SENTENCA E MENDIMIT NË ESEISTIKËN E SHKRUAR

SENTENCA E MENDIMIT NË ESEISTIKËN E SHKRUAR

 Gani Bytyçi, „FLETËZA DHEMBJEJE“, ese, botoi Shtëpia Botuese „Faik Konica“, Prishtinë 2018,

faqe 172. ISBN 978-9951-06-716-4

Shkruan: Shefqet DIBRANI

 Sentenca është nocion apo shprehje letrare, që ka për qëllim të shpjegojë një tekst të shkruar, qoftë ai letrar, eseistik a publicistik, të cilin e përdorin autorë të rrallë, tek të cilët ndeshim një mendim të fuqishëm por i kondensuar në pak fjalë dhe ka kuptim moral.

 Këtë sintezë e shohim dendur në esetë e Gani Bytyçit, të shkruara në formë fletëzash ditari, të cilat kanë qenë të publikuara kryesisht në shtypin e kohës por tash të botuara në libër kanë marrë trajtë dhe dimension artistik dhe që mund të interpretohen në shumë dimensione.

Libri “FLETËZA DHEMBJEJE”, si tërësi kthen kujtesën tek një kohë, tek rrethana e situata të rënda, tek ngjarje e zhvillime dramatike. Veçmas, libri do të komunikojë e do t`u shërbejë brezave që i përkasin asaj kohe dhe i mbijetuan ato rrethana, brezit të autorit. Ndërkaq gjeneratat e reja le të mësojnë nga këto sentenca të shkruara me kulturë dhe elegancë letrare të veçantë e unike. Po kaq kulturore janë dy përkushtimet e vëna që në fillim. Njëri është për prindërit e autorit e që përjetohet me emocion të thellë. Ndërkaq përkushtimi tjetër është bërë për doajenin e gazetarisë kosovare Ali Sutaj, tekst ky i rrallë dhe i veçantë, pasi fjala është për një njeri të veçantë, të cilin e ka harruar koha, e tash po rikthehet edhe ai, bashkë me këto ese për t’ia shtuar madhështinë tërësisë estetike të librit dhe autorit të tij!

Esetë në librin „FLETËZA DHEMBJEJE“ autorin e tyre e radhisin në avangardë të proceseve, e rreshtojnë atë në elitën intelektuale që bëri shumë për artin e kulturën, për demokracinë dhe lirinë, nuanca këto, që i lexojmë qysh në esenë a parë “UDHËTIMI SI FAT(KEQËSI), në të cilën autori përshkruan gjendjen e tij emocionale para dilemës për të “udhëtuar” apo për të qëndruar “aty ku ma nuk do të kishte emër e as nuk do të ishte emër”, një figuracion i rrallë artistik, i cili edhe lexuesit më indiferent ia ngjallë halucinacionet, kur të kuptojë se “lufta akoma nuk kishte nisur. Ajo ishte zhvilluar vetëm në kokën time”, në kokën e autorit, për ta mbyllur me një metaforë, e cila ka kuptim racional mbi tragjiken pasi “Andej nga isha nisur, qielli ishte i kthjellët”, shkruan ai.

Këto shkrime eseistike janë një diskurs i kritikës letrare, që e kompleton edhe më shumë opusin krijues të autorit, i cili ka dhënë shumë për artin dhe letërsinë, për individin dhe shoqërinë, për mërgatën dhe për luftëtarët, për heroin dhe për qytetarin e rëndomtë. Ndërkaq si ese janë shumë lartë, në piedestalin e shkrimit artistik ngase autori temave nuk iu ka rrekur kot së koti dhe as nuk ka shkruar atëherë kur i ka munguar motivi për të shkruar. Ndërsa edhe përshkrimin artistik autori e bën duke e ndërlidhur romantikën me lirikën, siç është ta zëmë tek “Mbrëmje në Lemanë”, në të cilën ai shprehet: Perëndimi i diellit vjeshtor, me rrezet e kuqërremta, që duken sikur janë mbytur në flakë, tisi i hirtë e mjegullor i buzëmbrëmjes, që e mbështjell gjithë liqenin, syprina mbi faqen e tij, që shkëlqen si një pasqyrë e praruar, fontana me fiskajën e ujit që arrin lartësinë 130 metra, (kur bën mot i mirë), ndërsa nuk arrin të kalojë 100 metërshin, kur era ia këput nja 30 metra, mjellmat që në mbrëmje e përfundojnë lojën e tyre magjike të ditës dhe kthejnë buzë bregut për pushim e gjumë ëndërrimtar, vizitorët e shumtë nga të katër anët e botës, buzëqeshjet e këndshme të vashave tërë shend, loja e fëmijëve gjithë gëzim, nuk mund të përshkruhen dot”, faqe 23-24.

