Turniri tradicional i KF Besa në St. Gallen

Sporti në Diasporë:

Turniri tradicional i KF Besa në St. Gallen

(FC Besa Hallen-Fussball-Turnier 2017)

Më 28 dhe 29 janar KF “BESA”, organizoi turnirin tradicional në “Futsal” i cili u mbajt në palestrën sportive “Schönenwegen” në St. Gallen, të Zvicrës. Në këtë turnir dyditor, KF “MFV, fitoi vendin e parë, ndërsa në vendin e dytë u rreshtua

KFLEO & AS Carrosserien.

Turniri dimëror që e organizon për çdo vit KF “BESA” në St. Gallen, padyshim është njëri nga turnirët më tradicionale i cili ka edhe traditën e vet. Natyrisht, ky organizim është njëri prej turnirëve më të mira, në futbollin të vogël, (Futsal), i cili për një çerek shekulli, e ka krijuar traditën e vet, kurse rreth vetes, po mbledh ekipe dhe sportdashës të cilët bashkërisht, qytetit St. Gallen të Zvicrës, po i japin epitetin e vendit ku shqiptarët janë shembulli i mirë, qoftë për lojëra sportive, e qoftë edhe për veprimtari të tjera.

Të rinjtë e KF MFV, përmes penalltive, sivjet fituan finalen kundrejt KF “LEO&AS Carrosserien, në një lojë shumë të mirë. E ky synim për ekipet finaliste, që lanë mbrapa më shumë se 52 ekipe të tjera, ishte sukses, sepse për gjatë këtyre dy ditëve kanë zhvilluar gara duke bërë lojëra të mrekullueshme. Këto ekipe kryesisht ishin nga Kantoni

St. Gallen, si dhe disa të tjera, edhe nga kantonet përreth, ndërsa përbërja e ekipeve kryesisht dominohej nga shqiptarët, ndonëse ka pasur edhe ekipe, por edhe lojtar të nacionaliteteve të tjera, të cilët tashmë shoqërimin me shqiptarët e kanë përditshmëri. Shumë sish luajnë me pasion edhe brenda klubeve futbollistike që dominohen nga shqiptarët, por ka edhe lojtar të tjerë që garojnë nëpër liga lokale e kantonale, ndërsa ardhja e tyre në këtë turnir, është një pasqyrë reale se komuniteti ynë shihet i integruar mirë dhe për lojëra tërheqëse.

Ky turnir, tashmë tradicional, që organizohet gjithmonë nga KF “BESA”, tashmë ka zgjuar një interesim të madh. Sidomos frekuentohet nga të rinjtë, të cilët edhe ashtu janë pjesëmarrës sportiv nëpër klube shqiptare që vazhdojnë garat nëpër ligat lokale e kantonale, ose janë lojtar të Klubeve dhe ekipeve zvicerane, por që vijnë rregullisht në “Turnirin Dimëror”, që e organizon KF “BESA”. Por ardhja në këtë turnir i ka edhe disa anë sekondare, sepse disa sish bartin bluza e veshje sportive me simbole kombëtare, bartin bluza, shalle dhe simbole të tjera dalluese të cilat kryesisht e bëjnë pamjen e turnirit, tamam si të ishte një ngjarje festive, në të cilët përveç sportit defilojnë të rinj, të cilët pothuajse që nga fëmijëria, janë pjesë e KF “BESA” në St. Gallen.

Qamilj Çekaj, zëdhënës për media, tha se sivjet në “Turnirin Dimëror 2017”, marrin pjesë 54 ekipe, të cilat kanë shfaqur interesimin e tyre për të qen pjesë e këtij festivali sportiv. E theksova festival sepse atmosfera është e tillë, ndërsa përgjatë dy ditëve në këtë sallë kanë defiluar rreth 600 sportist, dhe mbi 1000 shikues të tjerë, të cilët me pjesëmarrjen e tyre kanë ngjallur atmosferën e cila përjetohet si të ishte një festival sportiv, përkatësisht sikur të ishte një spektakël sportiv, i cili ngjanë me spektaklet e mëdha artistike.

