Taksa për produktet serbe, 100 % maskaradë mashtruese për faljen e veriut!

Shkruan: Florim Zeqa 26.11.2018

Taksa për produktet serbe, 100 % maskaradë mashtruese për faljen e veriut!

Nuk është hera e parë, që pas çdo “patriotizmi” të liderëve shtetëror dhe partiak fshihen prapaskenat e akteve antishtetërore dhe antikombëtare. Taksa nga 10 në 100 % ndaj produkteve serbe dhe arrestimet e 4 personave, si të dyshuar për vrasjen e ish liderit të serbëve të veriut, Oliver Ivanoviç, janë një skenar i sofistikuar serbo-shqiptar, respektivisht i treshes Vuçiq-Thaçi-Rama për ta tensionuar situatën, më qëllim të realizimit më të shpejtë të planit serb për ndarjen e Kosovës.
Futja në këtë lojë e kryeministrit Haradinaj, është ide pragmatike e Hashim Thaçit, i cili, sikurse në rastin e Demarkacionit me Malin e Zi, ku fillimisht e dërgoi për “pushime” në Colmar të Francës, edhe tani e shpiku taksën si mundësi e mirë për zhvendosjen e vëmëndjes së opinionit vendor nga dështimet dhe skandalet e tij në politikën e jashtme.
Truku i “shkëlqyeshëm” i taksës për produktet serbe, ishte ushqimi më i mirë për “Qeverinë Haradinaj” me imazh të humbur dhe një pjesë të konsiderueshme të popullatës shqiptare që vërbërisht u besojnë liderëve të korruptuar në ballë të institucioneve më të larta të shtetit.
Nuk ka si të jetë ndryshe, kur brenda natës aktualizohet një çështje e cila është prezente që nga paslufta, por që është heshtur qëllimshëm nga po këta liderë shtetëror, në veqanti nga “shpëtimtari” Haradinaj.
Aq shumë dhe aq mirë u shit “loja e letrave” me produktet serbe, thuajse të gjithë paskan qënë të verbër në Kosovë!

Hipërbolizimi i taksës, skenarë i përgatitur në kuzhinat e Beogradit

Mallrat serbe në Kosovë nuk është që kanë hyrë nga dje në Kosovë, por që 19 vite rresht. Nuk është që mallrat serbe e kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve nga dje, por që 19 vite rresht, nuk është që nga dje janë ngufatur prodhimet vendore nga importet serbe!
Nuk është Ramush Haradinaj nga dje kryeministër. Ka rreth një vit e gjysmë që e rrahë këmbanën e kryeministrit, dhe asnjëherë nuk i ka ra ndërmend për dëmin që shkaktojnë produktet serbe në Kosovë!
Sikur ta kishte me gjithë mendje kryeministri prioritet interesin e qyetarëve, paraprakisht rritjes së pagës 100 % për vetën dhe kabinetin e tij, gjykatat dhe prokurorët që mbrojnë krimin e organizuar, do të aplikonte këtë masë ndëshkuese ndaj shtetit serb dhe do të rriste pagat më të ulëta në Kosovë.
Siq duket numri 100, iu ka bërë fiksim kryeministrit Haradinaj nga numri i 100 zv. ministrave dhe nga rritja e pagave 100 %, apo pas vënjes simbolike të takses prej 10 %, ka marrë udhëzime nga dikush tjetër për të shkuar lartë në 100 %, si nxitje për alarm kombëtar dhe ndërkombëtar!?
Hipërbolizimi i taksës për produktet serbe nga 10 në 100 %, tregon se vërtetë ky është skenar i sofistikuar dhe maskaradë mashtruese për qytetarët e Kosovës. Kjo u dëshmua me ngazëllimin e popullatës shqiptare dhe viktimizimin e popullatës serbe në anën tjetër.
Mbase vetëm në këtë mënyrë u arrit nxitja e dy poleve të kundërta, e cila mund ta përshpejtojë realizimin e skenarëve serb për ndarjen e Kosovës.
Ndryshe, as që do të mendohej një reagim kaq i fuqishëm i shqiptarëve dhe serbëve njëkohësisht.
Në këtë lojë, e vetmja gjë që nuk u shkoj mirë pushtetarëve në Prishtinë ishte arrestimi i katër serbëve në veri, i cili në masë të madhe ua zhveshi maskat pushtetarëve aktualë.
Si ka mundësi që Policia e Kosovës, për vite të tëra nuk mundi të zbardhë asnjë nga shumë vrasjet e shqiptarëve në Kosovën e pasluftës, dhe për një kohë relativisht të shkurtër të identifikoj dhe arrestoj katër persona në një territor që nuk e menaxhon në plotëni!
Nga i vjen i gjithë ky përkushtim i Policisë së Kosovës për zbardhjen e vrasësve të një antishqiptari në veri të vendit, kur të njëjtën gjë nuk po arrinë dot ta bëjnë për vrasjen me mjet eksplodues në banesën e tij të Selver Haradinajt, të “Tre rrokaqiejt” në Mitrovicë, në orët e para pas mesnatës së ditës së dielë 8 prill 2012!

