VEPRIMTARIA KRIJUESE E VEPRIMTARIT KËRÇOVAR VESEL XHAFER ÇELIKU

Nga Begzat Rrahmani
VEPRIMTARIA KRIJUESE E VEPRIMTARIT KËRÇOVAR VESEL XHAFER ÇELIKU
Ishin vitet e dekadës së shtatë të shekullit të kaluar, kur qyteti ynë Kërçova sa mbyll e çel sytë u mbush e përmbush me reklama dhe pllakate, të cilat reklamonin fakirin e cirkut, që gëlltiste kamën e madhe disa centimetra, qepte fytin me gjilpërë dhe kërcente në dysheme të mbushur përplot me xhama të thyer këmbë zbathur. Si shumë të tjerë po ashtu edhe unë me të parë ato reklama u ndala dhe e lexova tekstin që ishte i shkruar në ato pllakate. Me të vërtetë u habita kur lexova emrin dhe mbiemrin e bashkëvendësit tim i lindur, rritur dhe shkolluar deri në shkollimin e mesën në qytetin tonë, por pastaj si shumë të rinj kishte mërguar në perëndim dhe atje ishte specializuar për atë profesion.
Të hënën në orën e kujdestarisë sa e shkrova orën në regjistër kryetari i klasës kërkoi ta merrte fjalën. Ai në emër të klasës kërkoi që të merrnim pjesë të krejt sa ishin në klasë në programin e fakirit kërçovar, dorën në zemër mua më pëlqeu ai propozim. Të gjithë mi dorëzuan të hollat për marrjen e biletave përveç dy nxënësve që ishin dobët materialisht, por edhe asaj here si shumë herë të tjera nuk mungoi solidariteti i nxënësve. Me të vërtetë atë mbrëmje ishte një kënaqësi me programin shumë interesant dhe deri atëherë i pa parë në qytetin tonë, e aq më shumë prej një kërçovari. Ai ishte i pari, por më duket se pas tij asnjë nuk e vazhduar rrugën e tij.
Pas shumë vitesh prapë në qytetin tonë u paraqitën reklamat dhe pllakatet e të njëjtit personi por tash me një ekspozitë pikturash, të llojllojta. Shumica bile i tërë opusi i tij ishin me karakter të motiveve shqiptare. Ngjyrat mbi sipërfaqet e sheshta dominonin ajo e kuqja, e zeza, e bardha, që për të bardhën piktori thotë “ E bardha në pikturë qoftë e bardha në shpirt dhe në jetë” por piktori përdor edhe ngjyra të tjera, që janë karakteristike dhe që janë prezentë në motivet e këtij nën qiell. Ajo që ishte më interesante se piktori përdorte në shumë piktura xixëllat (para të vogla) që xixëllojnë, gratë në rrethin e Kërçovës i përdorin në këmisha dhe fustanet për raste solemne. Piktori me pikturat e tij që shumica i dedikohen vendlindjes së vet dhe kombit në përgjithësi jenë si poezitë e poetëve që flasin qartë për ndodhitë e kohës. Mendoj se ky është një rast unikat, që me të vërtetë duhej të merret dikush më kompetent.
Pas disa vjetësh të njëjtin person e takova te “NETËT EROTIKE NËN RRAP”, që i organizon Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptar në Maqedoni, me kryetarin e saj zotëri KALOSH ÇELIKU. Aty zotëri Vesel Çeliku u paraqit me disa poezi mjaftë të bukura dhe shumë domethënëse.
Vesel Çeliku nuk do të ndalet me gjithë këto vepra të llojeve të ndryshëm, por ai do të vazhdojë me befasi mjaftë të bukura dhe çuditëse. Vesel Çeliku herë pas here e viziton vendlindjen e tij Cërvicën, por atë më e shohim në çdo manifestim që mbahet në Kërçovë. Këtë e them se gjatë kësaj vere Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë “ MUGULLIMI ” organizoi Takimet Poetike te Verës për nder të “HYJNESHËS ILIRE THANA”. Zotëri jo që ishte prezent, por ai pasi recitoi na befasoi me veprën e tij më të re, por tash me një dramë që ka ndodhur përpara një shekulli në këtë nën qiell.
Këtë dramë që tash më piktori na paraqitet si dramaturg e pagëzon “SULLTANE QAFËS”. Një ndodhi mjaftë e dhimbshme që dikur piktori e pikturoi, kurse tash edhe në vargje ku dhembja përjetohet si në pikturë ashtu edhe e paraqitur në vargje. Prej gjithë kësaj që u tha më lart me plotë përgjegjësi mund te them se zotëri Vesel Xhaferr Çeliku me përkushtim përpiqet që gjeneratave që vinë pas tu lejë një shije magjepse artistike, dhe krejt opusi i tij artistik përcillet me mesazhe të qarta me dashuri për figurat historike të kombit të vet. Prandaj unë do ta quaj një figurë POLIEDRIKE, duke i dëshiruar shëndet dhe sukses në punën e tij prej intelektuali…