Trashëgimi i një ekonomie të shkatërruar

Shkruan: Yjvesa Jusaj

Trashëgimi i një ekonomie të shkatërruar

Sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, trashëgimi i një ekonomie të shkatërruar zë vend si pasojë e një varg faktorësh të cilët ndikojnë në një nivel, jo të dëshiruar të zhvillimit vendor. Dy fokuset kryesore qëndrojnë në “gjendjen ekonomike pas luftës” si dhe “mungesa e investimeve në sektorët ku sigurohet punësim”. Edhe pse pas luftës, Kosova ka qenë e frymëzuar nga përvojat e avancuar perëndimore dhe si rezultat I kësaj ka arritur të ndërtojë një sistem të ri buxhetor, prapë ballafaqohet me shumë sfida për të arritur një dinamikë të nevojshme në zhvillimin ekonomik.

Mungesa e një plani zhvillimor me vizione të qarta dhe praktikuese, ka bërë që Kosova të ballafaqohet me ngecje në zhvillimin e shëndetshëm real ekonomik. Sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, plani zhvillimor duhet të përfshijë tejkalimin e problemeve strukturale momentale, siç janë: mungesa e zhvillimeve të tregjeve financiare dhe infrastrukturës së duhur publike, papunësia, mungesa e politikave për te adresuar çështje sociale, si dhe deficiti tregtar që ka një trashëgimi prezente, duke filluar prej viteve të 90-ta. Si rezultat i këtyre mangësive, ky plan ka për qëllim të aktivizoj burimet e rritjes ekonomike, por në fakt kërkon një̈ përkrahje të mëtutjeshme të bashkësisë ndërkombëtare përmes asistencës efektive teknike dhe financiare.

Bazuar nga raporti I shtatorit te vitit 2016, nga Banka Qendrore e Kosovës, në Kosovë për vetëm nëntë muaj janë investuar 184 milionë euro me interesimin primar në sektorët e patundshmërisë, qiradhënies dhe aktivitetet e tjera biznesore. Prapëseprapë, përkundrazi këtij investimi si dhe shumave të tjera të ngjashme vjetore, sipas të dhënave të publikuara nga MTI-ja, janë regjistruar 10 mijë e 504 biznese, ndërsa janë shuar 2 mijë e 290 biznese.

Si rezultat mund të konstatohet se rritja ekonomike bie kur politikat e zbatuara nuk janë në favor të stabilitetit makroekonomik, ndërsa rritet me aplikimin dhe zbatimin e planit zhvillimor të lartpërmendur. Kombinimi i duhur i këtyre segmenteve ekonomike mund të gjenerojë modelin që siguron vet qëndrueshmëri të rritjes ekonomike.