E kjo gjë është arritur në saje të punës dhe angazhimit të stafit drejtues, në saje të disiplinës sportive që kanë ekipet, në saje të ekipeve të kuzhinës dhe shërbyesve të tjerë të cilët të gjitha punët i bëjnë falas, ndërsa me fitimet që dalin nga shitja e ushqimeve dhe pijeve, plotësojmë të ardhurat për KF “BESA”, e cila ka mbijetuar një çerek shekulli, duke i bashkuar dhe afruar shqiptarët e këtij qyteti, të kantonit dhe vendeve përreth. Të defilojnë gjithë këta sportist, kurse dyfishi i tyre janë edhe shikuesit e rregullt, e të mos ndodhë asnjë ekses, flet ma së mirë për kulturën e bashkatdhetarëve, për integrimin e tyre. Edhe drejtuesit e shkollës dhe të qytetit, kanë fjalë miradije, për ekipet dhe organizimin e shqiptarëve, sidomos në fushën e sportit ka cilësi e vlera që kanë shënuar edhe arritje të mëdha, të cilat jo vetëm që respektohen e vlerësohen, por Zvicra sot krenohet me futbollistët shqiptarë, andaj  edhe ne krenohemi me këtë gjeneratë, tha pos të tjerash, zëdhënësi i KF “BESA”, zotëri Qamil Çekaj.

Ndërsa kryetari i KF “BESA”, Muhamet Krasniqi, i njohur me nofkën MUKI, tha se “Turniri Dimëror 2017”, ka shënuar një interesim jashtëzakonisht të madh. Vetëm pjesëmarrja e mbi pesëdhjete ekipeve flet mjaftë, ndërsa numri i shikuesve nga viti në vit po shkon duke u rritur dhe masivizuar, çka na bënë të ndjehemi krenar me gjithë këtë përkrahje. KF “BESA”, është duke i zhvilluar garat në Ligen e III-të Zvicerane, tha ai, kurse sezonin e kemi mbyllur duke u pozicionuar në vendin e dytë. Sivjet kemi pasur përforcime, vazhdoi rrëfimin e tij kryetari i Klubit Muhamet Krasniqi – Muki, andaj ne po synojmë vendin e parë dhe kalimin në Ligen e II-të. Këto përpjekje lidhen edhe me një shpërblim që duam t’ua bëjmë dashamirëve të klubit, i cili sivjet feston 25 Vjetorin e themelimit. Mund të them me bindjen e plotë se Klubi i ka tejkaluar vështirësitë, por kjo nuk është e mjaftueshme, ne duhet ta përforcojmë klubin edhe me lojtar të tjerë dhe kemi synime t’i ndërtojmë edhe ekipet e juniorëve të të gjitha moshave, pasi garat e sigurta mund të zhvillohen vetëm kur klubi i ka edhe kategoritë e grup moshave, të cilët padyshim janë ardhmëria e KF “BESA”, dhe natyrisht e ardhmja e sportit shqiptar, këtu në kantonin tonë u shpreh Muki.

Disiplina dhe loja korrekte janë bazë e rezultateve, ndoshta është mirë të theksohet se në ekipin e lojtarëve, kryesisht luajnë gjenerata “Secondo’s”, të cilët kanë lindur dhe janë arsimuar këtu, prej tyre janë tre student të universiteteve, ndërsa tre – katër lojtar, kanë funksione udhëheqës nëpër firmat e tyre, gjë që kanë sjell edhe në Klubin “BESA”, një kulturë sportive për t’u admiruar e cila edhe si lojë por edhe si sjellje është konkurruese me të gjitha nivelet e klubeve të tjera zvicerane.

Kur jemi te angazhimet rreth Klubit “BESA”, Muki na tha se vazhdimisht iu mbetem borxh për të falënderuar anëtarësinë e cila nga viti në vit po shënon rritje, kurse një falënderim i veçantë shkon për firmat dhe individët të cilët, jo vetëm që janë sponsoret tanë, por përkrahja e tyre e determinon edhe suksesin ton. Unë nuk kam mundësi t’i falënderojë një nga një, sepse janë më shumë se dyzet firma që sponsorizojnë dhe po e garantojnë suksesin e KF “BESA”, por po i sigurojë të gjithë, se me këtë lojë, ne do t’i nderojmë, të gjithë ata që shikojnë dhe sponsorizojnë suksesin e futbollistëve tanë.

