Shqipëria është në një shkallë përpara, sikur edhe shqiptarët në Mal të Zi

“Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta” nuk do mëshiron askënd.

Me publicistin dhe shkrimtarin e shquar nga Tetova, Reis Mirdita, u takuam në Deçan më të cilën biseduam për shumëçka, por temë bosht e bisedës ishte publicistika dhe krijimtaria letrare shqiptare dhe pozita e shqiptarëve në Maqedoni e gjetiu.

Bisedoi: Adem Lushaj

Botapress: Kush është në fakt Reis Mirdita?

Reis Mirdita: Në të vërtetë Reis Mirdita është emri im autorial më i njohur. Me këtë pseudonim shkruaj këta vitet e fundit. Reis është kombinim i emrit tim, të prindërve të mi dhe i një personi të veçantë për mua. Mirdita, germa e parë është fillestare e mbiemrit tim dhe e kam zgjedhur si të tillë pasi që “mirdita” është po ashtu përshëndetja më e përdorur dhe më pastër e gjuhës sonë. Pseudonimet tjera që janë plotësisht të afërta me emrin dhe mbiemrin e vërtetë janë Rami Laçi, Rami Miftari,Ramadan Laçi… Si fëmijë kam botuar vjershën e parë“ŠarDagı” në gjuhën turke (me pseudonimin Kalkandeleli Rami) pasi më parë m’u refuzua në shqip si “Mali Sharr” e për të cilën drejtori i shkollës më morri në pyetje për vargun e fundit ku thuhej: “Të çliruam / por përsëri të robëruan / popujt barbarë”.

-Kush janë barbarët?, – insistonte drejtori.

Botapress: zt. Reis Mirdita njihet për shkrimet e shumta publicistike, krijimtari letrare, etj. Do të ishte me interes të mësonim, cili nga këto zhanre ka prioritet në krijimtarinë tuaj

Reis Mirdita: Duhet të them së pari se tërë jetën kam punuar në zgjidhjen e enigmave mitologjike. Si fëmijë u njoha me dukuritë e tilla. Kishim në mëhallë dikë që thirrej hoxhë por që merrej vetëm me hajmalia e magjia. Prindërit më patën dërguar tek një mësues i vërtetë i Kuranit dhe ditën e parë (isha vetëm gjashtë vjeç ia bëna pyetjen për “hoxhën” e lagjes sime. Kështu, disi i revoltuar, fillova të mbledh të dhëna mbi qeniet misterioze. Publikimin e tyre e kam filluar para disa javësh në titullin “Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta”. Aty do të gjejmë nofka dhe emra konkretë; sidomos të keqbërësve. Askush nuk do t’i lihet mëshirës. Do të ketë të dhëna tronditëse që do të dalin në dritë.

Ndryshe nga kjo, kam botuar disa studime mbi lashtësinë e gjuhës shqipe pa aspak eufori apo snobizëm që e gjejmë tek disa gjuhëtarë të sotëm duke ngritur në qiell gjëra të paqena. Gjithashtu i kam për zemre hulumtimet mbi lashtësinë e poezisë dhe llojet e saja nëpër shekuj.

Botapress: Ku është veprimtaria artistike dhe publicistike sot? Sa çmohet në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri?

Reis Mirdita: Shqipëria është në një shkallë përpara, sikur edhe shqiptarët në Mal të Zi. Personalisht më pak gjej botues dhe përkrahje në tokat tjera shqiptare. Sa për ilustrim: Përderisa në Shqipëri studimi (i botuar në variantin e ngjeshur) “Shqipja, kjo gjuhë e lashtë” nga shumë intelektualë vlerësohet si pasuri kombëtare, në viset tjera mezi gjej botues!

Botapress: Ku është Reis Mirdita, në botën e madhe të letrave shqipe?

Reis Mirdita: Unë nuk kam libër të veçantë edhe pse shkrimet e mia arrijnë gjithsejtë mbi 2 500 faqe, format A4. Besa një mik nga Kosova më thotë se pa asnjë leje paraprake timen, do t’i bashkoj shkrimet, t’i klasifikoj dhe do t’i botoj në disa libra. Me shaka më thotë akoma: “ Sidomos nëse ti vdes para meje. Disa tash më i kam të ndara sipas përmbajtjes”. I përgjigjem gjithmonë: “Pas vdekjes sime, bënë si ta do shpirti!”.

Për lexuesit shqiptarë, i njoftoj që në botën e letrave kam arritur të bëjë emër me citatet, proverbat dhe sentencat e mia në gjuhën frënge. Shumë nga këto citate janë të përkthyera në gjuhë tjera botërore.

Botapress: Çfarë  jeni duke shkruar këto kohë? A ju kanë kritikuar për ndonjë vepër poetike apo roman? Çfarë pret lexuesi nga ju?

Reis Mirdita: Nga emra të njohur nuk kam ndonjë kritikë negative e sidomos jo në punën time hulumtuese apo në shkrimet e mia filozofike. Kam “ithtarë” të flaktë, specialistë të “kopjo-ngjit” që i kam zënë “të gjallë duke botuar shkrimet e mia në emër të vetin e në mes tyre edhe një sajt që merret me fe. Këto copy-paste-axhi i ndjek këmbë pas këmbe por dua të them se nga ana tjetër më qetëson fakti se “ku ka vlerë atje vjedhin” hajnat. Përndryshe, si që përmenda më lartë, kam filluar publikimin e studimit mbi qeniet mitologjike-reale nëse mund të shprehem kështu, dhe javën e ardhshme del vazhdimi i XIV nga gjithsejtë 150 që janë në dorëshkrim e që duan nga pak punë akoma.

Botapress: Diç për të shtuar?

Reis Mirdita: Me falënderimet e mia për ju, përshëndes lexuesit e Botapress-it bashkë me stafin botues për të cilët kam respekt të veçantë./Botapress