Vështrim mbi botimin më të ri “Etern’ Ars” të autores Migena Arllati

Migena Arllati-pr
VLERËSUESE KONSTRUKTIVE E LETËRSISË

FATMIR MINGULI

          kritik letrar [1]

FatmiriSi rrallë libra të ditëve tona që shkruajnë për kritikë letrare si dhe analiza të ndryshme letrare, libri më i ri i shkrimtares dhe kritikes Migena Arllati, paraqitet me një pamje dhe brendësi krejt ndryshe. Autorja Arllati me këtë libër jo vetëm që shpalos një numër të madh shkrimesh mbi vepra të ndryshme letrare, por na tregon se si një libër i tillë ka një bosht qëndror, një bosht ku ajo përqëndron me seriozitetin më të madh mendimet dhe idetë e saj për letërsinë e ditëve tona dhe jo vetëm kaq, jo vetëm për letërsinë.

Struktura e librit “ETERN’ ARS” harmonizon uverturën për dashurinë ndaj atdheut dhe gjithçka shqiptare, me një muzikalitet të veçantë në trajtimin e veprave të shumë autorëve dhe mbyllet me një autoportret sa modest aq dhe interesant për shkrimet e vetë autores. Ndaj Bogdani, Çajupi, Martin Camaj, Nermin Vlora prijnë në faqet e para të librit dhe i hapin rrugën një sërë autorëve shqiptarë ku gjeografia e shpërndarjes së tyre është që nga Gjakova e deri në Gjirokastër.

Pikërisht në këto faqe shfaqen skenat shqiptare, skena që Migena Arllati i jep plot dritë, fokusim dhe gjallëri. Kësisoj tek lexon shkrimet kritike për secilin poet apo shkrimtar që kalon në penën e kësaj autoreje, ndjehesh shumë komod, frazat rrjedhin këndshëm, me një qartësi dhe shqipe shumë të pastër e ti vetëm kur e ke mbaruar së lexuari librin, kujtohesh se ke lexuar një libër me kritika dhe studime. Kjo patjetër është meritë e Migena Arllatit e cila punon serozisht me çdo autor, i ri apo me përvojë qoftë ai apo ajo. Kjo është kërkesa e parë për një studiues apo kritik të letërsisë. Sot, më shumë se kurrë duhet të kemi kritikë si Migena Arllati.

Tek lexon shkrimet e ndryshme, parathëniet e shumë librave, vështrimet letrare, esetë e saj, lexuesi ndodhet para një magjie e cila esenë e kthen në skicë letrare, ku pamfleti përqafohet me poezinë, ku mendimi kritik vjen e zbutet nga figurat e ndryshme dhe të guximshme letrare. Kemi të bëjmë me një libër matricë të kritikës letrare dhe të vëzhgimeve rreth saj. Mjafton të lexosh esenë brilante “Unë dhe unë” dhe shumë shpejt do të plotësosh ndonjë mangësi që dikush mund të ketë vënë re ashtu kalimthi ose pa të drejtë në veprën e Migena Arllatit. Eshtë një fakt shumë domethënës edhe botimi i disa shkrimeve të Migenës në gazetën prestigjioze të Tiranës “Nacional”, ku përshtypje më ka bërë shkrimi për romanin e Artan Mullajt, “Dashuri në Kosovë” si dhe shumë shkrime të tjera.

Libri “ETERN’ARS” sjell para lexuesve shqiptarë kudo që ata ndodhen, aromën e jetës shqiptare, jo me poezi dhe prozë, jo me drama por me artin e kritikës pozitiviste, kritikës që ve në dukje atë çka një autor ka arritur. Dhe çdo autor e kërkon një vlerësim të tillë, pa lajka e dekorime të pamerituara. Janë pikërisht vlerësimet konstruktive, profesionale, artistikisht të shkruara, ato që Migena Arllati i jep me kënaqësi por jo pa mundim!

Nuk mund të mos përmend dhe dy studimet e autores, me parathëniet botuar në fund të librit, që flasin për frazeologjinë e të folmes së Gjakovës dhe mbi patronimet në Gjakovë, mbiemrat dhe emrat familjarë.

Por nuk do të harroj as esenë e mrekullueshme botuar në faqet e para të këtij libri që titullohet: “Plisi dhe autoktonia shqiptare”.

Shkrimet e librit janë ngërthyer në një kufizim të ngushtë kohor, përmes viteve 2013 – 2015, një periudhë e vogël por plot me krijimtari. Migena Arllati po kontribuon me shumë forcë, efekt dhe origjinalitet në gjininë e studimeve dhe kritikës letrare.

Ky libër është njëkohësisht dhe pasaporta e saj e veçantë nga ato të autorëve të tjerë, që i siguron një përparësi të dallueshme ndaj lëvruesve të sotëm të letrave shqipe. Për këtë e përgëzoj dhe sinqerisht e uroj për pandalshmëri në rrugën e saj!

Durrës, pranverë 2016

[1] Autori i shkrimit, Fatmir Minguli, poet dhe studiues nga qyteti i Durrёsit, ёshtё njёri ndёr kritikёt letrarё mё tё respektuar nё Shqipёri