Si nuk u tkurr ky Kuvendi i Shqipërisë?!

Prof.dr. Eshref Ymeri

Si nuk u tkurr ky Kuvendi i Shqipërisë?!

Gjatë këtyre tetë vjetëve të fundit, popullsia e vendit tonë është pakësuar ndjeshëm nga largimi i disa qindra mijë njerëzve drejt vendeve të huaja, për t’i shpëtuar lakut të varfërisë. Kjo tkurrje e popullsisë a nuk duhej pasqyruar edhe në tkurrjen e Kuvendit, me shkurtimin  e numrit të deputetëve?

Në një informacion të Institutit të Statistikave thuhet:

“Në 1 Janar 2021 popullsia e Shqipërisë rezulton 2,83  milionë banorë dhe krahasuar me vitin 2011 është ulur me 2,7 %”.

Në këtë informacion nuk thuhet se këta 2,83 milionë banorë, në këtë datë, ishin të pranishëm fizikisht në Shqipëri, apo ishin të pranishëm vetëm në zyrat e gjendjes civile. Me siguri që ata duhet të kenë qenë të pranishëm vetëm në zyrat në fjalë, prandaj numri i popullsisë duhet të jetë pakësuar në mënyrë të ndjeshme. Atëherë lind pyetja: po si ka mundësi që numri i deputetëve vazhdon të mbetet i pandryshuar, duke e shtuar barrën e taksave mbi ata banorë që janë të pranishëm fizikisht brenda vendit?

Dy vjet e gjysmë më parë, Rama ishte i ftuar në programin televiziv TG2 të RaiDue në Itali. Analisti i njohur Alberto Negri i tha se nga vendi janë larguar 500 mijë njerëz, duke i theksuar posaçërisht:

“Nëse njerëzit emigrojnë, do të thotë se aty gjërat nuk janë mirë” (Citohet sipas: “Gazetari italian “gozhdon” Ramën: Ju jeni establishment, ish-ministri në trafik droge”. Faqja e internetit “Syri.net”. 28 shkurt 2019).

Po deri tani, dy vjet e gjysmë më pas, sa ka arritur numri i njerëzve që kanë braktisur vendin? Kanë qarkulluar të dhëna se ai numër ka arritur deri në 600 mijë. Në një lajm që u transmetua ca muaj më parë, thuhej:

            “Më shumë vdekje se lindje. Shqipëria po zvogëlohet dhe po plaket, duhet ndërhyrja urgjente” (Kanali televiziv “Top Channel”.  14 maj 2021).

Siç bëhet e ditur në faqet e internetit, Izraeli, sipas të dhënave të këtij viti, ka një popullsi prej më shumë se 9 milionë banorë (9 395 260) dhe parlamenti i tij (Knesseti) përbëhet prej 120 deputetësh, kurse Republika e Shqipërisë, me 2, 83 milionë banorë, që figurojnë vetëm në letrat e gjendjes civile, ka 140 deputetë!

Klasa politike e Tiranës s’e ka vrarë kurrë mendjen për shkurtimin e numrit të deputetëve, jo pak prej të cilëve janë thjesht parazitë në Kuvend. Kurse inteligjencia shqiptare dhe shoqëria civile janë thjesht mumje mbi tokë.

Dje, më 02 shtator, Rama e njohu opinionin publik me përbërjen e kabinetit të ri qeveritar. Duket e pabesueshme, por është realitet: 15 ministri me 15 ministra në krye, në një vend me aq banorë sa u përmendën më lart. I duhen Ramës kaq shumë ministra, për ta ndier veten sa më autoritar në krye të tyre. Një dukuri paradoksale po ndodh në Shqipëri nën pushtetin e Ramës: sa më shumë e shpopullon vendin, sa më shumë ua shtrëngon njerëzve të thjeshtë lakun e varfërisë, aq më shumë atij i ndizen epshet për pushtet, epshe këto që janë mjaft karakteristike për një njeri me komplekse të theksuara inferioriteti.

Duke pasur parasysh një njeri me një formim të tillë psikologjik, shkrimtari dhe përkthyesi japonez Haruki Murakami (1949) thotë:

“Psikikën e tij e mban përherë të goxhduar gjendja mes kompleksit të inferioritetit dhe vetëdijes për superioritet personal”.

Las Vegas, Nevada

03 shtator 2021