Vargje të fuqishme për Azem Galicën

Në 93 vjetorin e Epopesë së Arbërisë së Vogël, doli nga shtypi poema kushtuar Azem e Shotë Galicës “Nën qiellin e mrrolur të Kosovës”, e shkruar para dyzet vitesh nga Perikli Jorgoni (tashmë i ndjerë), e cila u përurua në Kullën Muze të Azem Galicës në Galicë, më 15 korrik 2017.

Bedri TAHIRI

Vargje të fuqishme për Azem Galicën

(Perikli JORGONI, Nën qiellin e mrrolur të Kosovës, Prishtinë, 2017)

Më 28 shtator 2013, tek po bisedonim buzë Adriatikut kaltrosh me Skënder Sadri Kapitin, ra fjala për një atdhetare që banonte në Durrës me mbiemrin Jorgoni. Sakaq më erdhi ndërmend Perikliu, i cili para pak kohësh  kishte ndërruar jetë në një aksident trafiku.

Në mbrëmje u zgjodh enigma. Elida Jorgoni erdhi me poemën që për herë të parë po e shihja, të cilën ma besoi dhe më autorizoi që kur të më jepej mundësia ta publikoja atë. Është fjala për poemën “Nën qiellin e mrrolur të Kosovës”, e shkruar në vitet ’70 nga poeti, përkthyesi, studiusi, redaktori, gazetari e atdhetari i madh, nipi i Hilë Mosit, i palodhuri Perikli Jorgji Jorgoni…

          Cili ishte Perikli Jorgji Jorgoni?

Perikli Jorgoni u lind më 15 gusht të vitit 1936 në Tiranë dhe po aty kreu shkollën dhe studimet universitare. Për shumë vite  ka punuar mësues në shkollat e Tiranës e më pas si redaktar, gazetar e si përkthyes në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Ishte shumë aktiv në jetën letrare të vendit, veçanërisht si përkthyes. Ka botuar disa vëllime me poezi dhe me përkthime, ndërsa kohët e fundit ishte bërë promotor i botimit të revistës letrare “UpDate D” në Durrës.
Jorgoni gjatë gjithë jetës së tij u karakterizua si një individualitet njerëzor, një krijues origjinal, i shumanshëm dhe një përkthyes më një talent të spikatur, kryesisht i poezisë botërore, duke lënë pas një trashëgimi të vyer edhe për brezat e ardhshëm. Falë kulturës dhe aftësive të tij si shqipërues, ai mundi të sjellë në gjuhën shqipe emra të tillë nga poezia botërore si: Safo, Kavafis, Apoliner, Horderlin, Shekspir, Gëte, Eminesku, Lorka, Kafka etj.etj.
Perikli Jorgoni, me një frymëzim të fortë intelektual dhe atdhetar, mori pjesë në të gjitha debatet që shoqëruan rritjen dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, duke lënë gjurmë të qarta edhe si publicist i lirë dhe veprimtar i lidhur ngushtë me vendin dhe kombin, deri kur u nda nga jeta, më 12 dhjetor 2012, në moshën 76 vjeçare.

“Ka bërë një mal me përkthime dhe keqardhja më e madhe është se nuk i kanë bërë jehonë veprës së tij, nuk i kanë marrë në analizë vlerat”- shprehet shkrimtari i njohur Faslli Haliti.  Ndërkaq, shkrimtari Shpend Topollaj tha se e ka pasur Perikli Jorgonin mësues të letërsisë në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”. “Prej kësaj shkolle ai ka nxjerrë një plejadë shkrimtarësh, poetësh, dramaturgësh”. “Ai bëri të flasë shqip shumë nga kolosët botërorë, duke sjellë përkthime me atë dashurinë noliane për gjuhën shqipe”.

