Vet(mj)eranët e shtetit të Kosovës!

Shkruan: Florim Zeqa, 25.08.2018

Vet(mj)eranët e shtetit të Kosovës!

Gjatë kthimit nga Kosova, në një vend afër Dubrovnikut e hasa këtë mbishkrim “Za njih mrtvih, mi smo živi spomenik!”, që në shqip i bie; Për ata të vdekurit, ne jemi monument i gjallë!
Kjo thënje më bëri përshtypje të jashtëzakonshme, se me çfarë përkushtimi mbrohen vlerat e lirisë në një vend të civilizuar.

Caktimi i listave të veteranëve të luftës çlirimtare sipas përkatësisë partiake, ideologjike dhe lidhjeve familjare e ka shndërru këtë proces në një “Veteranomani” të vërtetë.
Lënja jashtë listave të veteranëve, e komandantëve dhe ushtarëve më të spikatur, pjesëmarrës në betejat më të lavdishme të luftës çlirimtare në njërën anë dhe përfshirja në lista e atyre që Kosovën e lëshuan të veshur me rroba të grave dhe me buzëkuq të nuseve në fytyrë, të atyre që s’kanë qënë asnjëherë gjatë luftës në Kosovë, por që u kthyen si “çlirimtar” pas përfundimit të saj, përveqse marrëzi, paraqet fyerje për luftëtarët e vërtetë dhe shkelje mbi gjakun e dëshmorëve!
Për më keq se kaq, në listat e veteranëve të UCK-së, u radhitën edhe dezertorët e luftës, spiunët dhe UDB-ashët e Serbisë në Kosovë!
Mosbërja transparente e kritereve për pranimin e statusit të veteranit të luftës nga ana e “komisioneve” për verifikim, kishte lënë të hapur “shtekun” për manipulim dhe keqpërdorim “allashqiptarçe” të një procesi sa të ndjeshëm po aq të rëndësishëm për të ardhmën e vendit.
Loja e ndytë me ndjenjat e pastra të luftëtarëve trima të lirisë sonë, ka vërë në pikëpyetje të tërë procesin e verifikimit të vetranëve!
Vrapimi pas marrjës së bajrakut të çlirimtarit, grabitja apo përfitimi nga vlerat e të tjerëve, injorimi apo eliminimi i figurave markante të luftës dhe paqës shënon kulmin e marrëzisë së disa komandantëve, përmes lojës së shtrigave, duke inskenuar “tradhtarin” imagjinar dhe “heroin” inekzistent!
Injorimi i betejave të lavdishme (Koshare, Logjë. etj) të drejtuara nga oficierët e karrierës dhe zavëndësimi i tyre më figura të improvizuara të betejave të humbura, ka çuar në tjetërsimin e vlerave të luftës çlirimtare!
Shirtëligët e pushtuar nga egoja për pushtet e pasurim të paligjshëm rrënuan çdo gjë para vetës, çdo vlerë e pasuri kombëtare!
Megaskandali i kriminalizuar me veteranët mashtrues e të rrejshëm, është dëshmia e pamohueshme se disa nga ish komandantët e luftës, janë vetë kupola e grupeve kriminale që kanë abuzuar me ligjin dhe buxhetin e shtetit për gati njëzet vite resht.
Veteranët mashtrues janë një armatë e blerë me para të popullit, për vota të partive të kriminalizuara në pushtet dhe opozitë për disa mandate rresht.
Lista e veteranëve mashtrues është shumë më e gjatë se 19 mijë mashtrues të identifikuar nga prokurori Blakaj, të cilët pa meritë, në forma të ndryshme e kanë fituar statusin e veteranit.
Pa dyshim se, kontigjenti më i madh i veteranëve të rrejshëm, është produkt i proceseve elektorale, gjegjësisht i blerjes së votave në këmbim të çertifikatës së veteranit.

