STANDARDET E DYFISHTA

Letër ambasadorëve (3)

STANDARDET E DYFISHTA

Problemet e brendshme në Kosovës janë të zgjidhshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së!…

 

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Seria e këtyre letrave publike është një bisedë e hapur me përfaqësuesit diplomatik në Kosovë. Me përfaqësuesit e vendeve mike, me ata që sponsorizuan lirinë tonë, me ata që shpenzuan shumë për Kosovën. Për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Me përfaqësuesit e vendeve aleate pa të cilët nuk erdhi liria, nuk ndërtohet e tashmja dhe as që mund të mendohet e ardhmja e Kosovës. As si shtet i stabilizuar për vete, as partneritet në BE, e aq më pak të përafrohet Kosova drejt konceptit amerikan dhe të integrohet edhe në strukturat Veri-Atlantike.

Të nderuar Ambasadorë, po ju shkruaj si aleat të Luftës në Kosovë. Fitorja e madhe nuk ishte arritur pa ndihmën e qeverive të vendeve tuaja, këtë e kanë theksuar sa e sa herë strukturat e organizuara të UÇK-së, vlerësim që shpreh tërë mirënjohjen e vazhdueshme për juve dhe vendet tuaja. As paqja dhe as demokracia e vendit tonë nuk mund të realizohet pa ndihmën e vendeve tuaja. Pra po ju drejtohem si miq shtëpie, jo sikurse flitet me Ambasadorët të cilët këtë mision diplomatik e ushtrojnë në vendet tjera, por po iu drejtohem si partner të paqes, zhvillimit dhe të demokracisë në Kosovë.

Kosova është një vend përplot halle, në një gjendje të rëndë, ndërsa përgjegjësitë nuk i pranon askush. Një urti jona popullore thotë se “Faji gjithmonë ka mbetur jetim”. Thuaja se në këtë gjendje po e shoh popullin dhe atdheun tim, me halle dhe derte të mëdha, pa ndihmën konkrete për të dal nga kjo krizë. Vërtetë popullit im është në përpjekje për të dal nga kjo krizë, ai pret ndihmën tuaj,  sepse kriza nuk ka ardhur krejt me fajin e tij, edhe pse strukturat udhëheqëse në të gjitha nivelet janë të involvuara në veprime kriminale dhe të zhytur në korrupsion të lartë. E gjithë kjo gjendje nuk ka mundur të vjen pa bashkëpunimin dhe pa përkrahjen edhe të përfaqësueseve ndërkombëtar, prandaj është kjo një thirrje publike, si rezultat i mungesës së vullnetit tuaj për t’i përkrahur përpjekjet e intelektualëve për ti realizuar mënyrat e veprimit, pasi rrugë janë gjetur. Pavarëisht rrethanave mundësitë janë të mëdha për ta ndryshuar Kosovën, mënyra është shumë e thjeshtë, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së, për ti implementuar veprimet. Vërtetë, Kosova s’ka nevojë për përkrahje deklarative, por elitës intelektuale i duhet veprimi juaj pragmatik, pa të cilin nuk do të ketë suksese asnjë iniciativë.

Standardet e dyfishta nuk i duhen Kosovës, veprimi pragmatik po, as veprimet deklarative sa për sy e faqe nuk i duhen Kosovës sepse ato veprime nuk i shërbejnë as misionit tuaj për të ngadhënjyer demokracia edhe në Kosovë, për të funksionuar sistemi i drejtësisë dhe sidomos marrja e përgjegjësisë për suksese dhe humbje në të gjitha nivelet shtetërore e politike.

Sot në Kosovë, veçmas tek elita politike, përgjegjësia për dështim dhe mossukses ka rënë në nivelin më të ulët, prandaj me shtetin tonë po udhëheqin banda të kriminalizuara të cilat në mënyrë klandestine dhe të dhunshme janë vendosur në udhëheqje shtetërore. Çuditërisht pikërisht këto grupe, qytetarët e rëndomtë po i shohin për çdo ditë bashkë me Juve, duke drekuar e duke u fotografuar, ku nuk mungojnë as deklaratat se do ta luftojmë krimin dhe korrupsionin, e në anën tjetër aferat e mëdha vazhdimisht po bëhen publike, kurse drejtësia në Kosovë nuk merr masa, por mungon vullneti Juaj për t’ua pamundësuar avazin kriminal këtyre grupeve të interesit, me korrupsion të lartë, që detyrimisht i ka devalvuar vlerat, në njërën anë, kurse në anën tjetër e kanë vrarë shpresën se do të bëhet mirë, si dhe vullnetin e qytetarëve për të jetuar në këtë vend.

