Varfëria që djeg fëmijët

rm-Në çaj bahçeNga Reis Mirdita

“Ju doni t’i ndihmoni të mjerët, unë dua ta zhdukë mjerimin.”
Victor Hugo

Kam dëgjuar nga pleqtë tanë të thonë se varfëria i djeg fëmijët. Sot shpresoj se fëmijët e djegur do të rriten në skamjen e tyre për ta ndryshuar gjendjen në favor të gjithëve.

Vetëm në trojet tona janë me mija fëmijë që jetojnë në varfëri e një pjesë e madhe nga ta, në skamje të tmerrshme. Pa hy në shoqëritë e shtetet tjera të botës ku gjithashtu kjo dukuri kaplon miliona familje e pra fëmijë që nga lindja e nëse bazohemi në tendencat aktuale të ecurisë së kushteve shoqërore, do t’i përcjellë tërë jetës së tyre. Dëmet janë të pa përshkruara dhe gjendja nuk vjen duke u shëruar por duke u zhytur në humnerë gjithnjë e më të errët. Fëmijët e këtyre viteve, janë të lënë pas dore sikur asnjëherë më parë. As përafërsisht nuk mund të flasim për një barazi shansesh për zhvillim ose së paku për mundësi zhvillimi, nënkuptuar këtu në radhë të parë ushqimin, veshmbathjen, banimin dhe shkollimin. Shoqëria e ynë  ka lejuar ose ka ndikuar drejtpërdrejti në krijimin e varfërisë trashëguese. Fëmija i lindur në gjirin e prindërve të varfër nuk ka asnjë gjasë të tejkaloj këtë gjendje. Askush… dhe askush pra nuk çanë kokën realisht e me seriozitet që të krijoj kushte humane për këta fëmijë. Nëse ndokush mendon se janë nda aty këto disa ndihma nga organizata bamirëse ose edhe nga organet përkatëse shtetërore, ato ngelin vetëm ndihma dhe nuk mund të konsiderohen si ndonjë zgjidhje e lumtur, përkundrazi shtyjnë familjet drejt një depresioni të përgjithshëm duke ngatërruar akoma më keq gjendjen jetësore.

Shoqëritë e lashta gjithashtu janë përballur me problemin e varfërisë dhe jazit mes klasave por duket se ata kanë pasur zgjidhje më fatlume se na sot. Me këtë nuk kërkoj që t’i kthehemi Spartës ose «Republikës» së Platonit  e as ndonjë sistemi të shekullit XX por kjo, nuk duhet të thotë se asnjë mësim nuk mund të nxjerrim nga ta. Fëmijët sot meritojnë të kenë së paku qasje konvenuese në shëndetësi dhe shkollim dhe jo të vazhdohet me avaze denigruese ndaj tyre dhe familjeve përkatëse. Të gjithë flasim për mundësi të barabarta të shkollimit dhe shiheni sa prej tyre kanë mundësi të kapen për një zeje, dhe shkollim të mesëm ose lartë.

Nëse Caritas-i zviceran sot thotë se ka 260 000 fëmijë të varfër në vend, çka duhet të themi na për në trojet tona. Klasa politike sipas llogaritjeve të tyre, u konvenon të ketë fëmijë, shih rini të «lirë» që rijnë ditë e natë nëpër bastore të llojeve të ndryshme dhe sa herë të ju duhet vota të ju mundësojnë me disa «euro» të luajnë akoma një natë më shumë në bastoret që i mbajnë ose vet ose partiakët e tyre të dëshmuar.

Nuk mund të themi sot se mungojnë kushtet ekonomike për një ringritje të shkallës jetësore të familjeve skamnore. Nëse me të vërtetë ekonomia shqiptare është në pamundësi të nxjerr të rrezikuarit nga kjo gjendje, ajo pa asnjë pengesë mund të filloj së pari me ndarje të bursave me seleksionim. Fëmijëve që tregojnë suksese të dalluara të ju sigurohet një shkollim adekuat dhe njëherit të fillohet me informim të rregullt për mundësitë e fitimit të lehtësimeve për të krijuar ardhmëri të denjë.

Unë nuk kam statistika që bazohen në analet e shteteve ku jetojnë shqiptarë por kam njohuri të shëndosha nga hulumtimet dhe diskutimet me intelektualë të gjitha trojeve tona. Nuk mund të më thonë asnjëri nga ta se zyrtarët iu përgjigjën pozitivisht ndonjë kërkese të tyre për bursë një nxënësi të shkëlqyeshëm, prindërit e të cilit nuk janë në marrëdhënie pune. Bursë ka, por për kë?

Dhe këtu nuk është vetëm ushqimi,  veshmbathja dhe kulmi i arsyeshëm mbi kokë. Janë plotë kushte të tjera që bëjnë jetën të mirëfilltë. Pse mos të mundemi apo pse nuk duam të organizojmë pushime disaditëshe për fëmijët më të rrezikuar ekonomikisht. Cili fshat, cili qytet, cili organ kompetent u morë me këtë çështje. Këto dhjetë vite, mund të me thotë një ministër se mundësoi pushime verore (ose dimërore) për këta fëmijë…?!