Aktakuza e qëlluar, por e vonuar e prokuorit Blakaj

Më mirë vonë se kurrë e thotë një fjalë e urtë popullore. Aktakuza e prokurorit Elez Blakaj ndaj 12 eksponentëve politikë dhe ushtarak lidhur me 19 mijë veteranët mashtrues është vetëm fillimi i i hapjes së “Kutisë së Pandorës”, gjegjësisht shpalosjes së keqpërdorimeve dhe abuzimeve skandaloze disa vjeçare me çertifikatat e veteranëve.
Edhe përkundër akuzës së ngritur në muajin Korrik nga prokurori i posaqëm Elez Blakaj ndaj 12 eksponentëve të UÇK-së për mashtrimet kriminale me lista të veteranëve (Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari), ende nuk është dorëzuar në Gjykatë, shkaku i interferimit në punën e prokurorisë së shtetit nga ish komandantët e akuzuar dhe vet shefi i shtabit të UÇK-së dhe komandantët e Zonave Operative.
Situata e krijuar tregon pamundësinë e ushtrimit të funksionit të prokurorit në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale, gjë që i detyron prokurorët me integritet profesional të dorëhiqen.
Në fakt, dorëheqja e prokurorit të posaçëm Elez Blakaj tregon për dështimin e sistemit prokurorial për të mbajtur në radhët e veta prokuror me integritet, të cilët janë të gatshëm të përballen me sfidat e kohës.
Abuzimet me çertifikatat e veteranëve nga krerët e partive politike për blerjen e votave për pushtet në njërën anë dhe përfitimi personal i komisionerëve për verifikim nga ana tjetër, bënë që numri prej 19 mijë veteranëve të paligjshëm të jetë shumfish më i madh.
Ekzemplari më i “mirë” i abuzimit me listat e veteranëve është ai 3000 veteranëve nga Shqipëria që marrin paga në Kosovë kundrejt 176 ushtarëve pjesëmarrës në luftë!
Kjo analogji saktësisht përputhet me abuzimet e përgjithshme me listat e veteranëve. Nga 13 mijë ushtarë nën komandën e Agim Çekut, listat e veteranëve nën komandën e dreqit u zgjeruan në mbi 60 mijë vetaranë!
Fryerja enorme e listave të veteranëve, është shprehje e mungesës së vetëdijes shoqërore, imoralitet dhe papërgjegjësi njerëzore në njërën anë dhe mungesë ekstreme shtetndërtuese e politikanëve (ligjvënësve) kosovarë, që mundësuan abuzimin disa vjeqçar me çertifikatat e veteranit të luftës çlirimtare!
Krahas ubuzimeve për çështje elektorale (blerje votash), janë edhe abuzimet për përfitime personale të komisionerëve për verifikim dhe sekserëve të disa partive politike, nga po ashtu disa individ të papërgjegjshëm nga Diaspora, të cilët në këmbim të çertifkatës paguan shuma nga 2000-5000 euro. E hidhur kjo, por e vërtetë. Është ky një numër jo i vogël e abuzuesve nga mërgata që blenë çertifikatat e veteranit pa qënë asnjëherë në luftë!
Fryerja e listave të veteranëve është bërë edhe nga matrapazët e organizatave të dala nga lufta, ndërsa bashkatdhetarët nga mërgata që blenë çertifikatat, me (pa) dashjen e tyre u bënë klient të krimit të organizuar dhe u shndërruan në shpërdoruesit më të mëdhenjë të gjakut të dëshmorëve, gjegjësisht shkeljen mbi vlerat më sublime të lirisë sonë.
Veteranët mashtrues, janë mjeranët e shtetit të Kosovës!