Gani Bytyçi, ka shkruar pak, por në mënyrë pikante, ka shkruar rrallë, por siç thotë një urti popullore “për mall”, dhe atëherë kur ka shkruar, e ka pikasur duke plotësuar një boshllëk në shkrimet e kësaj natyre, të cilat janë ese, janë fragmente të tregimit letrar, janë fletëza të përjetimit dhe rrëfimit dramatik. Thënë ndryshe është tërësia e shqetësimeve dhe e brengave të individit përballë fenomeneve që e rrethojnë, ndaj të cilave ai vetë si autor, nuk ka qëndruar kurrë indiferent. Këto forma eseistike do t`i ndeshim qysh në hyrje të esesë “NJERIU DHE KOHA”, në të cilën gjejmë një përshkrim brilant për situatën, të cilës varg për varg nëse ia heqim nga një fjalë, ndonjë parafjalë a ndonjë lidhëz, mund të shndërrohen në citate mendimesh të thella e shumë përmbajtjesore: “Kur një popull, të gjitha përpjekjet dhe kërkesat e veta historike i shndërron në synime të ulëta grabitqare, rrënuese, shkatërruese e më në fund krejt shfarosëse, drejtuar kundër një a më shumë popujve të tjerë, është dëshmi se ai popull është historikisht i pa perspektivë, moralisht e intelektualisht i paformuar dhe politikisht tepër i dëmshëm për popujt e tjerë”, faqe 27. Kjo tregon se kultura e të shkruarit të autorit është përmbajtje dhe art më vete.

Gani Bytyçi, me këto ese të prezantuara në formë fletëzash të një ditari sjell mendimin dhe ndjenjën artistike përmes ngjarjeve dhe fenomeneve, qofshin ato kulturore apo të karakterit politik, fenomene këto që janë shkruar si trajtesa specifike në kontekstin kohor të atyre zhvillimeve. Por kur ato i lexojmë tashti nga ajo distancë kohore, ato përjetohen si një mozaik i atyre zhvillimeve, të cilat kanë qenë aq të ngarkuara me peshën e dhunës, që ka dominuar në këto hapësira. Ndërkaq Evropa, zhvillimet në Ballkan, i ka kundruar e trajtuar kryesisht me ftohtësi e indiferencë, prandaj s’ka pasur se si të dalë ma ndryshe eseja tjetër “ATDHEU ËSHTË ATDHE, BILE EDHE KUR TË VRET”, e që është me aq interes për t`u parë se si janë trajtuar atëherë ato ngjarje. Është aq mjeshtërore dhe krejt parabolike mënyra e trajtimit, që Gani Bytyçi i bën fenomenit të kolonizimit të Kosovës: Ditë më parë, tek lexoja çfarë flitej e çfarë shkruhej për përpjekjet (politike e shtetërore) kolonizuese sllave ndaj Kosovës, mu kujtua fshati dhe fëmijëria ime. Ndërmjet dy lagjeve të fshatit tim shtrihej një mal i gjerë e i gjatë, sa të kapte syri, i cili në fshat njihej si Mali i Dikës”, faqe 34.

Eseu në fjalë është një tregim i rrallë, që për tematikë ka këtë formë të dhunës shtetërore, e cila bëhej kundër shqiptarëve. Siç dihet, dhuna kolonizuese ishte shtrirë në tërë hapësirën e Kosovës, ashtu siç e ka përmbyllur edhe autori esenë e tij me një dramatikë e tragjikë trishtuese: “Po në Malin e Dikës, as egërsirat ma nuk guxonin të futeshin. Ai, tani ishte kthyer i tëri në makth, për të gjithë fshatarët”, faqe 37. Dhe makthi i kësaj gjendjeje me shekuj e kishte mbërthyer Kosovën të tërën. Me këtë pasion janë shkruar edhe pjesët e tjera të këtij eseu, të ndara me nëntituj, “Eksodi”, “Testamenti”, “Ri(bashkimi)”, e që janë tema të tjera por në thelb me përmbajtje të njëjtë.

