TEJKALIME TË SHKALLËS MORALE NJERËZORE

Shefik Shkodra-SHEFIK SHKODRA

Nuk ka rëndësi çfarë ndikimi kanë aleatët nga politika e jashtme. Përfaqësues të popullit të qytetëruar, pa tjetër do të duhej të kishin marrëveshje, për cilat do punë me rëndësi, me vetë ata qytetarë të vendit. Është shumë e qartë për pjesën më të madhe të qytetarëve se ndikimet janë të pranishme edhe nga jashtë, por gabimet pa leje të popullit, dihet që sot e nesër ato janë të dënueshme. Dhe marrëveshjet në dëm të vendit quhen tradhti. Kjo s’ka ku shkon dhe nuk shënohet ndryshe. Politika e brendshme është  reflektimi i asaj të jashtmes. Dëshmitë janë provuar kaherë në mesin e qytetarëve. Tash, a është kjo njerëzi, veti e lindur, mundësi e rastit, apo ndonjë leje e marrëveshje që të shkatërrohet kjo arritje dhe të mendohet për një tjetër të ardhme prej fillimit…?! Po njeriun pa moral s’ka aftësi për ta qeverisur një shoqëri. Më parë duhet kontrolluar veten, pastaj të tjerët kushdo e kudo qoftë.

Për sa veta është shteti i Kosovës?

Disa herë e kemi përmendur, jo për interes individual. Është pa se, partitë në pushtet janë kriminale. Kemi pyetur edhe ndonjë herë tjetër. Për këtë kemi shkruar para disa viteve. Ata janë hidhëruar dhe njerëzit për këtë i kanë dënuar. Personalisht e kam përjetuar, të vijë njeriu i pakualifikuar dhe shumë i dobët në vend timin, pas tridhjetë e tetë vjet përvoje, me direktiva nga ajo ministria me ministra pa kurrfarë kurrizi e madje, pa një bazë kulture e përgatitje, me ndonjë servil të deleguar për t’i rregulluar punët e veta “Komiteti” si i asaj partisë së dikurshme. Qartë shihet, krejt veprimet e juaja  janë mësimet e PKJ, përkatësisht të Serbisë. Edhe me shërbimet sekrete e keni imituar UDB-n. Kjo s’ka dilemë: – Shko ti në vend të atij në punë, dite s’dite!…na jemi këtu më të mëdhenjtë! Hë! Aferim Pashallarë! Bashkohorët e një idiotizmi – stalinist! Këtu s’gjen edukatë elementare qytetare. Prej këtu kam thënë se, këta njerëz në ambientin politik të angazhuar në institucione, nuk janë krejt normal. Kështu i bëtë zgjedhjen e diplomatëve nëpër vende të ndryshme, ka prej tyre që nuk dinë “kah e ka dhia bishtin”. Nejse. Po e lëmë atë se çka ka qenë gjatë luftës e gjatë organizimeve emergjente. Po e lëmë edhe ambicien e disave, që e kanë pasur veten në qejf ta shohin si përfaqësues në institucione përgjegjëse, madje me paaftësi fare, të lihet anash edhe ndonjë plaçkitje e vogël, por se bëhen pazare me telefon për