TENDENCA PËR RIKTHIM PRODHON REVANZHIZËM

Polemikë:

TENDENCA PËR RIKTHIM PRODHON REVANZHIZËM

Polemikë me intervistën e Fatmir Sejdiut, dhënë për gazetën elektronike “TE SHESHI” të datës 6 shtator 2017. http://tesheshi.com/ekskluzive-ish-presidenti-fatmir-sejdiu-nje-lutje-zotit-per-qeverine-haradinaj-dhe-nje-recete-per-ringritjen-e-ldk-se/

“Nëse LDK-ja e sheh të nevojshme që unë të marrë përgjegjësitë e veçuara, këtë rast edhe të postit të kryetarit. Edhe sot jam i gatshëm. Absolutisht po. Dhe e them me plotë gojën, pikërisht duke pasur parasysh se çfarë zhvillimesh të dëmshme po ndodh në parti”,
Fatmir Sejdiu.

Shkruan Shefqet DIBRANI

Sa herë që Isa Mustafa është në krizë, paraqitet Fatmir Sejdiu, i cili sikur ka mision për ta shpëtuar ish këshilltarin e tij të cilin pa asnjë kriter e futi në LDK. Fatmir Sejdiu e din se të gjitha rrjedhat negative në skenën politike në Kosovë, janë rezultat i paaftësisë së udhëheqjes së tij, prandaj nuk është mirë të paraqitet as viktimë e as të mendojë se ai është shpëtimtari i LDK-së. Nëse mendon se ishte një politikan që ka dhënë shumë për Kosovën, do të duhej t’i pranonte edhe gabimet, por të mos mendoj më me u kthyer në politikë, sepse kthimi i tij kundërmon revanshizëm, nga i cili frikësohen të gjithë tradhtarët që atij ia kanë kthyer shpinën dhe ia kanë bërë lakun. Po ashtu kthimit të tij i frikësohen edhe ata të cilët shërbyen si këshilltar dhe staf teknik në kabinetin e tij. Në kohën e “art?!” të Fatmir Sejdiut, kanë qenë të angazhuar ata që nuk kishin asnjë ditë stazh në LDK, ata janë sistemuar nëpër funksione të rëndësishme dhe delikate për të cilat gabime duhet të ndjen përgjegjësi Fatmir Sejdiu. Të jemi edhe më realist, është Fatmir Sejdiu, ai i cili i pat avancuar nëpër poste e funksione politike, të gjitha strukturat e LKJ-së të cilët vinin nga Instituti RIINVEST. Tashmë me LDK-në po tallet kjo kastë politike e cila me tradhti janë katapultuar në hierarkinë e partisë, me ç’rast kanë degraduar rëndësinë për të qenë militant dhe anëtarë i devotshëm në strukturat lokale e qendrore të LDK-së.

Është vet Fatmir Sejdiu, ai i cili duke i shkelur rregullat e brendshme të partisë, (bile edhe pa i konsultuar strukturat udhëheqëse ia dorëzoi Partinë Isa Mustafës, pronarë dhe drejtues i Institutit RIINVEST, i cili ishte krijuar në vitin 1994, me mision e sherr kundër Kosovës, në rrethana të dyshimta, sepse atëherë Kosova po menaxhohej nga struktura të LKJ-së, marionetë e të cilave ishin Muhamet dhe Isa Mustafa.

Po ashtu të gjithë e dinë se kabineti presidencial i Fatmir Sejdiut ka qenë i mbushur me këshilltar të cilët kurrë ma parë nuk kanë qenë në LDK, pastaj në strukturat udhëheqëse të Prishtinës, erdhi pothuajse i tërë stafi i RIINVESTIT, i cili është sistemuar aty dhe janë përgatitur për ta marrë LDK-në siç e morëm më pastaj. E kur merret vesh se asnjëri sish nuk ka qenë më parë në strukturat e LDK-së, çdo rrënim i LDK-së konsiderohet se ishte platformë politike e Isa Mustafës, prandaj ai pa dhimbje i ka larguar strukturat e hershme të LDK-së, atë shtresën e cila i shpëtoi Fatmir Sejdiut. Vërtetë atë që nuk e bëri Fatmir Sejdiu pas “Kuvendit të Karrigëve”, e vazhdoi Isa Mustafa duke i larguar të gjithë veprimtarët me dinjitet, pastaj larguan, fyen dhe injoruan Diasporën, e më pas po me këtë avaz i janë vërsulur familjes së Ibrahim Rugovës, duke vazhduar me një luftë speciale kundër UÇK-së dhe kundër vet luftës e cila Kosovës ia solli lirinë.

