Të respektohet me rigorozitet vullneti i popullit të Kosovës

Të respektohet me rigorozitet vullneti i popullit të Kosovës

Shkruan: dr. Islam Lauka

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi që ka përfunduar procesi i rinumërimit të 1407 vendvotimeve. Shumë shpejt pritet certifikimi i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.
Mesazhi kryesor i këtyre zgjedhjeve ishte ai i ndryshimit. Qytetarët e Kosovës, me mençurinë dhe pjekurinë e tyre politike, vendosën që, për shkak të keqqeverisjes, pozita e deritanishme të largohet nga pushteti. Si bartës të ndryshimit, sovrani mandatoi VV dhe LDK-në me udhëheqësit e tyre, përkatësisht, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, të cilët rezultuan më të votuarit, për shkak të parimësisë së tyre.

Kurti dhe Osmani, si simbole të ndryshimit dhe të shpresës, duhet të jenë të vetëdijshëm për fuqinë dhe pushtetin e tyre të fituar me votën e popullit të Kosovës. Ashtu siç duhet të jenë të vetëdijshëm, si udhëheqës të rinj të Kosovës, për përgjegjësinë e tyre historike, politike, shtetërore dhe morale, që buron nga kjo votë.

Sovrani e ka zgjedhur vetë kryeministrin e Kosovës dhe ky është Albin Kurti, ashtu siç zgjodhi edhe numrin dy të qeverisë-Vjosa Osmanin. Të legjitimuar nga vota popullore në këto poste të larta shtetërore, ata duhet të shpallin, menjëherë, pas certifikimit të zgjedhjeve, koalicionin e ri qeverisës VV-LDK. Çdo alternativë tjetër, përjashtohet.

Vjosa Osmani, e cila doli nga zgjedhjet shumë më e fuqishme se ç`ishte më parë, duhet t`i tregojë vendin ndonjë përfaqësuesi të LDK-së me mentalitet feudal, që e vë në pikëpyetje vullnetin e sovranit. Përndryshe LDK, rrezikon të bëjë vetëvrasje politike. Sepse, në rast se dështon krijimi i koalicionit të ri qeverisës, për shkak të qëndrimeve jorealiste të LDK-së, zgjedhjet e reja parlamentare bëhen të pashmangshme. Në një zhvillim të tillë, votat që do të mund të fitonte VV do ta bënin të panevojshëm krijimin e koalicionit, duke krijuar e vetme qeverinë.
Të dy bashkë, Albini dhe Vjosa duhet të përjashtojnë nga koalicioni qeverisës subjektet politike që, me vite të tëra, kanë shërbyer si skelë (patericë) e kalbur e qeverive të dështuara. Ata duhet të respektojnë vullnetin e sovranit për një koalicion pa paterica, por të qëndrueshëm dhe të aftë për ta çuar mandatin e fituar deri në fund. Koalicioni VV-LDK i ka të gjitha mundësitë për ta realizuar këtë objektiv.

Të dy bashkë, Albini dhe Vjosa, duhet të dinë të ngrihen në nivelin e mençurisë dhe pjekurisë politike të qytetarëve që i mandatuan, në mënyrë që në marrëveshjen për formimin e koalicionit qeverisës të përfshijnë problematikat më të mprehta të realitetit të sotëm të Kosovës, të cilat edhe i bashkojnë të dy partitë, duke shmangur ato që, për momentin, nuk janë parësore, as të domosdoshme dhe që, për më tepër, mund të shkaktojnë përplasje midis dy subjekteve të tyre politike.
Opozita e re, deri më tani në pushtet, gjithashtu, duhet të vetëdijesohet që sovrani, vërtet, e ndëshkoi politikisht për keqqeverisje, por nga ana tjetër, i ngarkoi një mision tepër të rëndësishëm – atë të kontrollit të pozitës. Respektimi i vullnetit të sovranit kërkon që, krahas këtij misioni, opozita e re të jetë në të njëjtin front me koalicionin qeverisës, kur bëhet fjalë për çështje madhore, me interes kombëtar dhe shtetëror, si bisedimet me Serbinë, reformat në ekonomi, drejtësi, arsim dhe shëndetësi.

Edhe ndërkombëtarët duhet të dinë ta lexojnë e ta respektojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Ata votuan për Kosovën e lirë, të pavarur e sovrane, brenda kufijve ekzistues. Ata votuan për shkapjen e shtetit nga krimi dhe korrupsioni. Ata votuan për demokracinë dhe jo për stabilokracinë. Për realizimin e këtyre proceseve jetike për Kosovën, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë nevojë për mbështetjen e pa rezervë të miqve dhe aleatëve tanë strategjikë.