Thirrje votuesve në Kosovë: ndëshkojeni krimin, korrupsionin, hajninë dhe tradhtinë

Thirrje votuesve në Kosovë: ndëshkojeni krimin, korrupsionin, hajninë dhe tradhtinë.

Skënder Sadri KAPITI.

Me 6 Tetor 2019 janë zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Shqiptarët në Kosovë do ta ndëshkojnë me siguri elitën e keqe, atë të dëmshme, dështake, pra do ta ndëshkojë dhe duhet ta ndëshkojë me votë elitën dështake e cila e ka zhgënjyer në kulm qytetarin e Kosovës duke e detyruar atë që të marrë rrugën e egzilit, braktisjen e atdheut .

Me 6 Tetor 2019, atë ditë populli  do voton dhe do të zgjedhë  dhe duhet të zgjedhë ata të cilët do ta përfaqësojnë atë në Parlament dhe në qeverisje. Prandaj populli votues duhet të mendohet mirë para se të votojë. Kujdes, duhet që vullneti popullor të mos gabojë, pasi në rast se zgjedh keq, prej gabimit të tij, atëhere  vetë populli do ta pësojë. Nuk duhen votuar ata politikanë dhe as ato parti të cilave u janë konsumuar jo vetëm premtimet por u janë konsumuar edhe gënjeshtrat, mashtrimet, pabesitë  dhe u janë ë konsumuar  madje edhe pazaret  dhe korrupsioni.

Me 7 Tetor nuk do të vlejë pishmanimi apo pendimi se si ka mundësi që fituan dhe u bënë deputetë këta apo ata kandidatë , dhe si ka mundësi pse qeverinë do ta bëjë kjo apo ajo parti.

Së pari populli që të zgjedhë më të mirën e më të duhurën duhet të mendohet e të peshojë mirë se për cilin individ dhe për cilën parti do të votojë; dhe së dyti duhet që pjesmarrja në votime të jetë sa më e madhe.

Demokracia është lojë numrash. Cila parti merr numrin më të madh të votave ajo parti apo ai kualicion do ta qeverisë Kosovën.Nëse pjesmarrja është e vogël në zgjedhje, mundësitë e manipulimeve elektorale janë të mëdha. Kjo  sepse është e sigurtë se rezultati i zgjedhjeve kur pjesmarrja si në Shqipëri dhe në Kosovë është e vogël, atëhere parlamenti dhe qeverisja do të përcaktohet nga militantizmi dhe fanatizmi partiak, do të përcaktohet nga mercenarizmni i atyre të cilët janë aktualisht në politikë, në pushtet dhe në administratë, pra ata të cilët aktualisht me mashtrime, me korrupsion, me krim dhe injorantët e pushtetit të cilët kanë kapur shtetin, kur pjesmarrja në votime është e vogël, këta të tillët  kanë mundësinë që të riciklohen në pushtet përsëri.

Nëse nuk ka pjesmarrje në votime, ata të cilët do të shkojnë në votime janë edhe ajo shtresë e manipuluar me shitblerjen e votës, janë ata të cilët manipulohen lehtë nga fakti i varfërisë që gënjehen për 50 apo 100 euro.Prandaj për të mos lejuar fitoren e këtij vullneti pakicë që është i dëmshëm duhet patjetër pjesmarrje e madhe në votime në Kosovë.

Populli duhet të mendohet mirë se si të flasë e të vendosë në ditën e votimit me 6 Tetor, pasi nuk ka më vlerë se cfarë mendon e flet pas kësaj date e për 4 vite deri sa të vijnë zgjedhjet e tjera.

Populli i njeh dhe di shumë mirë se cilët politikanë dhe cilët kandidatë janë me rekorde kriminale krimi , hajdutërie , korrupsioni, mashtrimi e tradhtie. Dhe populli që t’i skualifikojë këta politikanë nuk duhet ta votojë atë apo ato parti  politike të  cilat kanë në listat e tyre individë me rekorde kriminale, hajdutë dhe me rekorde korrupsioni e papërgjegjshmërie.

Në votimet e 6 Tetorit votuesi Kosovar duhet ta cmontojë sistemin e krimit, korrupsionit dhe të hajdutërisë, duhet të ndëshkojë ato parti të cilat e kanë kapur shtetin Kosovar.Nëse populli dëshiron ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor, mposhtjen e hajnisë dhe të korrupsionit; nëse dëshiron ndëshkimin dhe vënien para ligjit të peshqve të mëdhenj të krimit, korrupsionit, hajdutërisë dhe të tradhëtisë, dhe nëse populli dhe votuesi Kosovar dëshiron VETTING-un e drejtësisë dhe dekriminalizimin e polikës dhe të shtetit të kapur prej tyre, këtë populli e bën me votë duke mos zgjedhur dhe duke mos i deleguar në parlament individët e tillë të kriminalizuar, hajdutë, të papërgjegjshëm ,tradhtarë e mashtrues dhe as injorantët.

Në rast se populli nuk e kryen këtë detyrë  kombëtare dhe demokratike,dhe misionin e tij me votën e me vullnetin e tij  duke ua besuar votën atyre që e meritojnë, atëhere ai nuk ka të drejtë që të fajësojë më pastaj as ndërkombëtarët, as demokracinë perendimore, as SHBA-të dhe as BE-në pse në Kosovë do të ketë edhe pas 6 Tetorit jodemokraci, korrupsion, hajni dhe papërgjegjshmëri, paaftësi e injorancë politike, morale e profesionale në parlament, qeverisje, administratë , arsim, shkencë e kudo.

Demokracia, ligji, drejtësia, dekriminalizimi dhe VETTING-u i politikës dhe i drejtësisë fillon me votën e lirë dhe me zgjedhjen e duhur që bën me të populli në ditën e votimit.

VETTING-u bëhet duke mos i votuar kandidatët për deputetë , duke mos i votuar ata kandidatë me rekorde krimi, korrupsioni dhe tradhtie dhe as Partitë politike për të cilat ata kandidojnë.

Votoni ata të cilët kanë dhënë prova sakrificash, përgjegjësie,  pëkushtimi e guximi kombëtar e patriotik; votoni realët e realitetit; votoni  të besueshmit dhe ata të cilët kanë interesin e tyre brënda atij kombëtar; votoni  ata të cilët duan veten dhe kombin njëkohësisht. Mos i votoni  ata që kanë interesin për pushtet dhe atë pasuror personal, nepotik, partizan  e klanor  mbi atë kombëtar; mos i votoni këta të cilët tashmë  dihen e njihen publikisht dhe kombëtarisht se kush janë dhe prej të cilëve e ka pësuar populli e Kosova!

Mos i votoni  xhambazët dhe as ata të cliët kanë matrapazuar me dinjitetin, prestigjin dhe me imazhin kombëtar; mos i votoni  ata të cilët për interesa personale kanë rrezikuar edhe territorin, edhe sovranitetin e Shtetit e të Kosovës!

Durres, Shtator 2019