TRIPLICITETI DHE INTERPRETIMI

Reagim i vitit 2000 – Rreth Baton Haxhiut:

TRIPLICITETI DHE INTERPRETIMI

Lexues të dashur, humbisni pak kohë e lexoni këtë reagim timin kundër veprimeve të Baton Haxhiut, qysh në vitin 2000. Me pak ndryshime, nga gazeta “Koha Ditore”, bëni “KLAN KOSOVA”, natyrisht edhe ndonjë zëvendësim të vogël dhe shihni se u kthye ajo kohë me turbulenca që dinë ti bëjnë vetëm strukturat e shërbimit sekret serb që veprojnë në Kosovë.

 

Shkruan: Shefqet Dibrani

Teza…

“Nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në Lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde aty para Lterit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!”

(Mt 5, 23-24).

 

  1. Enver Maloku, (Koha ditore, 8 maj 2000, faqe 8).

 

LTERI i gazetarisë shqiptare Baton Haxhiu si duket ka hipur maje Kohës për t’u gjendur sa më afër Hyjit të tij Veton Surroi. Nocioni për “Lterin” plotëson botëkuptimin metafizik për të shpjeguar koniunkturën e triplicitetit dhe nocionin e interpretimit.

Në gazetën KD të datës së cituar, ai botoi një vrushkull fyerjesh të cilën nuk do ta komentojmë, por do të merrem vetëm me një pasus: “Keni rrejtur për Enver Malokun”, edhe “kur vrasja e një njeriu kaplohet me spekulime,…”, si autor i atij shkrimi jam i obliguar të deklaroj se nuk kam rrejtur kur kam thënë: Enver Maloku është vrarë. Enver Maloku është lënduar e satanizuar për të gjallë nga vet Baton Haxhiu dhe Veton Surroi, kjo s’ka dyshim, bile nuk janë thënë edhe mjaftë argumente të tjera. Shkrimi në fjalë është botuar më 9 janar 2000, ndërsa është shkruar një vit më parë, vetëm 5 ditë pasi që është vrarë Enver Maloku dhe iu ka dërguar po atë ditë me E-Mail, gazetës “Koha ditore”. Po ashtu, pas disa ditësh edhe shumë agjencive dhe gazetave të tjera shqiptare. Një personalitet i shquar nga Kosova shkruante:

 

Letra I :

“Këtu në Prishtinë përkatësisht në Kosovë “malli” më i lirë është koka-jeta e njeriut shqiptar. Nuk dua të Ju frikësoj, por këtu te ne ka ardhur koha kur të shkon koka për një fjalë goje. E çka është më e keqja, nuk dihet se kush të vret e pse po të vret. Një fjalë popullore thotë: “Shkon si qeni n’rrush, pa fije e pa dokë”. Unë dhe të gjithë ata që rezonojnë me kokë e jo me emocione mund ta marrim me mend se kush e ka vra Enver Malokun. Por vrasja e tij edhe më tutje mbetet mister. Unë mund ta marrë me mend se në vrasjen e Enverit, mbase tërthorazi ka gisht edhe Veton Surroi dhe vetona të tjerë, po unë këtë gjë nuk mund ta them sepse e para shkoj edhe unë si “qeni n’rrush”… Pasi është botuar shkrimi në janarin e këtij viti më kanë ardhur edhe një varg letrash të cilat flasin të kundërtën e atyre që thotë Haxhiu. Po i përmend dy prej tyre:

 

Letra II:

