URGJENTISHT TË SHKARKOHET ISA MUSTAFA

THIRRJE PËR TU REFORMUAR LDK-ja (1)



URGJENTISHT TË SHKARKOHET ISA MUSTAFA
(Strukturat politike në LDK nuk duhet të heshtin!)

Shefqet Dibrani

Kosova gjendet para sfidave të mëdha. E kjo gjendje nuk është e rastësishme, sikurse ndodhja në krye të LDK-së e Isa Mustafës që nuk është rastësi. Ditën kur e mori drejtimin e LDK-së, në Kuvendin e VII të Partisë, (7 nëntor 2010), ai u deklarua  për një LDK tjetër. Kjo tjetër/ndryshe është “LIDHJA”, dhe sfondi i saj i kaltër?! Duke pasur mision, ai filloi me spastrime masive, fillimisht themeluesit dhe elitën intelektuale, pastaj edhe me kundërshtarët publik. Ky veprim është ves i diktatorëve me të kaluar përplot hipoteka. Sot LDK-ja është zhveshur nga të gjitha atributet demokratike dhe shtetformuese. Në anën tjetër duke dëmtuar LDK-në, drejtpërdrejt po lëndohet shteti. Në saje të këtyre papërgjegjësive, Sot LDK-ja është në krizë, ndërsa Kosova në rrezik.

Të mos thellohemi në të kaluarën e tij, (pasi kemi shkruar mjaftë), por të ndalemi te zgjedhjet e 6 tetorit 2019, nga të cilat LDK-ja u rreshtua në vendin e dytë. Diferenca nga vendi i parë ishte e ulët, prandaj  na jep të drejt për të gjykuar se Isa Mustafa nuk e ka dashur fitoren e LDK-së, kur bëri përjashtimin e Elitës Intelektuale dhe themeluesve të LDK-së, po ashtu në këtë rezultat ndikoi sistemimi jo logjik në Listën Zgjedhore, pastaj përjashtimi i Diasporës, kanë ndikuar drejtpërdrejt për të mos dal LDK-ja e para.

 Këtyre vërejtjeve duhet shtuar edhe paradoksi i veprimit të çakorduar gjatë fushatës zgjedhore

 Si duket plani për të mashtruar popullin ishte hartuar nga vet Isa Mustafa, bashkë me klanin e tij, të cilët duke mos besuar në veten e tyre, do ta emërojnë dr. Vjosa Osmanin, për kandidate e mundshme për Kryeministre e Kosovës, për të krijuar imazh pozitiv, ndërsa fushatën zgjedhore e udhëhiqte Lutfi Haziri, kurse kambanën ua rrihte Isa Mustafa bashkë me Agim Veliun, prandaj ky paradoks është vërejtur nga të gjithë analistët.

Derisa dr. Vjosa Osmani, gjatë gjithë fushatës ka premtuar ndershmëri dhe ka garantuar popullin se ajo nuk do t’i mashtrojë, Isa Mustafa dhe Agim Veliun bënin plane të nëntokës. Edhe sloganet për ndershmëri, duar të pastra, vlera intelektuale dhe kurrë më me ata që kanë kapur shtetin, ishin fraza të cilat mashtruan populli për t’iu besuar premtimeve të Vjosa Osmanit, si grua dhe intelektuale. Sado të sofistikuara që kanë qenë veprimet, edhe gjatë fushatës janë vërejtur plane e skenarpërpjekje për t’i eliminuar kandidatët që nuk i kontrollonte vet Isa Mustafa.

Koha e dëshmoi, se dr. Vjosa Osmani, është keqpërdorur dhe më pas në emër të saj për ta mashtruar popullin, kundër këtij vullnet ka vepruar Isa Mustafa dhe klani i tij. Me një fjalë autoriteti dhe ndershmëria e dr. Vjosa Osmanit, u shtrydh ashtu siç do të shtrydhej limoni, prandaj Isa Mustafa mori guxim për ta përjashtuar edhe nga të gjitha funksionet në LDK. Po kështu është vepruar edhe kundër nënkryetarit të LDK-së dhe kryetarit aktual në Gjilanit z. Lutfi Haziri, të cilin po ashtu e kanë mashtruar. Tashmë duket se Luta karshi fuqisë së Agim Veliut, ka mbetur në margjina, këtë konstatim e shohim në përfaqësim në strukturat shtetërore. Jo krejt pa qëllim Lutfi Haziri është lënë pas dore?! Isa Mustafa, tashmë besimin e LDK-së e ka bartur kryesisht tek fuqia udhëheqëse e Agim Veliut, me të cilin bëjnë pazaret. Mënyrën e veprimit “përçajë e sundo”, e ka provuar edhe Gazmend Muhaxheri në Degën e Pejës, bashkë me të gjithë kandidatët tjerë të mundshëm për kryetar të LDK-së. Imagjinoni se si ka trilluar grupe të tilla Isa Mustafa, prandaj “sakrifica e tij?!”, për tu rizgjedhur kryetar i LDK-së, nuk ka pas të bëjë me shpëtimin e LDK-së nga përçarja(?!), por ka qenë strategji e njohur e tij. 

