Skica nga jeta

NEBI DRAGOTI

KATËR TREGIME

  1. LULET

Lule vjeshte të freskëta: të verdha, të kuqe, bojë qielli të hapur i mbante në dorë. I kishte kaluar koha për martesë, sepse edhe vetë nuk e kishte dashur jetën bashkëshortore. Mirëpo jeta nuk ngryset vetëm. Vjen një ditë e pendohesh, kur është edhe tepër vonë për t’u penduar. – Vallë për kë i ka këto lule?- pyeti Vera, një komshie. Kish pasë një të dashur me të cilin nuk kishte dashur të ekspozohej. Ne prisnim që të martohej me të. Jo, jo kjo nuk ndodhi. E ndiqnim me sy, kur ajo u kthye tek porta e varrezëve. – Ohoo,- u shfry Vera. Ish i dashuri, nga një goditje infrakti në zemër vdiq. Me siguri, lulet e njoma në shenjë kujtimi për dashurinë e pakurorëzuar në martesë, vete dhe ia lë tek varri. Do të vyshken lulet edhe bashkë me lotët do të thahen.

 

2-KAPELJA

Shitësi të hedh syrin nga këmbët gjer tek koka. Sipas kësaj mënyre të mat mirë e mirë e të thotë çmimin. Qëndroja në këmbë. Dëgjoja bisedën me paraklientin tim. Një tjetri, për të njëjtin mall, ia dha me çmim më të ulët. Kur më erdhi radha mua, iu drejtova: – E lëviske keq çmimin , zotëri! M’u përgjigj:- Simbas kokës unë i vë kapelen.- Bukur, bukur ndodh kjo, kur shtetit duhet t’i vësh kapelen, se kokën e ka të zbuluar…- Ëhëë,- u largova pa psonisur gjë tek tregtari duke i thënë:- Zotëri, zotëri, besa, unë kapelen e kam blerë vetë qyshkur…

 

3-MIKROBI

M’u ngjit mikrobi, sigurisht, një djalosh me ngjyrë, duke më dalur përpara. E pyeta në punonte dhe ku. –Jo, jo nuk punoj, se jam operuar dhe më tregoi nën sqetull mjekimin me një fashë e plastmas. –Nuk është mjekim profesionisti,- i thashë. – E mjekoj vetë,- më tha. – Drejtohu për mjekim në spital,-i sugjerova. Nuk kishte ç’t’më thoshte. Vazhdoi:- Jam jetim. Kam ngelur vetëm. Babai ka dy vjet që më ka vdekur. Nëna më ka vdekur tani. Një kalimtar e njihte e filloi të qeshte…E kuptova. – Nuk kalohet jeta me të lypur. Paske shumë plagë. Vetëshërohu dhe puno të gëzosh jetën. U ndava me lypsin, mikrobin e vetvetes.

 

4-EUFORIKU

Gjithë solemnitet prej tangërlliku. Ra në qejf me veten. Nuk e di ngaiI erdhi. –Që të shkruash poezi, duhet të kesh b…, – u shpreh dhe unë u habita. Unë ia kasha lexuar krijimet. M’u lut që t’i bëja dhe një shkrim. E quante veten mbi të tjerët. –Ke rënë në eufori, mik, – iu drejtova. Fliste për veten, mburrej sa s’ka, se ishte poet kalibri. Në fakt, nuk ishte kështu. Bënte ç’është e mundur me shoqëri të sëmurë të fitonte ndonjë çmim në ndonjë konkurs. Euforike dhe juria, me nivel jo të aftë për të qënë juri. Kështu ngrihen këto juritë. Sëmundje e kohës kjo… përballë krijuesit mediokër dhe nën nivelin e vlerës mezatare.

Shtator, 2017.