Trashëgimia natyrore e Kosovës, argument shtesë për anëtarsim në UNESCO

Trashëgimia natyrore e Kosovës, argument shtesë për anëtarsim në UNESCO

Që nga viti 2015, Kosova ka hyrë në negocimet e anëtarsimit në UNESCO, një proces ky kërkues dhe aspak i lehtë diplomatik e shkencor. Deri sot, shteti më i ri në Evropë ka një zonë kulturore në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Manastiri i Deçanit që nga viti 2004 figuron në Listë, me arsyetimin “monumenti më i madh i ruajtur i pikturës bizantine, tërësia më e madhe e skulpturës romake në Ballkan, dhe një një prej enteriereve më autentike sakrale të ruajtura brenda territorit të ndikimit kulturor dhe artistik bizantin të shekullit të XIV-të”. Në vitin 2006, për çudi Manastiri vendoset në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Kur shihen zhvillimet e tashme rreth anëtarsimit dhe obstruksionet e Serbisë ndaj Kosovës, shihet se në listën e rrezikimit më shumë është futur që të pengohet rrugëtimi i Kosovës drejt UNESCO-s se sa që manastiri është i rrezikuar në realitet. Po t`i lexosh arsyet e futjes në listën e rrezikimit, nuk janë reale, dhe me arsye të tilla secila zonë në botë mund të futet aty. Kaq për manastirin.

Potencialet tjera të trashëgimisë në Kosovë janë evidente, përfshirë ato të trashëgimisë natyrore, që deri sot janë neglizhuar nga qarqet vendim-marrëse në proceset negociuese kosovare. Trashëgimia botërore në kuptimin e Konventës përbëhet nga dy shtylla: trashëgimia kulturore (me 644 zona) dhe natyrore (162 zona). “Trashëgimi natyrore botërore” sipas Konventës konsiderohen “karakteristikat natyrore me rëndësi për njerëzimin” të klasifikuara në tri grupe. Grupi i parë përfshinë tiparet natyrore që përbëhen nga formacionet fizike dhe biologjike ose grupet e formacioneve të tilla, të cilat janë me vlerë të jashtëzakonshme universale nga pikëpamja estetike ose shkencore. Grupin e dytë e përbëjnë formacionet gjeologjike e fiziologjike, të cilat përbëjnë habitatin e specieve të kërcënuara të kafshëve e bimëve me vlera të shquara universale nga pikëpamja e shkencës apo ruajtjes. Grupin e tretë e përbëjnë zonat natyrore me vlerë të jashtëzakonshme universale nga këndvështrimi i shkencës, ruajtjes apo bukurisë natyrore. Për t’u përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore, zona duhet të ketë vlera të jashtëzakonshme universale dhe të përmbush së paku njërin nga 10 kriteret e përzgjedhjes të përcaktuara me Udhëzimet Operacionale për Zbatimin e Konventës së Trashëgimisë Botërore.

Përkundër sipërfaqes së vogël, Kosova karakterizohet me një pasuri natyrore të jashtëzakonshme të koncentruar në terma: biodiversitet të pasur, objekte gjeormorfologjike, hidrologjike, peizazhe etj. Sipas të dhënave zyrtare, Kosova ka nën mbrojtje ligjore 1,189 km2 apo 10.9% e territorit duke qenë e dyta në Evropë pas Islandës për përqindjen e territorit të mbrojtur. Në këtë territor të vogël, ka vlera natyrore, të cilat janë potenciale të trashëgimisë natyrore botërore, posaqërisht nën kriteret VII dhe X. Kriteri VII kërkon që zona e nominuar “të përmbajë fenomen natyror superlativ ose zona me bukuri të jashtëzakonshme natyrore dhe rëndësi estetike”. Sipas këtij kriteri potencialet kryesore janë Bifurkacioni i Nerodimes si fenomen natyror superlativ natyror dhe Kanjoni i Mirushës si bukuri e jashtëzakonshme natyrore.

Bifurkacioni i Nerodimes paraqet shembullin e vetëm në Evropë dhe ndër të rrallët në botë të bifurikacionit. Edhe pse i kosideruar si fenomen artificial, janë kushtet natyrore ato që mundësojnë që një lum i vogël të krijoj një fenomen të jashtëzakonshëm të përmasave të rralla. Lumi Nerodime në fshatin Nerodime ndahet në dy degë: dega veriore vazhdon në Sitnicë, e më tutje vazhdon derisa derdhet në Detin e Zi, ndërsa dega jugore vazhdon në lumin Lepenc dhe përmes Vardarit derdhet në Detin Egje. Bifurkacioni përfaqëson një kuriozitet natyror për hulumtuesit dhe vizitorët për qëllime edukative, shkencore e hulumtuese. Për shkak të këtyre vlerave është vënë nën mbrojtje në vitin 1979 si rezervat special i natyrës dhe është fenomeni i parë hidrologjik i mbrojtur në Kosovë.

Kanjoni i Mirushës është zona më atraktive dhe më e vizituara natyrore në Kosovë. Pas Liqeneve të Plitvicës në Kroaci (mbrojtur nga UNESCO), kanjoni është objekti natyror më i spikatur i këtij lloji në rajon. Lumi Mirusha, në pjesën e poshtme të rrjedhës kalon nëpër një grykë të ngushtë duke krijuar një varg prej 16 ujëvarash me 13 liqene, që përbëjnë pjesën më atraktive të kanjonit. Zona është vënë nën mbrojtje me 1982 si park rajonal i natyrës në sipërfaqe prej 555.8 ha, e që nga 2012 është shpallur Monument i Natyrës me Rëndësi të Veçantë.

