Skënder Kapiti ka zbritur në tokën shqiptare idetë e filozofëve më të mëdhenj

Fatmir MinguliNga Fatmir Minguli

Kur merr në dorë librin e Skënder Kapitit, “NJERIU FILOZOF, ETIK E POLITIK & MORALMATERIALIZMI” duke e lexuar, të lindin mendime nga më të ndryshmet. Tema e veçantë, e patrajtuar ndonjëherë në këtë formë, të tërheq me mendimet e sakta dhe të bazuara shkencërisht të autorit.

Trajtimi i filozofisë, duke bashkërnditur mendjet e filozofëve më të spikatur të gjithë kohërave, me problemet e sotme që kalon populli shqiptar, nga autori është bërë me mjeshtri. Skënder Kapiti na sjell, kështu, format e kuvendimit me popullin që bënin filozofët grekë e romakë. E thënë ndryshe, Skënder Kapiti ka zbritur në tokën shqiptare, idetë e filozofëve dhe ua ka dhënë njerëzve, poshtë në tokë. Ai i largohet metodës së dështuar“ex catedra” dhe na argumenton parimet themelore të një njeriu  bashkëkohor, intelektual apo jo.

Mënyrat praktike të shtjellimit të problemeve që dalin në zhvillimin intensiv të jetës, Skënder  Kapiti i ndërthur me problemet e filozofisë, duke na dhënë portretet e njeriut etik, politik dhe filozof. E mbi të gjitha  këto, spikat vetia më e rëndësishme për njeriun e vërtetë: personaliteti.

Nëpërmjet interferimit të teorive filozofike me shtjellimet e librave të shenjtë, Biblën dhe Kuranin, autori na jep ese të mrekullueshme ku çdo njeri do gjejë veten e tij. Pikërisht ky interferim e bën librin me ese filozofike të kuptueshëm dhe të pëlqyeshëm. Shfrytëzimi i një literature të përzgjedhur e ka çuar autorin Skënder Kapiti në realizimin serioz të një libri, që them me plot gojën, tjetërlloj.

          Nga Fatmir MINGULI

Eseist dhe kritik letrar, Durrës