Për të mos u sorollatur, kësaj radhe po i përmendim dy afera aktuale në të cilat janë të involvuar struktura të larat shtetërore e politike ndaj të cilëve po heshtë drejtësia dhe po heshtni edhe Ju zotërinj Ambasador dhe asgjë nuk po merrni për të dal nga kriza, duke kërkuar nga Gjykatat e Kosovës që ta respektojnë ligjin njësoj për të gjithë.

RASTI I PARË: “Kallëzim penal për 22 policë për dëbimin e shtetasve turq”, është një moment shumë i mirë për të treguar ndikimin tuaj, në mënyrë që Prokuroria Speciale e Kosovës të mos e kufizojë kallëzimin penal të Inspektoratit Policor të Kosovës, vetëm kundër 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët paskan qenë të përfshirë në këtë aferë që ka të bëjë me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, të cilët sipas kërkesës së autoriteteve turke, i patën arrestuar dhe ekstraduar në mënyrë mafioze për në Turqi. Këta gjashtë shtetas turq, tashmë janë të akuzuar se paskan qenë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gülen. Ky veprim i autoriteteve kosovare pat ngjallur edhe reagime të ashpra nga shtetet perëndimore, përfaqësues të të cilave jeni ju zotërinj Ambasadorë.

Vërtetë rasti ishte i pa precedent, veçmas kur dihet se zyrtar të tanishëm politik në Kosovë dikur kanë shfrytëzuar azilin politik në vendet tuaja. Të tjerë kanë punuar e jetuar pa u kthyer kurrë në atdheun e tyre, përkatësisht në Kosovë, kurse Evropa nuk i ka kthyer dhe as nuk i ka dëbuar. Janë këto arsye pse themi se po të kishte vepruar Evropa një soj me zyrtarët kosovar, demokracia dhe të drejtat e njeriut nuk do të zhvilloheshin deri në këtë shkallë. Ky veprim i zyrtarëve kosovarë, ishte njollë për Kosovën, për demokracinë dhe për tërë zinxhirin e saj komandues.

Tashmë siç u bë e ditur, para gjyqit do të dalin 22 policë, të cilët kanë zbatuar urdhrin komandues të një rrjeti më të lartë. Nëse drejtësia e bënë punën e vet të pavarur, sigurisht do të duhej ti intervistonte strukturat udhëheqjes në polici, në shërbimin e inteligjencës dhe të tjerët nëpër struktura të larta udhëheqëse e politike. Janë këto arsye pse kërkojmë publikisht nga Juve zotërinj Ambasadorë, për të bërë trysni para drejtësisë në mënyrë që zinxhiri komandues të dali përpara drejtësisë, pavarësisht funksionit politik e shtetërore që mund ta kenë persona të caktuar. Në të kundërtën edhe ky gjykim do të jetë farsë që nuk iu nderon as Juve, sidomos kur besohet se mandati juaj është shumë ë i fuqishëm dhe ndikues në administratat tuaja.

RASTI I DYTË: Ka të bëjë drejtpërdrejt me “FONDIN E TREPËRQINDËSHIT”, Në një seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është cituar të ketë thënë se Naser Osmani dhe ish-këshilltari i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, Atdhe Gashi, po akuzohen për shmangie nga tatimi dhe për shpërdorim prash, në rastin që njihet ndryshe si “FONDI I TREPËRQINDËSHIT”. Po ashtu thuhet se në këtë rast, akuzohet edhe ish-kryeministri Bukoshi, por procedura ndaj tij është veçuar, ndërsa nuk përmendet fare kratura kryesore e këtij Fondi, ish ministri i Ekonomisë dhe Financave z. Isa Mustafa, kundrejt të cilit, sikurse në rastin e Bujar Bukoshit, procedura ndaj tij është veçuar?!

