Sfaraqak: U Varros Rexhep Vesel Haxha-Galica

Rexhep V. GalicaBedri TAHIRI

Sot, më 30 korrik 2016, në Sfaraqak (Manzë) të Poshtëm të Vushtrrisë, me një ceremoni madhështore, u varros Rexhep Vesel Haxha-Galica, i cili para dy ditësh ndërroi jetë në Angli, ku përkohësisht jetonte me gjithë familje.

Rexhep Vesel Haxha-Galica (1940-2016)

Fjalë mortore

E nderuara familje Haxha!

Të nderuar hoxhallarë, udhëheqës të këtij ceremoniali!

Të respektuar të pranishëm!

Sot, me këtë ceremoni mortore, po ia japim lamtumirën e fundit njërit nga burrat më të njohur të Galicës, Rexhep Vesel Haxhës-Galicës. Ndarja e tij nga kjo botë na ka pikëlluar thellë të gjithëve, por, jeta dhe veprat e tij të mira na bëjnë të fortë dhe do ta mundim dhimbjen.

Rexhep Haxha u lind në Galicë më 1940. Fëmijërinë dhe rininë i pati si gjithë moshatarët e tij, me halle, me sakrifica, me vuajtje e me sprova të shumta. Mirëpo, shpirti i tij i fortë gjithmonë qëndroi krenarë dhe i pathyeshëm. Qëndroi si burrat edhe kur iu vra djali, Bahri Haxha, të cilin vetë e kishte frymëzuar të ecte mirë e mbarë në rrugën e lirisë.

Dorën në zemër, ai edhe nuk mund të ishte ndryshe, sepse vinte nga zemra e trimërisë, nga Galica heroike që u rezistoi të gjitha perandorive pushtuese dhe nga babai trim e mendar, i cili kishte marrë pjesë në Epopenë e Arbërisë së Vogël të 15 korrikut 1924. I ati i tij, Vesel Haxha-Galica, mbi të gjitha shquhej për mendar. Sipas Dr. Mehemt Rukiqi, të cilin e kemi të pranishëm, Veseli radhitej ndër burrat më të mençur të Drenicës, i cili me kujtesën e tij brilante e ka zbardhur më së miri historinë e Azem Galicës.

Meritë e veçantë e Rexhep Haxhës është ajo se gjithë dijen dhe heroizmin e babait e ka bartur besnikërisht tek brezi tjetër, tek të bijtë, veçan tek Shyqriu e Veseli, të cilët sot kanë zënë majat e diturisë dhe reflektojnë rreze drite në Universitetet e Anglisë.

Edhe njëherë, në emër të familjes Haxha dhe në emër të Galicës, ju falënderoi që me pjesëmarrjen Tuaj i dhatë madhështi kësaj ceremonie mortore.

Lavdi Rexhep Haxhës-Galicës dhe urojmë që shpirti i tij të prehet në parajsë!