Siç e theksuam edhe më parë, gjatë leximit, do të ndeshim copëza tregimesh e rrëfimesh artistike, të cilat janë tregime që pasqyrojnë nivelin artistik të autorit, për më shumë, ato janë edhe premisa proverbiale si: “Për ta ndërruar mendimin e të tjerëve ndaj nesh, duhet të ndryshojmë qëndrimin tonë ndaj të tjerëve”, faqe 41, mendim ky i shprehur në fillim të vitit 1994, i cili raportin e Evropës dhe Amerikës e ndryshoi vetëm atëherë kur ne “ndryshuam qëndrimin tonë ndaj të tjerëve”, që duket se është rrjedhojë e një refleksioni konfliktuoz në relacionin “Ekzili dhe politika”, e shkruar me një përkushtim artistik, faqe 43-44.

Ese të tjera, të shkruara bukur dhe me mesazhe të fuqishme janë edhe “DHEMBJA – METAFORË FLIJIMI PËR ATDHEUN” si dhe “BURGU NË JETËN E ARBËRIT”, të cilët i kanë të gjitha elementet e tregimit artistik. E shkruar me këtë pasion është po ashtu edhe eseja “LIRIA NDËRMJET DHEMBJES E SHPRESËS”, në të cilën gjejmë vargje poezish.

Përkushtimet, përkatësisht esetë që kanë të bëjnë me heroin dhe heroizmat shprehin një dinamikë tjetër. Ato janë të lidhura emocionalisht më ndryshe. Esencialisht janë ese (së pari) të menduara e konceptuar mirë dhe të realizuara mjeshtërisht, prandaj edhe janë aq artistike e të veçanta. Rrallë herë ndonjë autor ka shkruar për dëshmorët si Gani Bytyçi, kur thotë se “Dëshmorët, janë LIRIA, janë ATDHEU Y”. Prandaj esenë “PËR DËSHMORËT”, do ta veçoja edhe për arsyen se Heroin Agim Ramadani, e kam njohur personalisht, qoftë si artist, si poet, si veprimtar dhe më në fund edhe si flijimtar për t’i sjell atdheut lirinë. Këtë mënyrë të shkrimit eseistik, si duket autori e përzgjedh, pasi me këtë i jep një përmasë aq madhështore Heroit, por njëherit krijon edhe mundësi të mëdha shprehëse, për ta shfaqur tërë dinamikën e atyre zhvillimeve për të cilat autori është i angazhuar ose ka vendosur të shkruajë. Ky diskurs letrar i ka dhuruar sentenca, përkatësisht i ka krijuar mundësi të mëdha shprehëse e tematike, të cilat si tërësi artistike vijnë në këtë libër, siç thamë, duke kapur një hark të gjerë kohor.

Shkrimi eseistik është një formë e shkrimit letrar që e ngrit autorin në nivelin e përgjegjësisë intelektuale. Si vrojtues i proceseve dhe zhvillimeve, autori del mjaftë i spikatur. Ai iu ka qasur problemeve në mënyrë analitike, duke i prezantuar ato zhvillime përmes eseut artistik. Edhe mënyra se si janë trajtuar ato deformime është artistike, është intelektuale, është kulturore, është njerëzore, është humane, është demokratike. Prandaj mënyra e të shprehurit të Bytyçit dallon shumë nga shkrimi vulgar dhe niveli i ulët i shkrimit gazetaresk, që ka vërshuar hapësirën publike kohët e fundit. Së këndejmi “veprat dhe veprimet e gjenive qëndrojnë mbi komentet rreth tyre, çfarëdo qofshin ato”, shprehet autori në esenë “SHKRIMTARI ËSHTË SHTETAS I TË GJITHA KOHËVE”, duke i dhënë shkrimtarit edhe përmasën e përjetësisë, faqe 77-85. Prandaj këtu kemi të bëjmë me një letërsi specifike, e cila e lartëson shkrimin eseistik, e bën të dashur rrëfimin, kurse ngjarja prezantohet në mënyrë artistike, qoftë ajo edhe e shëmtuar, përsëri ka shije artistike.

