SANIJE GASHI ZONJA E MADHE E KULTURËS SHQIPTARE

Xhemail Peci

 

SANIJE GASHI

ZONJA E MADHE E KULTURËS SHQIPTARE

 

Në vend të hyrjes

“Ka disa vjet që njohim jo pak emra gazetaresh shqiptare, të denja për respektin më të madh edhe të meshkujve. Një nga të parat dhe më të njohurat në të gjitha trojet shqiptare, është pa dyshim, Sanije Kushevica, dje, Sanije Gashi, sot, bashkë me ndonjë shoqe të saj të vjetër, dikur, nga më të parat gazetare në fletorarizmën shqiptare këtu.

Njësoj si Parashqevi Qiriazi në kohën e saj, që drejtoi dy revista për femra, kur ishte editore e revistës “Yll’ i Mëngjesit” (1917) dhe e gazetës “Albania” (1920), edhe Sanija në ditët tona ishte kryeredaktorja më jetëgjatë e “Kosovares” dhe, aktualisht, editorja e vetme dhe kryeredaktore e revistës për femra – TEUTA.”

         (Ramiz Kelmendi, shkrimtar, publicist. Në përvjetorin e 80-të të gazetarisë femërore shqiptare, 15 janar 1997)

 

* * *

“Sanije Gashi, ti je një Zonjë e Madhe. Si përherë ke arritur të na japësh një libër tronditës, të mrekullueshëm. E lexoja dhe shumë pjesë të tij ia lexoja edhe Ismailit me zë. Gjithë Kosova duhet të të jetë mirënjohëse për atë punë të hatashme, të palodhur dhe plot devocion që e ke bërë dhe vazhdon të bësh…

                      (Mikja jote e gjithëhershme, Helena Kadare)

* * *

“Sanija është një nga njerëzit më interesantë, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën time. Është nga ai lloj diamanti që shkëlqen edhe në errësirën më të plotë, për ta ndriçuar.”

 (Eglantina Mandia: Fytyrë e dashurisë) 

* * *

 

“Sikur Prishtina të kishte, jo shumë, por dhjetë shkëndija aq dritëdhënëse, si Sanije Gashi, do të ishte më e bukur, më fisnike, më e pasur.”

                                                                            (Amik Kasoruho)

* * *

“E keni bërë Prishtinën që të jetë e paharruar edhe për gjeneratat e reja. E përmendëm më herët librin Gjurmë ndër vite, që ju keni shkruar për njerëz që kanë lënë gjurmë, por në fakt, mund të themi pa modesti, që ju jeni ajo që po leni gjurmë në historinë tonë.”

(Lumira Kelmendi)

                            

Shkruan: Xhemail Peci

Fragmente nga libri “Sanije Gashi ose Parashqevi Qiriazi”

 

