Tregimet e shkrimtarit Izet Hoti vijnë para lexuesve të vegjël si një gërshet thurur artistikisht me fjalën e artit

Kulturë

Nga Xhevahir Cirongu

Tregimet e shkrimtarit Izet Hoti vijnë para lexuesve të vegjël  si një gërshet thurur artistikisht  me fjalën e artit

Të gjitha  frakuencat e mendimeve që përshkruhen në librin për fëmijë ‘’Gjarpri me zile’’ të autorit Izet Hoti, janë ndërtuar e përshkruar aq bukur, saqë kur i lexon tregimet , të ngjajnë sikur këput një e nga një gonxhe të shpirtit të pemës krijuese të vetë shkrimtarit.

Rrëfenjat e tregimeve të shkurtra, që përcjell ky vëllim për te lexuesit e vegjël, janë  përshkruar me një stil të veçantë, ndryshe nga disa autorë të tjerë të kësaj gjinie,sepse autori Izet Hoti ka përdorur me mjeshtëri mendimin e gjuhën  burimore  shpirtërore të fëmijëve. Të shkruash tregime për fëmijë, në radhë të parë duhet shumë guxim, sepse kjo temë në dukje të shfaqet si një ‘’Anije’’ që çan detet e oqeanet me lehësi, si në kohë me diell apo me stuhi. Autori Izet Hoti merr  pa frikë penën e tij guximtare, e ngjyen atë me mendimet fëminore e na sjell para lexuesve të vegjël e të shumtë, këto buqeta të bukura tregimesh. Libri ka gjithsej 36 tregime. Çdo tregim ka në vetvete tingullin e tij tregimtar. Lexuesit e vegjël, e gjithë fëmijët që e duan librin e përrallat tregimtare të moshës së tyre; do të zbulojnë përgjatë leximtarisë stilin e bukur me plot ndjenjë për botën që kanë ata; saqë autori shkrihet e bëhet një me  botën e fëmijëve, me mënyrën e stilin  e të treguarit të të gjithave tregimeve të shkruara prej tij.

Në tregimet e librit ‘’Gjarpri me zile’’, që tashmë lexuesit e vegjël do ta kenë në dorë për ta lexuar, por edhe në raftin e bibliotekës personale nëpër shtëpitë e tyre;  autori Izet Hoti, ka ditur të kap e rrok tematika të ndryshme plot larmi ngjyrash dhe ëndrrash të botës së fëmijëve, të cilët  kanë plot ndiesi e fantazi për botën që na rrethon, por edhe për ëndrrat e bukura për të nesërmen plot dritë e dashuri. Si të tilla, tregimet e këtij libri janë kapur fortë pas një boshti të vetëm : Në atë edukativo-estetike për moshën fëminore, të cilat japin mesazhe të qarta edukuese dhe frymojnë me ide të reja udhërrëfyese për sot e nesër për tek gjithë lexuesit e grupmoshave të vegjël. ( Pse jo edhe për tek të më të rriturit). Autori ecën i sigurt shtigjeve të mendimit fëminor, dhe si i tilla rrëfenjat e këtij libri na i sjell të gjalla bashkë me personazhet, të cilët bashkëbisedojnë midis tyre duke zgjidhur çdo keqkuptim në dobi të jetës e të bashkëjetesës kolektive.

Duke vështruar për gjatë lexuesshmërisë së tregimeve në përgjithësi, por edhe në veçanti, do të dallosh dukuri mendimesh aq të spikatura të botës mendimtare të të vegjëlve, saqë bëhen të dallueshme si ngjyrat e ylberit qiellor. Pra, tregimet e këtij libri sa modest, po aq interesant në stilin e të shkruarit nga shkrimtari ynë për fëmijë të autorit Kosovar Izet Hoti, janë si një gërshet të thurur me fjalën e artit, me mendimin e autorit që ulet në ‘’Kopshtin e gjelbër’’ fëminor, e këmbëkryq bisedon shtruar me botën e tyre dritëdhënse , të pastër e të ngrohtë si të diellit.

Po të lexosh me kujdes, filli i bukurisë së tregimeve të këtij autori, kanë brenda tyre psikologjinë e të vegjëlve; si rrjedhojë kjo përbën atë buket të këndshëm që rrinë të lulëzuara në çdo stinë tek  memorja dhe ndërgjegjeja, në botën e kristaltë që kanë fëmijët . Këtë e sintetizon më konkretisht te tregimi me titullin  aq domethënës ‘’Buketi i luleve’’, ku përcjell në çdo skutë të qënies sonë  e sidomos të fëmijëve respektin e dashurinë njerëzore; kjo e dentifikuar me personazhet nxënës- mësuese .  Me këtë gjetje sa letrare dhe artistike, shkrimtari Izet Hoti thyen brengat e shpirti, e në vendin e tyre na dhuron buketin e luleve të dashurisë.