Përveç çmimeve tradicionale që do të ndahen, në këtë turnir shpërblimet lojtari dhe portieri më i mirë, neve na presin detyra të tjera, të cilat nisin fill pas përfundimit të këtij turniri, sepse KF “BESA”, sivjet shënon 25 Vjetorin e themelimit. Në kuadër të këtij jubileu do të organizohet një “Turnir i madh Jubilar”, i cili do të mbahet për tre ditë rresht, përkatësisht nga data 23 -25 qershor 2017. Me këtë rast është menduar edhe programi artistik, i cili do të begatohet me pika muzikore, ku pritet të marrin pjesë, këngëtar dhe estrada të njohura, por pasi kjo gjë është punë e komisionit për shënimin e jubileut, nuk po zgjatem ma shumë u shpreh pos të tjerash, kryetari i Klubit “BESA”, Muhamet Krasniqi – Muki.


Stafi drejtues i KF “BESA”, St. Gallen 2017

Sipas folësve të shumtë, futbollistët kanë ardhur në këtë turnir për të zhvilluar lojëra, por dhe për të shkëmbyer përvoja, sepse KF “BESA”, ka një traditë 25 Vjeçare, kurse organizimi i stafit drejtues është shembull për suksesin e klubit.

Janë mbi 50 turnirë të ndryshme të cilat KF “BESA” i ka organizuar për këto 25 vite, prandaj nuk shihet befasuese pse viteve të fundit, këto turnire janë bërë kaq atraktive, dhe kanë zgjuar edhe interesimin e pjesëmarrësve, i cili është shumë më i madh. Bashkatdhetarë dhe sportist të shumtë deklaronin se tradita është shembull më i mirë për t’u shënuar një sukses i tillë, sepse thanë ata, kur duam ne mund të bëjmë sport të mirë, por edhe të organizojmë turnire të këtij niveli.

Gjatë këtyre dy ditëve sportdashësit e kantonit patën rastin të përcjellin lojëra  shumë të mira, lojtar të disiplinuar dhe ekipe solide të cilat dukej se kanë ardhur për ta plotësuar një vend në këtë turnir, për të dhënë maksimumin, dhe natyrisht për të fituar edhe njërin nga tre vendet kryesore të këtij turniri tradicional. Por, pavarësisht nga radhitja, në fytyrat e lojtarëve dhe të stafit drejtues të klubeve shihej një disponim dhe një atmosferë impozante, qoftë nga lojërat por edhe nga mikpritja që përjetohej në çdo kënd të sallës.

Vendi i I-rë – KF “MFV”, (Shpërblimi 1000 Fr.)

Vendi i II-të – KF “LEO & AS Carrosserien”, (Shpërblimi 500 Fr.)

Vendi i III-të – KF “Ludovik GmbH”, (Shpërblimi 300 Fr.)

 

Shpërblimet dhe trofetë:

Vendi i I-rë – KF “MFV”, (Shpërblimi 1000 Fr.)

Vendi i II-të – KF “LEO & AS Carrosserien”, (Shpërblimi 500 Fr.)

Vendi i III-të – KF “Ludovik GmbH”, (Shpërblimi 300 Fr.)

Ekipi më i mirë u shpall KF “Ludovik GmbH”,

Lojtari më i mirë, Pjeter Baftiaj, nga ekipi “Ludovik GmbH

kurse portieri më i mirë i këtij turniri u shpall, Blerim Haxhijaj nga ekipi MFV

Po ashtu u nda edhe Vendi i I-rë për ekipin nga firma: “K2 Fenster AG”

Po thuajse të gjithë lojtarët, por edhe drejtuesit e ekipeve pjesëmarrëse kanë shprehur mirënjohjen e tyre për një organizim të këtij niveli i cili tashmë është bërë shembull i mirë, dhe padyshim edhe një model për ndikim.

St. Gallen, 30 janar 2017.

Shefqet Dibrani