Turqia është mik i madh dhe aleat startegjik i Shqipërisë dhe i Kosovës

Nga Skënder S.KAPITI 

                                                         Pjesa e parë       

       Shqiptarët edhe sot përballen me armiqësinë  e  fqinjëve të tyre  si dhe me  hipokrizinë  e Europës

Parësore është interesi kombëtar shqiptar dhe jo ai personal, ideologjik, politik, partiak, rajonal, europian dhe as ai global. Këtë duhet ta kemi parasysh si strategji kombëtare  edhe Ne shqiptarët, ashtu siç e kanë edhe kombet e shtetet e tjera moderne dhe demokratike, autokratike dhe madje edhe regjimet diktatoriale.

Ka qenë gabim i madh dhe na ka kushtuar shumë shtrenjtë fakti që Shqipëria (kuptohet, politika e saj) për hatër të pushtetit politik, për “hatër” të Titos dhe të komunizmit dikur e tradhëtoi çështjen kombëtare të Kosovës dhe të shqiptarëve në trojet e tyre në ish-Jugosllavi; që për hatër të pushtetit personal enverist, të komunizmit dhe të Stalinit u armiqësuam me Europën perëndimore dhe me SHBA-në; më pastaj për hatër të Kinës së Kryetarit Mao dhe të marksizëm-leninizmit  u armiqësuam dhe me Bashkimin Sovjetik, dhe po për hatër të ideologjisë marksist-leniniste dhe të pushtetit komunist pastaj u prishëm edhe me  kinezët dhe u vetëizoluam dhe u prishëm kështu me të gjithë botën. Dhe po për idelogjinë ateiste komuniste shteti shqiptar prishi objektet e kultit fetar dhe e ndaloi me ligj  fenë.

Dhe tani, për “hatër” të BE-së e cila pse ajo nuk e pranon Turqinë në BE, pavarësisht se Turqia është fuqi botërore ekonomike dhe supershteti ushtarak i NATO-s pas SHBA-së dhe që aspiron të antarësohet në BE; ne nuk kemi pse t’i servilosemi  BE-së e të  prishim miqësinë e sinqertë dhe ndihmën  e përkrahjen e madhe që na ofron gjithnjë Turqia  më shumë se çdo vënd tjetër  ballkanik  dhe europian.

Nuk ka  pse të lëkunden marrëdhëniet miqësore dhe vëllazërore me Turqinë pse tentojnë dhe dëshirojnë ta realizojnë prishjen me Turqinë turkofobët shqiptarë dhe  disa serbo-grekofilë shqipfolës të Shqipërisë dhe të Kosovës, disa farë anal-istësh të formuar intelektualisht dhe me “dituri” historike në shkollat politike antishqiptare sllavo-komuniste; dhe aq më tepër  edhe kur BE-ja politike hipokrite dhe islamofobe tinëzare nuk ka antarësuar akoma as vetë Shqipërinë dhe  Kosovën.

Pra , përderisa BE-ja politike sillet kështu si një “kryqëzatë demokratike” maskuar e justifikur pas standateve e vlerave demokratike e që penalizon me mosantarësim pikërisht ato vënde europiane vetëm pse ato kanë popullsi shumicë të besimit Islam, gjë e cila vertetohet nga fakti se dhe përderisa  sillet kështu  edhe me Shqipërinë, Kosovën , Maqedoninë, Bosnjën dhe deri edhe me Turqinë; dhe përderisa BE sillet e vepron me dy standarte, pasi dhe krejtësisht  ndryshe  BE u soll  për shëmbull me Rumaninë e me Bullgarinë që janë shumë larg në krahasim me supershtetin turk, madje  ato,  si Rumania dhe Bullgaria përsa u përket standarteve në kohën kur ato u pranuan në BE nuk e meritonin antarësimin as para Shqipërisë.

Po kështu edhe për Kosovën, BE akoma nuk ka bërë as liberalizimin e vizave në një kohë që në asnjë vënd tjetër ballkanik nuk është më e pranishme institucionalisht, ekonomikisht, juridikisht, politikisht, financiarisht dhe ushtarakisht BE-ja dhe NATO-ja se sa në Kosovë.