Ndërsa te tregimi ‘’Kroi i bardhë’’, personazhet lëvizin si një elektron sa tek njëri- tek tjetri, dhe ata bashkohen gëzueshëm si ujët e valëbardhëve të kroit me fjalën e ngrohtë shpirtërore të së madhes Fjalëmirë!

Autori ka ditur të ndërtojë me mjeshtëri’’Kalanë’’ shpirtërore, por këtë ai na e jep e përshkruan si një gjerdan me fije ari dashurinë për atdheun e lirinë! Atdheu është djepi ku lindim, këndojmë, jetojmë…..por përballemi edhe me vështirësitë e jetës. E megjithatë, në atdheun ku lindim s’mund ta zvëndësojë askush. Kjo është e dukshme që lexohet me madhështi e dashur për atdheun që tarnsmetohet në breza në mbylljen e këtij tregimi:’’ Në lëvore të tyre shkruan : Për zotin dhe për lirinë e Kosovës !Dhe ndodhi një mrekulli nipi im ,kur u ngjit UÇK –ja në male,gjeti këtë amanet në lisa : Amaneti i trimave u bë dritë e atdheut, Liria !

-Kjo është Kosova e lirë, nip !’’.

  Një tjetër motiv  i bukurisë së  rrëfimit tregimtar, lexuesi i vogël do t’i gjejë edhe në tregimet me titull ‘’ Gjyshi nuk shitet’’,‘’Qyteti i zhurshëm’’,‘’Ariu në biçikletë’’, ‘’Qenët endacak’’, apo tek ‘’Gjiri i nënës’’ ,’’Hëna më tradhëtoi’’ , ‘’Te varri i nënës’’ etj.

Gjithë simbolikat e tregimeve kanë prushin e zjarrtë të gatimit të tyre, të cilët  të bëjnë për vete kur i lexon, e si të tillë nuk shkëputesh dot prej tyre, por do vazhdosh më tej për t’i lexuar deri në fund me kënaqësi.

Edhe tek tregimi ‘’ Macja e verbër’’, autori shpreh keqardhje për macen e verbër, sepse ajo ishte verbuar e kërkonte ndihmë nga dikush. Dhe një ditë kjo ndihmë s’vonoj, saqë për ta ndihmuar iu gjendën fëmijët e vegjël të cilët i dhanë ndihmën e duhur asaj. Kjo tregon sa kqardhje për të verbrit, po aq dashuri për kafshët fatkeqe, si kjo mace e verbër që kërkonte dritën e syve. Fati dramatik që e pësoi macja mbas kurimit të syve, e trondit shumë Mozën e gjithë familjarët e saj. Gëzimi dhe trishtimi janë bashkëudhëtare të jetës, – thotë autori tek ky tregim. Por, që të përshkruash e shkruash të tilla rrëfenja tregimtare, sidomos për fëmijë, siç na i shkruan tregimtari kosovar Izet Hoti tek ky libër ‘’Gjarpri me zile’’, kërkon fantazi letrare, gjuhën fëminore, psikologjinë e tyre, bashkë me ëndrrat fluturuese që kanë vetë fëmijët; si rrjedhijë të këtyre, autori i ka realizuar me vullnet e guxim, por edhe me talent krijuese letrare. Ai u ka dhënë vlagën e shpirtit të tij gjithë tregimeve të këtij libri.

Duke lexuar tregimin ‘’Gjarpri me zile’’, nga ku ka marrë edhe titullin libri, befasohesh dhe ndjen njëkohësisht ngrohtësi shpirtërore; kjo e shoqëruar me besnikëri e bashkëjetësën që karakterizojnë në gjetjen e  gjuhës së përbashkët midis shpezëve e kafshëve , për të jetuar të lumtur në atë pyll plot liman jete!  Dhe kjo nuk është aq e lehtë, thotë autori, por kur gjuhët e përbashkëta arrijnë marrveshje e kompromis midis tyre, kapërxejnë çdo pengesë e vështirësi, saqë arrijnë në kufirin e duhur: atë të bashkëjetesës kolektive për ta jetuar Jetën! Ky është një mesazh i fuqishëm, mendim kualitativ edukues, filozofik e shkencor, i cili ndikon fuqishëm në psikologjinë edukative te të vegjlit. Kjo tregon për atë mesazh impulsativë- edukativë jo vetëm tek të vegjlit, ( edhe te brezat e tjerë më të rritur ).  Midis të tjerave , në mbylljen e tregimit, autori bën gjetjen e duhur duke e përshkruar me mesazhin kuptimplot….. ‘ Jeta mori një rrjedhë normale fal angazhimit të shqiponjës dhe gjarprit me zile.Kështu, banorët e pyllit gjetën formën s’i të mbijetojnë dhe ja dolën ma në fund.Tani të gjithë iu kthehen jetës normale, nuk vënë në pyetje ekzistencën e tyre në pyll’’.