I

NJË PORTRET QË RREZATON DRITË

Një portret që shfaqet në një sfond librash të renditura nëpër rafte si ca kujtime kohësh, portret që shpalos një fytyrë e cila rri e menduar dhe njëkohësisht me një buzëqeshje fisnike që rri si një emblemë ilire në truallin e Etlevës dardane; një botë librash që nuk ka se si të mos na e kujtojë atë thënien e njohur të Zeusit të Vajmarit – Gëtes së madh, për më shumë dritë; një botë mendore dhe shpirtërore e cila nuk ka se si të mos na e kujtojë thënien e njohur të Naimit të Frashëllinjve: Dhe dritë e diturisë përpara do të na shpjerë!, një pozicion duarsh që dëshmon për një natyrë sa intelektuale po aq edhe skofiare, një veshje elegante që sa dëfton për shijen si rregullator i talentit (siç do të shprehej Rene Shatobriani) po aq flet edhe për një pedantëri e përkushtim në tavolinën e punës, një medalon që rri i varur në simbolikën e tij për t’iu falur simotarve të dijes e të kulturës -si një Medalje Kujtimi (siç e ka thënë vetë); një portret që flet shumë, si me heshtjen e vet ashtu edhe me kujtimet e kredhura në gjurmë vitesh, një portret që rrezaton dije dhe dritë, kulturë, fisnikëri dhe bujari, paqe dhe bardhësi, mbarësi dhe mirësi; një buzëqeshje e cila në sfondin e këtij portreti rri si një emblemë e kohëve nëpër të cilat publicistja shpalos kujtime e ushqen shpresa; gjithsesi një botë në vete me dashurinë e saj ndaj librit dhe ndaj dijes, një përkushtim gjithë punë dhe vrull, një dhunti e lindur, një frymëzim i rrallë ushqyer nga edukata familjare si dhe nga tradita kombëtare; një intelektuale e zonja e cila flet hapur dhe shkruan bukur, qartë, e rrjedhshëm; një stiliste brilante e cila me ligjërimin e saj krejtësisht origjinal (si një mishërim i llojit të veçantë publicistiko-poetik) i bën për vete lexuesit e saj të shumtë; një gazetare veterane e një emblemë e publicistikës shqiptare, një penë kaq e denjë e gjithë hire, një shkëlqim mendor dhe një përjetësim shpirtëtor, një dorë që lë gjurmë në faqet e gazetave dhe revistave, një humaniste e rrallë e një luftëtare e përbetuar e dritës dhe e mbrojtjes së të drejtave të femrës, një zonjë e cila shquhet me modestinë e saj por e cila pikërisht në këtë modesti shpalos madhështi, një ikonë e vërtetë dhe një doajene e fletorarizmës shqiptare e cila për gjysëm shekulli rresht nuk e lëshon penën nga dora, një shembëlltyrë pune e përkushtimi, një urti që u flet brezave me zërin e arsyes e me shembullin e së mirës, një motër e denjë që udhëzohet dhe frymëzohet nga një vëlla i rrallë, një bashkudhëtare e palodhur në rrugën e simotarve të saj pararendëse në përkrahjen e përparimit të femrës shqiptare, një zë në tribunë të demokracisë e një luftëtare e paepur në rrugën e dritës e të diturisë, një zë gjithë autoritet në shpalosjen e së vërtetës, një kroniste e denjë e kohëve të përgjakshme por edhe një biografe prej shembëlltyre më fisnike e simotrave për të cilat gjithmonë e shfaq atë krenarinë e saj të ligjshme e të njohur (“Për këto gra, pra, mendoj se çmimi më i mirë do të ishte – Medalja e Kujtimit.”), një bashkudhëtare e qytetit të saj të fëmijërisë (por siç e ka thënë vetë edhe e qytetit të rinisë së saj), të cilin ajo me flatrat e fjalës shqipe e ngriti aq bukur si një qytet të përjetësisë së dashurisë së saj kaq të veçantë për të – për Prishtinën (“Prishtina ka qenë një relaksim për gazetaren, për shpirtin”), një eminencë par excellence, një portret që flet aq shumë tek shpalos tipare dhe virtyte të një gruaje intelektuale e të një zonje gjithë dinjitet, Sanije Gashi përmes së kaluarës i flet së ardhmes, përmes penës i falet të bukurës dhe të madhërishmes, përmes yllësisë së fjalës shqipe gjakon dhe krijon perla të një publicistike në të cilën ajo ka krijuar stilin e vet të njohur sanijean, duke u bërë kështu me shembullin e saj të punës e të përkushtimit një simbol gazetarie, por gjithsesi edhe një zonjë e madhe jo vetëm e publicistikës por edhe e kulturës shqiptare, të cilës ajo ka nderin dhe krenarinë t’i shërbejë.

Në gjithë këtë portret rrezatonjës, mbi të gjitha shquhen ca sfonde balli që në vete mbajnë gjurmë kohësh, sy drite e kristale mendimesh, sfonde që shpalosin gjurmët e pararendësve që frymëzuan dhe ndikuan aq shumë në këto kristale mendimesh: Gjyshi, babai, nëna, vëllai…një familje e tërë e ushqyer me zjarrin e shenjtë të atdhedashurisë, me gjakimin për dritën e dijes e të diturisë, me tiparet dhe virtytet më të shquara të bujarisë e të finsikërisë së kombit.

Sanije Gashi është gazetarja e cila për publicistikën e ka braktisur politikën. Ajo është publicistja e cila në gazetarinë si profesion ka parapëlqyer dhe parapëlqen asnjanshmërinë. Ajo është humanistja e cila në përballje me tiraninë dhe me ligësinë, me terrin dhe me ferrin, ka mbrojtur lirinë dhe ka parapëlqyer mirësinë e drejtësinë, paqen dhe barazinë, përparimin dhe arsimimin.

Ajo është gazetarja e cila ka pasur fatin dhe privilegjin, kënaqësinë dhe gëzimin për ta pasur në krah e për t’u frymëzuar nga bardi i letërsisë shqiptare, Esad Mekuli.