Sidoqoftë mënyra e qasjes për të trajtuar dukuri e fenomene, zbërthen gamën krijuese, sado që ajo ka të bëjë me shqetësimin përjetohet dhe shijohet me lehtësi, pasi paraqitet me një fjalor të ekuilibruar e të zgjedhur. Ndonëse timbri shprehës mund të jetë edhe i ashpër e mospajtues ndaj atyre zhvillimeve, qofshin politike, kulturore apo edhe të tjera, përsëri niveli estetik e bën tekstin të lexueshëm dhe shumë tërheqës. Me një fjalë autori është shpirt kryengritës, mospajtues dhe kundërshtues për mjaftë dukuri e deformime, prandaj ardhja në këtë kohë, e këtij libri dëshmon sakrificën intelektuale në përvijim kohërash, ku paraqiten pamje të bruzta, nëse ngjyra paraqet ndjenjën shpirtërore. Këto elemente rishfaqen duke lexuar esenë “ATDHEU NDËRMEJT REALITETIT DHE ARDHMËRISË”, ose tek “PLAGA NË DRENICË, DHEMBJE KUDO QË FRYMON SHQIPTARI”. Ndaj, ky autor frymon edhe sot me shqetësimin për kombin, të cilit qysh në atë kapërcyell kohe të pakohë i ka dhuruar mesazhe të çmuara e përmbajtjesore, duke theksuar se “Çdo komb, në situata të rënda, si kjo në të cilën ndodhet kombi ynë, ecjen e tij drejt synimeve jetike e bën në mënyrë kolektive, me të gjitha kategoritë e popullsisë, frontalisht”, faqe 109-110.

Mendimi intelektual i shprehur përmes eseve artistike e letrare, dëshmon se Gani Bytyçi vazhdimisht ka shkruar e vepruar. Ndonëse mjaftë i kursyer dhe me një vetëpërmbajtje admiruese, ai përsëri mbetet një ogur i mirë në tërë arkipelagun krijues, për t`u dalluar zëshëm, sidomos tek komuniteti letrar i autorëve në mërgim, ku shqetësimi intelektual, mbetet fati i krijuesit në raport me sjelljen e shoqërisë kundrejt tij, deformime që trajtohen dendur brenda librit. Por e kundërta e këtij perceptimi është se vlerat morale, kulturore e intelektuale gjithmonë dalin mbi deformimet e caktuara. Mospajtueshmëria është qëndrim konstant, frika për tjetërsim dhe asimilim kanë zbardhëlluar pak më shumë se sa mjaftë tema të tjera, që janë trajtuar, ose të paktën theksi i kritikës ka rënë mbi këto dukuri, ashtu siç bie çekani mbi kudhër, për ta vetëdijesuar masën, e cila jo pak sillet dhe vepron kundër shumë normave pozitive, që i ka fisnikëria shqiptare. Ky fisnikërim artistik tregon se autori para të vërtetës dhe artistikes, nuk vë gjë në peshojë. Kështu eseja “PSE HESHT POPULLI SERB!?”që është edhe letër e hapur drejtuar presidentit të Serbisë B. T., nuk ka mundur të dalë ndryshe, pos në këtë mënyrë, artistikisht. Ndërsa shkrimi “LIDHJA PËR IDEALIN E LIRISË”, është ese i realizuar aq mirë, është shembull, recension i kritikës letrare për librin e Nuhi Sylejmanit, që realizohet gati si shkrim kritik, por jashtë konvencave të kritikës klasike letrare.

Libra si ky, të shkruar me kaq përkushtim, janë të rrallë, prandaj kjo e bën Gani Bytyçin më të veçantë, më të dalluar dhe më të përkushtuar ndaj artit të së bukurës dhe vlerës letrare, e cila në këtë furtunë antivlerash mungon kudo dhe kurdo! Ndaj, ne nuk duhet të hezitojmë për t’ia veçuar vlerat dhe për t’ia pranuar specifikat e krijimit, që këtë autor e bëjnë të dalluar si njëri, por edhe shkrimin e tij letrar, që autori e bën me përkushtim të rrallë prej mjeshtri të fjalës. Gani Bytyçi e peshon mirë fjalën e vënë në letër dhe më shumë atë që ia dedikon lexuesit, prandaj, me të drejtë ai radhitet në elitën intelektuale, që ka përgjegjësi për fjalën publike!

