Shqipëria i ka humbur universitetet

Shqipëria i ka humbur universitetet

 Besnik Gjongecaj

Nature abhors a vacuum”, ose natyra ka frikë nga boshllëku, është një e vërtetë e formuluar nga Aristoteli. Në thelbin e saj qëndron koncepti fizik i arritjes së ekuilibrit menjëherë pas prishjes së tij. Megjithëse Aristoteli ia dedikoi natyrës këtë postulat, mendimtarët konstatuan shpejt se aplikimi i tij nuk mund të përjashtojë shoqërinë. Si natyra, edhe shoqëria njësoj nuk e pranon asgjënë, boshllëkun. Madje ka frikë prej tij: “Society abhors a vacuum” (sh. i imi). Ky koncept me vlerë universale merr kuptim vetëm kur boshllëku krijohet spontanisht. Atëhere kur boshllëku nuk është “man made”, pra nuk është i fabrikuar nga vetë njeriu. Në të kundërtën, çdo boshllëk i krijuar artificialisht, në mënyrë jo natyrore, plotësohet me një lëndë po kështu të panatyrshme, kërcënuese për shoqërinë. Plotësohet me të keqen, duke e zhytur shoqërinë në prapambetje.

Prej shumë vitesh universitetet e këtij vendi po humbin substancë dhe njerëzit më të aftë; po lëshojnë standarde dhe mbeten pa liri; po boshatisen profesionalisht dhe më e keqja, po rrënojnë me shpejtësi moralin universitar. Në thelb, universitetet shqiptare po humbin legjitimitetin. Po humbin arsyen pse janë aty, në shoqëri. Gjithçka po zëvendësohet shpejt nga e keqja. Nga amoralja, paaftësia, e përkohshmja. Nga korrupsioni, që nuk ka lënë gjë pa gërryer. Brutalisht.

***

Përballë rrënimit universitar qëndron opinioni publik. E zhgënjyer, shoqëria shqiptare nuk po e ngre zërin ashtu si në fakt do të duhej të ndodhte në një vend normal. Përkundrazi, ajo ka kohë që edukimin universitar e konsideron një shërbim që merret jasht Shqipërisë. Aq e vërtetë është kjo sa edhe zgjedhjet universitare rrëshqitën anash shoqërisë shqiptare pa e prekur fare atë. Shoqëria shqiptare nuk reagoi, heshti sipas mënyrës së saj. Ishte ekzaktësisht shpërqëndrimi, mungesa e interesit publik, indiferenca popullore, ajo çfarë kërkonte qeveria dhe atë e mori më në fund. Madje, ndodhi diçka edhe më e pabesueshme: heshti edhe opozita. Ngriu mendimi politik i saj në këtë verë të nxehtë. As mire, as keq; as po, as jo; as zgjedhje të ligjshme, as të paligjshme; as zgjedhje me substancë dhe as pa substancë. Asgjë. Kallkan. Në mes të gushtit!

***

Çdo gjë ndodhi sipas një skenari të përgatitur mirë, i mbështjellë me kujdes për të mos lejuar asgjë të hynte brenda dhe asgjë të dilte jasht. Pavarësisht prapambetjes, opinioni publik avangard priti të njihej me substancën e një debati të madh, që do të zhvillonin universitetet me rastin e zgjedhjeve. Këtë radhë, për shkak të etjes për zgjidhje, ai priti nga universitetet të zhvillonin debatin mbi:

Sistemin tonë universitar, i cili, në thelbin e tij, ka mbetur strukturalisht i njëjtë me atë që trashëguam nga totalitarizmi. Madje, me shkëputjen e fakultetit të mjekësisë nga UT dhe formimin e Universitetit të Mjeksisë, u bë edhe një hap më prapa se vetë totalitarizmi. Edhe pas tridhjetë vitesh, sistemi ynë universitar nuk është gjë tjetër veçse një tërësi universitetesh të specializuara, ku sejcili prej tyre ka monopolin e një fushe të dijes. Një universitet në fushën e shkencave inxhinjerike, një universitet në fushën e shkencave bujqësore, një universitet në fushën e shkencave mjeksore, një universitet në fushën e shkencave shoqërore dhe ca universitete provincialë që vinë vërdallë në kërkim të identitetit – ja cili është sistemi ynë universitar strukturalisht. Në vend që t’i krijojë universiteteve hapësirat e nevojshme për të universializuar vetveten dhe kthyer në gjendje natyrore, sipas së cilës në çdo universitet përfshihen të institucionalizuara pjesa më e madhe e fushave të dijes (sigurisht, duke i qëndruar besnik raportit të qëndrueshëm një universitet në një milion banorë), konservimi i sistemit të arsimit të lartë me universitete të specializuar edhe pas tridhjetë vitesh, madje edhe kur kanë pushuar së vepruari faktorët që e mbajtën gjallë këtë sistem si ideollogjia komuniste e përqëndrim- specializimit, mbështetja në forcat e veta apo planifikimi i burimeve njerëzore, është treguesi më domethënës i injorancës së politikanëve të këtij vendi. Për të mos thënë që është një krim i kryer ndaj vetë Shqipërisë. Ja pse roli i universiteteve të këtij vendi zvoglohet gjithmonë e më shumë, sepse, parasëgjithash, edhe strukturalisht i mungon burimi i zhvillimit, i mungon konkurrenca. Sistemi universitar me universitete të specializuara arriti të mbijetojë në totalitarizëm për shkak të izolimit. Ai po shkërmoqet sot për shkak të hapjes. Universitetet më të rëndësishme shqiptare kanë patur në diktaturë, dhe sot akoma kanë, monopol në tregun e dijes dhe të punës. Prandaj nuk janë në konkurrencë me njëri tjetrin. Edhe pse ka tridhjet vite që kanë rënë arsyet për të mbajtur në këmbë universitete të specializuara, sistemi ynë universitar ruan fytyrën e komunizmit edhe sot. As më shumë dhe as më pak. Ekzaktësisht.