Faleminderit shumë për shkrimet e kompletuara të cilat mi nise. I lexova me mjaft kujdes, sepse nga ato mësova gjëra që nuk i dita. Për këto shkrime dhe për veprimet e Veton Surroit kam vetëm një shtojcë. Padyshim Veton Surroi është një person emri i të cilit thotë shumë në diplomacinë evropiane e botërore. Mos harro se nga i erdhi kapitali për themelimin e “Kohës ditore”? Vetëm shtypshkronja roto të cilën e pat KD-ja para luftës kushtonte më se 1.500.000 DM + lokali + punëtoret + letra + kompjuterët + lidhja 24 h me Internet + lidhja me Reuters + rrogat për Batonin, Dukagjin Goranin, Luan Dobroshin +…. bëjnë shumë. E tërë kjo është rinovuar për më pak se 20 ditë?!… Meqë jam në kontakt me fondacione dhe përafërsisht i di burimet financiare të KD-së, tekstin “Victims of the victims” të Veton Surroit e vlerësoi vetëm si akt i kthimit të Veton Surroit kah vetja! Kjo, sepse me këtë ai njëherit i çoi duart nga politika e në anën tjetër pohoi dhe po pohon atë çka faktorët ndërkombëtarë dëshiruan dhe dëshirojnë të dëgjojnë. Kështu, nëse dikush do të magjistroi dhe do të pasurohen nga magjistratura me temën “Fund raising”, ai është Veton Surroi dhe ishte homologu i tij serb, i ndjeri Sllavko Quruvija. Këtyre të fundit po iu bashkëngjitet edhe Radio 21. Mirëpo, lidhjet dhe profesioni i tij nuk mbaron me kaq. Te lutëm mendo së paku 1 javë se cili ishte roli i tij në Rambuje!!! Besoj se atëherë, portreti i Surroit do te jetë më i qartë. Ajo çka më brengos më tepër se Vetoni, Batoni, … Maliqi e neokomunistët të tjerë, në këtë moment është fakti se nga dita në ditë trupi shqiptar jo vetëm në Kosovë po shkapërderdhet si mishi i kufomës, e këtë po e shfrytëzojnë çakallët e stërvinarët e ndryshëm të SDB-së së Serbisë, Greqisë, Malit të Zi e Maqedonisë.

 

Letra III, vjen nga USA:

Miku im, të falënderoj për shkrimet që mi dërgove dhe atë letrën që të kishte ardhur. T’i e dinë që kam trajtuar vazhdimisht çështjet ballkanike tek gazetat…, Padyshim të gjithë neokomunistët e dinin se si merrte frymë Sorosi e Këshilli i Evropës,…. Fundi fundit te gjithë ata ishin nëpër Këshillat drejtuese të tyre dhe përfaqësues të tyre, kjo për shkak të meritave dhe kozmopolitizmit i cili nuk fokusonte terrorin në Kosovë, por fokusonte rrymat e ndryshme të njerëzimit…Ti e di se koordinator i Sorosit në Prishtinë ka qenë djali i ish-shefit të policisë në Kosovë. Ai, ka qenë i angazhuar në financimin dhe në ndërtimin e një alternative mendore joviolente në Kosovë në harmoni me principet themelore të BE-së, ku u derdhen këto të holla, gjegjësisht në çfarë projektesh dhe a e kanë arritur qëllimin e tyre dhe te Sorosit”. Ti je në Zvicër, dhe nuk më ke folur për vizitën e M. Bakallit dhe Sh. Maliqit, as nuk më ke thënë çfarë miqësie i solli atje dhe nëpër çfarë rrugësh kanë ardhur. Nuk më brengosin Vetoni e as Batoni – sepse ata e kanë humbur influencën edhe tek lexuesit e jo më tek elektorati. Më brengosin përçarjet e … Kur ta kuptosh edhe pse u vranë Fehmi Agani, Bajram Kelmendi ai Sllavko Quruvija emri i të cilit figuron në letrën paraprake, pastaj pse rrahën mizorisht intelektual si D. Rukiqi, pse ka ikur Miodrag Peroviqi në Itali, atëherë do ta kuptosh gjysmën e mozaikut dhe zgjidhjen e statusit te Kosovës i cili mund te vijë shumë shpejt nëse ndërron pushteti në Serbi“.

Nëse merret për bazë për t’u analizuar vetëm fjalia e fundit, dhe të shikohet kaosi politik në Kosovën e këtyre ditëve, do të bindemi për më shumë edhe për disa gjëra të tjera mjaftë intime që i sqaron mendja e ndritur e mikut tim?!