Është e vërtetë  se  politika dhe politikanët shqiptarë kanë faje dhe përgjegjësi të mëdha për mosantarësimin akoma si të Shqipërisë dhe të Kosovës në BE, por arsyeja dhe shkaku kryesor është pikërisht ajo të cilën e preka më lart, sepse: nëse seriozisht BE ia donte të mirën shqiptarëve nuk ka pse ajo për çdo vit nxjerr e rinxjerr lloj-lloj të ashtuquajturash: herë standarte, herë kushte, herë detyra dhe herë “kritere” duke i përdorur ato si pretekste dhe si justifikime për ta shfajësuar veten për refuzimin që BE  i bën antarësimit të  Shqipërinë dhe Kosovën  në atë union europian, pasi antarësimi i përshpejtuar dhe pa plotësuar tërësisht këto “kushte” do  të bënte të mundur konsolidimin e demokracisë dhe të ndërtimit të shtetit modern e demokratik edhe për Shqipërinë, për Kosovën, Maqedoninë dhe për supershtetin gjigand ushtatark dhe ekonomik, Turqinë. Po kështu, të njëjtin veprim antikombëtar, egoist dhe  denigrues mbajnë edhe disa politikanë por më së shumti disa opinionistë  e media politike të neveritshme dhe të gërrditshme të cilëve po t’ua gërmosh  biografinë, shërbimin  dhe trashëgiminë politike antishqiptare shëmbullojnë si sllavo-komunistofilë.

Pra, pse BE nuk veproi me këto shtete ashtu sikurse veproi me Bullgarinë dhe me Rumaninë ortodokse të cilat u antarësuan në BE , dhe BE nuk i penalizoi ato me mosantarësim për mospërmbushje të kushteve e të standarteve demokratike? A nuk e nxjerr vetëm  ky fakt zbuluar hipokrizinë dhe islamofobinë e BE-së?

Dhe jo vetëm kaq, por BE duke e akuzuar vetëm politikën shqiptare si shkaktare  për mosintegrimin, bën dhe nxit nga ana tjetër kështu edhe përcarjen e kacafytjen ndërpolitike e partiake  si dhe destabilitetin politik në Shqipëri duke marrë pastaj gjoja  e me demek edhe rolin e “dashamirësit”, “këshilltarit”, të “kontribuesit”, “pajtimtarit” dhe të “të shumë interesuarit” për integrimin e Shqipërisë dhe të Kosovës në BE, gje që nuk është gjë tjetër vecse një hipokrizi e Europës politike.

Pra, Europa politike edhe sot sillet akoma me mentalitetin fetar mesjetar dhe me atë  antishqiptar të së shkuarës, pavarësisht se shqiptarët janë dhe e kanë treguar me vepra se janë populli më proeuropian e proamerikan i Ballkanit.  Kosova u çlirua dhe u pavarësua,  dhe kjo i dedikohet përpjekjeve , qëndresës dhe luftës së saj dhe pothuajse tërësisht SHBA-së dhe NATO-s së udhëhequr prej saj si dhe të kontributit sidomos edhe të antarit të dytë më të fuqishëm të NATO-s, të Turqisë moderne dhe mike e shqiptarëve.

Por, nëse veprohet vazhdimisht  kështu, pra, që  për  interesa të ngushta personale, momentale, ideologjike, partiake, politike e pushteti, si dhe të sillesh në favor dhe si don interesi i herë  njërit dhe  herë të tjetrit shtet apo union shtetesh, dhe të konfrontohesh artificialisht dhe pa arsye me dikë tjetër dhe për servilizëm politik dhe për “hatër”  të të tjerëve atëhere: mbetesh vetëm, vetëizolohesh , të izolojnë  dhe të braktisin të tjerët si të pavlerë, joserioz dhe si të  pabesueshëm.

Kështu ka ndodhur gjithnjë me kryetëparët e shqiptarëve, që  herë janë orientuar nga Bizanti,pastaj nga Athina, Beogradi i Titos, Moska e Stalinit, Kina e Maos kurse tani së fundi politika ka marrë orientimin e duhur për nga Perendimi, orientim të cilin e kanë pasur gjithnjë shqiptarët si një prej popujve më të vjetër i Europës, por që Europa po na “neglizhon” dhe nuk po na pranon e as nuk po na don as tani,  për faktin se shumica e popullit shqiptarë janë muslimanë por edhe prej ndoshta edhe faktit tjetër të xhelozisë që kanë europianët për shqiptarët si kombi më i vjetër i Ballkanit dhe i Europës , si popull  e komb i vecantë që nuk është as latin, as gjermanik dhe as sllav.