Është domethënës fakti se bardi i paharruar, e deshti aq shumë dhe e përkrahu aq shumë gazetaren premtuese sa dhe prijatare, sepse te Sanije Gashi ai pa penën e njomë e cila një ditë doemos do të bëhej e denjë për flatrat e fjalës shqipe, sepse tek ajo ai pa dhe njohu një shpresë të re për një rrugë të re dhe për një jetë të re, pa një rreze drite e cila me punën dhe me përkushtimin e saj, me talentin dhe me vrullin e saj, do të linte gjurmë ndër vite.

Te Sanije Gashi, Esad Mekuli njohu jo vetëm zërin e rinisë por edhe zërin e ardhmërisë së asaj rinie, po sa gazetaren po aq edhe kosovaren e cila do të linte gjurmë të pashlyeshme tek “Kosovarja”, pa dhe njohu një gazetare sa krenare po aq edhe prijatare,  e cila duke u vënë me gjithë qenien e vet në përkrahjen dhe emancipimin e femrës shqiptare, do të gjakonte gjithë jetën që t’i shihte simotrat e saj ashtu siç do të predikonte dikur princi i gjuhës shqipe Faik Konica, në po atë shkëlqim që Ilirisë i dha Teuta.

E thënë shkurt dhe qartë, Esad Mekuli pa te Sanije Gashi atë që pa Naim Frashëri tek Sevasti Qiriazi (Dako), dhe koha i dha të drejtë këtij bardi të madh të këtij trualli të përgjakur kaq shumë.

Këtë ndjenjë admirimi dhe respekti, ndjenjë të mirënjohjes dhe të frymëzimit, e ka shpalosur vetë publicistja Sanije Gashi:

“T’u kthehem viteve të para në gazetari: Pranë një njeriu, siç thashë, çfarë ishte bardi i letërsisë shqiptare, Esad Mekuli, njeri me shumë kulturë, kishe çfarë të mësoje, veç diturisë – urtinë, mirësinë, kurtuazinë…Deri në fund, edhe pas pensionimit, do të mbetet mik i sinqertë imi, ndonëse me dallim të madh në moshë.

Ndaj këtij njeriu kisha respekt të veçantë. Ç’është e drejta, respekti ishte i ndërsjellë.”

Po kjo ndjenjë respekti dhe mirënjohjeje është shfaqur në plotni edhe në librin e saj publicistik Gjurmë ndër vite:

“Kujtesë

Prishtinë, 6 gusht 1993

* * *

Në Shoqatën e Shkrimtarëve mbahet mbledhja komemorative me rastin e shuarjes së poetit. Në atë shumësi njerëzish, të ardhur për t’i bërë nderimet e fundit z. Esad Mekulit, hyn e shoqja, Dr. Sehadete Mekuli, intelektuale e shquar, ecën drejt meje, zëshëm më drejtohet burrërisht:

-A t’u dhimbs njeriu që të deshi aq shumë!

E pranoj, më la pa frymë!”

Është njëkohësisht po kaq domethënës edhe fakti tjetër se doajeni i gazetarisë Ramiz Kelmendi, qe i pari që e krahasoi Sanije Gashin me Parashqevi Qiriazin.

Sokol Halili i letrave shqipe, kreshniku i fjalës së ëmbël e mjeshtri i rrallë i kësaj fjale, edhe këtej trasoi rrugë e na hapi shtigje që vetvetiu nënkupton se një nderim të tillë të filluar nga ai, duhet çuar deri në fund…

Ithtare e parimit iluminist të shpalosur aq bukur nga ajo vetë se: “Të emanciposh një grua, do të thotë të emanciposh një shoqëri”, gazetare e cila në sfida dhe në sakrifica të shumta e ka thënë hapur se: “Qëllimi i shkrimeve të mia ka qenë të ndikoja në emancipimin shoqëror të femrës”, ithtare e parimit empirik të formuluar nga ajo vetë se: “S’ka libër në jetë që ta mëson atë që ta mëson përvoja jetësore”, ithtare e parimit të mirësisë dhe të njerëzisë – të shprehur sërish nga ajo vetë se: “Modestia është kulturë, është edukatë”, ithtare e parimit kaq aktual e aq programatiko-publicistik të Gabriel Garsia Markezit se me gënjeshtra nuk bëhet gazetaria, si dhe ithtare aq e devotshme e parimit të madh të At Zef Pllumit: Rrno për me tregue, Sanije Gashi është njëkohësisht edhe ithtare e nderimit dhe e përkujtimit të veçantë të simotrave të saj:

“Zonjës Musine, ndërkaq, koleges, editores së parë shqiptare, ndonëse nuk u njohëm kurrë, i përkulem dhe i falem gjithë dinjitet!”