Nga kjo që thamë mund të shtrohet pyetja: Në janarin e vitit 1999 kur e ka marrë letrën time gazeta KD, çfarë gjyqi ka ngritur Baton Haxhiu tek drejtësia serbiane për autorin që ka qenë jashtë rrethit vicioz dhe çfarë ekzekutimi ka bërë për ata që i ka pasur në hallkën e drejtësisë së paramilitarëve dhe ushtarëve serb.

Antiteza…

“…u ngrit edhe vetë Hyji kundër popullit të tij,

e u neverit, duke ia përmbysur deri edhe Lterin”

(Vaj 2, 7).

 

  1. Lidhja Demokratike e Kosovës, (Koha Ditore, 11-12 maj 2000, faqe 1; 4 dhe 4).

 

Si duhet ta kuptojmë nocionin “sipas burimeve të KD”, “i ka dëshmuar KD” veçse një toponim ku Lteri është vend i shenjtë mbrojtje dhe strehimi të njeriut. Në këtë rast Salomani (ynë) ia falë mëkatet secilit që do të ndërronte qëndrimin. Por nëse dikush e kundërshton Lterin (e gazetarisë shqiptare), edhe nëse ai vepron sikurse Jakobi, Salomani (ynë) nuk do t’ia fali ngase ai ka marrë në qafë (jo) dy vetë, por më shumë njerëz.

Në shkrimin “analitik” me mbi titull <Rrugëtimi i LDK-së nëpër krizën e identitetit të ri politik> të cilin e boton në dy vazhdime, Baton Haxhiu nuk i bënë qasje serioze këtij realiteti por sillet në stilin e padronit i cili ka të drejtë të flas e të shklas çfarë t’i teket. Nuk e përjashtojmë rastin se në këtë qasje ai ka prekur edhe çështje serioze dhe mjaftë reale, por shkrimi i tij nuk e ka hallin të drejtoj diçka por ai ka filluar një fushatë parazgjedhore tepër primitive kundër LDK-së, parti kjo e cila nuk u zhbë dhe nuk do të zhbëhet sipas koniunkturave integraliste dhe farkuesve e ideologëve të “vëllazërim-bashkimit”, pra as nga hipotezat e “analistit” B.H.

As në këtë pasus nuk do të analizojmë “qasjen” e Batonit sepse nuk ia vlen por e kam për obligim ndaj kolegëve të Partisë të përçapi nuanca interpretimi, ngase ai i ka cituar aq shumë madje duke ua m’veshur edhe nofkën e njerëzve që raportojnë në KD. Përgjatë shkrimit nuk dallohet mendimi i kujt është: I Baton Haxhiut, apo i Milazim Krasniqit, Mehmet Krajës, Fadil Hysajt apo i Naim Jerliut. Vazhdimisht autori i “analizës” citon: “I ka deklaruar KD”, “sipas burimeve të KD”, “thoshte në kafenenë Elida” etj dhe në asnjë rast nuk ka dëshmuar se Baton Haxhiu ka anketuar ndonjërin nga personalitetet e përmendura, për të nxjerrë sintezën e mendimit. Sipas shkrimit të plasuar, Milazim Krasniqi, Fadil Hysaj, Mehmet Kraja e Naim Jerliu, kanë marrë rolin e informatorëve dhe ata, atë që e dëgjojnë në kuluaret dhe zyrat e LDK-së e deponojnë vullnetarisht në “Koha Ditore”. Pastaj Baton Haxhiu këto informacione i përtyp në stilin e tij, (ashtu siç kanë vepruar dikur vetëm oficer të lartë të UDB-ës), për t’i plasuar në opinion, po në mënyrën e tij. Jam i sigurt se ky veprim i B. Haxhiut e ka cenuar rënd dinjitetin e intelektualëve dhe personaliteteve të njohura publike të cilët kanë plotësisht të drejt të kanë mendime dhe qëndrime të kundërta me kreun e LDK-së. Por është e patolerueshme dhe politikisht e dëmshme mënyra se si kanë menduar t’i plasojnë pakënaqësitë dhe neglizhencën e veprimit brenda LDK-së, madje është tepër anakronike se si i kanë besuar për çdo gjë vetëm Baton Haxhiut dhe gazetës KD.

