“Simitet” e Diasporës, të bashkuar rreth Ramës e Thaçit!

Shkruan: Florim Zeqa
Maskarada mashtruese apo i ashtuquajturi “Samit i Diasporës”, i organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i mbajtur nga datat 18-20 nëntor 2016, është njëra nga lojërat plot hipokrizi të pushtetarëve në Tiranë dhe Prishtinë në raport me mërgatën tonë. I ashtuquajturi “Samit i Diasporës” i paraparë të mbahej në muajin Mars të këtij viti, u mbajt tetë muaj me vonesë nën moton “Të gjithë për Shqipërinë”, të kësaj logoje të maskaradës mashtruese dhe nënçmuese njëkohësisht, kur dihet fakti se mërgata shqiptare asnjëherë në historinë e saj të gjatë nuk ka qenë më e injoruar, anashkaluar dhe abuzuar sikurse të ketë qenë në këtë dekadën e fundit nga dy qeveritë e shteteve shqiptare. Në dekadën e fundit, diaspora shqiptare, nga qeveria e Tiranës dhe Prishtinës u përdor dhe u bë pjesë e agjendave politike vetëm në raste krizash politike, duke u përdorur si dekor festimesh dhe për dekorim të ndonjë sekseri të tyre në Diasporë, gjoja për punën dhe veprimtarinë atdhetare. Zyrtar të lartë shtetërorë nga Kosova dhe Shqipëria, ministra dhe ambasadorë gjatë vizitave mërgatës sonë, takojnë vetëm individët dhe grupacione të afërta me ta, duke asistuar në hapjen e ndonjë shkolle të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, ndonjë aktiviteti të vockël kulturor, sa për të “mbajtur” lidhjet me sekserët e tyre, të cilëve ua hedhin nga një ashtë të fëlliqur në emër të financimit të ndonjë aktiviteti,…duke injoruar dhe anashkaluar shoqata dhe organizime të mirëfillta, duke injoruar në tërësi trurin e kombit shqiptar në Diasporë.
Krekosjet e krerëve shtetërorë
Me shfrytëzimi i disa mjeranëve, sahanlëpirësve të pushtetit, më tepër kanë krijuar ndasi dhe përçarje, saqë shumica e mërgimtarëve ndihen të anashkaluar dhe injoruar nga shtetet e tyre. Krekosjet e krerëve shtetërorë dhe shtirrja e tyre, se gjoja po e ndihmojnë diasporën në ruajtjen e identitetit kombëtar, janë hipokrizi e kulluar. Mjafton të përcjellësh me vëmendje fjalimet e tyre në “Samitin e Diasporës”, për të kuptuar deri në fund marrëzinë e tyre. Fillimisht në hapjen e këtij “Samiti”, kryeministri shqiptar, Edi Rama e tregoi joseriozitetin e tij ndaj këtij tubimi të zgjeruar me klientalat e tij në Shqipëri, Kosovë dhe Diasporë, duke treguar se ideja e mbajtjes së këtij Samiti të Diasporës në Tiranë, ishte një ide e bashkëshortes së tij,…se mori propozimin nga bashkëshortja, pas takimeve të shumta të zhvilluar në Nju Jork në 2015-ën, me shqiptarë të diasporës,…”ndonjëherë pëlqej mendimet e saj para të miave” kishte nënvizuar kryeministri shqiptar duke u tallur me “s(a)imitat e shumtë në sallën e madhe në “Pallatin e Brigadave”, i mbushur përplot ideolog dhe ithtar të nomenklaturës komuniste nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Ilirida dhe Diaspora. Mbase mjafton vetëm thënia e mëposhtme e kryeministrit shqiptar, për të kuptuar prapaskenat politike; “Pa diasporën Shqipëria është më e cunguar se një territori copëtuar në mijëra pjesë”. Kryeministri shqiptar po harron se Shqipëria nuk bëhet me “simite të tharbur” nga Diaspora, por me krijimin e kushteve të volitshme për kthimin në vendlindje të trurit kombëtar, krijimin e sigurisë për investime në vendin e tyre, me luftimin e korrupsionit dhe heqjen e haraçit qeveritar ndaj investitorëve shqiptar të mërgatës sonë.
Mashtrimet e Thaçit
Akoma më i qartë dhe naiv në mashtrimet e tij u tregua presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndër të tjera u shpreh: ”Ne kemi obligim si shtete që të kontribuojmë në ruajtjen e identitetit kombëtar të diasporës dhe t’i shtrijmë atyre dorën. Diaspora duhet të jetë më shumë e shtrirë në jetën institucionale të Kosovës. Prandaj në këtë frymë në kuadër të punës për reformën zgjedhore do të trajtojmë edhe mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës për të përcaktuar një numër të vendeve të rezervuara për diasporën në Parlamentin e Kosovës. Është ky i njëjti person, si ish-kryeministër i Kosovës, që injoroi mërgatën në të gjitha proceset e vendimmarrjes në Kosovë përgjatë tetë viteve të qeverisjes së tij, duke filluar; nga mohimi i të drejtës në votim, pjesëmarrjes në parlament, qeveri e deri tek kufizimi i të drejtave për investime në vendlindje, me vënien e proceduarave burokratike e deri tek haraçi i organizuar në realizimin e të drejtave të garantuara me ligj për nxjerrjen e rregullt të dokumenteve të udhëtimit, lejeve të ndërtimit, etj. Sa i dhimbshëm, po aq i pashpjegueshëm mbetet fakti i pjesëmarrjes në këtë “samit” i disa figurave të shquara të mërgatës sonë, që hiqen si mbështetës të filozofisë rugoviane, demokratë me orientim euro-perëndimor, që në prapaskenë shajnë e hedhin vrerë mbi figurën e Edi Ramës Hashim Thaçit,…përderisa në hollin ku mbahej ky aktivitet vraponin pas tyre për marrjen e ndonjë “selfije” (fotoje) për facebook! Si i lejuan vetës, që me pavetëdijen e tyre të bien aq lehtë në grackën e Ramës dhe Thaçit. Pas veprimeve të tilla skandaloze, përulja e tyre nesër para varrit të presidentit historik të Kosovës, nga rugovistët më tepër do të kuptohet si lëpirje e mermerit mbi varrin e tij, e jo si nderim i sinqertë. Mirëpo, për fatin e mirë, në grackën e Ramës e Thaçit nuk ra presidenti i shtetit shqiptar, zoti Bujar Nishani dhe shumë figura të shquara të politikës shqiptare, përfshirë veprimtar të shumë nga diaspora dhe trojet etnike shqiptare. Në fund, më mbetet t’i sqaroj lexuesit për titullin e shkrimit, që pjesëmarrësit nga mërgata në këtë samit i quajta “simite”, pasi nuk mund të jenë ndryshe po si një gatesë e përgatitur nga Rama e Thaçi. Se për çfarë “simitesh” bëhet fjalë, i mbetet lexuesit t’ua japë vlerësimin pjesëmarrësve të kësaj maskarade mashtruese, e të mos flasim për koston e lartë financiare të akomodimit të rreth 800 pjesëmarrësve në këtë aktivitet treditor,…të cilën do ta paguajnë tatimpaguesit e varfër shqiptarë.