Nuk ka dyshim se një shprehje e tillë e respektit dhe e mirënjohjes përpara kujtimit të Musine Kokalarit, përpara këtij engjëlli të dritës që aq shumë e deshti Shqipërinë, por që mjerisht aq pak ia lejuan Shqipërinë që ta gëzonte ashtu siç e meritonte, flet vetvetiu për një ndjenjë madhështie.

Gjithmonë një ndjenjë madhështie, sa herë që Sanije Gashi me fjalë miradije ka përkujtuar simotrat e saj, të cilat me punë dhe me penë ushqyen idealin e një Shqipërie të përparuar e të begatuar, që nga Elena Gjika, Parashqevi e Sevasti Qiriazi, Selfixhe Broja e Urani Rumbo, Nermin Vlora, Iffete Agushi, dhe sa e sa të tjera.

Prandaj, të thuash Sanije Gashi do të thotë të thuash Parashqevi Qiriazi.

Të thuash Sanije Gashi do të thotë të thuash: Zonja e Madhe e kulturës shqiptare.

Duke gëzuar për një shekull rresht, të qenunit nën privilegjin e dritës së letrave, Sanije Gashi është bërë kështu vetë Teuta e publicistikës shqiptare.

Duke qenë “emblemë e gazetarisë sonë” (Ramiz Kelmendi), dhe “zë i fuqishëm i atyre që heshtin” (Bekim Muhaxheri), ajo ka ngritur zërin për ngritjen e një shtatoreje (Një Pllakë Përkujtimore në Shenjë Nderimi), për gratë e përvuajtura, si “një reminishencë për gratë që përjetuan dhunën në luftën 1998-1999! Për ato që përjetuan kalvarin më prekës, më përbuzës, më çnjerëzor që mund të përjetojë një qenie njerëzore!” (Gjurmë ndër vite, f. 232)

Duke cituar zonjën Ollbrajt që gratë t’iu ndihmojnë grave, ajo me të drejtë ka ngritur zërin kundër ambasadave mashkullore, ka shpalosur Ide për një emërtim njerëzor, për ta pagëzuar Klinikën Gjinekologjike-Obstetrike të Prishtinës, me emrin e prijatares Dr. Sehadete Mekuli, dhe ka kërkuar me forcë “kthimin e dinjitetit të qytetarit” nga vetë shteti, sepse siç është shprehur më tej: “tani lyp edhe plismbajtësi! Lyp edhe shamibardha, apo kryeshtrumja.” (Gjurmë ndër vite, f. 242)

Publicistja emblemë ka bërë thirrje të vazhdueshme që “të lartësojmë këtë figurë njerëzore, duke i kënduar kësaj krijese fisnike” (Gjurmë ndër vite, f. 255), për të pasur një përkujtimore: “Që së paku një herë në vit të përkulemi para dhembjes së GRUAS, që do të ishte një fllad për shpirtin e lënduar? (Gjurmë ndër vite, E Sheshi i Gruas, ku mbeti? F. 259.)

Pa dyshim, një kauzë kaq e denjë e mbrojtur me devotshmëri, kauzë për të cilën Viktor Hygo pat shkruar: “Ngjitur me të Drejtat e Njeriut, fare pranë tyre, janë të Drejtat e Shpirtit. Këmbëngulja është sekreti i të gjitha triumfeve…Paqja është virtyt i qytetërimit. Lufta është krim.”

Në rrugën e sfidave të shumta, por edhe në rrugën e suksesit të dëshmuar, publicistja e penës prijatare është treguar sa modeste po aq edhe e përkushtuar:

“Është fakt se jam natyrë që nuk imponohet, nuk futet, që nuk shkon prej studios në studio ose në redaksi mediash të shkruara, siç po ndodh, për ta “afirmuar” punën e bërë e të pabërë!…Njeriu, pra, duhet të ketë pak modesti edhe në këtë pikëpamje. Se, modestia është kulturë, është edukatë! Mbase, kjo mund të jetë arsyeja e rënies “në hije”, siç thoni ju. Unë vazhdoj të punoj, veç revistës “Teuta”, që tubon rreth vetes mijëra lexues, veç librave të botuar, jam në përgatitje dhe të librave të tjerë publicistikë  dhe vazhdoj të shkruaj, që domethënë me punë e ‘thyej hijen’!” (Gjurmë ndër vite, f. 395-396).

