Si funksionojnë politika dhe shteti shqiptar sot, pas 104 vitesh Pavarësi

Nga Skënder  S.  KAPITI

Artikulli i këtij shkrimi ka të bëjë me atë se si funksionon politika dhe shteti shqiptar sot, i drejtuar dhe i qeverisur nga kjo politika dhe këta politikanët e sotëm; ka të bëjë me realitetin e sotëm pasi Pavarësia dhe Formimi i Shtetit Shqiptar me 28 Nëntor 1912  janë vepër dhe rezultat i kontributit, gjakut dhe i sakrificave të brezave të së shkuarës.  

Kremtimi i Ditës së Pavarësisë bëhet cdo vit me madhështi  nga të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen si ngjarja më e madhe festive dhe më e rëndësishme historiko-kombëtare e popullit tonë dhe në kujtim, respekt, nderim dhe në mirënjohje të thellë të atyre brezave, të  heronjve dhe burrave të vërtetë dhe patriotë të Kombit që mundësuan dhe realizuan Pavarësinë e Shqipërisë. Kombet janë dhe bëhen të lavdishëm kur ai komb nxjerr burra shteti dhe heronj të mëdhenj të cilët bëjnë historinë duke iu përkushtuar kombit dhe  atdheut.

Detyra jonë sot dhe në vazhdimësi është që ta ruajmë, ta lartësojmë dhe ta pasurojmë me punë dhe me vepra të mira sot dhe në të ardhmen trashëgiminë tonë të vyer kombëtare dhe idealet e sakrificat e popullit tonë, të  bijve e heronjve  të mëdhenj të këtij kombi, dhe ta realizojmë Bashkimin Kombëtar.

Ky shkrim i shkurtër ka të bëjë dhe trajton shkurtimisht duke iu referuar realitetit të sotëm në atë se çfarë realisht bën dhe realizon për Shtetin, për kombin, për të mirën publike të përgjithshme dhe për integrimin europian sot politika dhe shteti shqiptar i qeverisur prej kësaj politike dhe prej këtyre farë “burrave” të sotëm të shtetit, prej këtyre politikanëve dhe pushtetarëve të sotëm, si të atyre të Shqipërisë por edhe të Kosovës.

Sovraniteti kombëtar konsiston në atë se si funksionon sot në epokën moderne shteti dhe shoqëria; konsiston në progresin e pandërprerë dhe  të konsolidimit të lirisë, ekonomisë, punësimit, sigurisë, paqes dhe mirëqënies sociale, të mirëqeverisjes, të sundimit të ligjit dhe të ndërtimit të shtetit ligjor si dhe të integrimit të Shqipërisë në BE.

Në Shqipëri: politika, udhëheqësia apo paria e saj si të duash t’i quajmë ato, akoma deri me sot nuk kanë ndërtuar një Shtet modern e ligjor, të emancipuar demokratikisht me standarte moderne shtetformuese dhe me mirëqënie; nuk kanë ndërtuar një shtet ku shqiptarët të realizojnë sovranitetin dhe potencialin e personalitetin e tyre: talentin, dhuntinë, aftësinë dhe sigurinë, perspektivën dhe shpresën e tyre, por akoma edhe sot pas 104 vitesh shtet sovran dhe të pavarur, ata emigrojnë dhe largohen nga atdheu për një jetë me të sigurtë, më të mirë, më të lumtur dhe më të begatë.

Ky është një realitet tashmë sa i prekshëm aq edhe dhe i njohur dhe i pranuar nga opinioni i brëndshëm shqiptar i cili vuan pasojat e kësaj gjëndjeje të këtij realitetit të krijuar nga politika shqiptare.

Këtë realitet nuk e njeh, apo mundohet ta fshehë dhe ta maskojë gjithmonë vetëm politika dhe sidomos, dhe kryesisht politika që qeveris shtetin dhe shoqërinë shqiptare, madje përpjekjen më të madhe ajo e bën për ta mashtruar sidomos opinionin ndërkombëtar, diplomacinë e vëndeve antare të BE-së ku synojmë të antarësohemi, pasi vetëm atyre, pra demokracive perendimore, politika shqiptare gjithnjë ua ka frikën; se sa për shoqërinë shqiptare apatike, të paralizuar dhe të  përgjumur nga letargjia e mosreagimit, e durimit dhe e korrupsionit, kjo politikë sundon pa u shqetësuar dhe pa u trëmbur fare se mund të ndëshkohet nga vota e popullit dhe po ashtu edhe as nga ndëshkimi ligjor, nga drejtësia.

Por, këtë realitet tashmë e njeh edhe Europa, dhe se sa e vertetë është kjo mjafton që t’i lexojmë ato 7 kushtet të cilat i ka vënë Gjermania qeverisë dhe shtetit shqiptar që t’i përmbushë ato, në mënyrë që Shqipërisë t’i hapen negociatat për Antarësimin e saj për në BE. Z. Gunther Krichbaum, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Europën në Bundenstangun gjerman dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë së  Znj. Merkel, Kancelares se Shtetit Gjerman, prezantoi në Tiranë me 24 Nëntor 2016 , 4 ditë para Ditës dhe Festës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, shtatë kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria në mënyrë që të hapen negociatat për Antarësmin e saj për në BE.