Elida Jorgoni, bashkëshortja e tij, u rrit nga një nënë, e cila erdhi në Shqipëri për të ndjekur të dashurin e saj ushtar, dhe rastësia e fati e bëri të mbetej këtu, ndërsa ushtria ku ishte i dashuri u kthye pikërisht mbrëmjen që ajo mbërriti nga Kosturi në Korçë. Elida u rrit duke dëgjuar për atdheun e munguar. “Atdheu” i nënës së saj, të cilën ajo e kujtonte me aq mall e dashuri, e frymëzoi vajzën që ishte rritur mes leximesh, të donte atdheun e saj.
…Të fundit la plot. Donte të përkthente edhe 30 vjersha, e kishte ndërmend të plotësonte veprën e Garsia Lorkës me rreth 300 faqe në prozë dhe poezi, përkthime. 90 për qind të veprës e ka kryer, ka mbetur dhe pak, por unë do t’ia botoj me atë që më la,- përfundon ajo, duke ju njomur sytë nga lotët që nuk i mban dot…

Poemë për Azem e Shotë Galicën

Se Azem Galica, edhe për të gjallë qe bërë hero kombëtar, veprimet luftarake të të cilit nuk pyesnin fare për kufijtë artificialë të vënë padrejtësisht nga fqinjtë grabitçarë e të lejuar nga Europa shtrigë, tregojnë muzat poetike që thurën vargje profetike në çdo cep të atdheut tonë, me emrin Shqipëri. Krahas Shuteriqit, Tiganit, Poradecit, vargje margaritarë për heroin e shqiptarëve, Azem Galicën, shkroi edhe Perikli Jorgoni.

Poema kushtuar Azem e Shotë Galicës, me titull “Nën qiellin e mrrolur të Kosovës”, e cila që shkruar në vitet e 70- ta e që qe botuar në revistën Nëntori, por në konkursin letrar nuk qe vlerësuar mirë nga juria për shkaqe ideologjike, andaj edhe kur u botua, le që u censurua, duke ia hequr edhe emrin e Kosovës, por edhe ato kopje të pakta sikur u tretën gati pa u hetuar fare. Iu bë një censurë e heshtur që ajo të “harrohej”. Botimi i pakët në numër dhe paskëtaj bllokimi i saj, me urdhër nga lart, e bënë si të pa qenë këtë poemë me vlera të mëdha letrare, artistike e mbi të gjitha historike-kombëtare. Kështu, për këtë poemë, kanë pasur njohuri njerëz që numëroheshin me gishtërinjtë e dorës. Ne në Kosovë as që dinim për të…

Në fakt, ajo qenkësh botuar edhe njëherë nga vetë autori në librin “Balada e rrembave të gjakut”(Vjersha dhe poema), më 1995, por, në të dyja rastet pa togfjalëshin “të Kosovës”.

Poema “Nën qiellin e mrrolur të Kosovës” është konceptuar në katër pjesë jo të barabarta e me një strukturë të përzier formash e vargjesh.

Kreu i parë– ka 15 pjesë, me vargje njëshkolonë, me rimë të kryqëzuar, herë-herë edhe të parregullt e gjithnjë në frymën e këngëve tona më të moçme, këngëve kreshnike.

Kreu i dytë– përbëhet nga 23 strofa me një ndërtim krejt tjetër, tetë vargjëshe, me rimë të çrregullt e me një kredo përmbajtjesore tjetërfare.

Kreu i tretë– ka 10 pjesë, që, për nga forma dhe shtjellimi kanë ngjashmëri me ato të pjesës së parë.

Kreu i katërt– përbëhet nga 19 strofa të thukëta e të brumosura me ngjyrime atdhetarie, të përafërta me ato të pjesës së dytë.

*  *  *

Në pjesën e parë paraqitet atmosfera heroike, me ca ngjyrime mitike, e kohës së heroit Azem Galica. Vargjet, në frymën e rapsodive popullore, gjegjësisht të këngëve kreshnike, tregojnë zymtësinë  e krijuar pas tradhtisë së Kostë Vojvodës, fill pas luftës së përbashkët kundër asutro-hungarezëve. Ai zgërdhihet para Ceroviqit për atë mashtrim e pabesi, trashëguar që nga car Dushani. Në mesin e tyre, mjerisht, ka edhe shpirtshitur e kukudha që ndihmojnë barbarët, të cilët kapedani i damkoste me vulën e turpit:

Në mes serbësh edhe Dan veshpreri,

Veshin, ç’turp, ia prenë si hafije!