Rrëfimet, si strukturë tematike, nuk janë të klasifikuara sipas ndonjë koncepti a zhanri të caktuar. Ato janë të lidhura nga motivi dhe si të tilla janë shkruar nga rasti e nga çasti, kudo dhe kurdo. I vetmuar, në tren, në shëtitje, në takime letrare e kulturore, në ndeja private, në çdo kohë dhe në çdo moment. Sekuenca të ndryshme janë reflektim i lajmit televiziv, i një fotografie të vënë në stacionet hekurudhore, pllakatet me citate e porosi në vendet publike e institucionet përkatëse etj. Pra autorin e ka motivuar gjithçka, si kënga e mirë, piktura a drama me mesazh të qartë, koncerti shembullor, filmi dhe format tjera, që e bëjnë mozaikun e përgjithshëm kulturor e artistik, më të kapshëm, më të qëndrueshëm dhe më të pranueshëm. Por, siç theksuam më lart, pa ambicie për t’u përcaktuar vetëm për një temë a për ngjarje, e cila me gjuhën letrare quhet “zhanër”. Sikur gjithë drama e kombit shprehet nëpërmjet dinamizmit dhe dramacitetit të këtyre eseve, të cilat janë pasqyrë e zhvillimeve të shumta dramatike e shumë herë tragjike. Dhe të gjitha këto rrëfime, qoftë si tematikë apo si përmbajtje, janë mjaftë dinamike, të thella dhe përmbajtjesore. Po edhe vetë libri si tërësi, në gjithë brendinë e tij, ka një dramicitet tronditës.

Preokupimi i trajtimeve letrare, eseistike e filozofike të Gani Bytyçit, janë tema e migrimit të etnisë së autorit dhe fati i emigrantit, duke mos përjashtuar as fatin e tij në kontekstin kohor. Autori sheh rrezikun e përhershëm të tjetërsimit, pasi dita – ditës po largohen nga vlerat kulturore e nacionale, me të cilat janë mburrur breza të tërë. Kjo temë është trajtuar në forma të ndryshme dhe është parë po ashtu nga këndvështrime të shumta. Pjesë tjetër e preokupimit të autorit janë zhvillimet politike.

Temë në vete në pjesën e dytë të librit është arti dhe zhvillimet kulturore. Aty, autori ka bërë një interpretim eseistik të lartë, dhe duket se ka arritur të futet më thellë në esencën e trajtimeve për artin, kulturën, përmbajtjen, rolin dhe mesazhin e tyre. Kjo shprehet sidomos tek esetë: “ARTI, ARTISTI, MAGJIA ose siç e thotë ai (Mesazhi)”, “FJALËT QË NUK DI NËSE I THASHË PËR VETE APO PËR PUBLIKUN”, “HIJEZEZA DHE E KUQJA E GJAKUT (Tiranë), etj.”, janë aq të thella e aq të ndjeshme. Ato janë shprehje që alternojnë-shëmbëllejnë me pikturën, që shfaqet në pëlhurë, ku materializohet si shprehje letrare dhe artistike!

Këto raporte janë vendosur mbi koncepte të ndërsjella ndërsa artin e rreshton si avangardë që qëndron mbi të gjitha zhvillimet e tjera, që janë trajtuar në këto ese. Për ata që nuk e njohin autorin vlen të thuhet se Gani Bytyçi, pos sukseseve të shumta në fushën e artit, ai shpesh edhe e ka vlerësuar punën e tjetrit, qoftë në ceremonitë e hapjes së ekspozitave ose gjatë ndonjë prezantimit të ndonjë vepre letrare apo arti. Tash kur lexohen të shkëputura nga ajo njohje, secili lexues do ta kategorizon autorin për një kritik të spikatur e shumë të thellë për artet pamore. Këto relacione, kulturë – politikë – art, përbëjnë trilogjinë tematike, e cila dëshmon për implikimin e autorit në këto zhvillime, por implikimi i tij më shumë është i rolit aristokrat, i shtresës së lartë, qoftë përmes shkrimeve apo veprave artistike që ka ndërtuar, se sa nga angazhimi i tij i drejtpërdrejtë për t`u bërë militant i grupeve a individëve, nga të cilët me këto qëndrime e pikëpamje do të neveritej shpejt.

