SI DHE PSE U VRA HAXHI ZEKA

Histori ndryshe

SI DHE PSE U VRA HAXHI ZEKA

Një prej figurave me komplekse e Lëvizjes sonë Kombëtare Shqiptare gjatë shekullit XIX, ishte padyshim edhe Haxhi Zeka. Një luftëtar dhe atdhetar i pranuar nga të gjithë patriotet e kohës, por që përkrahej edhe nga popullata shqiptare jo vetëm në Pejë dhe rrethinë por në të gjitha trojet shqiptare. Emri i tij u bë i njohur sidomos kur formoj Lidhjen “ Besa-Besë” të Pejës, në vitin 1889.
Për vrasjen e Haxhi Zekës është folur shumë. Megjithatë vrasja e tij sikur ka mbetur e pa sqaruar. A ishte vërtet vrasje e qëllimtë, e paguar dhe e instrumentalizuar nga qarqet serbe dhe turke, apo ishte një vrasje krejt e rastësishme, një ngatërresë mes fisesh dhe kapriçeve tona.?!
Gjatë kërkimeve për të gjetur; pse u vra Haxhi Zeka, pa pretendime studiuese e, as për ta arsyetuar vrasin, kam hasur në disa variante krejt ndryshe nga që e kemi mësuar ne.
Një “histori ndryshe”. Një histori të rrëfyer nga ata që në një rrethanë apo tjetër, qëlluan bashkohesh në ngjarje.
(Historia e parë)
Historia thotë se Haxhi Zekën e ka vra Adem Mehmet Zajmi, që ishte kapiten i xhandarmërisë turke në Pejë. Për vrasin Adem Zajmi, Konsulli austriak në Prizren, raportonte, shkruante se djali i Mehmet Zajmit, Ademi është bërë i njohur si kuisling i valiut të Stambollit. Sipas raportit të atasheut ushtarak të Austro – Hungarisë në Beograd, “në marsin e viti 1901 në Beograd arriti një deputacion (delegacion shqiptar), i përbërë nga 8 vetë (mysliman e krishtër), të cilëve u printe Adem Mehmet Zajmi nga Peja. Këta njerëz morën këtu para, ari dhe pushkë…” Në prill të vitit 1901, në vizitën e dytë, Adem Zajmi me dy spiun shqiptar mysliman tradhtar dhe dy të krishter serbë, nga krajli mori stoli të shtrenjta, para edhe 15 pushkë dhe disa revolverë që kur të kthehen në Pejë ta vrasin Haxhi Zekën… “
Sipas gazetës “Glas Crnogorca”, e cila riprodhon një korrespodencë nga Peja, botuar në “Dnevnik” të Beogradit, Adem Zajmi, atë ditë gjobiti pesë “myftarë” serbë me nga njëmijë grosh secilin. Kur mori vesh këtë Haxhi Zeka, shkoi te i Pejës dhe e dënoi veprimin e Ademit, duke e cilësuar këtë si vagabondë e rrugaç e duke kërkuar që menjëherë të shkonte në Shkodër, ku ishte emëruar me kohë në detyrë.
Kështu, pasditen e 21 shkurtit 1902, ndërsa Haxhi Zeka me ombrellë në dorë po vinte nga ndërtesa qeveritare drejt Urës së Gurit, Adem Zajmi, që ia kishte zanë priten i dolën përpara bashkë me Ramë Sefën, Rexhep Latin dhe Adem Hoxhën. Adem Zajmi, me revolën e shkopsitur, i tha: “Mbasi ke lypë të më nisin për Shkodër, ma jep një herë çat myhyr!” dhe nxori revolën. “Ik, more, se myhyrin s’ma ka lypë deri më sot as sulltani dhe nuk ia jap kujt për së gjalli”, ia kthei Haxhi Zeka duke ngritur në mbrojtje ombrellën. Ademi shtiu gjashtë herë kundër Haxhiut me revolën në dorën e djathtë, ndërsa me të majtën ia grabiti nga jeleku orën e florinjtë. Katër atentatorët e tjerë: Hamëz Gjuka, Ali Shala, Isa Pejani e Hajdar Isniqi, që ndodheshin gjithashtu në pritë, qëndronin të shtrirë në tokë me armë gati. Kur truprojet e Haxhi Zekës, Ramë Feka i Radavcit (Jabllanicës), dhe shoqëruesit e tij, Kurt Nushi, e panë së largu këtë skenë, vrapuan në mbrojtje të Haxhiut. Por tani ishte vonë. Adem Zajmi kishte zbrazur gjashtë plumba në gjoksin e Haxhi Zekës. Truproja e Haxhiut, Ramë Feka, shtiu dhe e plagosi Adem Zajmin, ndërsa Kurt Nushi e plagosi Isa Pejanin. Këta vranë edhe tre nga shoqëruesit e Ademit. Atëherë nga prita mbi Haxhi Zekën e Ramë Fekën krisën pushkë tjera. I sigurt se Haxhiu s’ka shpëtim, Ademi me atentatorët tjerë iku me vrapë në Kullën e tij ku kishte marrë garanca se do ta mbrohej nga ushtria ngase populli i zemëruar do t’i vihej pas. Duke e dinte se Adem Zajmi s’do të shpëtonte hakmarrjes së popullit, mytesarifi Osman, që kishte gisht në këtë vrasje, dërgoi me nxitim njësit ushtarake të rrethonin Kullën e Zajmëve. Ushtria në fakt mori në mbrojtje vrasësin dhe shokët e tij. Për vrasjen e Haxhi Zekës, gjykata e Stambollit e denoi Adem Zajmin me burg të përjetshëm duke e internue në Aqa Kala derisa vdiq.
(Marrë nga: B. Jubani, Historia e popullit shqiptar: për shkollat e mesme (Libri Shkollor: Prishtinë, 2002)