Sot  aspekti më pozitiv që e karakterizon politikën shqiptare dhe shtetin shqiptar si atë të Kosovës dhe të Shqipërisë fatmirësisht është fakti se ato nuk pranojnë asnjë pozitë inferioriteti në marrëdhënie me shtetet e tjera duke mos iu nënshtruar epërsisë ekononomike, politike e ushtarake të tyre; por në marrdhënie me shtetet e tjera, politika shqiptare ka vendosur tashmë kriterin dhe standartin bazë: atë të respektit reciprok.  Politika e sotme eTiranës dhe e Prishtinës  mbajnë dhe respektojnë si Aleat kryesor strategjik  global SHBA-në dhe  si aleat strategjik rajonal Turqinë pasi dhe ato, pra SHBA dhe Turqia, e konsiderojnë, e përkrahin dhe e ndihmojnë Shqipërinë dhe Kosovën  si aleatë besnik të tyre.

Në këtë kuadër vlejne për t’u përshëndetur edhe vizitat më të fundit të Presidentit të Shqipërisë  në Turqi në Dhjetor të vitit 2016  e Z. Nishani ashtu  edhe e Z.Thaçi si President i Kosovës i cili edhe kohë më parë e ka vizituar Turqinë edhe si Zv Kryeministër dhe si Ministër i Jashtëm.Të dy Presidentët shqiptarë i shprehën sinqerisht Presidentit të Turqisë Z. Erdogan dhe popullit turk  solidaritetin dhe mbështetjen që shqiptaret i japin shtetit turk dhe Presidentit Erdogan në luftë kundër terrorizmit sic edhe u deklarua nga të të dy presidentët shqiptarë në ato vizita të tyre në këtë fundviti; fakte këto që janë  në vazhdën e miqësisë së thellë dhe vëllazërore mes dy popujve; në vazhdën e vizitave  reciproke edhe në të kaluarën edhe të Kryeministrave, të diplomatëve dhe të ministrave të Shqipërisë e Kosovës në Turqi si p.sh.edhe të F.Nanos, P.Majkos, I.Metës dhe E. Ramës si dhe  të homologëve të tyre turq sidomos e vizitave të mikut të madh të shqiptarëve , të Erdoganit, si ishkryeministër i Turqisë në Tiranë e Prishtinë në shërbim dhe në të mirë të rritjes dhe të forcimit të marrëdhënieve miqësore, politike, diplomatike, ekonomike, ushtarake e strategjike midis vëndeve e shteteve tona mike, për të cilat Turqia nuk është kursyer asnjëherë. Dhe  pikërisht këto nuk u pëlqejnë antishqiptarëve dhe turkofobëve në Shqipëri dhe në Kosovë të cilët llomotisin dhe hedhin helm për të dëmtuar marrëdhëniet miqësore e vëllazërore shqiptaro-turke.

Por Europa, akoma vazhdon të sillet edhe tani  me hile dhe me pabesi ndaj shqiptarëve; dhe pse mos ta kujtojmë  edhe Shqiptarin e Madh Gjergj Fishta kur ai në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919 kur Europa donte ta coptonte edhe atë gjysëm Shqipërinë londineze dhe ta fshinte fare atë nga harta e Europës  duke ua falur trojet e shtetit shqiptar Serbisë, Greqisë dhe Italisë, kur ai ua tha të vërtetën  në sy  europianëve:

“Kështuqë prej kësaj pikëpamje duhet me thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen asokohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kish qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë se sa me u gri prej kristianëve… Turku , si për princip, si për teori, iu ka pas njohtë shqiptarëve nji farë autonomie, sadoqë me Skanderbeun e pat kundërshtue përparimin e tij në Ballkan”.

Pra, kjo që ka thënë Fishta, pak a shumë nuaca të tilla kanë shprehur edhe P.Vasa, F.Konica , I.Qemali si dhe studiuesja e madhe britanike për Ballkanin E. Durham.

Europa ua kënaqi lakmitë territoriale fqinjëve të shqiptarëve, edhe duke qëndruar indiferente apo më saktë edhe  nxiti barbarizmat, pastrimin etnik dhe genocidin barbar sllavo-grek për çfarosjen e etnisë shqiptare si të 200 mijë shqiptarëve të Toplicës dhe  të 600 fshatrave të saj, ashtu si dhe genocidin grek mbi popullsinë e 360 fshatrave shqiptare të Jugut të Shqipërisë, ashtu  si dhe më vonë në Kosovë që prej 100 vitesh Europa qëndroi “indiferente” ndaj genocidin  kundër shqiptarëve vetëm për një “faj”, pse ata ishin shqiptarë, pa marrë parasysh se a ishin shqiptarë kristian apo musliman.

