« Shën Tereza », dridhi landin bavarez

Shkruan: Florim Zeqa

Shoqata Kulturore Humanitare Shqiptaro-Gjermane « Shën Tereza » nga Altottingu festoi 9 vjetorin e pavarësisë

Shqiptarët në Altötting, Mühldorf, Traunstein, Rosenheim, Pfarrkirchen e rrethinë të bashkuar rreth shoqatës « Shën Tereza » në Altotting, me 11.02.2017 në Ristorante Pizzeria « PALERMO » në Muhldorf u organizua manifestimin kulturor për nderë të 9 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Manifestimi filloi me intonimin e hymnit shtetëror të Kosovës (për herë të parë edhe me tekst), për të vazhduar me hymnin kombëtar « Rreth flamurit… », të kënduar nga të gjithë të pranishmit në salen e madhe të restorantit « Palermo ».

Programin artistik e udhëheqi në mënyrë briliante moderatorja Shyhrete Baliu-Blakaj, e bija e veprimtarit Fadil Baliu, e lindur dhe rritur në shtetin gjerman. Moderatorja e programit fillimisht për një fjalë përshendetëse  e ftoi kryetarin e Shoqatës Kulturore Humanitare Shqiptaro-Gjermane « Shën Tereza », zotin Imer Kurti, i cili pas urimit për festën e pavarësisë, i falenderoi të gjithë të pranishmit në këtë aktivitet, duke ju dëshiruar mirëseardhje dhe argëtim të këndshëm me programin e pasur artistik.

Më pas, për nga një fjalë rasti u ftuan mysafirët e nderit nga Italia; Rizah Hykolli (kryetar i Shoqatës Atdhetare « Nënë Tereza » nga Concordia Sagittaria), Florim Zeqa (Gazetar dhe Analist i pavarur) dhe Hamit Kurti (veprimtar).

Pjesa e parë e programit artistik filloj me kengën « Vallet e vendit tim » nga këngëtari i ri, por shumë i talentuar Dardan Kurti, i përcjellur nga ansambli i valleve të shoqatës « Shën Tereza » nga Altottingu.

Rapsodët e njohur Adem Berisha dhe Fadil Hakolli i kënduan dy këngë folklorike nga repertoari i tyre i pasur burimor,…për të vazhduar me këngën « Mos ma prek ti shkja Drenicën », të interpretuar për mrekulli nga voglushja Valentina Kurti në duet me motrën e saj Lindën, këngë  e cila ngjalli emocione të fuqishme nga të pranishmit në sallë.

Në vazhdim, radha i erdhi grupit recitues të shoqatës me katër poezi të zgjedhura. Arbesa Kurti recitoi poezinë « Gjaku shqiptar » nga poeti Besnik Palnikaj, Dardan Kurti recitoj poezinë « Të bukurat e gurit » nga poeti Rexhep Hoxha, Blerina Selimi recitoi poezinë « Krenohu atdhe » dhe Valentina Kurti » poezinë « Legjendë ndër mote » nga poeti Hamdi Kurti.

Pjesa e parë e programit artistik u mbyllë me potpuri vallesh nga grupi artistik i shoqatës « Shën Tereza » nga Altottingu.

Më në fund i erdhi radha embëlsirës, që dhuroi pjesa e dytë e programit artistik me yjet e estradës shqiptare; Beqir e Armis Telaku dhe Driton e Bahri Kamerolli. Zëri i bukur i yllit të muzikës shqiptare Beqir Telaku i përcjellur me  muzikën ritmike të Armis Telakut dhe Driton Berjanit u përcollën me vallëzim të përbashkët të bashkatdhetarëve deri në orët e para të mëngjesit të 12 shkurtit 2017.

Pa dyshim, atmosferën në sallë e elektrizoi ylli i estradës shqiptare, këngëtari më i dashur dhe më i kërkuar i mërgatë sonë, i madhi Beqir Telaku. Secila këngë e tij më e mirë se tjetra, më e këndshme dhe tërheqëse për mërgimtarët, por kënga e « Pavarësisë » dhe « Dy tupana n’derë të kullës » emocionuan tej mase mërgimntarët që me dekada fizikisht ndodhen jasht atdheut, por me zemër e shpirtë gjithmonë i qendruan besnik vendlindjes së tyre të shenjtë.

Pas shënjtërimit të Nënë Terezes me 5 shtator 2016 nga Selia e shenjtë-Vatikani, Shoqata Kulturore Humanitare Shqiptaro-Gjermane nga Altottingu (Landi i Bavarisë-Gjermani), është shoqata e parë në rruzullin tokësor që pagëzohet me emrin « Shënë Tereza ».

Ideja për themelimin e shoqatës me këtë emër, rrjedhë prej kryetarit Imer Kurti, veprimtarit dhe udhëheqësit të grupit të pavarur artistik « Drenica », me një traditë të gjatë veprimi në shtetin italian.

Pas sukseseve të shumta në skenat e mërgatës shqiptare dhe ndërkombëtare në Itali, dy vite më parë familja atdhetare e Imer Kurtit (Abri e epërme-Drenas, me traditë të gjatë artistike), për shkaqe ekonomike detyrohet të zhvendoset në shtetin gjerman.

Edhe përkundër vështirësive dhe peripecive të shumta të vendosjes dhe adaptimit në rrethanat e reja në shtetin gjerman, Imer Kurti asnjëherë nuk e ndërpreu veprimtarinë artistike dhe lidhjet me bashkveprimtarët e mëparshëm, me pjesëmarrjen e grupit artsitik « Drenica » në aktivitetet e shoqatës « Nënë Tereza » në Concordia Sagittaria » dhe shoqatat tjera të pjesës veriore të Italisë.

Vlenë për t’u theksuar se në këtë aktivitet kulturor, prezent ishin edhe veprimtar dhe afarist të dalluar në mërgatë, si: politikologu dhe biznesmeni Adam Olluri, veprimtarët Skënder Baraliu, Fadil Baliu, Mentor Mazrekaj, afaristi Florim Berisha (pronar i Pizzerisë « ADRIA » në Emerting), etj.

Këtë mbrëmje festive e karakterizuan disa gjëra, duke filluar nga organizimi i shkëlqyeshëm i stafit të shoqatës « Shën Tereza », prezenca e madhe bashkatdhetareve nxjerri në pahë dashurinë ndaj atdheut dhe respektin ndaj pavarësisë së Republikës së Kosovës, gërshetimin e vlerave artistike dhe kombëtare duke filluar nga fjala, vallet dhe këngët e bukura shqipe.

Organizim briliant i këtij manifestimi nga ana e stafit të shoqates ,,Shën Tereza », përformanca e shkëlqyer e grupit artistik « Drenica » dhe prezantimin në nivelin më të lartë të yjëve të muzikës popullore Beqir Telaku dhe Bahri Kamerolli e elektrizuan atmosferën në sallë, duke shkaktuar emocione të papërshkruara me fjalë, të përcjellura me duartrokitje të gjata të bashkatdhetarëve të shumt në sallë, apo shprehur ndryshe, kësaj radhe « Shën Tereza », dridhi landin bavarez, duke dhënë shëmbullin më të mirë të organizimit të festës shtetërore.

Krejt në fund, ja vlenë për të përmendur edhe zotin Gazmend Blakaj i cili është përkujdesur për pritjen e mysafirëve, mbajtjen e rregullit dhe ndihmën në përgatitjen skenike të ambientit festiv në sallen e madhe të restoranit « Palermo ».