Sot, në moshën 85 vjeçare vdiq dhe u varros intelektuali dhe atdhetari i denjë Beqir (Hazir) Lutfi nga Prekazi i Epërm

BEQIR LUTFIU – PREKAZI

(1936 – 2021)


Sot, në moshën 85 vjeçare vdiq dhe u varros intelektuali dhe atdhetari i denjë Beqir (Hazir) Lutfi nga Prekazi i Epërm.

Beqiri ishte intelektual i kohës, punëtor arsimi, atdhedashës i dëshmuar, i dënuar politik dhe i emigruar politik në Francë. Ishte njeri i qetë me urtinë e fjalës së tij të linte përshtypjen e një njeriu me zemër të madhe. Beqiri, fliste pak, dëgjonte me vëmendje, analizonte me shumë përpikëri situatën politike.
Beqiri, ishte gjithmonë optimist, ai fliste gjithmonë për fitoren e popullit tonë si të vetmen rrugë për zgjedhjen përfundimtare të çështjes shqiptare në Ballkan, liri dhe bashkim kombëtarë, si e vetmja zgjedhje e pashmangshme.
Beqiri, Ishte i dënuar me grupin e Adem Demaqit me 1960, në fakt, personalisht Adem Demaqi, kishte angazhuar Beqirin që të punonte me rininë për të përgatitur grupin e një kryengritje të mundshme të armatosur. Beqiri, kishte vuajtur 3 vite burg politik, më vonë kishte emigruar në Francë, ku kishte qëndruar 5 vite si i emigruar politik. Jeta e kishte përplasur Beqirin, si edhe të gjithë gjeneratën e tij atdhedashëse, një jetë me plotë vuajtje e peripeci. Ai, ishte përkrahës i pa kompromis i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai e donet më shumë së jetën lirinë e Kosovës.

Një gjë që do të më mbetet në kujtesën time përherë: Beqir Lutfiun, që nga rinia ime e hershme, kur edhe e kam kuptuar dhe respektuar, atë njeri, as edhe një herë të vetme nuk e kam dëgjuar, që të fliste keq për dikë, kundër dikujt, as të stiste, as të urrente, as të smirëzonte, as të fliste prapa shpinës për të tjerët. Beqiri gjërat t’i thoshte nder sy dhe troç e shqip. Ai ishte gjithmonë serioz, nuk i trembej syri nga pushtuesi dhe nuk zmbrapsej kurrë nga qëllimi ynë kombëtarë. Ai kurrë nuk u ankua nga hallet e kësaj jete, mbi të gjitha, ai gjithmonë thoshte: ne do të fitojmë dhe liria jone kombëtare është e pashmangshme, asnjë herë në jetë Beqir Lutfiun nuk e ke parë të jetë pesimist- përjetë i paharruar kujtimi për Beqirin tonë të urtë! 17-07-2021

Mehmet Bislimi