Kriteri X kërkon që zona e nominuar “të përmbaj habitatet më të rëndësishme dhe domethënëse natyrore për ruajtjen in-situ të diversitetit biologjik, duke përfshirë ato që përmbajnë specie të kërcënuara me vlera universale të shquara nga pikëpamja e shkencës apo konservimit”. Nën këtë kriter, të dy parqet kombëtare të Kosovës, që përbëjnë rreth 97.5% të territorit të mbrojtur përmbajnë karakteristiak që i referohen kriterit.

Parku Kombëtar i Sharrit me aktin e shpalljes përshkruhet si “territor me vlera dhe raritete natyrore, pyje të ruajtura, numër i ekosisteme të rëndësishme, numër i madh i specieve endemike dhe relikte, i pasur me karakteristika të shquara gjeomorfologjike, hidrologjike, dhe me kritere shkencore, kulturore, historike, peizazhe, sportive, turistike dhe rekreative dhe aktivitete që kontribuojnë për zhvillimin ekonomik me kritere ekologjike”. Parku përfshin tipe të ndryshme të relievit topografik: glacial, karstik dhe fluvial. Ka lumenj të shumtë, burime ujore, borë me periudhë të zgjatur dhe liqene të shumta glaciale. Për shkak të karakteristikave të mësipërme por edhe atyre klimatike, Sharri  karakterizohet nga vlerat e larta të diversitetit bimor: rreth 1,500 specie të florës vaskulare përfshirë: 77 specie bimore me rëndësi ndërkombëtare, 26  të përfshira në Listën e Kuqe Europiane dhe 32 në Listën e Kuqe të IUCN. Në Sharr shtrihet zona më e madhe e kullosave të pandërprera në Ballkan dhe një nga më të mëdhat në Europë. Për shkak të larmisë së madhe të biotopeve, pasuria faunistike është evidente.

Parku kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” në terma të biodiversitetit, karakterizohet me vlera të larta floristike dhe llogaritet një nga qendrat e diversitetit bimor në Ballkan, me 1,611 taksone. Në majat më të larta malore jetojnë 255 specie endemike dhe subendemike ballkanike. Speciet endemike dhe relikte të zonës, krijojnë asociacione bimore endemike dhe endemo-relikte, që është rast i rrallë në formacionet vegjetative. Në Listën e Kuqe të IUCN-së të specieve të kërcënuara bimore janë 19 taksone. Fauna ka një diversitet të pasur, ndërsa me rëndësi ndërkombëtare është prezenca e habitateve të rrëqebullit ballkanik (Lynx lynx balcanicus), specie globalisht e rrezikuar. Prezenca e 129 specie fluturash Lepidoptera, e bën zonën një nga më të pasurat në Evropë.

Bjeshkët e Nemuna janë zonë e programit “Balkan Peace Park”, që synon kthimin e zonës nga zonë kufitare që ka ndarë tri shtete: Kosovë, Shqipëri dhe Mali i Zi në një tërsi natyrore për bashkëpunim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror. Prezenca e në zone nën UNESCO si Manastiri i Deçanit, në vet kufirin e Bjeshkëve të Nemuna do paraqiste thjeshtë një “zgjerim” zone të trashëgimisë botërore aktuale, duke krijuar një zonë mikse (kulturore dhe natyrore) e që janë gjithashtu raste të shpeshta në botë.

Për shkak të vlerave të larta natyrore, të dy parqet kombëtare të Kosovës janë identifikuar si zona të rëndësisë ndërkombëtare: Zona të Rëndësishme të Bimëve (Important Plant Areas- IPA), Zona të Rëndësishme të Zogjve (Important Bird Areas- IBA) dhe Zona Primare të Fluturave (Primary Butterfly Areas- IBA). Të dy parqet kombëtare janë pjesë e European Green Belt Initiative, nismë kjo që kufijtë e ndarjes nga muri i hekurt i luftës së ftohtë mes bllokut të lindjes dhe përendimit, synon t`i kthej në zona bashkëpunimi për ruajtjen e natyrës evropiane në një gjatësi prej 12,500 km.

Prezenca e 2,500 specieve bimore të pritura në Kosovë, apo 20% gjithë florës europiane, në më pak se 2% të territorit ballkanik, pastaj prezenca e mbi 200 specieve endemike (rreth 10% të endemizmave të Ballkanit) si dhe 8 specie stenoendemike (vetëm në  Kosovë dhe askund tjetër në botë) e bëjnë Kosovën një nga 16 qendrat e endemizmit bimor të Evropës. Për këtë arsye floristët të mëdhenj që në  dy shekujt e fundit gjatë ekspeditave hulumtuese kanë kaluar nëpër këto zona si: Rudolph Grisebach, Ignaz Dorfler, Antonio Baldacci etj. kanë lënë gjurmët e  mbiemrave të tyre në emërtimet e shumë specieve bimore.

Është impozante që një territor kaq i vogël, të ketë potenciale të tilla të trashëgimisë natyrore e të cilat vetëm mund të përmenden në një artikull. Nga këto fakte, anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do ishte një ndihmesë e madhe për ruajtjen e kësaj trashëgimie me indikacione të përmasave globale. Përfitimet nga anëtarsimi në UNESCO do të jenë të dyanshme: Kosova ka se çfarë t`i jap botës nga trashëgimia e saj kulturore e natyrore, por edhe UNESCO ka se për çka ta ndihmoj Kosovën në përpjekjet e saj përmes mekanizmave shkencor, ligjor e financiar.

 

Dr. Zeqir Veselaj,

Profesor i mjedisit në Universitetin e Prishtinës