Pa dyshim, një portret që flet vetë. Gjithsesi edhe një portret që flet me kohët: dje, sot dhe nesër. Një personalitet i publicistikës dhe i kulturës shqiptare që meriton respekt dhe admirim, sepse në formimin e saj njerëzor dhe intelektual kanë ndikuar në mënyrë të veçantë babai (“në burgun e Prishtinës do të ndodhej edhe im atë, i dënuar me pushkatim në vitin 1945”), gjyshi Rexhep Tërpeza (“i shquar për urti e burrëri”), si dhe vëllai Shyqri Kushevica, korrektor në gazetën Rilindja (“e kam pasur mbështetës gjatë gjithë kohës dhe udhëzues në jetë.”)…

Sanije Gashi është Oriana Falaçi shqiptare. E ky është edhe një epitet që ia dha përplot meritë, kush tjetër pos dora vetë Ramiz Kelmendi. Gjurmë ndër vite e gjurmë kohësh, shoqëruar me kalldrëme kujtimesh për pikturën dhe artet, veçmas për kitarën: “Më pëlqente koha e kaluar nën tingujt e instrumenteve muzikore…Kitara, instrument i dëshiruar (dashuri e munguar)”, për shoqet e fëmijërisë të shpërngulura në Turqi, për jetën gjithë vija dhe vragë e plot stuhi dhe vrull të bashkëkombësve të vet.

Një portret që rri menduar mes librash dhe gazetash, mes faqeve të dorëshkrimeve dhe revistave, duke kujtuar rrugëtimin e gjatë dhe përplot sfida që nga fillimi, duke qëndruar mes një ëndrre të paplotësuar (“Veçse, instrumenti që sot e atë ditë më mbetet ëndërr e parealizuar, është-kitara!”), dhe një profesioni të paëndërruar: “Gazetarinë, ndonëse e pëlqeja, nuk e kisha ëndërruar.”

Pjesëmarrëse e pandalshme në tubimet dhe protestat e viteve të vrullshme ’90, politikisht “e angazhuar në kohë të rrezikshme” e përplot sfida dhe ndeshtrasha, pjesëmarrëse në demonstratat e organizuara brenda dhe jashtë Kosovës (si fjala vjen në Bon të Gjermanisë e gjetiu), dhe gjithashtu mjaft aktive në takimet dhe tribunat politike, e arrestuar dy herë dhe e burgosur, si gazetare që shkruante për aktualitetin e rëndë kosovar si dhe anëtare aktive e Forumit të Gruas të Lidhjes Demokratike të Kosovës, humaniste e cila pyetjes: Çka më vret?, i është përgjigjur: “Varfëria e njerëzve, më pikëllon një dorë e zgjatur. Më lëndon braktisja e fëmijëve!…O Zot?!”, Sanije Gashi është gazetare emblemë e cila pyetjes: Ç’më dha gazetaria?, i është përgjigjur:

“Profesioni që e ushtroj gjysmë shekulli, bëri që të njihja shumë njerëz dhe karaktere, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyera në jetën time.  Gjatë gjithë jetës kam skicuar portrete njerëzore, kam ngritur figura grash. Në fakt, gjithmonë kam qenë në mbrojtje, në mbështetje të dinjitetit të gruas. Gruaja e ka afirmuar personalitetin e saj në të gjitha fushat e jetës.

Gazetaria e ka pasuruar jetën time. Profesioni të formon si njeri. Çdo njeri duhet të lërë pas vetes diçka të veçantë, për të mos u harruar…Lum ai që lë përshtypje me punën e tij, me karakterin, me njerëzinë e vet.”

Duke qenë kështu një personalitet që beson fuqishëm se: “Vetëm puna e mban njeriun. Guximi është ai që të mban në çdo punë”, Sanije Gashi e çmon shumë kulturën e mendjes dhe bukurinë e kësaj kulture: “Tani, pas gjysmë shekulli gazetari, me gojën plot mund të them se kam kryer – Universitetin e jetës!”

(vazhdon)