiroj, se ikin ata, surdisen nga frika , se kanë bërë shumë zullume. Ata, nga ty, o vetting pafilluar, i kanë lagur brekët…Të poshtërit , të ligët, hajdutët, korrupsionistët, legenët. Mirëpo unë nuk e kam besimin në shkallën superiore, se kam frikë, se mos kryehajduti, hajdutët  bërtasin : “Kape, kape hajdutin!”. Larg qoftë kjo! E, m’u ktheftë besimi, tamam, si një plus një bëjnë dy që dhe unë të këndoj me popullin tim: “Vettingu ynë trim i forte/, s’ njeh vëlla , mik e shok”… Hajt, qoftë për hajër!  Urimi në vesh të vettingut vaftë!

Vloni dajre, gajde, çifteli,

Vloni nga jugu në veri.

Të madhe festë ka shoqëria,

fiton populli, tërë Shqipëria!…

…Sikur u zgjat shumë, por më mirë vonë se sa kurrë. Vettingu edhe gjithë forcën tonë popullore në këtë betejë e marrtë që të dalim faqebardhë e të ecim me ballin lart rrugëve të pastra të demokracisë.