Ndërtimin e brendshëm strukturor të universitetit, i cili, sipas ligjit të fundit mbi arsimin e lartë është ndarë në dy pjesë dhe ka fituar një natyrë dualiste jo vetëm në strukturë, në funksion, por edhe në përfaqësim. Duke rrëzuar një nga parimet më të rëndësishme të Këshillit të Europës, sipas të cilit “…megjithëse disa universitete të vendeve perëndimore kanë zgjedhur një sistem dualist ku ndahen çështjet akademike nga ato të administrimit, struktura administrative është gjithmonë e varur nga autoritetet dhe strukturat akademike”. Është shkelja e këtij parimi që ka çuar dhe çdo ditë çon në një reduktim alarmant të efektivitetit dhe rendimentit akademik e shkencor.

Praninë e qeverisë brenda universitetit, çka e ka nulifikuar autonominë universitare, e ka shndërruar atë nga një formë ekzistence në thjesht një nocion, term të zbrazët, manipulativ. E gjithë kjo u arrit përmes gjymtimit të balancës dhe kontrollit reciprok të pushtetit (checks and balances) brenda universitetit dhe në sipërfaqen e takimit të tij me shoqërinë.

Sëpari, u gjymtua balanca e qeverisjes universitare si një kombinim i llogaridhënies së jashtme, Bordi i Jashtëm, ku përfshihen edhe përfaqësues të qeverisë (external accountability), me manaxhimin e brendshëm (Këshilli Administrativ: manaxhim i burimeve, plus Senati: administrim çështjeve akademike). Gjymtimi u bë duke eleminuar Bordin e Jashtëm nga modeli dhe duke i dhënë Këshillit Administrativ atributet e tij. Që nga ky moment, qeveria, e cila duhet të ishte pjesë e Bordit të Jashtëm, u përfshi në Këshillin Administrativ (që sipas modelit duhet të jetë i përbërë vetëm nga universitarë) dhe u ul këmbëkryq brenda çdo universiteti publik. E gjithë kjo çoi në situatën tragji-komike sipas të cilës, “qeveria kontrollon qeverinë se si i ka përdorur paratë brenda universitetit”.

Së dyti, u gjymtuan rëndshëm strukturat ndërmjetëse të sistemit; ato që kanë lidhje me vlersimin e cilësisë, kërkimin shkencor dhe financimin e universiteteve. Këto struktura u shndërruan në shtojca të ministrisë së arsimit, në vend që të kishin një status “in between”, pra të mos i takonin as ministrisë dhe as universiteteve. Çka ka lejuar qeverinë të bëjë ç’të dojë me universitetet!

Janë minimalisht këto dy arsye për të kuptuar se sa pa substancë dhe manipulativ është termi autonomi kur aplikohet për universitetet shqiptare dhe se sa lehtësisht politikanët e këtij vendi i bëjnë copë e çikë modelet demokratike për t’i shndërruar nga forma përmes të cilëve realizohet demokracia, në instrumente të restaurimit të autokracisë.

Shpërndarjen e pushtetit dhe përgjegjësive brenda universitetit, çka deri më sot nuk i nënshtrohet parimit të subsidiaritetit (ndarja e pushtetit sipas rëndësisë më të vogël). Aktualisht, ndarja e pushtetit dhe përgjegjësisë në universitet nuk fillon nga profesori, apo ajo që quhet “the working floor”, përkundrazi, fillon nga sipër, nga “shokët atje lart”. Kur zbret pastaj në nivelin e profesorit, nga “torta” e pushtetit nuk ka mbetur gjë për të ndarë, sigurisht. E gjithë kjo jo vetëm gati e ka nulifikuar efektivitetin (ka minimizuar përfshirjen e universitarëve në qeverisje), por edhe e ka mjegulluar qeverisjen universitare. Jo vetëm i ka zhytur universitetet në prapambetje, por mbi të gjitha, i ka bërë jo transparentë, jo demokratikë. Duke e bërë të pamundur daljen prej prapambetjes.