Nëse Krasniqi, Kraja apo ndonjë tjetër kanë nostalgji pak më të theksuar për “mjekërrat e padisiplinuara” në radhët e UÇK-së, kryesia e LDK-së dhe vet dr. Rugova nuk kanë asnjë arsye t’i ndëshkojnë me linçim apo përjashtim nga Partia. Është krejt normale dhe mase e natyrshme që mos t’u besojnë (sekretet) dhe mos t’i shpërblejnë me postet kyçe në Parti, prandaj as Krasniqi, as Kraja e as Hysaj nuk duhet të pezmatohen sikurse ajo lënda e pishës me emrin “zamkë” që fryhet deri në eksplodim.

Nga analiza (tashti pa thonjëza) e Baton Haxhiut venerohet këmbëngulja e tij për t’ua mbushur mendjen lexuesve për t’i besuar mendimit që e ka cituar Milazim Krasniqi dhe në asnjë rast nuk iu ka vënë pikëpyetje koncepteve të tija, për çka më vjen shumë mirë sepse vetëm një “analist” si Baton Haxhiu mund të veproj kështu? Po qe do kur kam në duar librin e Milazim Krasniqit <Horrat në krye të detyrës>, në të cilin, njërin nga personazhet kryesor e ka Baton Haxhiun. Shtrohet pyetja: A duhet t’i besojmë edhe tek libri në fjalë, shkrimtarit Milazim Krasniqi, siç na sugjeron analisti Baton Haxhiu, kur është fjala për LDK-në?…

Sinteza…

“Trumcaku i gjenë vetes strehim, dallëndyshja çerdhe për t’i strukur zogjtë e saj, ndërsa unë kam lterin, lterin… o Zot i gjithësisë, Mbreti im dhe Hyji im” (Ps 83, 4).

 

III. Flora Brovina, (Koha Ditore-Emituar në Kosovapress, 15 maj 2000).

“Do të shkatërrohen Lternat e idhujve se janë shkandull dhe fyerje e madhe kundër Hyjit”, thuhet dikund nëpër faqet biblike. Ky shkandull venerohet sidomos në shkrimin e gazetës <Koha Ditore>, “A DO TË JETË GOJART KELMENDI POLIC I ARDHSHËM I KOSOVËS? ” të cilin e ka ritransmetuar “Kosovapress, e datës 15 maj 2000”. Se kush është Gojart Kelmendi dhe kush ishte babai i tij unë mësova nga ky shkrim? Por më befasoi përpjekja e kësaj gazete për ta ndëshkuar një djalë 21 vjeçar i cili të atin e ka ende punonjës në një funksion në Serbi, kur dihet se babai i Drejtorit të gazetës “Koha Ditore” ka vdekur në funksion të këtyre organeve, sa është e moralshme të merren gjërat kaq me ters. Do të ishte shumë njerëzore sikur artikullshkruesi të merrej me rolin e “t’et e bir” mbase Surroi është protagonisti nr.1, dhe mund të ju sqaron për rolin e t’et e të tij në funksion të Serbisë e Jugosllavisë dhe pse jo ta pyet edhe Baton Haxhiun se me çfarë veture ka ikur nga Kosova gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s. Mua më vjen keq pse me kaq ters e kanë marrë 21 vjeçarin i cili prindin e ka pasur Drejtor burgu, kur dihet se ka të tjerë (jo 20 vjeçar por baballarë me dyzet e më shumë…), të cilët në Kosovë i kanë pasur prindërit shefa të Punëve të Brendshme të Kosovës, që do të thotë, drejtues të të gjitha formave të dhunës në Kosovë. Pra edhe ata janë shkolluar e janë përgatitur të gjithë në Beograd, madje edhe janë nderuar me dekorata?!…