Këto shtatë kushte tregojnë se politika shqiptare në tërësinë e saj, por së pari qeveria aktuale shqiptare kanë dështuar totalisht si politikë dhe në qeverisje, dhe në një realitet të tillë ato, si politika ashtu edhe qeverisja, duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të ndëshkohen nga vota popullore në zgjedhjet e vitit 2017, por edhe nga ligji dhe drejtësia, pasi kanë dështuar në të gjitha reformat dhe me premtimet e tyre  sot si dhe gjatë tërë kësaj periudhe tranzicioni, por edhe të ndëshkohen penalisht për abuzimin me ligjet, vjedhjen dhe me korrupsionin që kanë bërë politikanët, ministrat, gjyqtarët dhe administratorët e shtetit gjatë këtyre 25 viteve të tranzicionit.

Dhe jo më me retorika zhurmuese e reklamuese  dhe me llafollogjizma mashtruese dhe të bajatshme sepse nuk ecet më me to, pasi Europa sot aktualisht kërkon rezultate konkrete si këto 7 kushtet që paraqiti Z. G. Krichbaum: Reformimin e Administratës Publike, pasi nuk ka prova dhe fakte që vertetojnë se në Administratën shtetërore zbatohen ligjet e miratuara; nuk ka tregues që vertetojnë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër drogës madje ka hapa prapa; ka shkelje të rënda në fushën e të drejtave të njeriut dhe sidomos në çështjen kyçe, në atë të pronës; nuk ka zbatueshmëri për Reformën në Drejtësi dhe as forcim të profesionalizmit dhe të integritetit të Drejtësisë; akoma nuk ka në Shqipëri një reformë zgjedhore të mirëfilltë por as  edhe  zbatueshmëri të asaj egzistuese në mënyrë që t’i jepet fund manipulimit të votës dhe të shitblerjes së saj; nuk ka shenja të zbatimit të Ligjit të Dekriminalizimit të Politikës shqiptare: të Parlamentit, të Institucioneve qëndrore dhe vendore dhe të administratës qëndrore.

Sikur të mos mjaftojnë vetëm këto, janë prezent në mënyrë të përhershme edhe plagët e tjera shumë të rënda socio-ekonomike si varfëria, papunësia, problematikat me arsimin, shëndetësinë, strehimin dhe me eksodin e popullsisë drej BE-së.

A nuk përbën dështim të madh edhe për politikën aktuale shqiptare fakti se Shqipëria sot klasifikohet si vëndi i parë në Europë për kultivimin dhe trafikimin e drogës; si vëndi më i varfër, më i korruptuari dhe me papunësinë më të lartë në Europë; si vëndi kampion për moszbatim dhe mosfunksionim të ligjit dhe të shtetit ligjor.

Sipas  Organizatës Ndërkombëtare të Punës, rinia shqiptare renditet e para në Botë e cila kërkon të largohet dhe ta braktisë atdheun prej pakënaqësive dhe kryesisht e motivuar prej papunësisë dhe të humbjes së besimit për të gjetur punë  dhe që të realizojë potencialet e saja  dhe shpresën në Shqipëri.

Të gjitha këto tregojnë se në Shqipëri nuk ka as besueshmëri, dhe as siguri, dhe as qëndrueshmëri: si politike, ekonomike dhe as zbatueshmëri të ligjeve; që do të thotë realisht se shteti, shoqëria dhe ligjet në Shqipëri nuk funksionojnë dhe prej kësaj gjëndjeje edhe Sovraniteti kombëtar është i kërcënuar dhe jo më të bëhet fjalë për integrimin e Shqipërisë për në BE.

Duhet ta kuptojmë pra, si  kuptimin ashtu edhe realizimin, ndërtimin dhe konsolidimin e Sovranitetit si të individit, edhe të shoqërisë, edhe të shtetit pasi: Sovraniteti ka të bëjë edhe me realizimin e demokracisë, lirive dhe të drejtave të individit; me garancinë dhe sigurinë e jetës, pronës dhe të lirive politike; ka të bëjë me ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor; me sovranitetin e shoqërisë dhe të individit; me punësimin, me sigurinë ekonomike dhe mirëqënie e përgjithshme; Sovraniteti ka të bëjë me efikasitetin dhe me rezultatin konkret në luftën kundër krimit, drogës dhe korrupsionit; pasi krimi dhe korrupsioni sidomos në polici, drejtësi dhe në politikë janë kërcënuesit më të mëdhenj të Sovranitetit kombëtar.

A janë realizuar këto në Shqipëri deri më sot, edhe tani pas 104 vitesh të Pavarësisë? Dhe faji për këtë realitet a nuk është kryekëput i politikës shqiptare, dhe a nuk është pra sot problemi më i madh për shqiptarët kjo politika e kësaj elite politike të dështuar dhe shumë e dëmshme kombëtarisht? A nuk është tani koha dhe realiteti që na ftojnë për veprim, për të ndryshuar për më mirë?