***

Meqë koha rrjedh ngadalë në këtë vend gjysëm perandorak, distanca me universitetet evropiane nuk zvoglohet, por rritet. Prandaj edhe diferencat midis universiteteve shqiptare dhe atyre evropiane nuk shkojnë drejt shuarjes, përkundrazi. Me kalimin e kohës bëhen edhe më të mëdha, të frikshme. Ashtu siç janë edhe sot. Nuk ka dimension të modelit të universitetit evropian që është i shprehur si i tillë edhe në universitetet e tona. Universiteti shqiptar është organizuar pa aplikuar asnjë nga parimet që do t’i siguronin autonominë institucionale; mësimi është absolutisht i pamundur të zhvillohet përmes kërkimit shkencor; universiteti nuk del në shoqëri për të zgjidhur problemet e saj, përkundrazi; dhe së fundi, studentët jo vetëm që nuk përgatiten për demokraci, por e kundërta është e vërtetë: ata edukohen se si të mbijetojnë në një vend ku demokracia mungon. Një mbijetesë që sigurohet veçse duke deformuar konstitucionin e tyre shpirtëror, integritetin, varrosur pasionet, talentin, ndershmërinë. Në moshën kur ato rindërtohen dhe marrin një formë përfundimtare.

Rritja e distancës me modelin evropian ndërsa koha vazhdon të rrjedhë, e ka bërë të pamundur shndrrimin e universiteteve shqiptare në pole të demokracisë së vendit. Madje, universitetet tona  kanë rënë nën nivelin e shoqërisë, çka është një nga gjërat më të rralla që mund të ketë ndodhur në historinë universitare të vendeve demokratike dhe jo demokratike. Universitetet shqiptare nuk emetojnë më vlera në shoqëri, sepse nuk i kanë. Mungesa e tyre ka krijuar boshllëk brenda universiteteve tona. Ky është një vacuum “man made”, i fabrikuar nga universitarët. Por “society abhors a vacuum”! Për të mbushur vakumin e krijuar brenda tij, si të ishte një fshesë me korrent, universiteti shqiptar thith përditë lloj lloj papastërtish të sjella kush e di se nga ku. Përmes një fluksi të lirë në universitetet shqiptare futen nga jashtë dhe adoptohen si pjesë e ekzistencës së tyre korrupsioni, klientelizmi, sundimi i të paaftëve, votimi sipas kritereve nepotike dhe korruptive, trafiku i rezultateve kërkimore, botimeve shkencore, pedagogjia e rreme, inkompetenca, mungesa alarmante e karakterit, e formimit kulturor…Duke vënë gjithçka universitare nën pushtetin e antivlerave. Ndërkohë që vlerat vdesin një nga një, pashmangshmërisht dhe bashkë me to shuhen po kështu, një nga një, edhe mjetet që do të mund t’i ringrinin universitetet e rëna. Aq sa, edhe kur flitet për zbatimin e një standardi evropian, psh votimi universitar, ai nuk prodhon rezultatin për të cilin është projektuar, pra, nuk nxjerr në krye të universitetit “njerëzit që nuk janë vetëm një zgjedhje e përbashkët, por përfaqësojnë personalitetin, shpresat dhe shqetësimet e çdo universitari”. Përkundrazi, në krye dalin njerëzit që nuk janë as zgjedhje e përbashkët dhe as zgjidhje përfaqësimi.

Qartësisht, as politika, madje as vetë universiteti, nuk mund të jenë më pjesë e zgjidhjes së problemit: nxjerrjes së universiteteve nga prapambetja. Për shkak të deformimeve të rënda, mbetëse, të dy, si politika ashtu edhe universieti, janë vetë problemi.

***

Pas tridhjetë vitesh kohë që askush nuk e përkufizon dot qartësisht se ç’kohë qe, Shqipëria e humbi luksin e zhvillimeve normale, paralele, graduale, të qeta. Ajo ndodhet në buzë të ndryshimeve të mëdha shoqërore, të cilat, sepse është akumuluar shumë dhimbje dhe padrejtësi, mund të realizohen nëpërmjet shpërthimeve dhe tronditjeve të mëdha. Më e çuditshmja për Shqipërinë edhe mund të ndodhë: një revolucion i popullit, por pa politikanë. Politikanët e rinj priten të dalin nga tronditja, dhimbja e këtij revolucioni. Të rinj, të pa bërë pis, plot shpresë.  Kështu do të ndodhë edhe me universitetet. Embrionet e universiteteve do të lindin nga “reja – nebula” gjigante e vullnetit të fshehur shtetformues të shqiptarëve. Gravitacioni i njerëzve shpresëhumbur, por të ditur dhe liridashës, do t’i ngjizë këto embrione në universitete të vërteta evropiane.