Nuk ishte fati i Gojartit që më shtyri të shkruaj. Ajo që më cyti ta komentoj këtë shkrim ishte përpjekja e gazetës “Koha Ditore” dhe e Agjencisë “Shtetërore” <Kosovapress> për ta vrarë Flora Brovinën. Për të qen konkret po përsërisim pasusin: “Zëvedëskomisioneri për planifikim dhe zhvillim i policisë së UNMIKU-ut, amerikani John Collins, pohon se kur është pranuar kandidatura e Gojartit, kanë pasur informacione se çfarë ka punuar babai i tij. „Ne kishim informacione se babai i tij ka qenë drejtor burgu dhe se vazhdon të punojë në Serbi, por nuk kemi mundur të vërtetojmë asgjë të keqe për të kaluarën e Gojartit”, thotë Collins dhe shpjegon se „disa fqinj dhe miq të tij, na kanë treguar për babanë, por kanë thënë se Gojarti i përmbush kriteret për polic”. Përveç intervistave dhe testeve me kandidatë, në hetimet e policisë së UNMIK-ut dhe të mbikëqyrësve të OSBE-së, përfshihen edhe dy apo tri dëshmi të miqve dhe të njohurve të kandidatëve për policë të ardhshëm të Kosovës. Për Gojartin kanë dëshmuar halla e tij dhe fqinji i tij, Ajri Begu, drejtor i Autoritetit për Banka dhe Pagesa të Kosovës (Ajri Begu është bashkëshorti i doktoreshës Flora Brovina, e cila është rrëmbyer nga forcat serbe dhe tani mbahet në burgun e Pozharevcit – shën i KP). „Pyetni Ajri Begun, ai mund t‘u flas për mua, sepse ai ma ka nënshkruar dëshminë”, insistonte Gojarti. „Unë e njoh Gojartin si një djalë të ri, të kulturuar, të edukuar… Nuk di për të kaluarën e familjes së tij”, tha për „KD”, Ajri Begu. Të njëjtën dëshmi, Begu e ka dhënë edhe në polici dhe ka theksuar se „nuk dëshiron të komentojë të kaluarën e familjes së Gojartit”. Këto dy dëshmi, i kanë mjaftuar policisë së UNMIK-ut, që t‘i japë Gojartit titullin e studentit të shkollës policore të Kosovës”.

Nga ky pasus nënkuptohet përpjekja e hapur që ka bërë gazeta “Koha Ditore” për ta vrarë doktoreshën Flora Brovina, dhe nëse dikush më vonë jua rikujton këto atentate, Baton Haxhiu e Veton Surroi, munden të të ngritin padi për “rrenat” e shpifura kundër „dinjitetit“ të tyre. Do të ishte në rregull sikurse KD të protestonte se deklarata e Ajri Begut nuk duhej të merrej si argument pasi që dihet, Ai e ka gruan në burgjet serbe. Edhe nën ato trysni poshtëruese, Ajri Begu ka treguar maturi dhe nuk ka rënë pre e KD e as e drejtorit të burgut që ka mundur ta kushtëzoj. Sigurisht ai nuk ka dëshiruar të rëndoj më shumë gruan në burgjet serbe. Po, „Koha Ditore“, as „Kosovapressi“ nuk e kanë këtë dert, sepse atyre si duket nuk ju mungon asnjë qime floku, përkundrazi, dikush ka përftuar në tragjedinë e Kosovës.

Tendenca e hapur për ta vrarë Flora Brovinën është e dëmshme për Kosovën prandaj duhet të shkatërrohen Lternat që kanë idhull komunizmin e integralizmin se janë shkandull dhe fyerje e madhe për Kosovën dhe kombin në përgjithësi.

 

Më 17 maj 2000.