Ujëvara në logon e Komunës, e lënë në harresën e komunarëve!

Shkruan: Florim Zeqa                     26.08.2019

Ujëvara në logon e Komunës, e lënë në harresën e komunarëve!

 

Ujëvara e Mirushes pronë e përbashkët, pronë e askujt!

Të rralla janë shtetet që kanë pasuri nëntokësore dhe bukuri natyrore që i ka Kosova, sikurse që janë të rralla bukuritë natyrore që u përkasin dy komunave njëkohësisht.

Është Ujëvara e Mirushës në Republikën e Kosovës, e cila ndodhet në fshatin Llapçevë të Komunës së Malishevës, por që administrohet nga një komunë tjetër (Komuna e Klinës).

Ujëvarat e Mirushës veçohen për vlerat unike të trashëgimisë natyrore, kombëtare dhe kulturore, të cila krijojnë të gjitha mundësit e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në dobi të komunitetit lokal (dy komunave) dhe rajonal (vendit në përgjithësi).

Rrjedha e lumit Mirusha kalon nëpër një grykë shkëmbore e cila njihet si Kanjoni i lumit Mirusha. Përgjatë kësaj rrjedhe ndodhen 12 ujëvara dhe 16 liqene që paraqesin një fenomen të rrallë natyor.

 

Zona e (pa)mbrojtur turistike

Edhe pse në Mars të vitit 2014 Kuvendi i Kosovës ka aprovuar Planin Hapësinor për zonën e mbrojtur “Ujëvarat e Mirushes”, të hartuar nga Instituti për Planifikim Hapësinor, që parandalon investimet e paplanifikuara dhe abuzive të kësaj zone të mbrojtur, në mungesë të investimeve serioze komunale, sot e asaj dite vazhdojnë investimet e vogla abuzive pa asnjë kontroll nga ana e organeve përkatëse komunale dhe shtetërore.

Vlenë për të theksuar se Ujëvarat e Mirushës janë pjesë e një parku me rëndësi të veçantë natyrore, shkencore, kulturore dhe turistike. Sipas IUCN, zona i përket kategorisë ”Peizazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë ”Monument natyror”.

Ndërtimet abuzive fillojnë nga objekti hotelier me material të fortë (vetëm 300 metra largë ujëvarave) i cili bie në kundërshtim me parimet e mbrojtjes së natyrës, pa kritere profesionale dhe pa leje ndërtimi nga organet përgjegjëse komunale dhe shtetërore (MMPH), për të vazhduar me hapjen e lokaleve më të vogla (kiosqeve) dhe parkingut ilegal të makinave.

Kur jemi në këtë segment infrastrukturor, në vitin 2010 është hapur rruga nga Kuvendi Komunal i Malishevës, pa respektimin e procedurave ligjore dhe profesionale, e cila ka ndikuar në rrëshqitjen e materialeve shkëmbore dhe degradimin e peisazhit natyror në afërsi të ujëvarave.

Rrëshqitja e vahzdueshme e materialeve shkëmbore paraqet rrezik permanent për vizitorët. Se sa e rrezikshme është rruga deri të shijimi i bukurive natyrore e tregon rrëfimin e tij vizitori i disa ditëve më parë që ishte tek ujëvarat e Mirushës: “Kur e pyetëm një kalimtar të rastit se cilën rrugë të marrim për të Ujëvara e Mirushes, fillimisht na shikoi, e shikoi edhe makinen, e pasi që na e tregoj udhen na tha ” Zoti ju ndimoftë, se shumë e keqe është rruga”!

“Nuk ishte rruga për automjete i vetmi rrezik, akoma më të rrezikshme ishin shtigjet për ngjitje-zbritje nga një ujëvarë në tjetrën,…rrugicat e ngushta me shkëmbij të theposur e të paqëndrueshëm që lëviznin në momentin që vendosje këmbëm, mungesa e mbajtëseve apo litarëve të improvizuar e bënte tepër të rrezikshme lëvizjen lartë-poshtë,…në momentin që ngjiteshe lartë, shqetësim mbetej kthimi pas,…përveq ndotjes së ajrit nga makinat, ndotja akoma më e madhe e ambientit dhe ujit në veçanti bëhej nga mungesa e toaleteve (WC-ve), përfundon rrëfimin njëri nga vizitorët e ditëve të fundit në Ujëvaren e Mirushes.

 

Planifikemt ekzistojnë, investimet mugojnë…

Ujëvara e Mirushës, pronë e Komunës së Malishevës, nën administrim të Komunës së Klinës dhe mbikëqyrje të MMPH-së, ka mbetur në mëshirën e fatit. Sikurse pronari faktik (Komuna e Malishevës), ashtu edhe administruesi i saj (Komuna e Klinës) e kanë lënë në harresë të plotë margaritarin turistik të Republikës së Kosovës.

Sikurse çdo gjë tjetër në shtetin e Kosovës, paradoksalisht Komuna e Klinës edhe pse në logon e saj e mbanë Ujëvarën e Mirushes, për dy dekada rresht nuk e ka bërë asnjë investim në këtë zonë të bukur turistike.

Përqendrimi pushtetarëve të pasluftës në asfallt e beton, përkatësiht në ndërtimin e rrugëve dhe autostradave supër luksoze, ndërtimi i objekteve pa kritere, shtrirja e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit vetëm sa për të zgjatur metrat e kilometrat e gypave plastik, pa përfillur normat teknike dhe standardet bashkëkohore, janë bërë objekt i pasurimit të klasës politike dhe vartësve të tyre.

Mungesa e investimeve në turizëm, ka bërë që të anashkalohen pikat më të bukura turistike siq është Ujëvara e Mirushes, e cila edhe ashtu siq është, është bërë njëra ndër pikat më atraktive dhe më të frekuentuara nga vizitorët e jashtëm, e në veçanti nga mërgata e jonë, e cila për çdo pushim në vendlindje, në verë apo dimër viziton dhe kënaq shpirtin me bukuritë e rralla e të paimagjinuara.

Nëse Ujëvara e Mirushes vazhdon të mbetët edhe më tutje pa përkujdesje dhe pa ivestime nga administratori (Komuna e Klinës, pronari i saj (Komuna e Malishevës) dhe institucionet shtetërore shumë lehtë mund të shndërrohet në varr të ndonjë vizitori apo grupi vizitorësh (mërgimtarësh).

Sipas planit në periudhën e ardhshme 10 vjeçare, nga institucionet e vendit, donatorët dhe partneriteti publiko-privat, pritet që në këtë zonë të investohen rreth 30 milion euro nga donator të përbashkët të sektorëve të rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës, komunave, institucioneve relevante, profesionistëve të fushave të ndryshme, si dhe pjesëmarrësve nga shoqëria civile.

Deri atëherë, vizitorët mbetën në mëshirën e fatit, apo “në dorë të Zotit” siq e thotë populli, për shkak se  Ujëvara e Mirushes është pronë e përbashkët dhe  pronë e askujt!