Sot nuk ka apoteoza bustesh e liderësh, sot ka apoteozë jete njerëzore

rmirditaShkruan Reis Mirdita

Nisem nga mendësia disa ndjekësve të rrugës së një “Ishi”, një ISH që anët e të pa anët sot thirren në idolin e politikbërjes që në të shumtën e rasteve nuk është më në këtë botë se sikur të ishte pa asnjë dyshim do të rinte në kolltukun e diktatorit e më shumë byle se kaq.

  1. E dimë sot se nuk ndihmoi asgjë për të mbajtur një kurs politik duke u thirrur në envera, josipa, iliça e nuk di kusha të tjerë. As ndjekja qorras e me çdo arsyetim e rrugës së mbretit nuk çoi përpara ndonjë mbretëri. Çdo prijës që hapi rrugë të reja eci përpara; të tjerët u rrokullisën. Andaj, ndjekja e “rrugës” qoftë edhe e ndonjë ish udhëheqësi të suksesshëm nuk garanton asnjë lëvizshmëri pozitive gjeneratave vijuese. Përkundrazi, vetëm sa e thellon një shoqëri në krizën që i kanoset. Them krizë nga shkaku se kryesisht në këto gjendje drejt mjerimit ose së paku varfërimit ekonomik (e moral) shoqëror, individët që janë pjesë e tarafeve, rreken pas liderëve të shkuar apo tejkaluar nga gjendja faktike e së tashmes. Jeta pas një udhëheqësi nuk mund të mbartet nga e kaluara sikur që tentohej të bëhet (dhe bëhet akoma: Kore, Kubë…) në sistemet një anëshe. Paramendoni ndërrimin e pushtetit në SHBA: Sikur partia fituese të thirret në kundërshtarin ideopolitik; si do të thoshte Bush se po ndjek rrugën e Klinton-it që ishte njëri ndër Kryetarët më të suksesshëm të Shteteve të Bashkuara?!!! Absurd. Çdokush në krye të pushtetit duhet të ketë vizion, prakticizëm, dhe njohuri të rrethanave shoqërore në vend e në botë. Çdo i suksesshëm apo i dështuar paraprak, e ka vendin në sirtarin e historisë pa pasur nevojë të ndiqet apo të refuzohet.
  2. Në kohë kur Berisha ishte në kulm të pushtetit, lufta më e madhe e tij qe Enveri i ndjerë. Sikur ai i kundërvihej dhe ia pengonte rrugën e suksesit. Në vend të drejtoj shtetin drejt mirëqenies ai luftonte me një mulli të rrënuar dhe mbante gjallë odat shqiptare me muhabete të së kaluarës që po ia zënë rrugën sot! Të tjerët, si zakonisht në hapësirën tonë politike e sociale, armik kryesor e kishin Enverin dhe komunizmin. Mik i bënë “piramidat” e dreqëri të tjera që goja do ta çojnë “miletin” përpara. Enveri nuk kish pas ditur kurrgjë dhe me qëllim paskish lënë Shqipërinë të varfër në vend se të ngrinte edhe ai “piramida” çudibërëse. Po e ndal këtu se mos po fillon lufta e sulmi sikur qenkam enverist.
  3. Të dalim në anën “e kufirit të prishur”, aq të prishur sa që nuk guxon as patatet t’i kalosh andej a këndej! Këndej a andej, s’ka fort dallim si e quajmë një territor tonin Personalisht s’jam as i andejas as i këndejas gjeografikisht. Por t’i biem shqip, tash po i rrekemi problemit shkatërrues në Kosovë. Njëra nga partitë në pushtet gjegjësisht LDK, po luhatet në ëndrrat e rugovizmit apatik dhe vë në vështirësi tëre segmentin shoqëror. Papërgjegjësi e madhe e atyre që janë në pushtet dhe atyre që janë kundër pushtetit por që vinë nga e njëjta parti (LDK). Të thirret inteligjencia partiake në rugovizëm për t’ia rrënuar pushtetin bashkëpartiakut është përgjegjësi e madhe, krim politik partiak e më shumë. Të mos dallohet debati dhe betejat demokratike në parti nga beteja, shpesh meskine, për të rrëzuar nga pushteti që e mban partia është e njëjtë sikur të jesh në kampin kundërshtar. Sulmet e pështira si i gjejmë sot për pushtet në mes të anëtarëve të njëjtit subjekt, normalisht nuk ndodhin as në mes partive që ndajnë pushtetin me koalicion. PDK me LDK e çojnë më mirë, shumë më mirë, se ca intelektualë, dikur të radhëve të larta të partisë e pushtetit, por që endeshin me goja “rugovizëm” të vërtetë e që i morri lumi dhe ngelën margjinalë, sot po rimëkëmben si tellallë të përbetuar të Rugovës. Isa Mustafa betohet e përbetohet në Rugovë; ata që e zhagmisin gjithashtu, në mos më shumë po klithin “Rugovë” kurse Presidenti i ndjerë mundin që e dha ishte: Liri, Paqë Pavarësi, Durim. Koha e tij kishte kërkesa të tjera, sot kemi kërkesa dhe nevoja plotësisht të ndryshme nga ato të viteve të betejave me armiq. Sot, krejt thirren në Rugovë por ai ndërtoi diçka tjetër, diçka që e kërkonte koha. Ai nuk ndërtoi asnjë uzinë nga se nuk ishte as mundësia as interesi i parë për Kosovën.
  4. Sot, Mustafa e sidomos Thaçi, nuk kanë ça të krekosen me ndonjë të kaluar të tjerëve sa do që të jetë madhështore ajo. Sot Kosova nuk ka nevojë për rugovistë e as për Bustland…, “Sot”, do të thoshte Migjeni, “nuk ka apoteoza bustesh, sot ka apoteoza prodhimtarie, ngrëne…, jetë deçente”. Sot nuk ka nevojë përçarjesh duke u lavdëruar se kush është rugovist e kush jo. Sot edhe antirugovistat më të egër, kur s’dinë ç’të krijojnë për këtë popull e për këtë Kosovë, shkojnë e përkulen… Sot duhet betejë për lëdëkëistë që e donë Kosovën e lulëzuar dhe që e donë partinë e vet të bashkuar. Ideologjitë personale e kanë vendin jashtë partive se aty brenda kërkohet kohezion, respekt të hierarkisë së zgjedhur dhe shumë punë, punë me krenari, pa dredha!