(Historia e dytë)
“… Katundi Isniq (është fjala për Irzniqin-autori) i rrethit të Gjakovës e ka pas ble bjeshkën e katundit Bellopojë të rrethit të Pejës. Por pejanët, me pretekst se bjeshka na takon neve e jo katundarve të rrethit të Gjakovës, e kundërshtojnë ketë shitblerje…Konflikti merr përpjesëtim edhe ma të gjanë, pse pejanët përkraheshin nga Haxhi Zeka. Adem Zajmi i Pejës, si shaljan, merr anën e Shalës. Për shkak të mosmarrëveshjes, ndonëse paret ishin paguar, çështja e bjeshkës kishte ngelur pezull bukur gjatë. Atëherë ndërhyn qeveria. Në atë kohë komandant dhe prefekt në Pejë ishte Sylejman pashë Çerkezi. Ky me shumë pari ban një mbledhje të gjanë, për të zgjedh çështjen. Mbas shumë bisedimeve Haxhija, tue pa se shumica po i nep të drejtë katundit Irzniq, thotë; “Në një mbledhje që merr pjesë Adem Zajmi unë nuk rri” dhe del. Adem Zajmi i shkon mrapa e i thotë: “Të lutemi, Haxhi Baba, mos ta lamë punën lart, a po shef se po vriten gjindja?” Haxhia pa nji dy i pisket: “ Largohu, kopil” dhe i sjell çadër kokës. Atëherëky në moment i bjen në allti (revolver). Përcjellsi i Haxhisë Ram Feka, i bjen Ademit dhe e plagos rande. Plagos edhe Hamza Gjukën. Përcjellsit e Ademit vranë Ramën.Adem Zajmi mbyllet në kullë, ku mbas pak kundërshtimi që i banë ushtrisë që e kishte rrethue, dorzohet dhe internohet në Aqa Kala, ku edhe vdes në burg i dënuem për jetë per kapriçion e të dyve, njëri i pari i Krasniqes, tjetri i Shalës…. Për sa asht folun se Adem Zajmi për këtë krim ka qenë i shtymun nga jashtë, deri tash ky supozim ende nuk asht vërtetur konkretisht.”
( Marr nga: Tafil Boletini, Pranë Isa Boletinit, kujtime 1 (1892-1916), botoi NGB Album, Tetovë, 1996, f.242)

