Si të pastrohet ambienti i inkriminuar politik!?

Shkruan: Florim Zeqa 23.08.2020

Si të pastrohet ambienti i inkriminuar politik!?

Shkaku i ambientit të inkriminuar politik në Shqipëri dhe Kosovë, ne shqiptarët nuk e kemi më mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare siq e kishim në periudhën e qeverisjeve demokratike, duke e humbur kështu rastin historik që të bëhemi faktor vendimarrës në Gadishullin Ballkanik (Ilirik). Vetëm lirimi nga psikologjia e robit dhe mentaliteti i skllavit do t’i barazoj shqiptarët me popujt e botës së civilizuar të botës demokratike.

Përgjegjësia kolektive e dështimit politik

Pa dyshim, se fajin kryesor për sundimin 20 vjeçar të kësaj klase të papërgjegjshme politike e mbanë popullata e cila i mbështeti dhe votoi në shtatë palë zgjedhje nacionale e po aq të tjera lokale.
Prandaj, pjesëmarrës në dështimin e ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit është popullata e Kosovës që e mbajti në pushtet një klasë politike pa i sjellur asnjë të mirë vendit.
Kjo klasë e papërgjegjshme politike nuk është se ka pikur nga qielli, por është produkt i kësaj shoqërie njerëzore, e kësaj popullate që ua dha besimin nga një palë zgjedhje në tjetrën.
Mbase është momenti i fundit për meditim, reflektim, vetëdijësim dhe ndërgjegjësim qytetarë, është koha per besim e dashuri vëllazërore, për unifikimin e forcave progresive për çlirimin e shpirtërave të robëruar nga mashtruesit e intrigantët, demagoget dhe diktatorët e veshur nën petkun e reformatorëve të demokracisë.

Zgjimi i popullatës, shpëtim për vendin

Ka ardhur koha e zgjimit kombëtar, e zgjimit të popullatës nga agonia e pritjes së gjatë 20 vjeçare. Është momenti i fundit t’i ndalet hovi uzurpuesve të institucioneve të shtetit, pseudopatriotëve, matrapazëve, bosëve të krimit të organizuar në pushtet dhe opozitë kudo qofshin ata, që për realizimin e interesave të tyre personale e kanë vënë në pikëpyetje fatin e shtetit dhe të ardhmen e qytetarëve.
Kjo klasë kusarësh politik duke i vënë interesat personale dhe klanore mbi interesat e popullit, duke u vetëpasuruar, i varfëruan qytetarët e vendit, e penguan zhvillimin ekonomik, shëndetësor dhe edukativo arsimor, i kthyen institucionet e shtetit në shërbim të tyre dhe kundër interesave të përgjithshme shoqërore.
Mbajtja e sistemit të drejtësisë nën tutelën e pushtetarëve, ka bërë që të rritet
pabarazia e qytetarëve para ligjit. Shfrytëzimi i ligjit për të zhvilluar “luftë klasash” ka shkaktuar përçarjen më të madhe të shqiptarëve në qindvjetëshin e fundit.
Punësimet familjare nëpër institucione shtetërore kanë shkaktuar pakënaqësi të thella sociale, si pasojë e të cilave e kemi braktisjen e Kosovës nga të rinjët dhe gjitha shtresat e popullsisë,…largimi i intelektualëve dhe kuadrove profesionale e ka kthyer Kosovën në një vend të shkretë e të pashpresë.
Përhapja e kulturave të huaja në 20 vjetëshin e fundit na ka sjellë edhe në krizë të identitetit kombëtar. Tjetërsimi i vlerava të pastra kulturore dhe kombëtare në ato të vendeve arabo-aziatike, trafikimi i narkotikëve dhe prostitcionit nga vendet e ndryshme evropiane e ka kthyer Kosovën në oazë të krimit të organizuar.
E vetmja shpresë për ta çliruar shtetin nga uzurpatorët, kusarët politik dhe bandat partiake është zgjimi i popullit nga agonia e gjatë e pritjes dhe aktivizimi i menjëhershëm i elitës intelektuale si në Kosovë ashtu edhe në mërgatën tonë.

Formimi i partive të reja me figura të vjetra e të ricikluara, e pengon ndryshimin pozitiv më venfin tonë.

Sikurse që janë të konsumuara të gjitha partitë politike dhe liderët e tyre, edhe formimi i partive të reja me figura të vjetra dhe ricikluara politike do të bëhet pengesë serioze e ndryshimit pozitiv.
Të gjitha partitë politike pa dallim, e dëshmuan veten në qeverisjen e vendit dhe i kanë “meritat” e përbashkëta që e sjellën popullin në këtë gjendje të pashpresë ku është sot.
Si të tilla çfarë janë, asnjëra nga partitë politike nuk paraqesin shpresë për ndryshim. Nuk mund të paraqet shpresë për ndryshim një subjekt politik me figura të ricikluara dhe të dështuara politike, nuk mund ta ç’kap shtetin një subjekt, që brenda vetes ka multimilionerë të paligjshëm dhe uzurpatorë të pronave publike dhe shtetërore.
Nuk mund t’i sjellë vendit ndryshimin një politikan (e) që ka bashkëpunuar deri dje me liderët e korruptuar politik, që sa herë ka përfituar privilegje prej tyre u ka rënë në përqafim, ndërsa në momentin që i humbë ato i quan të lider të korruptuar dhe inkriminuar politik.
Intelektualët e vërtetë duhet të marrin rolin e opozitarizmit ndaj antivlerave, ndaj shërbëtorëve të pushteteve të korruptuara.
Intelektualët e vërtetë nuk guxojnë të heshtin përballë sfidave të kohës nëpër të cilën po kalojmë, por duhet gjetur rrugë dhe mënyra të reja të organizimit jashtë koncepteve dhe ideologjive partiake ekzistuese, për të krijuar një organizim të mirëfillt të shoqërisë sonë konformë rrethanave të reja kohore dhe në funksion të unifikimit dhe bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një front të përbashkët, për të mbrojtur Republikën e Kosovës nga ndarja si dhe mbrojtjen e shoqërisë nga degjenerimi i antivlerave dhe kulturave të huaja të instaluara në hapësirat ku jetojnë shqiptarët.
Vetëm një klasë e re politike, një frymë e pastër kombëtare, e udhëhequr nga intelektualë të nivelit të lartë, analistë dhe gazetarë të guximshëm, veprimtarë dhe aktivistë të devotshëm të çështjes kombëtare mund ta nxjerrë vendin nga humnera e klasës së papërgjegjshme politike.
Vetëm një fillim i ri, një organizim i ri me një platformë të qartë qeverisëse bazuar në zhvillimin ekonomik, barazi ligjore dhe mbrojtje të interesave të qytetarëve, do ta nxjerrë shtetin nga kthetrat e uzurpatorëve dhe ta shpëtojë vendin nga katandisja e mëtutjeshme.

Vetëm dalja në skenë e një alternative të re politike, do të mund ta kthejë shpresën e qytetarëve për jetë në këtë vend. Është domosdoshmëri e kohës që kjo të ndodhë sa më parë, në mënyrë që kasta aktuale politike të largohet nga skena dhe në vend të saj të vie një klasë e re politike e pakorruptuar nga brenda dhe e pashantazhuar nga forcat e jashtme që sot e kontrollojnë rendin politik botëror.