Dukuria e tematikave të tregimeve në këtë vëllim, është e lidhur ngusht edhe me natyrën përrreth , sepse vetë qënia jonë qëndron në faktin e pamohueshëm si pjesë e saj. Shkrimtari Izet Hoti i është përmbajtur strukturës së rrëfimit tregimtar me fines e ndjenjë të hollë, saqë lexuesi e ka të lehtë për t’i shkuar deri në fund lexushmërisë së tregimeve, sepse aty do gjejë shijen e tharmin e shpirtit të tij.

Kjo gjendet e gdhendur me mjeshtëri artistike tek tregimi ‘’Bora po fluturon’’, ‘’Pylltari mashtrues’’, ‘’Bora në kopshtë’’ etj.

Është interesante dhe të fton deri në skajin më fundor, që lexuesin ta mbajë të karikuar për të lexuar me një frymë gjithë tregimet e këtij libri, sepse rrëfenjat kanë shijen e ‘’Kripës’’ kur i hedhim gjellës, e na mbushin shpirtin tonë. Shkrimtari Izet Hoti lë shtigjet e hapura, ecën drejt rrugëve të takimeve  edhe  për të ardhmen duke bërë ftesën e tij se, na kërkohet në radhë të parë, ne shkrimtarëve që të plotësojmë atë boshllëk të akumuluar nëpër vite e dekada ndaj letërsisë për fëmijë (Reflekton te tregimi’’ Rruga e takimeve’’).

Kjo dukuri negative ndaj letërsisë për fëmijë, është e dukshme, e prekshme , si në Shqipëri e Kosovë, ( pa përmendur këtu në trojet shqipfolëse në Maqedoni e Mal të Zi ). Shkrimtarët  që shkruajnë letërsi për fëmijë janë të paktë, saqë ata numërohen si gishtat e dorës, kjo flet për një neglizhencë ndofta duke u shprehur me atë mendim se ‘’ Hë, mo, se të vegjël janë!’’, e nuk marrin pendën e tyre të mprehtë e t’i shtrohen punës krijuese  për të shkruarë letërsi për fëmijë aq të kërkuar nga vetë lexuesit e vegjël, që edhe ata të kenë mundësinë e lexuesshmërisë të veprave letëraro- artistike të të gjithave zhanerve . Shkrimtari Izet Hoti , ka botuar në vite edhe disa libra të tjerë  për fëmijë si: ‘’ Dielli i rilindur’’ poezi, ‘’Dallandyshet në flak’’ tregime, ‘’Zgori i lisit’’  tregime. Ai ka edhe disa vëllime të tjera të kësaj gjinie, të cilat presin dritën e botimit, të cilat do të jenë te lexuesit e vegjël për t’i lexuar ato.

Ne, shkrimtarët në përgjithësi, e në veçanti ata shkrimtarë të cilët ulen në sofrën e shpirtit krijuese në botën e fëmijëve,me veprat e tyre letrare për fëmijë, me veprat e shkruara të gjithave llojeve të kësaj gjine sa të vështirë, por edhe të bukur, do respektohen e lënë gjurmët e tyre si për brezin e sotëm e atë të nesërm me veprat letrare të tyre. Kësaj plejade shkrimtarësh , të cilët kanë shkruarë më parë letërsi për fëmijë, pra në shekullin XX- të, por dhe në shekullin XXI radhitet edhe shkrimtari Kosovar Izet Hati.                                                                                   Tregimet e librit ‘’Gjarpri me zile’’ janë një vlerë e shtuar edukative – artistike e letrare, por edhe ringjallje e asaj dëshirëzjarrtë për lexuesit e vegjël , që këta të fundit të kenë në dorë e në libraritë vetiake e publike këto buqeta rrëfenjash tregimtare.

Tregimet për fëmijë të shkruara nga ky autor , duhet të shtrihen deri në çdo skaj të atdheut tonë, në Kosovë, Shqipëri e trojet shqipfolëse, sepse në këtë mënyrë I bëjmë nder letërsisë shqipe,brezit të fëmijëve sot, e mbi të gjitha brezave që do vijnë pas tyre nesër.

Të shkruash një libër, sidomos letërsi për fëmijë, është nder i madh jo vetëm për autorin,( në rstin konkret shkrimtarin kosovar Izet Hoti), por letërsisë shqipe në përgjithësi, e në veçanti letërsisë për fëmijë në rrafshin kombëtar, një vepër e shkruar  e që merr dritën e botimit ,shkrimtari vulos kulturën e kombit të vetë, është një pashaportë identifikuese edukative sot e për gjithë brezat e ardhshëm.

I tillë do mbetet edhe libri me tregime për fëmijë me titullin ‘’Gjarpëri me zile’’ të autorit Izet Hoti.

 

Durrës, Shkurt  2018