Bën sikur krekoset majë kalit,

Po ka frikë se mos prej korije

A prej guvash i del prapë Azemi…

          Dhe, burgosje, dhunime, internime, vrasje…Por, edhe qëndresë, heroizëm, beteja, mbijetesë…

*  *  *

Pjesa e dytë, siç thamë më lart, ka një strukturë, një ritmikë e një përmbajtje krejt tjetër. Një atmosferë gëzimi e hareje pas atij dimri të gjatë e të mundimshëm, si nga natyra e si nga barbaria. Drenica gjëllonte bashkë me diellin përcëllues të korrikut 1924. Ajo nuk e dinte se tinëzisht përgatitej t’i vërsulej një stuhi e paparë shkatërrimtare:

Por ti s’di moj Drenicë,

Ç’gjamë të kurdiset,

Batalion pas batalioni,

Ç’ushtri po të niset!

Po ti s’di moj Drenicë,

Teksa qesh nga gazi,

Se Zhupani e Bozhidari

Mrrolën nga marazi!

Pra, me mjeshtri e saktësi, jepet plani operativ tinëzar i ushtrisë serbe, udhëhequr nga Zhupani i Shkupit dhe nga Bozhidari i Serbisë, për rrethimin e Arbërisë së Vogël të Azem Galicës. Krerët e Beogradit kishte vite që nuk kishin venë gjumë në sy. Edhe në ëndërr e shihnin Azem Galicën duke fluturuar me kalin e tij mitik. Ajo klithma lemëritëse: O prite Azem Galicën!, u tingëllonte ashpër në vesh edhe në zyrat e tyre luksoze, rrethuar me roje të shumta. Andaj, sonte, në terrin e zi katran, kur ia kishin vënë tre rrathë të hekurt, zunë të çirreshin:

Tani s’ke se nga na ikën,

S’ke se nga na vete,

Kur edhe foshnja vdes plot ankth

Majë bajonte;

Kur kaq topa do të derdhin

Zjarr dhe hekur!

Të erdhi koha për t’u lidhur

Apo për të vdekur!

Por, jo. Katilat kishin bërë hesapin pa hanxhiun. Kulla e trimit nuk flinte dot. Ajo kishte shumë sy, që vëzhgonin edhe natën. Atë Natë Bajrami kishte pak bashkëluftëtarë në konakun e kapedanit. Pak, ama trima që të merrnin gjak në vetull e vdekjes i thonin plaç!

Dhe, kushtrimi liridashës sikur ngriu çdo gjë:

-Prite, o Azem Galicën!

Oshëtiu pylli,

Bozhidari e Zhupani

Zverdhën porsi dylli.

Kot bërtasin e xhindosen,

Kot këmbët përplasin,

Se topçinjtë të tmerruar

Topat s’po i zbrazin!

Sakaq, beteja u ndez ashpër. Luftohej fyt më fyt e dhëmbë për dhëmbë. Trimat çajnë rrethimin. Plagoset edhe kapedani. Shokët e bartin në shpinë. Shota në anën tjetër ua merr krahët armiqve të pabesë. Takohen në Qyqavicë:

Ç’ka Azemi që t’u mblodh,

                    O Kamber, mbas shpine?!

                      ……………………………….

                    Baca ka një plagë

                    Brinjeve, në anë!

                    Por tani e zuri gjumi

                    Fjalë më s’po thotë…

                    Se kjo plagë që e hidhët,

                    Mjaft e hidhët Shotë!

*  *  *

Kreu i tretë hapet me një zymtësi vrastare. Azem Galica i plagosur qëndron në heshtje dhe mediton. Para sysh i dalin varg e vi betejat, që nga Gryka e Carralevës, kur si i ri luftoi përkrah dajë Isa Boletinit. Kujton rropatjet nëpër luftëra e beteja dhe satrapin Ahmet Zogu që me vargoj dëshironte ta lidhte Shqipërinë e shkretë…

E te koka  i rrinte Shota trime, duke ia fshirë djersët  e ftohta të ballit. Trimi, shtrëngon shtatin dhe i zgjuar nga kllapia i flet:

E ti Shotë që më ndejte pranë

Në çdo hap e çdo rrëpirë jete

E që lule, saze e tis dasme

I ndërrove shpejt me plumba e gjemba

Mos m’u nda nga çeta, po të rrish

Po përpara se të mbyllen sytë,

Që m’i djeg fort djersa  e zjarrmia,

Merr sharkinë se të vdes nuk dua

Në mes mrrolje balli edhe gjëme.