Zgjedhjet e 11 qershorit 2017, determinuan një proces të ri i cili nuk u shfrytëzua si duhet nga partitë shqiptare të cilat me mentalitetin ballkanik prodhuan një ngërç politik i ngjashëm me atë në vitin 2014. Edhe kësaj radhe akterët e ngërçit ishin të njëjtë, vetëm se në vitin 2014 VLAN-in e tradhtoi Isa Mustafa, për do vlera që tashti ai po flet, kurse në vitin 2017, LAA-në e tradhtoi Behgjet Pacolli i cili u tregua politikisht më largpamës se sa Isa Mustafa, prandaj janë pezmatuar strukturat e LKJ-së të cilave Behgjet Pacolli ua largoi tortën nga goja. Tashmë Behgjet Pacolli, po fyhet për veprimet që deri dje i ka bërë LDK-ja dhe Isa Mustafa, por ai korri një sukses të madh për partinë e tij. Nga ky prizëm partitë politike në Kosovë, nuk kanë arsye të akuzojnë njëra tjetrën për tradhti, pasi mashtrimi është bërë platformë e veprimit politik.

Të gjitha marrëveshjet e tanishme janë pjellë e shkollës së dredhive që nisin në kohën e Fatmir Sejdiut i cili padyshim e bart mëkatin e shkatërrimit të LDK-së dhe me këtë edhe të Kosovës, sepse në kohën e tij ka pasur marrëveshje identike, ka pasur shpërfillje të shumta, të cilat janë bërë duke i shkelur parimet themelore të demokracisë që kanë prodhuar kriza të vazhdueshme me pasoja të mëdha.

Asnjë lider i Kosovës, por as ata në LDK nuk kanë reflektuar në dështimet e tij dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi. Tash LDK-ja po i bart pasojat e gabimeve të Fatmir Sejdiut i cili duke i shkelur të gjitha kriteret demokratike e solli në krye të LDK-së një koleg për të cilin e dinte fort mirë se çfarë dëmi i ka sjell LDK-së dhe Kosovës.

Në vend se Fatmir Sejdiu të niste procedura penale kundër Isa Mustafës dhe Bujar Bukoshit, ai bëri të kundërtën duke lëshuar LDK-në në duart e Isa Mustafës. Tashmë edhe pse LDK-ja i ka humbur të gjitha zgjedhjet lokale e ato të nivelit qendror, strukturat e LKJ-së, të ushtruara ne RIINVEST, i kanë bërë zapt të gjithë zërat kundërshtues, ndërsa disa sish i kanë sistemuar dhe më nuk do të ketë as orkestrim formal të demokracisë së brendshme në LDK.

Pse orkestruan këtë lojë e cila po shihet se paska qenë në mbrojtje të Isa Mustafës do të duhej të fliste Fatmir Sejdiu pasi ato dhe ata kanë qenë pjesë e kabinetit, politik e presidencial të Fatmir Sejdiu. Në vend se Fatmir Sejdiu të dilte hapur dhe të deklaronte se nuk pretendon postin e kryetarit të LDK-së, dhe të shpjegonte edhe rolin destruktiv që po bëjnë në këto rrethana edhe disa këshilltar që ishin në kabinetin e tij, tashti del me idenë se LDK-së i duhet njeriu që e solli partinë dhe vendin në këtë derexhe.

Fatmir Sejdiu, duhet ta kuptoj se ai më nuk ka kredibilitet politik, as për t’u rikthyer në LDK dhe as për të akuzuar të tjerët për koalicione joparimore, sepse sistemi zgjedhor në Kosovë e imponon një gjë të tillë, por ai duhet të shpjegojë mbi cilat parime e rehabilitoi Institutin RIINVEST dhe OJQ “ORA”, të cilave ai dhe LDK-ja ua pa ma së shumti sherrin.

Pavarësisht nga ajo se çdo gjë të cilën e thekson Fatmir Sejdiu është e saktë, gjeneza e kësaj dergjjeje lidhet me kohën e tij i cili si askush tjetër u dha kahe negative proceseve në LDK dhe përgjithësisht në Kosovë.

Fatmir Sejdiut, i kam pas shkruar letër qysh më 17 qershor 2014, duke e lutur që të bëhet misionar për ta shpëtuar LDK-në, por ai ka injoruar çdo iniciativë dhe i ka penguar të gjitha përpjekjet për ta rrëzuar Isa Mustafën. Tashmë nga ambicia për tu rikthyer në krye të LDK-së, ai është në gjendje ta shkatërroj edhe ma zi LDK-në, por të gjithë e dinë se kuadrat e devotshme, profesorët universitar dhe kolegët e tij, pikërisht Fatmir Sejdiu i ka përjashtuar dhe lëçitur nga partia.