Dhe këto kishte parasysh edhe Fishta kur mbajti atë fjalim në Paris, ashtu sikurse edhe Edit Durham, e cila kërkoi falje pse ajo kishte uruar largimin e Turqisë nga Europa  kur ajo pa tmerret dhe barbarinë e serbëve në Ohër dhe të grekëve në Korçë, barbarinë  e  të “të krishterëve”, e  që sipas asaj  ata ishin 100 herë më të këqinj se turqit.

Kombëtarizmi dhe nacionalizmi shqiptar është i karakterit dhe ka frymëzim europian, por ai lindi më së shumti dhe kryesisht si reagim, si refuzim  dhe si qëndresë kundër rrezikut, shovinizmit, kundër genocidit, asgjësimit dhe asimilimit kristian ortodoks të ndërmarrë nga fqinjët, të ndërmarrë prej tyre ushtarakisht, politikisht, diplomatikisht  dhe me çdo formë barbarie të paparë më parë, por që edhe Europa e cila pretendon se është e vlerave kristiane i përkrahu ata.

Dhe tani, pra sot, ne e dimë  por e dinë shumë mirë edhe ata turkofobë dhe mercenarët serbo-grekofilë se aleatë më të mirë dhe më besnikë për shqiptarët janë SHBA dhe Turqia, dhe pikërisht armiqtë tanë gjithnjë do të përpiqen që të na prishin me këto dy shtete mike dhe aleate të shqiptarëve, dhe po pikërisht këtë kanë si qëllim edhe turkofobët ekstremistë, fanatikë, injorantë si dhe ata që mundohen ta spjegojnë turkofobinë e tyre me gjoja rrezikun neootoman, dhe  me patriotizmin , integrimin dhe  intelektualizmin e tyre negativ  vetëm për një qëllim që ata kanë: që të nxisin përçarje dhe urrejtje te shqiptarët kundër Turqisë mike, në përpjekjet e tyre për të prishur sa të munden marrëdhëniet miqësore dhe vëllazërore me Turqinë.

Fjala vëlla në marrëdheniet mes popujve ka të bëjë me faktin dhe identifikohet  me marrëdhëniet  shumë të mira ekonomike, kulturore e miqësore; si marrëdhënie të cilat kulturalisht dhe tradicionalisht janë gërshetuar e ndërthurur ndërmjet popujve në vite e shekuj; marrëdhënie  edhe si mirënjohje e respekt të thellë për njëri-tjetrin, të ndihmës dhe të të gjeturit pranë në ditë dhe në momente të vështira si dhe me lidhje gjaku që vjen prej lidhjeve të hershme dhe në vazhdimësi me lidhje martesore të shumta ndërmjet qytetarëve që u përkasin kombeve dhe etnive të ndryshme. Dhe padyshim që në këto marrëdhënie miqësore dhe vëllazërore ndikon shumë edhe përkatësia fetare. Dhe meqenëse shqiptarët marrëdhënie të tilla i kanë me turqit më shumë se me cdo komb tjetër atëhere edhe shqiptarët janë dakord me atë respekt që turqit tregojnë për ne duke na quajtur vëllezër. Plus  kësaj është edhe realiteti se në Turqi jetojnë shqiptarë më shumë ndoshta se sa në Shqipëri dhe në Kosovë të marra së bashku dhe atje shqiptarët respektohen aq shumë, aq sa, shqiptarët në Turqi kanë edhe pozita kryesore në institucionet më të larta politike, juridike, ushtarake, ekonomike dhe gjithështetërore ashtu sic kanë pasur edhe në Perandorinë Osmane.

Ky realitet i marrëdhënieve miqësore dhe vëllazërore historike shqiptaro-turke nuk iu pëlqen jo vetëm fqinjëve  shqiptarofobë , as serbo-grekofilëve  shqipfolës por as edhe fanatikëve kristianë të cilët urrejtjen e tyre ndaj muslimanizmit përpiqen ta mbulojnë me turkofobinë e tyre.Vazhdon…