 Tash Vjosa Osmani nuk duhet për tu hatëruar nëse ia rikujtojmë gabimet gjatë vitit 2015 – 2016, qoftë në raport me dy Degët e LDK-së në Diasporë, po sidomos me Elitën Intelektuale dhe themeluesit e LDK-së, kundrejt të cilëve nuk ka shprehur respekt e as keqardhje sidomos kur mercenaret e Isa Mustafës, në Degën e LDK-së në Zvicër do ta shpërbëjnë një proces të rregullt zgjedhor. Ma në fund dr. Vjosa Osmani duhet të kuptoj se nuk ka paqe me komunistin Isa Mustafa, pasi vet ajo në zgjedhjet e kaluara ia zgjati jetën politike këtij politikani të dëmshëm për proceset e tanishme nëpër të cilat po kalon Kosova. Në vend se z. Isa Mustafa të ishte falënderues karshi zonjës Osmani, ai nxori fytyrën e njeriut që ka mision për ta shkatërruar LDK-në dhe për ta shantazhuar Kosovën. Përjashtimi i Vjosa Osmanit nga të gjitha funksionet në LDK, nuk ka asnjë justifikim, përveç urrejtjes që ka Isa Mustafa kundër gruas Intelektuale dhe demokracisë!

Afirmimit të jashtëzakonshëm të dr. Vjosa Osmanit, iu frikësua Isa Mustafa, i cili  para se te bëhej Qeveria Kurti, flitet se ka bërë plani si duhet rrëzuar, bile brenda 100 ditëve të parë. Ky shantazhim kaq i madh për të rrëzuar Qeverinë pjesë e së cilës ishte vet LDK-ja, dhe kjo të ndodhte në kohë pandemie  e fut Kosovën në listën e paradokseve,  ku deputet e saj ia vënë një njollë të zezë Parlamentit të Kosovës.

Të gjitha zhvillimet e sivjetme dëshmojnë se Isa Mustafa bart përgjegjësitë politike, morale dhe shtetërore për ta plandos Kosovën para një kolapsi me rreziqe të mëdha. Ai kurrë s’ka mbajtur përgjegjësi, prandaj kësaj radhe e keqpërdori autoritetin e dr. Vjosa Osmanit për ta realizuar misionin e tij.  Isa Mustafa nuk u ngop duke keqpërdorur emrin e një gruaje ambicioze për t’i shërbyer LDK-së dhe Kosovës, një nëne dhe intelektuale të formuar, por shkoi edhe më tej duke shkarkuar atë nga të gjitha postet udhëheqëse në LDK, madje me miratimin e KP të LDK-së.

Tashmë po shihet se Qeveria që udhëhiqet nga Avdullah Hoti, bie ndesh me të gjitha parimet morale e politike të LDK-së dhe në kundërshtim flagrant me deklarimet e Vjosës, gjatë fushatës zgjedhore, prandaj ajo, si asnjëherë më parë, kishte detyrim moral, intelektual që t’iu qëndroj besnike premtimeve të saj, gjë që e pengoi shumë teknokratin Isa Mustafa, i cili duke shkel procedurat demokratike, improvizoi një votim elektronik, për ta shkarkuar zonjën Vjosa Osmani nga të gjitha postet politike që mbante në LDK. Ky shkarkim i një gruaje ishte arbitrar dhe antidemokratik. Në anën tjetër flitet se ky proces zgjedhor është manipuluar skajshmërish nga Isa Mustafa, i cili nuk ka kuraje për ta bërë publike listën e votuesve, sa për të ditur cilët kandidat të LDK-së ishin kundër Vjosa Osmanit, prandaj përderisa nuk do të bëhet publike ajo listë, përgjegjësia për manipulim bie më shumë mbi Isa Mustafën.

Janë këto veprime antidemokratike të cilat na shtyjnë të ftojmë elektoratin e LDK-së, kryetarët e Degëve të tradhtuar e manipuluar nga Isa Mustafa, pastaj strukturat udhëheqëse nëpër Degët e LDK-së, ku bashkë me anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, për tu mobilizuar sa për t’ua ndal avazin shkatërrimeve të mëtejshme në LDK. Format e veprimit duhet gjetur brenda strukturave dhe forumeve sepse e nesërmja do të jetë me pasoja.

Kjo ftesë publike është thirrje me ruajtur substancën, dhe për t’i shpëtuar strukturat e LDK-së. Kjo strukturë e organizuar nuk duhet për tu  shkapërderdhur nëpër partitë tjera, por duhet sa ma shpejt për të krijuar një Fraksion të Brendshëm, i cili do t’i mobilizonte strukturat udhëheqëse për ta detyruar Kryesinë aktuale për të dhënë dorëheqje nga strukturat e LDK-së.

E duke i parë edhe zhvillimet e djeshme, çdo ditë do të jetë vonë. Në këtë situatë amorfe duket të ketë gisht nëntoka e Isa Mustafës, bashkë me shërbimet e huaja, andaj strukturat e LDK-së kanë obligim historik për ta shpëtuar Kosovën.

Kjo mund të bëhet vetëm duke nisur procedurat për ta shkarkuar nga posti i Kryetarit të LDK-së Isa Mustafën, e bashkë me te edhe servilet e tij që janë pjesë e dështimeve në LDK dhe përgjithësisht në Kosovë.

St. Gallen, 25.06.2020.

Shefqet Dibrani / Shkrimtar
dhe aktivist i LDK-së që nga themelimi i saj.