vende të punës, të ofendohen të tjerët përreth aq paskrupullt (nuk them se u bë nami që i vihet ndonjë epitet ndonjërit) po për këtë dikur nuk kam mundur ta bindë veten me thashetheme, e kjo tash është shumë e qartë edhe për ata të tërbuarit që thoshin: veç Partia Demokratike e H. Thaçit është më e mira! Edhe ata e kanë pa se çfarë “zullumi” është udhëhequr në këtë vend. Njeriu tërbohet shpeshherë për diçka që është në interes të përgjithshëm, për diçka që është me peshë të madhe e për kohë të gjatë, por jo aq ofendime të tjerëve se, veç çka thotë “shefi” duhet të bëhet, askush tjetër nuk ka kurrfarë të drejte. Eh, çfarë shefash?! Për të keq, “dreqin nën guri e dinë”! Edhe një herë po pyes, kush është ai që përgjigjet: Për sa veta është ky shteti i Kosovës? Nëse është vetëm për koalicionin, atëherë qytetarët nuk kanë çka mundohen të punojnë dhe ta përmirësojnë, të japin kontribute, t’i përgjigjen thirrjeve të shtetit…Le të mbetet për të jetuar një grup zullumqarësh, hajdutësh, mercenarësh, lugetërish, të tjerët le të shkojnë në… hënë! Po mirë, a keni mësuar ju diçka nga historia, sociologjia, me këtë sistem që e praktikoni, a mos i ngjan sipas teorive, skllavopronarëve, feudalizmit (sidomos te ne shqiptarët i vonshëm…?) Megjithatë, e konfirmoj këtë dëshirën e sëmurë të juaj. Ju besoj, vështirë është të liroheni nga ato vende që keni: zyre komfore me krejt mjetet, vetura, telefona, paga të fryra plus iu del edhe ndonjë pas dore, besa edhe femra…s’bën të lirohen me asnjë çmim! Dikush dy vende pune e më tepër. Merr pagë, a shkon në punë a s’shkon, ministrin kush e kontrollon. A ka sukses në arsim, në shëndetësi, në ekonomi, në administratë kjo punë nuk duhet të ju lodhë shumë. Shihet tash rrjeti juaj mafioz i publikuar për çdo ditë, në arsim, në gjyqësi, në shëndetësi, në administratë publike. Të gjithë këta tipa me ofiqe e vende udhëheqëse nëpër institucione. Krejt të të njëjtës parti. Pra, ky është shteti i këtyre partive. I rrudhur, në shtatë tetë vetë, me nja shtatë tetë qind përreth, dhe me nja dy-tre mijë që lëpijnë këpucë…Kështu thonë shtet po udhëheqim! Dhe ndihen krenarë madje. Kështu referojnë para të tjerëve. Në këtë mënyrë janë doktoruar, iiih, janë futur në Universitetin publik, si kala që duhet marrë! I kanë ndarë studentët në disa nën-parti e kuvende. Kur të kenë nevojë, secila prej këtyre partive, i çojnë në këmbë, duke ia hedhur poshtë punën tjetrit. “…Çka po dom na po bajmë…” Rrofshi me ato parti!