ZO të UÇK-së dhe partitë politike prodhuan veteranët mashtrues

Sikurse Zonat Operative të UCK-së, ashtu edhe partitë politike pa dallime janë bërë pjesë e abuzimit me listat e veteranëve, elektorati i të cilave ka rënë pre e pazareve elektorale të liderëve partiak në këmbim të votës për pushtet me çertifikatën e veteranit.
Thënë ndryshe, veteranë të rrejshëm ka në të gjitha anët dhe në të gjitha kampet, varësisht prej fuqisë politike, fuqisë së muskujve partiak dhe fuqisë së xhepit të veteran-kërkuesve.
Kësisoji, përveq komandantëve dhe politikanëve të papërgjegjshëm, janë edhe 60 mijë veteranë, që e trajtuan Kosovën jo si shtet të tyre, por si plaçkë lufte!
Kështu, edhe nëse bie pozita dhe vjen opozita në pushtet, nuk pritet të ndodh ndryshim i madh, sepse të gjithë janë bërë njësoj abuzues me listat e veteranëve, sikurse që, në të gjitha partitë politike ka me bollëk, hajna, kriminela, bandita e mafioza të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar,…përkthyer ndryshe në fuqinë elektorale, gjysma e popullatës i mbështetin veprimet e tyre kriminale në dëm të shtetit dhe qytetarëve. Ndërsa gjysma tjetër e popullatës tashmë e ka ndarë mendjen të ikur nga Kosova, menjëherë pas sinjalit për liberalizim të vizave.
Kështu, shteti i Kosovës dalëngadalë nga një shtet i proklamuar laik dhe multietnik, ka rrëshqitur në një shtet fetar te vet(mj)eranëve dhe mercenarëve të ditëtëve të lirisë!
Për këto mënyra të turpshme të shpërdorimit dhe abuzimit me çertifikatat dhe statusin e veteranit të luftës, përgjegjësinë duhet kërkuar në radhë të parë nga liderët e partive të ashtuquajtura “parti të krahut të luftës”, gjegjësisht tek ish udhëheqësi politikë i UÇK-së, Hashim Thaçi, i cili në njërën anë thirret si udhëheqës politik i ushtrisë, ndërsa në tjetrën deklaron se ka qënë larg vijave të frontit,…për të kaluar edhe tek partitë e tjera që ua mundësuan elektoratit të tyre kontrabandimin e votës në këmbim të statusit të veteranit.
Padyshim, krushku i parë i veteranëve të rrejshëm është vetë presidenti Hashim Thaçi. Jo që po e thëm unë, por ai vet e ka pohuar shumë vite më parë në një intervistë për Euronews, duke thënë se “ka qënë larg luftës”.
Një luftëtar, që për ideal ka pasur çlirimin e vendit nga pushtuesit nuk vrapon pas privilegjeve dhe as nuk bie pre e mashtrimeve, për shkak se nuk e ka të lehtë të tradhtojë idealin e bashkëluftëtarëve të rënë në fushën e nderit!

Ashtu siq e nisa shkrimin, ngjashëm edhe do e përfundoj me një thënje tjetër. Me 22 Dhjetor 2015, ish luftëtari i FARK-ut, veterani i Koshares, Bekë Osmanaj nga Isniqi, në shënjë proteste për abuzimet me çertifikatat e veteranëve, në qëndër të Deçanit e kishte djegur çertifikatën e veteranit të UÇK-së, me ç’rast kishte reaguar në këtë mënyrë, po citoj; “Nuk jam veteran, sepse nuk pranoj dhe nuk mundem që të jam i barabart me puntorë të UDB-se, me kriminel dhe me dezertor të luftës…”.
Kjo shprehje e pakënaqësisë, është shprehja më e sinqertë e dashurisë ndaj atdheut, eshtë besnikëria e thellë shpirtërore ndaj gjakut të bashkëluftëtarëve, është shprehje e pakënaqësisë ndaj abuzuesve të vlerave më sublime të lirisë sonë.
Për këtë gjest të lartë human të luftëtarit të lirisë, institucionet e shtetit dhe shoqëria kosovare duhet të tregojnë përkujdesje të përhershme materiale dhe morale. Pasi luftëtari Bekë Osmonaj, me sakrificën e tij vetëmohuese ka vendosur të bëhet gardian dhe monument i gjallë i mbrojtjes së gjakut të dëshmorëve të lirisë që ne sot e gëzojmë.