Si duket, edhe ky gjykim është një farsë tjetër e cila bëhet vetëm për marketing politik, sepse për “Fondin e Trepërqindëshit”, duhet të japin llogari zyrtaret kryesor, Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi, e pastaj të gjithë personat e involvuar në të gjitha nivelet e organizimit, sepse nuk bëhet fjalë për disa qindra mijëra, por fjala është për miliona, për të cilat është shkruar e folur në këto 20 vitet e fundit. Një gjykim kaq selektiv është i destinuar për të dështuar, prandaj ju obligon edhe Juve të nderuar Ambasadorë për të reaguar, pasi veprimtaria e “Fondit të Trepërqindëshit”, ka të bëjë me zyrtar të lartë siç janë Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi të cilët kanë vepruar në vendet tuaja. Pastaj është edhe “Huaja Popullore”, një Fond tjetër që kryesisht ka vepruar në të zezë. Janë gazetat e kohës për të parë se si i kanë mashtruar  qytetarët duke i garantuar Isa Mustafa, se huaja do të kthehej, por ai nuk u morë kurrë me këtë çështje. Bile e ka zgjeruar veprimtarinë duke ua rregulluar mirëqenien fëmijëve dhe farefisit. Prandaj “Huaja Popullore”, është konsideruar mashtrim, në mesin e mashtrimeve të tjera, por drejtësia edhe tash nuk merret me udhëheqësit dhe përgjegjësit real por bënë zhurmë pa nevojë me hallkat periferike të sistemit.

Në vend se drejtësia kosovare bashkë me ndihmën e ndërkombëtarëve t’ua vinte prangat, dhe t’ua konfiskonte pasurin  e fituar kundërligjshëm, këtyre dhe familjarëve të tyre, ndodhi e kundërta. Bujar Bukoshin dhe Isa Mustafën, shoqëria demokratike e Kosovës, qe besa edhe me miratimin tuaj, i ka privilegjuar në poste udhëheqëse të larta, sigurisht për të prolonguar të gjitha proceset në të cilat ata kanë pasur ndikim. Befasia e gjithë kësaj ndodhi kur më 3 gusht 2019, u lejua Isa Mustafa të rizgjidhej kryetar i LDK-së. Edhe pse i gjithë procesi i brendshëm zgjedhor është zhvilluar me kundërthënie dhe në mënyrë tejet antidemokratike, le për të shpresuar se vizita e Ambasadorit Amerikan në selinë e LDK-së e cila ka ndodhur  më 05 gusht 2019, do të kishte qenë qortim a ledhatim i prolongimit të demokracisë.

Tashmë sipas të gjitha gjasave po shkon në zgjedhje, por ju sigurojë se nga ky brumë kaq kriminal, zgjedhjet e reja nuk do të prodhojnë një qeveri të suksesshme. Përkundrazi, vetëm po thellohet kriza, po riciklohet e keqja, kurse zyrtarët e tillë, si duket kanë marrë bekimin tuaj. Janë këto disa nga arsyet pse na shtyjnë të besojmë se problemet me të cilat po përballet Kosova janë të zgjidhshme dhe të kalueshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së, për ti aplikuar!…

Tashmë situata politike do të ndryshoj, andaj ju bëjmë thirrje  që të shfrytëzoni ndikimin tuaj dhe përmes qeverive të vendeve tuaja, largoni nga listat zgjedhore të gjithë ata individ të cilët kanë dështuar, ata që janë pjesë e krimit dhe kriminalitetit dhe sidomos ata që kanë dosje të hapura.

 

Vijon…

 

St. Gallen, 21 gusht 2019.

 

*Sh. Dibrani, është autor i 25 librave të cilët kryesisht i trajtojnë zhvillimet politike në Kosovë. Ai prej më shumë se tre dekadash jeton dhe vepron në Zvicër.

 

Ilustrimi është marrë nga interneti: James Gunn’s Firing Exposes Double Standards and Danger In Punishing …:https://www.google.com/search?q=Double+standard&source=lnms&tbm=isch&sa=X&ved=0ahUKEwi38dDbvJbkAhXry6YKHe8gBjMQ_AUIESgB&biw=895&bih=836#imgrc=_