Vendim i drejt, por i vonuar dhe i dyshimtë

Asnjëherë deri më sot, institucionet e Republikës së Kosovës, gjegjësisht pushtetarët e pasluftës nuk u kujdesën për interesin e qytetarëve dhe as të krijojnë mjedis të favorshëm për zhvillimin e ekonomisë, gjegjësisht prodhuesve dhe bizneseve vendore.
Të gjithë iu gëzuam taksës (së vonuar) qeveritare prej 10 %, i pasuar në 100 % ndaj produkteve serbe që hyjnë në Kosovë, vendim ky i drejtë, por shumë vështirë i implementueshëm për shkak të shumë faktorëve; të varësisë së skajshme të “Qeverisë Haradinaj” nga Lista “Srpska”, të dominimit 100 % të tregut vendor nga produktet serbe, të operimit legal dhe ilegal të kompanive serbe dhe Rezolutës 1244 të KS të OKB-së e cila ia mundëson Serbisë çasjen e lirë në Kosovë!
Sikur Haradinaj ta kishte me gjithë mendje aplikimin e masave ndëshkuese kundër Serbisë, njëkohësisht do duhej pasuar me masat paralele ndëshkuese ndaj korporatave serbo-ruse që veprojnë në Kosovë, si; ETC (Ekonomski Trgovinski Centar), ELKOS, Devolli Group, Mabeteks Group, etj.
Drejtuesit e kompanive të sipërpërmendura në Kosovë, janë mafio-oligarkët ekonomik që ushqyen dhe vazhdojnë të ushqejnë mafio-politikanët në pushtet dhe opozitë.
Njëri prej tyre, ka financuar AAK-në dhe ushqyer Ramush Haradinajn, ka financuar PDK-në dhe ushqyer Hashim Thaçin dhe së fundmi financon LDK-në dhe ushqen Isa Mustafën me klanin e tij.
Një tjetër oligark i fuqishëm kishte financuar VV-në, sot e financon PSD-në dhe ushqen “mohikanin” e fundit, oligarkun e pangopshëm Shpend Ahmeti,…e kështu më radhë të gjitha partitë politike kosovare janë të lidhura me mafio-oligarkët ekonomik, përkatësisht me kompanitë pro-serbe e pro-ruse në Kosovë, që ushqejnë dhe vrajnë njëkohësiht qyetarët e vendit tonë.
Papritmas, në një momentum të papërshtatshëm politikë, pas 19 viteve vrasje e helmim të shqiptarëve, i bie ndërmend dikujt të ndërmerr masa ndëshkimore kundër produkteve serbe, dhe atë në emër mbrojtjes së shtetit dhe qytetarëve, në stilin e një patriotizmi të skajshëm primitivë.
Për të ardhur deri tek ky vendim i Qeverisë, ishte dashur një strategji e gjatë (2-3 vjeçare) vetëdijësimi dhe e krijimit të kushteve ekonomike për t’u përballuar me pasojat, e jo t’iu thuhet qytetarëve të varfër “hani edhe bar” e mos bleni produktet serbe.
Për shkak se Kosovës aktualisht i mungojnë pothuajse të gjitha kapacitetet dhe produktet vendore, filluar nga gruri, mishi, qumshti, etj
Vërtetë, nëse qytetarët e vendit, duan të bojkotojnë produktet serbe, paraprakisht duhet t’i kthehen punimit të tokave, bujqësisë dhe ekonomive familjare, për të ndjkeur më pas edhe shëmbullin e Sylejman Nezirit, pronar i “Plus Center” nga Ferizaji, i cili është shëmbulli dhe përgjigja më e mirë ndaj invazionit të mallrave dhe produkteve (të dyshimta) serbe, e jo të dëgjojnë maskaradat e pushtetarëve, që deri sot kanë favorizuar kompanitë dhe produktet serbe në Kosovë.
Në asnjë rrethanë, taksa ndëshkimore për produktet serbe nuk guxon të ndërlidhet me politikat ditore, për shkak se, për më tepër se kaq, kjo është çështje ekzistenciale dhe çështje fondamentale për shëndetin e qytetarëve.
Ngase, jeta e qytetarëve nuk është demarkacion për t’u “rishikuar”, e as përqindje për t’u vlerësuar, në është e ulët apo e lartë, për shkak se jetët e qytetarëve të vendit duhet të trajtohen njësoj, si për të pasurit, ashtu edhe për të varfërit.

Të dëshmohet prezenca e shtetit 100 % me veprime e jo më fjalë

Na mbetët të besojmë, se taksës së aplikuar ndaj produkteve serbe, t’i ketë paraprirë një strategji e mirëfilltë ekonomike shtetërore për t’u përballur me pasojat, në të kundërtën, imazhi i shtetit të Kosovës do të bie për tokë, ndërsa çmimin si gjithnjë do ta paguajnë qytetarët e varfër të këtij vendi, me rritje dhe ngritje të vazhdueshme të çmimeve, ndërsa politikanët do të vazhdojnë me avazin e vjetër të pasurimit të tyre nga kompanitë serbo-ruse të mafio-oligarkëve ekonomik.
Nëse vërtetë taksa 100 % është produkt i kryeministrit Haradinaj siq pretendon se është e tij, atëherë paralelisht taksës 100 %, do duhet të shpërbëjë shtetin paralel serb në brendi të Kosovës, përkatësisht në të gjitha komunat dhe fshatrat serbe, ku valojnë flamujt dhe mbisundojnë mbishkrimet në çirilicë të Republikës së Serbisë,…e jo të detyrohen ministrat e Kosovës të tërhiqen nga vizitat në ato komuna për “motive patriotike”!
Në kohën kur mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive shqiptare në Pejë, më pak se 10 km nga aty, ndodhet prezenca e shtetit serb në fshatin Gorozhdec me të gjitha elementet e shtetit të Serbisë.
Të lutem zoti kryeministër, përmbaju logos tuaj “Jam 100 % shtet”, në të kundërtën, masat e pjesshme janë shumë pak dhe të pamajftueshme për të bindur qytetarët e vendit për veprimet gjysmake të qeverisë që ju drejtoni.
Nga e gjithë kjo lojë e pistë politike, rezultati i taksës, 100 % mund të jetë maskaradë mashtruese për faljen e veriut e asgjë më shumë!