(Historia e tretë)
“…Haxhi Zeka u fjalos me Efendinë e Irzniqit (hoxhen) për bjeshkë. Shtatë herë u mblodhë parsimi i Pejës për bjeshkët e Irzniqit. Haxhi Zeka u mundojke me ju marrë atyre bjeshkën e me u dhanë Kapeshnicës dhe Bellopojës. Bjeshkën e babës?! Efendia i kish tapitë. Haxhia kundershtojke. Efendia disaherë ka kërkue ndërmjestës. Nji si komision… Efendia tapitë me veti. Në komision Zenel Begu dhe Eshrefi i Pejës e të tanë. Mbi nji mijë veta aty. I kanë këndue tapitë….Të gjithë rrahen shuplakë. Haxhi Zeka desh kopi si krypa në zjarr. Nuk mbeti kush pa e çortue…Me kaq komisioni mori fund.
Çka bani Haxhi Zeka pastaj?… Vrajeni hoxhën ka të shkon në Irzniq. U tha Strellcit (mbasi ishin Krasniqe e fisit të tij-autori)…A konë nji orë apo gjysë orë para mbramjës. Kanë krisë tri pushkë… Kemi vrapue na tjerët. Çka asht bre sadri, e kemi pyet. S´di çka me thanë, veç po më duket se e vranë një hoxhë. Kur kemi shkue, rahmet i pastë shpirti! Efendia i mbështetur për therra…Po, de mulla Meta….Kanë ardhë Irzniqi. Me nandë vetë të Lybeniqit dhe ata e kanë marrë Efendinë e vdekur dhe me kije e kanë que në Irzniq…
Adem Zajmia konë tue ba dajre nëpër Shalë. Aty janë konë Ramë Sefa, Adem Hoxha, Daut Ibishi me katër Llukën. Ali Januzaj, Ramë Tishuki, Rexhep Lati, këta të Isniqit. Rexhep Sejfija i Çekajve… Kur u mor vesh ky lajm, Shala thanë, se na tash u vrajmë Haxhi Zekën. Zajmi i mblodhi Isniqin dhe Shalën krejt dhe hyni në Pejë… Ramë Feka e ruante Haxhinë. Zajmi dilke në Lamë të drithit….Një ditë e heton se Haxhia po don me ardhë prej shpije. Zajmi niset para me disa shokë. Shala janë konë. Hamëz Gjuka i Pejës dhe Hajdar Bala me tre. Tue shkue Qarshisë. Aty janë kon furrat e bukës. Aty e kanë pas rrugën kah jazi, që Zajmi me hy dhe me shkue përpjetë. Aty janë takue Adem Zajmi dhe Haxhi Zeka. I ka thonë Haxhia diçka dhe ka que dorë i ka ra me qadër…Ademi e ka nxjerr alltinë dhe e ka vra Haxhinë. Ramë Feka s´ka mujtë me dredhue martinë. Ka qitë me allti dhe e ka varrue Zajmin. Atëherë Shala kanë qitë dhe e kanë vra Ramë Fekën… Eh, hallku ynë thoshin, jo Zajmi a konë tradhtar! Jo, Zajmi a konë i lidhur me Serbi. Rrena janë konë këto…”
( N. Muçaj, Verrat e Llukës dhe Neutrali i Junikut, autori, Prishtinë, 2002, faq.36, 37 )
Edhe një shënim: Nëna e Ademit ishte Esmaja, vajza e Shaqë Currit, motra e Bajram Currit. Që do të thotë, Ademi ishte nip i Bajram Currit. Haxhi Zeka e donte dhe e nderonte shumë familjen e Esmajes dhe ishin familjarisht të lidhur Zajmi dhe Haxhi Zeka. Esmaja, motra e Bajram Currit, si zakonisht i kishte bërë një vizitë Haxhi Zekës, të cilën e nderonte shumë jo vetëm si prijës të fisit të saj të Krasniqës, por edhe si “Haxhi Babën”.

I shënoi nga origjinali pa e ndryshuar edhe drejtshkrimin
Arif Molliqi