Njerëzit e LDK-së e kanë lutur deri në pafundësi Fatmir Sejdiun, sidomos kolegu i tij prof. dr. Rexhep Gjergji. E kjo ka ngjarë para Kuvendit të VIII-të, por Fatmir Sejdiu për ta ruajtur Isa Mustafën në krye të LDK-së, nuk është tërhequr, gjë që ia mundësoi Isa Mustafës rizgjedhjen pa asnjë vështirësi.

Tash më duket se Fatmir Sejdiu po sheh ëndrra për t’u rikthyer dhe për ta vazhduar avazin e së keqes, sepse LDK-së nuk i duhen as Fatmiri e as Isa, por as ish këshilltaret e tij dhe as instruktorët e RIINVESTIT të cilët tashmë kanë pushtuar LDK-në. Por në rrethanat ku ka rënë LDK-ja, pikërisht me gabimet e Fatmir Sejdiut të deklarosh se “nëse LDK-ja e sheh të nevojshme që unë të marrë përgjegjësitë e veçuara, këtë rast edhe të postit të kryetarit. Edhe sot jam i gatshëm. Absolutisht po. Dhe e them me plotë gojën, pikërisht duke pasur parasysh se çfarë zhvillimesh të dëmshme po ndodh në parti. Ju e keni parë se kam dhënë dorëheqje nga Këshilli i Përgjithshëm dhe si Kryetari Nderit, pikërisht për shkak të pakënaqësive se si po ecin proceset dhe mënyrën e punës se si është duke u bërë…”, pa bërë as ma të voglën përpjekje për ta gjetur një lider tjetër, një personalitet më unifikues më duket si një krizë e rëndë morale, pasi çorba e tij të gjithëve na i ka djegur buzët.

Nëse askush nuk e ka kritikuar veprimin e keq të Fatmir Sejdiut, dhe dështimin që pritej, të paktën une i kam dal borxhit, prandaj më duket veprim jo i peshuar mirë të dilet me këso deklaratash, pikërisht kur Isa Mustafa është në një krizë të thellë, pasi edhe skeptikët ma naiv tashmë e kanë kuptuar qëllimin e tij.

Kjo formë deklarative nuk e rrezikon Isa Mustafën, përkundrazi e forcon dhe krejt kjo duhet të kuptohet në funksion të vazhdimësisë për ta ruajtur edhe më tej Isa Mustafën. Fatmir Sejdiu, është idhnak i njohur, ai mund të të hakmerret, por kurrë nuk do të pranojë dështimin politik, pasojat e të cilit po i bart LDK-ja dhe Kosova.

Andaj i apeloj Fatmir Sejdiut që të heq dorë nga përpjekja për rikthim, sepse rikthimi kundërmon revanshizëm, e revanshizmi nuk është i pranueshëm as për ata që e kanë tradhtuar por nuk është në funksion të konceptit politik të LDK-së.

Fatmir Sejdiu, është mirë të ulet e të bisedojë me personalitetet e njohura të LDK-së siç janë: prof. dr. Rexhep Gjergji, prof. dr. Shpejtim Bulliqi, prof. dr. Zejnullah Rrahmani, Jusuf Buxhovi, Gani Mehmetaj, Ramadan Musliu, Adem Salihu, Haqif Shehu e shumë të tjerë, për të ndërtuar një platformë se si duhet të reformohet LDK-ja.

Kjo parti duhet të dal nga kriza në të cilën e ka plandosur politika e gabuar e Fatmir Sejdiut dhe veprimi ogurzi dhe i qëllimshëm i Isa Mustafës, i cili ka synim për ta shkatërruar partinë e cila ia shkatërroi Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë!

Fatmir Sejdiu nuk duhet të rikthehet më në LDK, ndërsa Isa Mustafa duhet të përjashtohet nga LDK-ja dhe kundër tij menjëherë duhet të nisin procedura penale. LDK-në nuk duhet ta udhëheqin klandestinët e RIINVESTIT dhe as këshilltarët hileqar të cilët vet Fatmir Sejdiu, pa asnjë kriter i ka pas avancuar nëpër poste të larta politike e shtetërore. LDK-në duhet ta udhëheqin njerëzit e ndërgjegjshëm!

 

St. Gallen, 09.09.2017