Vetë e keni përmbysur këtë vend me partitë e juaja

Me punën dhe sjelljen që e bëni, nuk “ju kapë as kalemi” më! Po kjo është vetëvrasje të nderuar. Kjo është edhe shfarosje e këtyre qytetarëve të këtij vendi. Asnjë sektor i Qeverisë nuk është në rregull. Asnjë vend dhe asnjë person në administratën e juaj nuk ka mbetur i pa korruptuar. Kjo nuk është as etikë politikani, as etikë familjare dhe as ligjore. Ju të nderuar e keni vu në rend të parë veten dhe familjen e juaj. Tash po shihet se askush tjetër nuk ka mundësi të gjendet në çfarëdo mënyre në  këtë vend, po qe se nuk është në rrethin mafioz për nepotizëm. Po, pse jemi ankuar dhe ankohemi gjithmonë se të tjerët na kanë faj. Po ju vetë e keni fundosur këtë vend. Ju nuk keni edukatë familjare as qytetare! Ju keni mbirë në këtë vend menjëherë udhëheqës. Kush dhe ku jeni provuar që t’u njeh qytetari i jonë. Prej pas luftës njësoj veproni. Kosova ka pasur mundësi t’i ketë punët më mirë ekonomikisht dhe standardin. Sa mjetet financiare i ka “lëshuar toka” prej pas luftës. Ju e keni prish arsimin, shëndetësinë, administratën publike, drejtësinë, e keni shkatërruar ekonominë, e keni plaçkitur edhe me tenderë edhe me borde nëpër ato ndërmarrje publike. Ju sikur e keni lejen nga ndonjë dorë e fortë e jashtme, që sa më shumë të shkatërroni krejt çka ka në këtë vend, vetëm ju të jeni në pushtet. Ndoshta dikush prej jush po do që sa më “llugë” të bëhet, në mënyrë që të harrohen (të lihen njëherë pas dore) veprimet e juaja shumë të kontestueshme (të disave kryesorë) përgjatë kohës nëpër këto institucione. Ju nuk e doni këtë vend e këtë popull, sa herë flisni shihet se gënjeni. Ju përpiqeni të bëheni artistë, duke përdorur ironi vend e pa vend, duke ofenduar publikisht të tjerët pa ndonjë arsye. Nuk flisni për premtimet që u keni bërë këtyre qytetarëve që kanë mbetur “dyer e strehëve”. Ju e shikoni veç zgjedhjen e juaj të “parë”, gjithnjë të “parë”, sikur të mos u mungonte suksesi në të gjithë resorët. Pse duhet t’u binden qytetarët ju, kur i përbuzni për çdo çast. Kur ju ua shkelni të drejtat në çdo hap. Kur ju ua merrni (dikush me siguri) edhe pjesën që do duhej në kushte normale ta fitonte me punë qytetari. Ju e merrni këtë kohë si para njëqind viteve, sepse ju disa nuk keni fituar kurrfarë njohurish e as që dini ç’është politika. Para se ta shash e ta ofendosh dikë, duhet të punosh vetë drejt e mirë. Dhe jo, ai që s’është me ju me ia ndalë të drejtën në punë, të drejtën për të jetuar në vendin e vet. Sa zyrtar të koalicionit, veçanërisht të PDK-ës, janë zënë me vepër penale? Kush është përgjigjur? Si duket janë kthye sërish në vende të më parme. Do të thotë, vetë partia është e kriminalizuar fund e maje. Lideri partiak është edhe parimor edhe edukator, duke respektuar ndonjë statut, rregullore e program. Është parë se gjendja është tepruar me këto shkarje në të gjitha anët, dhe afër mendsh, që ndonjëri prej jush kërkon sa më shumë vranësira. Sa më shumë turbullira, enkas të arsyetohet se, qe – populli i padëgjueshëm, etj. Kushtëzimet që i paraqitni kohëve të fundit, nuk janë të vërteta. Shqiptarët nuk kanë ku të shkojnë. Prandaj, paaftësinë e juaj nuk bën e madje nuk është e mundur t’ia hidhni popullit apo eurpianëve. Ju dëshiroj ju që nuk dëgjoni askënd, vendosni të tërhiqeni nga ato institucione pa pasoja, duke menduar në njerëzit që do të duhej (jo si ju) të udhëheqin këtë vend. Lejoni shërbimin juridik (prokuror, gjykatës) të merren me korrupsion dhe krimin e organizuar që na ka sjellë në breg të varrit. Ju jeni fajtorët kryesorë! Ndryshe, për të gjitha pasojat e këqija je përgjegjës përgjithmonë!
Pse duhet të bëhet fjalë aq shumë për vizat? Europa na ka faj, a?! Jo Europa për këtë s’mundet të ketë faj! Ju jeni faji kryesor për politikën që e udhëhiqni brenda këtij vendi. Europianët e dinë mirë këtë sjellje të juaj. Dhe ata nuk ju kanë përfillë fare. Ju e dini. Populli nuk ka asgjë për të përmbushë si obligime. Ata i kanë përmbushur moti detyrimet e veta. Po pse ky popull ka duruar shumë? Është i mësuar të durojë. E keni shfrytëzuar mirësinë apo frikësimin e tij. Një pjesë e tyre i kanë kapë strajcat në dorë dhe janë gati, “ku t’u shohin sytë”.

Besoni, mua më ka ardhur vështirë, për ju disa, kur kam dëgjuar pallavra nëpër ato institucione që i keni privatizuar, dhe kjo s’do të ishte e mundur në asnjë vend tjetër. Ju e meritoni dënimin nga ky popull!

Publikuar gjithashtu në “Kosova sot”, e ejte,18 gusht 2016 fq.8