Ashtu e kanë trimat, me këngë lindin, me këngë luftojnë e me këngë shkojnë në pavdekësi. Gishtat e Shotës mbi telat e sharkisë dhe zëri i saj kushtrimtar ngjallnin emocione të veçanta në shpirtin e trimit që po lëngonte sa nga plagët aq edhe nga dhimbja për plojën e paparë mbi banorët e fshatrave Galicë, Lubovec e Mikushnicë. Vargjet për Kadri Bajrin e Rexhë Avdinë, për rugovasit që i dalin përballë Mark Milanit të Nokshiqit etj., mbushën malet përreth shpellës…

Në fund edhe një amanet jetik:

Kur të vdes me zjarr kurmin ma digjni

E në erë hirin ma shpërndani

A ma hidhni në një pus të thellë

Që armiku mos ma shkel varrin!

Shota, për herë të parë, zu të ligështohet. Pranë saj,  Plaku i Çetës, Bekë Galica, i jep forcë :

Mbaje veten moj fisnike trime,

Rroi si burrat e ra si kreshnik,

Trimat s’vdesin, trimat veç këndohen!

 

Dhe, loti ngriu në qepallë. Burrat e besës e të pushkës u lidhën tok në besa-besë. Kapedani lëshohet tatëpjetë shpellës e  betejat vazhdojnë nën thirrjën: O prite, prite, Azem Galicën!

*  *  *

Në Kreun e katërt ritmi i heroizmit hepohet, por nuk bie. Megjithatë, hasmi nuk qetësohet dot, sepse nuk e mori vesh vrasjen e kryetrimit. Krajlit serb i fanitej natën e ditën, andaj kërcënonte vartësit e tij:

 

Pa më thuaj, pse më rrejte,

Pse më the ka vdekur?

A s’e ndien vikamën natën,

Që më shpon si hekur?!

A s’e ndien si nga çdo anë

Oshëtin mes territ:

-Prite, o Azem Galicën!

Ç’t’i bëj   tani vrerit?!    

 

Shota e lënduar në shpirt e me plagë në shtat, me ca pleq e me shumë jetimë të luftëtarëve të vrarë në betejën e Galicës, injorohet e keqtrajtohet edhe në Shqipërinë e ëndrrave të saj.

Sidoqoftë, poema nuk përmbyllet me zymtësinë që rëndoi mbi Nusen e Maleve. Përkundrazi, fryma atdhetare e Azem Galicës rronte në zemrën e çdo shqiptari. Çetat e lirisë luftonin me emrin e tij. Në ballë të tyre, e shoqja, Shotë Galica. Hasmi karpatian sërish përpëlitej për ta kapur e mbërthyer atë nam që mbante gjallë atdhetarizmin:

 

Por nuk kapet dot rrufeja,

S’kapet vetëtima,

Sapo erret e zbret muzgu,

Ndihet sokëllima:

-Prite, o Azem Galica!

Oshëtin krejt dheu,

Ia rikthen jehona bjeshkës,

Era e rrëmbeu

 

Shumë beteja që u zhvilluan pas rënies së Azem Galicës, gjithmonë nën emrin e tij, vërtet krijuan bindjen se ai ishte ende gjallë:

 

Shih si sulet në mes predhash,

Kah ngrihet përpjetë,

Sikur do në vrull luftimi

Të përpijë retë!

Dhe gjëmon në krejt Kosovën

Plot me mllef e shpresë:

-Prite, o Azem Galicën,

Krismën e rrufesë!

 

Dhe, këtë amanet e bartën vath në vesh të gjithë brezat e ardhmërisë, deri tek Komandanti legjendar, Adem Jashari. Këtë synim pati edhe autori Perikli Jorgoni, kur  e përfundon poemën me vargjet profetike:

 

Dhe të ngjan sikur kjo britmë

Vjen nga thellësitë,

Nga gremina e përrenjtë,

Flladet e stuhitë.

Dhe s’pushon e grish në luftë

Trimat syshqiponjë,

Gjersa dielli i lirisë

Tokën ta ndriçojë!

 

Galicë, 15 korrik 2017