Shteti “ka vdekur”

Shteti “ka vdekur

Nga Skënder S.KAPITI

Aty ku ligjin e bën dhe e sundon e paligjshmja, e palejuara, papërgjegjshmëria, antiligji dhe antishteti; aty ku sundon kusaria, vjedhja dhe krimi e korrupsioni  i organizuar i pushtetit, i drejtësisë dhe i politikës; aty ku sundon kusaria, vjedhja dhe krimi i organizuar i tyre; aty  ku populli shtypet, varfërohet ; aty ku politika, pushteti e drejtësia vjedhin pushtetin dhe plaçkisin e i grabisin shtetit dhe kombit pasuritë, pronën,dinjitetin dhe krenarinë; aty ku madje politika, pushteti dhe drejtësia  i shkatërrojnë popullit të vet shëndetin, lumturinë, shpirtin dhe shpresën dhe i detyrojnë njerëzit që të marrin rrugën e eksodit, aty ku pra asfiksohet drejtësia, aty këto ndodhin sepse shteti nuk funksionon, dhe kur diçka nuk funksionon, ajo vdes.

Atdheu dhe shteti  për të cilin shqiptarët kanë sakrifikuar më shumë se çdo komb tjetër janë djepi dhe shtëpia e madhe e kombit, por kur njerëzit  prej padrejtësive të pushtetit, të politikës dhe të drejtësisë ikin ,largohen dhe e braktisin shtetin e tyre atëhere shteti  mbetet si shtëpia pa njerëz, mbetet si shtëpi e vetëm këtyre  hajdutëve, kusarëve dhe grabitçarëve të cilëve nuk u dhimset as kombi, as shteti  dhe as atdheu , dhe që kanë arritur deri atje sa që  edhe kanë bërë matrapazllëqe edhe me trojet shqiptare, duke ua shitur apo falur të huajve për interesat e tyre personale politike e pushteti.

Shteti është së pari edhe atdheu i patriotëve,i njerëzve të lirë, punëtorë  dhe të ndershëm, i intelektualëve, i rinisë dhe vëndi ku kultivohen vlerat e larta njerëzore, por pikërisht për këta nuk po ka vënd as në Shqipëri dhe as në Kosovë ,dhe pikërisht këta janë ata të cilët  vuajnë më së shumti dhe po këta janë të parët që detyrohen të largohen nga atdheu prej mosdurimit dhe prej përndjekjes e dëbimit që bën mbi ta padrejtësia.

Drejtësia është shpirti i shtetit. Prandaj kur në shtet s’ka drejtësi atëhere ai shtet  asfiksohet nga padrejtësia.

Politika dhe pushteti në Shqipëri dhe në Kosovë kurrë nuk ndërtuan marrëdhënie të  ndershme e të sinqerta as me publikun, as me të vërtetën dhe as me drejtësinë, as me moralin, as me ligjin por ato gjithmonë  si politika ashtu edhe pushteti i cilado partie e regjimi patën konsensus, mirëkuptimin dhe marrëdhënie me krimin, mashtrimin, hipokrizinë, korrupsionin dhe me tradhëtinë.

Kur një qënie të gjallë nuk i funksionojnë më organet jetësore të saj , atëhere ajo vdes. Dhe po kështu kur një shteti nuk i funksionojnë  institucionet e tij ligjore të cilat janë dhe quhen publike, dhe sidomos kur në atë shtet  dhe në institucionet e tij  nuk funksionon  drejtësia, ai shtet nuk funksionon më ,pra ai shtet vdes përderisa funksionon keq dhe mbrapsht. Shteti nuk vdes, pra nuk pushon së ekzistuari  vetëm kur e humb pavarësinë dhe kur pushtohet nga i huaji ,por edhe kur nga politikanët dhe nga pushtetarët e tij ai  bëhet pre e grabitjes së autoritetit, e pushtetit dhe e pasurive të tij; shteti i cili nuk mbron qytetarët e tij, të drejtat e tyre, sigurinë dhe pronën e njerezve ai shtet është i falimentuar, i kapur dhe i paralizuar nga padrejtësia.

Dhe me “vdekjen” apo me paralizimin e shtetit antaret e shoqërisë së atij shteti mbesin dhe rriten jetim.

A nuk janë jetim shqiptarët të cilët largohen nga Shqipëria prej keqtrajtimeve që u bëhen atyre nga njerka; nga  shtriga politikë,pushtet dhe drejtësi përderisa  shqiptarët  largohen nga atdheu  prej krimit, vjedhjes, pasigurisë dhe prej korrupsionit të tyre. Njerëzit largohen dhe nuk jetojnë në shkretëtirë; largohen kur kërcënohen nga dhuna e terrori dhe largohen nga padrejtësitë, skamja e varfëria që atyre u vijnë nga pushteti dhe politika e keqe e korrupsionit, e varfërisë, e vjedhjes ,e papunësisë  dhe e papërgjegjshme.

Shteti shqiptar është  dhe funksionon si një shtet-hije pasi nuk mban as rregull ,nuk zbaton as ligjet si duhet dhe njëlloj për të gjithë shtetasit e vet;shtet i cili nuk kotrollon, nuk modifikon dhe as nuk ndreq e as nuk përmirëson jetën, mirëqënien, shëndetin, arsimimin, dhe as sigurinë e jetës e as të pronës , as sigurinë për punë dhe as atë ekonomike dhe as kënaqësinë e as qetësinë shpirtërore të njerëzve, të atyre të cilët kanë nevojë për shtetin dhe që e mbajnë atë.

Kur interesi i shtetit nuk ka si interes të tij interesin e shoqërisë  dhe të kombit, pra, kur shteti  nuk është shërbëtor i shoqërisë , dhe kur shteti është pronë e një grupi njerëzish atëhere ai shtet nuk ekziston dhe nuk funksionon më si shtet ,por funksionon si antishtet.

Pse dhe nga kush paralizohet  shteti?

Shteti pushon së funksionuari ose funksionon së prapthi kur ai paralizohet dhe “vritet” nga politika  e pushteti, dhe nga krimi, hajnia , korrupsioni dhe tradhëtia e tyre. Këto viruse e infektuan dhe e sëmurën rëndë shtetin shqiptar. Dhe jo vetëm se “vdiq” prej tyre shteti por edhe u infektua edhe vetë shoqëria po prej tyre, sepse as ajo nuk funksionon normalisht ,por  madje as nuk po ka takat  për të reaguar  kundër këtyre viruseve epidemike.

Dhe ilaçi për shërimin e shoqërisë  erdhi nga SHBA-të, dhe ky ilaç është VETTING-u, si antivirusi kundër kriminalizimit të politikës dhe të drejtësisë,kundër korrupsionit ,antiligjit dhe antishtetit; VETTING-u i drejtësisë i cili duhet  dhe do ta rilindë dhe ta ngjallë shtetin shqiptar.