Në esenë “BEKIMI (ARTISTIK) I NËNË TEREZËS”, Gani Bytyçi, bënë një cilësim të lartë artistik, por kur vet autori është ARTIST dhe magjistar njëkohësisht – piktor, ky relacion që i bënë veprës artistike të skulptorit Mal Myrtaj, merr dimension human dhe njerëzor, duke dëshmuar se ai e paska kapërcyer egon e tij, për t’ia atribuuar suksesin tjetrit, vlerë për të cilën ka nevojë e tashmja e jonë e shndërruar në ego vetjake e vulgare! Pavarësisht këtyre altruizmave meditative, njeriu dhe fati i artistit në shoqëri janë si pjesë e tërësisë begatuese, të cilat na vijnë si një kronikë e pambaruar, e cila tash shfaqet në sfondin më real të atyre zhvillimeve për të cilat autori ka folur që në fazën embrionale. Shikuar nga ky prizëm libri lexohet me pasion pasi ai evokon artistikisht ngjarjet që janë zhvilluar dikur. Edhe pse esetë vijnë brenda një libri që kapin tri etapa kohore, para luftën, gjatë luftës dhe zhvillimet pas saj, ato qëndrojnë edhe janë të plota edhe veç e veç, të pavarura. Madje ato mund të zgjerohen e rikonceptohen si tërësi. Si i tillë, libri jep një mozaik të plotë letrar, artistik e eseistik.

Libri “FLETËZA DHEMBJEJE” dëshmon se autori mbetet një vëzhgues i detajit dhe një interpretues i shkëlqyer i mendimit letrar e artistik, i cili i ka sfiduar momentet dramatike të kohës. Ndërsa intervali kohor paraqet dinamikën e atyre zhvillimeve. Dhe jo vetëm kaq. Me këto shkrime ai dëshmon raportin e tij me ndryshimet që ndodhnin atëherë. Qëndrimi dhe vizioni i tij prej analisti e kompleton edhe më tej personalitetin e tij intelektual, kurse neve që e njihnim na bënë për t`u mburrur me largpamësinë e tij, për shumë ngjarje, të cilat ndryshonin nga çasti në çast. Tashmë kur rikthehen e rilexohen ato opinione dhe analiza të shkruara në mënyrë artistike, na sforcon bindjen për një njohës të zhvillimeve dhe një autor të kompletuar në pikëpamje kulturore e politike, letrare e artistike. Tashmë ky trajtim duhet të bëhet nga pozicioni i tanishëm duke e rikthyer kujtesën në ato vite që ishin shumë të rënda dhe tejet dramatike, për të veçuar individin përballë zhvillimeve politike, përballë shoqërisë në raport me artin dhe letërsinë. Natyrisht Gani Bytyçit, nuk i kanë shpëtuar as raportet e individit dhe relacionet e tija konfliktuoze me shoqërinë, sidomos në raport me ideologjinë e cila në masë të madhe kishte fërkime mjaftë të ashpra, probleme këto të cilat u trashëguan dhe u barten deri në të tashmen tonë të ngatërruar. Gani Bytyçi, duke qëndruar e jetuar në një vend me demokraci të konsoliduar, nuk ka mbajtur krahun e koncepteve regresive por gjithmonë është udhëhequr nga koncepte të përparuara. Po autori shpesh edhe ka qortuar e denoncuar vese e veprime negative të individit në raport me ato zhvillime. Ky pragmatizëm e vë Ganiun në piedestal të qasjeve sepse askund nuk është dukur si person i involvuar në politikë, por ato zhvillime gjithmonë i ka kundruar nga pozita e intelektualit duke iu paraprirë atyre proceseve në mënyrë artistike. S’ka dyshim, se esetë shfaqin edhe atë frymën e atyre raporteve, të cilat ndonjëherë ishin edhe kontradiktore. Por edhe ndaj tyre autori mban qëndrim shumë të paanshëm dhe krejt artistik! Esetë e këtij libri bartin me vete dhembje e përjetime që kanë të bëjnë me fatin e individit dhe të kolektivit si dhe dramën e tij.

Në përfundim: Eseja “FOTOJA QË MI RUAN TË GJALLË PRINDËRIT E MI”, sa është pikëlluese, po aq është artistike, sa emocionale po aq edhe reale. Në këtë rrëfim kaq dramatik e kaq përmbajtjesor e gjen vetën secili lexues që ka kapërcyer udhës jetësore të autorit, për të mos u bërë as ata “DRY QË NUK E MBYLLA KURRË”.

Libri “FLETËZA DHEMBJEJE” i Gani Bytyçit është një refleks estetik i vlerave të larta artistike. Është një mendim i thellë e analitik, që dëshmon se intelektuali ynë gjithmonë ka reflektuar vlera pozitive dhe kurdoherë e ka ruajtur shenjtërinë e fjalës publike e artistike!

 

Bernë, 23 nëntor 2018